2018
Përballja me Pyetje të Vështira: Tre Parime që Mund të Ndihmojnë
Korrik 2018


Përballja me Pyetje të Vështira: Tre Parime që Mund të Ndihmojnë

Ja se si të kërkoni përgjigje në një mënyrë që jua forcon besimin.

Pamja
young man contemplating scriptures

Keni pasur ndonjëherë ndonjë pyetje rreth ungjillit ose Kishës? A jeni shqetësuar ndonjëherë që pyetja juaj do të thotë se nuk keni mjaftueshëm besim ose që dëshmia juaj nuk është e fortë mjaftueshëm?

Pyetjet janë një pjesë normale dhe e domosdoshme e udhëtimit tuaj nëpër vdekshmëri. Ato mund t’ju çojnë drejt mprehtësisë dhe besimit më të madh. Sidoqoftë, qëndrimi, shtysa dhe procesi juaj për gjetjen e përgjigjeve ndikojnë te rezultati.

Në seminar do t’i mësoni këto tre parime të zotërimit doktrinor që mund të ndihmojnë për t’ju udhërrëfyer drejt të vërtetave të përjetshme.

  1. Veproni me Besim

    Kur të keni një pyetje, mund të veproni me besim duke zgjedhur t’i mirëbesoni Perëndisë dhe t’i drejtoheni Atij të parit për përgjigje. Perëndia jep përgjigje “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Është e rëndësishme të mbështeteni te dëshmia që keni tashmë në kohë dyshimi.

    “Kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj.”1 – Plaku Diter F. Uhtdorf

    “Mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme.”2 – Plaku Xhefri R. Holland

  2. Shqyrtojini Konceptet dhe Pyetjet me një Këndvështrim të Përjetshëm

    Nëse i merrni parasysh pyetjet në kuadrin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit, mund të filloni t’i shihni gjërat ashtu siç i sheh Perëndia. Kjo do t’ju ndihmojë t’i shqyrtoni sërish pyetjet tuaja duke përdorur standardet e Perëndisë për të vërtetën në vend që të përdorni të botës.

    “Të qenit të ankoruar tek e vërteta e përjetshme … do të na japë paqe që vjen nga besimi në Jezu Krisht dhe te njohuria që jemi në shtegun drejt jetës së përjetshme.”3 – Presidenti Dallin H. Ouks

    “Nëse zbuloni diçka që duket se po e bllokon gëzimin dhe dritën e ungjillit në jetën tuaj, unë ju ftoj ta shihni sipas një këndvështrimi ungjillor. Shihni përmes një lenteje të ungjillit dhe jini vigjilentë që të mos i lejoni çështje të parëndësishme ose të paqëndrueshme në jetë t’ua errësojnë pamjen tuaj të përjetshme të planit të madh për lumturinë.”4 – Plaku Geri E. Stivenson

  3. Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore

    Perëndia ju ka dhënë burime të shumta për t’i përdorur teksa kërkoni të vërtetën. Këto burime përfshijnë Frymën e Shenjtë, shkrimet e shenjta, familjen tuaj, udhëheqësit e Kishës madje edhe burime jashtë Kishës që jua forcojnë besimin në Jezu Krisht. Kur të kërkoni përgjigje, sigurohuni që të bëni dallimin midis burimeve jo të besueshme dhe atyre të besueshme, gjë e cila do t’ju forcojë besimin dhe do ta ftojë Frymën e Shenjtë në jetën tuaj.

    “Dobi të mëdha … vijnë nga përpjekjet tuaja për ta zmadhuar, zgjeruar dhe shtuar të kuptuarin tuaj të së vërtetës. Përdorini shkrimet e shenjta dhe deklarimet e profetëve për ta zgjeruar njohurinë tuaj.”5 – Plaku Riçard G. Skot (1928–2015)

    “Ne vazhdimisht kërkojmë të vërtetë nga gjithë librat e mirë dhe nga burime të tjera të dobishme. ‘Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra’ [Nenet e Besimit 1:13].”6 – Plaku Diter F. Uhtdorf

Provojeni vetë!

Shembujt vijues tregojnë se si mund të bëhet kjo. Vini re se këto nuk janë përgjigje të plota, thjesht shembuj se si një i ri apo e re mund të provojë t’u përgjigjet këtyre pyetjeve vetë. Duhet të vazhdoni të studioni e të luteni për temat rreth të cilave keni pyetje që të gjeni përgjigje dhe ta forconi dëshminë tuaj.

