2023
Mrekullitë e Perëndisë Vazhdojnë
Korrik 2023


“Mrekullitë e Perëndisë Vazhdojnë”, Liahona, korrik 2023.

Portrete Besimi

Mrekullitë e Perëndisë Vazhdojnë

E kuptova se bindjet fetare të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme qenë më të pajtueshme me Biblën sesa pretendimi që Bibla i kishte zëvendësuar profetët dhe zbulesën. Ndjeva gëzim të vërtetë kur e kuptova se mund të isha duke jetuar në “kohë biblike” moderne.

Pamja
familje duke qëndruar së bashku në ambient të jashtëm

Fotografia me mirësinë e autorit

Më 9 nëntor 1989, një zyrtar i qeverisë së Gjermanisë Lindore lajmëroi gabimisht që duke hyrë në fuqi menjëherë, qytetarëve të kryeqytetit iu lejohej të kalonin përtej Murit të Berlinit. Pak minuta më vonë, rojat e kufirit që zakonisht mërziteshin, nuk patën zgjidhje tjetër veçse ta lejonin turmën e madhe e në rritje që të largohej nga territori i Republikës Demokratike Gjermane.

Miku im i ngushtë, Jakub Gorouski dhe unë, në atë kohë ende në vitet e adoleshencës sonë, e pamë mrekullinë e papritur të shpalosej në televizor nga shtëpia jonë në Poloni. Bota qe vërtet në flakë, por nuk ishin flakë shkatërrimtare. Fryma e lirisë dhe shpresës ua bëri zemrën mal miliona njerëzve.

Për Jakubin dhe mua, ëndrra jonë kishte qenë që një ditë të shpërnguleshim nga Polonia drejt Perëndimit, në Danimarkë, Suedi, Gjermaninë Perëndimore. Ne u frymëzuam nga filmat dhe serialet televizive amerikane. I parapëlqyeri im ishte The Wonder Years [Vitet e Mrekullisë]. Më pëlqente tej mase atmosfera e jetës në periferi të qyteteve amerikane.

Nuk mendoj se ndokush në të dyja anët e Perdes së Hekurt priste që të mbaronte Lufta e Ftohtë. Por Ati Qiellor kishte një plan tjetër. Në vitin 1975, pa dijeninë tonë, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) i kishte ftuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme “t’i bashkoheshin një kërkese serioze të vazhdueshme ndaj Zotit që t’i hapte portat e kombeve dhe t’ua zbuste zemrën mbretërve dhe sunduesve me qëllim që misionarët të mund të hynin në të gjitha tokat dhe të jepnin mësim ungjillin”1.

Dy vjet më vonë, Presidenti Kimball vizitoi Varshavën në Poloni. Një mëngjes, i shoqëruar nga një grup i vogël bashkëpunëtorësh të tij, përfshirë Plakun Rasëll M. Nelson, Presidenti Kimball u largua nga hoteli i tij, eci pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur dhe hyri në Parkun Saski. Jo larg nga një shatërvan i madh që ende gjendet atje sot, ai u gjunjëzua dhe e ripërkushtoi Poloninë që të predikohej ungjilli.

Vijoi një dekadë trazirash dhe protestash masive. Ndërkohë që të rriturit nuk u besonin dhe i kundërshtonin udhëheqësit politikë, shumë të rinj e të reja i vinin në pikëpyetje disa nga vlerat, traditat dhe qëndrimet e prindërve të tyre. Miku im, Jakubi, dhe unë ndiheshim të zhgënjyer nga krishterimi me aq sa e kuptonim atë. Ai e humbi interesin te feja në përgjithësi, ndërkohë që mua më tërhiqnin filozofitë që i kishin fillesat në Azi.

Në prill 1990, Jakubi dhe unë udhëtuam me automjete të rastit drejt Austrisë. Në Vienë takuam dy gra të këndshme që po qëndronin në trotuarin e një rruge të ngarkuar. Njëra prej tyre po mbante në dorë Librin e Mormonit në polonisht. Ajo na tregoi rreth vizitës së Jezusit në popullin e Amerikës së lashtë dhe premtoi se do të na e dërgonte me postë librin në shtëpinë tonë po t’i jepnim adresat. Ne i hapëm gjithashtu blloqet tona me adresa dhe kopjuam adresat e shumë prej miqve tanë. Menduam se do të ishte një surprizë e këndshme për ta që të merrnin një dhuratë.

Pak muaj më vonë, u themelua Misioni i Polonisë, Varshavë dhe katër misionarë mbërritën në qytetin tonë. Më vonë, mësova se numri i madh i “referimeve”, adresave të miqve tanë, luajti një rol kyç në vendimin për hapjen e qytetit tonë për misionarët. Për çudinë time, disa muaj më vonë, Jakubi më tregoi se dy misionarë “mormonë” i kishin shkuar për vizitë dhe që ai kishte vendosur t’i bashkohej kishës së tyre.

Unë u lëndova nga lajmërimi i tij. Isha përpjekur prej vitesh ta bëja të interesohej për fenë por pa sukses. Si mund ta kthenin në besim papritur disa të huaj nga një vend tjetër? Isha i vendosur të përballesha me ta dhe t’i tregoja Jakubit se ata nuk kishin asnjë mundësi për të më mundur në debat.

