2023
Thirrja Jonë për të Shpërndarë Ungjillin e Shpëtimtarit
Korrik 2023


“Thirrja Jonë për të Shpërndarë Ungjillin e Shpëtimtarit”, Liahona, korrik 2023.

Thirrja Jonë për të Shpërndarë Ungjillin e Shpëtimtarit

Si shërbëtorë të Perëndisë, ne thirremi ta shpërndajmë shpresën që ofron Shpëtimtari nëpërmjet jetës, mësimeve, Shlyerjes dhe ungjillit të Tij të rivendosur.

Pamja
dy djem misionarë duke vështruar në një kompjuter dore

Kur ishim misionarë të rinj në moshë në Angli, shoku im i misionit dhe unë i dhamë mësim një burri i cili kishte përjetuar ngjarje të tmerrshme, që i kishin rrezikuar jetën gjatë Luftës II Botërore. Ai ishte përfshirë në një konflikt të armatosur në tokë dhe më pas i mbijetoi një sulmi shkatërrues ndaj anijes ku ai ndodhej përpara se të kthehej në shtëpi në Angli. Kur më në fund mbërriti në Angli, ai ishte aq i pushtuar nga emocionet dhe mirënjohja që ishte kthyer në shtëpi shëndoshë e mirë, saqë u gjunjëzua, e puthi tokën dhe ofroi falënderime.

Kur i dhamë atij mësim për Rivendosjen dhe i përshkruam Vegimin e Parë të Jozef Smithit, ai lotoi. Me lot në sy, përshkroi dëshminë e fortë që kishte marrë. Ai shpjegoi se mesazhi i Rivendosjes i jepte atij ndjenja të ngjashme me ato që kishte ndier kur u rikthye shëndoshë e mirë në tokën angleze. Ai ndjeu se kishte një vendmbërritje të përjetshme.

Pamja
grup misionarësh në Angli

“Ungjilli i rivendosur ofron pikërisht atë dritë që u nevojitet fëmijëve të Perëndisë gjatë kohëve të trazuara”, – thotë Plaku Kuentin L. Kuk (rreshti i sipërm, i pesti nga e djathta), i cili shërbeu në Misionin Britanik me Plakun Xhefri R. Holland (rreshti i sipërm, i shtati nga e majta).

Djathtas: fotografia me mirësinë e autorit

Thirrja Jonë si Shërbëtorë të Perëndisë

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne jemi shërbëtorë të Perëndisë. Si shërbëtorë të Tij, misioni ynë është t’ua shpërndajmë të tjerëve, ashtu si atyre që u dhashë mësim në Angli, shpresën që ofron Shpëtimtari nëpërmjet jetës, mësimeve, Shlyerjes dhe ungjillit të Tij të rivendosur (shih te 3 Nefi 27:13–14). Ajo nuk është një detyrë e thjeshtë në një botë të mbushur me dyshim, dëshpërim dhe errësirë, por ungjilli i rivendosur ofron pikërisht atë dritë që u nevojitet fëmijëve të Perëndisë gjatë kohëve të trazuara.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka deklaruar se bota ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit tani më shumë se kurrë: “Ungjilli i Tij është e vetmja përgjigje kur shumë njerëz në botë janë shtangur nga frika. Kjo nënvizon nevojën urgjente që ne të ndjekim udhëzimin e Zotit ndaj dishepujve të Tij që të ‘d[alim] në mbarë botën dhe [t’ia] prediko[jmë] ungjillin çdo krijese’ [Marku 16:15, theksimi i shtuar; shih edhe te Mateu 28:19]. Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë për t’u treguar për fuqinë dhe paqen e Jezu Krishtit të gjithë atyre që do të dëgjojnë dhe atyre që do ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.” Presidenti Nelson shtoi: “Secili prej nesh ka një rol për të luajtur në mbledhjen e Izraelit”1.

Pamja
motra misionare dhe një çift duke parë në një telefon

Një mënyrë se si e përmbushim atë rol, është duke pranuar thirrjet për të shërbyer si misionarë kohëplotë. Ne e dimë, sikurse Presidenti Nelson theksoi kohët e fundit, që përgjegjësia për punën misionare kohëplotë bie kryesisht mbi të rinjtë që janë ruajtur për mbledhjen në ditët e mëvonshme. Për ta, puna misionare është një “përgjegjësi priftërie”. Ndonëse puna misionare është me dëshirë për të rejat, Presidenti Nelson u ka kërkuar atyre ta pyesin Zotin a do të donte Ai që dhe ato të shërbenin. “Ajo që ju jepni në këtë punë, është madhështore!” – u ka thënë ai atyre. Dhe, sigurisht, Zoti ka nevojë që çiftet në moshë të shërbejnë si t’ua lejojnë rrethanat. “Përpjekjet e tyre”, sipas fjalëve të Presidentit Nelson, “janë thjesht të pazëvendësueshme.”2

Një mënyrë tjetër se si e përmbushim rolin tonë në mbledhjen e Izraelit, është ta kujtojmë besëlidhjen tonë që të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Neve nuk na duhet një thirrje si misionarë kohëplotë për të qëndruar si dëshmitarë. Ndërsa e jetojmë ungjillin, i duam dhe u shërbejmë të tjerëve, qëndrojmë të fortë përballë tundimit dhe përndjekjes dhe japim dëshmi me fjalë e vepra, do t’i tërheqim të tjerët drejt Jezu Krishtit.

