2018
Një Rast Trishtimi në Shabat
Korrik 2018


Një Rast Trishtimi në Shabat

Autorja jeton në Juta, SHBA.

E dija që duhej të më pëlqente shumë Shabati, por nuk dija si.

Pamja
hiding under covers

Ilustrim me foto nga David Stoker

Shkrimet e shenjta thonë se Shabati është një ditë e shenjtë, një ditë e gëzueshme dhe e kënaqshme, një ditë çlodhjeje, një ditë kremtimi.1 Por disa vite më parë, ndërkohë që isha në vitet e fundit të adoleshencës, të dielat më dukeshin të mjerueshme. Në vend të paqes, ndieja stres. Në vend të gëzimit, mërzi. Në vend të shpresës, faj. Kisha një ndjenjë të fortë trishtimi në Shabat.

Çdo të diel në mëngjes, pas një sasie të madhe kohe që fshihesha poshtë shtresave të mia, më në fund e pranoja që ishte njëmend e diel dhe vishesha për në kishë. Në kishë, shqyrtoja javën që kisha kaluar. Gjatë sakramentit, i mblidhja të gjitha dështimet e mia, duke mos mbaruar kurrë përpara se të ngrihej folësi i parë. Pjesa tjetër e kishës bëhej një betejë e mbajtjes së lotëve teksa faji shtohej me keqardhjen e re prej faktit që ndihesha aq e neveritshme në kishë.

Pasditja ishte pak a shumë njësoj. Ndieja faj për zgjedhjet e së kaluarës, stres rreth zgjedhjeve të së ardhmes dhe mërzi për rrethanat e së tashmes. Pa veprimtaritë shkollore dhe jashtëshkollore që të hiqja mendjen, e kaloja kohën duke u kapur pas mendimeve negative.

Pasi e dëgjova, e lexova dhe e dëgjova përsëri bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme të tetorit 2015 rreth faktit që Shabati është një kënaqësi, u luta për paqe dhe dashuri për Shabatin në vend të mjerimit që ndieja aktualisht.2 Dhe erdhi një përgjigje.

Përqendrohu tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Ndjeva nxitjen për ta kaluar përqendrimin tim nga fatkeqësitë e mia te marrëdhënia ime me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Në vend që të përsiatja dështimet e mia, e përdora kohën për të përsiatur përfshirjen e Tyre në jetën time.

Kur vinin mendimet negative, i përsëritja vetes atë që dija dhe besoja rreth Perëndisë dhe Jezu Krishtit: Unë jam një fëmijë i Perëndisë. Ai më do. Jezu Krishti është Vëllai im dhe Ai shleu për mua. Ata duan që të jem e lumtur dhe të kthehem tek Ata. Shabati është një dhuratë nga Perëndia.

Fillova të ushtroja besim në këtë dëshmi.

Pranojeni Aktivisht Sakramentin

Ndryshimi i pikës së përqendrimit tim më shtyu që ta merrja sërish parasysh qasjen time ndaj sakramentit. Për kaq shumë kohë, e kisha trajtuar sakramentin si një kohë për të dënuar veten. Por nuk është ai qëllimi i tij. Sakramenti është një ordinancë e shenjtë për të përtëritur besëlidhjet tona. Është një mundësi për t’u bërë sërish të pastër nëpërmjet fuqisë shlyese të Jezu Krishtit. Duke u përqendruar tek ordinanca dhe besëlidhja me besim dhe një zemër të penduar, kuptova se sakramenti ofronte paqe teksa e pranoja dhuratën e faljes, i mbaja besëlidhjet e mia dhe merrja Shpirtin e Zotit (shih DeB 20:77, 79).

Të menduarit për Shlyerjen e Krishtit gjatë sakramentit solli një dhuratë tjetër në mendjen time. Jo vetëm që mund të falesha, por mund të merrja edhe shërim sepse Shpëtimtari im i mori mbi Vete dhembjen dhe dobësitë e mia (shih Alma 7:11–12). Nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe sakramentit, mund të gjeja paqe dhe forcë në Shabat – ose çdo ditë tjetër – në vend të stresit dhe mërzisë.

Dhe e gjeta atë paqe. Shpëtimtari im më gjendet pranë të dielave dhe përherë!

Ushtroni Besim të Duruar

Kjo gjë nuk u ndreq për një javë. Ishte mundim dhe m’u desh kohë. “Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s’e shohim, atë gjë e presim me durim” (Romakëve 8:25). Vazhdova të punoja me përqendrimin tim dhe të lutesha për të ndier dashuri për Shabatin.

Me kalimin e kohës, gjeta njëmend paqe dhe kënaqësi në atë ditë të shenjtë, por nuk mund të hiqja dorë aty dhe të rrëshqitja përsëri në krizat e Shabatit. Çdo javë kërkon përqendrim të zellshëm te Shpëtimtari dhe te qëllimi i Shabatit, por e di se premtimi për paqe dhe gëzim është i vërtetë.

Shënime

  1. Shih Eksodi 20:11; Eksodi 31:15; Levitiku 23:32; Isaia 58:13; Doktrina e Besëlidhje 59:13.

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 129–132.

Shtyp në Letër