Pse një Atë i dashur Qiellor lejon që të ndodhin gjëra të këqija?

Veproni me besim: E kam ndier dashurinë e Perëndisë për mua dhe e di se Ai ekziston, ndonëse nuk e kuptoj përse Perëndia lejon që të ndodhin gjëra të këqija.

Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm: Liria e zgjedhjes është një pjesë e rëndësishme e planit të shpëtimit. Perëndia na dërgoi poshtë në tokë për të përjetuar sprova, për të marrë vendime dhe për të marrë një trup fizik. Por lejimi që njerëzit të marrin vendime do të thotë që ndonjëherë njerëzit do të bëjnë zgjedhje të gabuara dhe do të prekin jetën e njerëzve të tjerë. Dhe sprovat që nuk janë rrjedhojë e zgjedhjeve të këqija – të tilla si katastrofat natyrore, paaftësia dhe vdekja – mund të na sigurojnë mundësi që t’i forcojmë dëshmitë tona dhe t’i mirëbesojmë Perëndisë.

Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore: Çfarë thonë shkrimet e shenjta dhe profetët e kohëve të sotme për arsyen pse kalojmë gjëra të vështira? “Fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart” (DeB 121:7–8). Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Perëndia kurrë nuk na lë të vetëm, kurrë nuk na lë të pandihmë në sfidat që hasim”.7 Nuk i di arsyet pas të gjitha sprovave të mia, por besoj se Jezu Krishti e kreu Shlyerjen për mua dhe për gjithkënd. Mund t’i drejtohem Atij dhe Atit Qiellor për paqe, forcë dhe përkrahje gjatë sprovave të mia (shih Alma 7:11–12).

Si mund ta dalloj kur po më flet Fryma e Shenjtë?

Pamja
young woman reading scriptures

Veproni me besim: Ndonëse ndonjëherë është e vështirë që ta dalloj kur jam duke marrë frymëzim, e di nga dëgjimi i dëshmive të të tjerëve dhe nga leximi i shkrimeve të shenjta që Shpirti do të më ndihmojë ta kuptoj nëse vazhdoj të përpiqem që ta dëgjoj këshillën e Tij.

Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm: Perëndia na jep dhuratën e Frymës së Shenjtë që të mund të marrim frymëzim për të bërë atë që është e drejtë. Nëse jam duke marrë një nxitje për të bërë diçka të mirë, e di se është nga Shpirti, edhe nëse duket sikur është nga vetë mendimet e mia.

Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore: Shkrimet e shenjta japin mësim: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10). Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se “dëshira e sinqertë dhe denjësia ftojnë në jetën tonë shpirtin e zbulesës”.8 Nëse po përpiqem të jem i përulur dhe po bëj më të mirën për të qenë i denjë për Shpirtin, Zoti do të më ndihmojë për të më drejtuar te përgjigjet. Ai do të më mësojë si më flet Shpirti mua veçanërisht.

Përfundim

Pyetjet nuk janë shenjë e mungesës së besimit; ato shpesh janë një tregues që dëshmia po rritet. Teksa veproni me besim, i shqyrtoni konceptet e pyetjet me një këndvështrim të ungjillit dhe kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore, mund të gjeni përgjigje të dobishme për pyetjet tuaja dhe besim më të madh te Jezu Krishti.

Shënime

  1. Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2013, [Liahona, nëntor 2013, f. 23].

  2. Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, konferenca e përgjithshme e prillit 2013, [Liahona, maj 2013, f. 94].

  3. Dallin H. Oaks, “As He Thinketh in His Heart” (takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 8 shkurt 2013), lds.org/prophets-and-apostles.

  4. Geri E. Stivenson, “Eklipsi Shpirtëror”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2017, [Liahona, nëntor 2017 f. 64].

  5. Richard G. Scott, “Acquiring Spiritual Knowledge,” konferenca e përgjithshme e tetorit 1993.

  6. Diter F. Uhtdorf, “Ç’është e Vërteta?” (Takim Shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 13 janar 2013); broadcasts.lds.org.

  7. Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Engjëjve”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2008, [Liahona, nëntor 2008, f. 31].

  8. Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, konferenca e përgjithshme e prillit 2011, [Liahona, maj 2011, f. 87].

Shtyp në Letër