Ndjeva Diçka të Veçantë

Kur i pashë dy misionarët e rinj, të buzëqeshur tek qëndronin në pragun e derës së apartamentit të prindërve të mi, e harrova synimin tim për t’u vërtetuar se ata e kishin gabim. Ata qenë të lumtur dhe gazmorë. Më bënë shumë pyetje rreth vetes dhe gjërave që besoja. I respektuan bindjet e mia. Më vonë më thanë se gjatë atij takimi të parë me djaloshin arrogant me flokë të gjatë e xhinse të grisura që po tymoste cigare, zor se e kishin imagjinuar që unë do të interesohesha ndonjëherë për t’u bërë një pasues i Jezu Krishtit. Por ndjeva diçka të veçantë në praninë e tyre dhe më ngjalli kureshtje fakti që Kisha e tyre ishte e vetmja fe e krishterë që njihja, e cila besonte në ekzistencën para lindjes.

Më lanë mbresa gjithashtu dëshmitë e tyre dhe bindjet e forta të Jakubit dhe Robert Zelevskit, shokut të tij të ri nga Kisha. Roberti ishte psikolog, një burrë inteligjent, por me këmbë në tokë, këndvështrimet dhe përvojat e të cilit e forcuan interesimin tim për fenë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Gjithçka që më treguan djemtë misionarë, Jakubi dhe Roberti, ishte magjepsëse, veçanërisht doktrina e planit të shpëtimit, duke filluar nga jeta para lindjes dhe duke mbaruar me tri shkallët e lavdisë. Por nuk pashë asnjë arsye pse t’i bashkohesha Kishës derisa qeshë në gjendje t’i rrokja më plotësisht bindjet e tyre unike fetare. Kuptueshmëria ime për krishterimin ishte se në lashtësi, Perëndia kreu mrekulli, dërgoi engjëj dhe thirri profetë, por të gjitha ato gjëra iu përkisnin kohëve biblike. Pasi Bibla përfundoi, njerëzimi nuk kishte më nevojë për mrekulli dhe zbulesë sepse shkrimi i shenjtë përmban gjithçka që kemi nevojë të dimë.

Një zbulim i rëndësishëm erdhi gjatë diskutimit tonë rreth Braktisjes së Madhe dhe Rivendosjes së plotësisë së ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. E kuptova se bindjet e tyre fetare qenë më të pajtueshme me Biblën sesa pretendimi që Bibla i kishte zëvendësuar profetët dhe zbulesën. Ndjeva gëzim të vërtetë kur e kuptova se mund të isha duke jetuar në “kohë biblike” moderne.

Isha gati t’i kërkoja Perëndisë sinqerisht zbulesë vetjake, por nuk më erdhi një përgjigje. Në fund, thashë: “Atë Qiellor, nëse Ti e thirre Jozef Smithin si profetin Tënd, unë do t’i bindem çdo urdhërimi që Ti zbulove nëpërmjet tij”. Pastaj përgjigjja më erdhi në zemër dhe mendje me siguri dhe e dija se Perëndia e kishte rivendosur plotësinë e ungjillit dhe që ajo gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pamja
djalë misionar me një tren në sfond

Jakubi u pagëzua më 3 nëntor 1990 dhe qëndroi besnik derisa vdiq në një aksident tragjik gjatë një ngjitjeje në mal dy dekada më vonë. Unë iu bashkova Kishës më 11 janar 1991, i vendosur për të shërbyer në një mision. Roberti u thirr si presidenti i parë vendor i degës sonë dhe më çoi me makinë deri në Frajberg të Gjermanisë, në mënyrë që të mund të merrja dhurimin në tempull. Gjatë intervistës sime të fundit me të, i premtova se do të kthehesha në Poloni pas shërbimit tim në Misionin e Ilinoisit, Çikago, për të përdorur përvojën time si misionar për të forcuar Kishën në vendin tonë.

Dy vjet më vonë, presidenti im i misionit më bindi se duhej të arsimohesha në Amerikë në Universitetin “Brigam Jang”. Por nuk e harrova kurrë premtimin që i bëra Robertit.

Pamja
djalë i ri misionar duke qëndruar në mes të një çifti të moshuar

Pasi u martova në vitin 2000, u shpërngula sërish në Poloni me bashkëshorten time, e cila, në vitin 1988, kishte qenë një figurante në episodin e gjashtë të serialit The Wonder Years [Vitet e Mrekullisë]. Ne i frekuentonim mbledhjet e Kishës në Krakov, duke rritur dy djem dhe duke mbajtur lidhje të afërta me dy fëmijët tanë më të mëdhenj. Djali ynë më i madh kohët e fundit na lajmëroi se ka vendosur të shërbejë në një mision kohëplotë.

Në verën e vitit 2021, e çova familjen në Berlin ku iu tregova vendin ku dikur ngrihej muri. Ai nuk i ndalon më shërbëtorët e Perëndisë që të shpërndajnë mesazhin e Rivendosjes te njerëzit në Europën Lindore. Mrekullitë e Perëndisë vazhdojnë në kohën tonë.

Shënim

  1. Spencer W. Kimball, në “Insights from June Conference”, Ensign, tetor 1975, f. 70.

Shtyp në Letër