Shpërndarja e ungjillit mund të jetë frikësuese, edhe për ata që mund të kenë shërbyer tashmë në misione. Por kur kemi një dëshmi të fortë për Shpëtimtarin dhe Rivendosjen, ne nuk rrimë dot pa dhënë dëshmi për atë që dimë.

Pamja
grua duke buzëqeshur

Rëndësia e Dëshmisë

Si ta forcojmë dëshminë tonë në mënyrë që të mund të bëhemi misionarë të efektshëm? Ne thjesht kemi nevojë të ndjekim këshillën e profetit tonë të gjallë. Dëshmitë tona rriten ndërsa ne:

  • E përshpejtojmë hovin tonë shpirtëror.3

  • Gjejmë kohë për Zotin.4

  • E forcojmë themelin tonë shpirtëror.5

  • E lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.6

  • E dëgjojmë Atë.7

Ndërsa i studiojmë fjalët e Presidentit Nelson dhe ia vëmë veshin këshillës së tij, ne do ta forcojmë dëshminë tonë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, për rolin që luajti Profeti Jozef Smith në Rivendosje, për vërtetësinë e Librit të Mormonit dhe për thirrjen e profetëve dhe apostujve bashkëkohorë. Një dëshmi e forcuar do të na përgatitë dhe do të na e shtojë dëshirën për t’ia vënë veshin thirrjes profetike të Presidentit Nelson për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit.

Për ta shpërndarë ungjillin me efektshmëri, nuk na nevojitet të jemi oratorë të talentuar. Nuk na nevojitet të dimë çdo grimë dhe titull të doktrinës së ungjillit. Nuk na nevojitet të dimë përmendsh një duzinë shkrimesh të shenjta. Nuk na nevojitet as që të kemi arsim të lartë. Ato gjëra na ndihmojnë ta shpërndajmë mesazhin tonë, por fuqia e vërtetë që kthen në besim, vjen nga një zemër e përulur, një dëshmi e gjallë dhe një dëshmim pohues nga Fryma e Shenjtë.

“Asnjë njeri”, – tha Profeti Jozef Smith, “nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë.”8

“Zjarr në Kockat e Mia”

Në vitin 1830, pasi i dëgjoi misionarët të jepnin mësim mesazhin e ungjillit të rivendosur, Brigam Jangu dëshironte ta dinte vetë të vërtetën që ata po jepnin mësim. Në mënyrë metodike, ai e studioi Librin e Mormonit si edhe karakterin e atyre që dëshmuan për të dhe për Profetin Jozef Smith.

Diçka tek ata misionarë të hershëm ia preku Brigamit zemrën dhe shpirtin. “Dëshmia e tyre ishte si zjarr në kockat e mia”, – tha ai.9

Njëri nga ata misionarë, Eljëzër Milleri, kishte qenë anëtar i Kishës prej vetëm katër muajsh.10 Ai ishte, sipas fjalorit të përditshëm të misionarëve sot, “fringo” dhe nuk fliste dot mirë në publik. Por ato gjëra nuk kishin rëndësi.

Pamja
Eljëzër Milleri

Eljëzër Milleri

Vite më vonë, Presidenti Brigam Jang deklaroi: “Kur pashë një njeri pa oratori apo talente për të folurën në publik, i cili mund të thoshte vetëm: ‘Unë e di, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se Jozef Smithi është një profet i Zotit’, Fryma e Shenjtë që buronte nga ai individ, e ndriçoi kuptueshmërinë time dhe para syve të mi u shpalos drita, lavdia dhe pavdekësia”.

Presidenti Jang tha se ai u rrethua dhe u mbush nga ajo dritë dhe lavdi dhe se e dinte edhe vetë që dëshmia e Eljëzërit ishte e vërtetë.

“Botës me gjithë urtësinë dhe fuqinë e vet, me gjithë lavdinë dhe shfaqjen e praruar të mbretërve dhe sundimtarëve të saj”, – tha Presidenti Jang, “i bie plotësisht rëndësia krahasuar me dëshminë e thjeshtë, të pazbukuruar të një shërbëtori të Perëndisë.”11

Sa i Madh Është Gëzimi Ynë

Profeti Jozef Smith deklaroi: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”12.

Nderimi i besëlidhjeve tona si anëtarë të mbretërisë së Perëndisë përfshin shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Shpërndarja e ungjillit është një nga shprehjet më të mëdha të faktit që e duam të afërmin porsi vetveten (shih te Mateu 22:37–39). Shpërndarja e ungjillit është porosia e madhe e Shpëtimtarit.

Ata prej nesh që kanë ndihmuar të sjellin shpirtra te Krishti, e kanë shijuar gëzimin e përjetshëm që u premtohet atyre që punojnë për të shpëtuar fëmijët e Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:15–16). Ende e sjell ndër mend shërbimin tim kohëplotë si misionar në moshë të re në Angli, shokët e misionit me të cilët shërbeva, njerëzit që takuam, bijtë dhe bijat e çmuara të Perëndisë që i ndihmuam të hynin në vathën e Tij. Jeta ime nuk qe kurrë më e njëjta paskëtaj.

Nga përvoja ime vetjake, i bëj jehonë premtimit të Presidencës së Parë për ata që “t’vërtetën …sjelli[n] n’bot’”13, qoftë në vendlindje ose jashtë: “Zoti do t’jua shpërblejë dhe do t’ju bekojë së tepërmi ndërsa i shërbeni Atij me përulësi e plot lutje. Më shumë lumturi ju pret nga sa keni provuar ndonjëherë më parë ndërsa punoni midis fëmijëve të Tij.”14

Shtyp në Letër