2023
Ndryshimi i Qasjes Sime ndaj Marrjes së një Dëshmie
Korrik 2023


“Ndryshimi i Qasjes Sime ndaj Marrjes së një Dëshmie”, Liahona, korrik 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Ndryshimi i Qasjes Sime ndaj Marrjes së një Dëshmie

Për herë të parë kisha një farë të thjeshtë besimi që ishte e vërtetë.

Pamja
artikuj të ndryshëm kopshtarie, përfshirë një bimë në vazo që mbahet nga dy duar

U rrita në Kishë, shkoja në aktivitete dhe merrja pjesë në lutje familjare dhe studim të shkrimeve të shenjta. Por nuk kisha në të vërtetë një dëshmi. Nuk e dija a besoja te Perëndia ose Biri i Tij. Nuk e dija a ishte i vërtetë Libri i Mormonit.

E dëshiroja një dëshmi, por ndihesha e zhgënjyer pasi isha lutur shumë herë pa ndier se kisha marrë një përgjigje. Fillova të pyesja veten: “Nëse Perëndia është i vërtetë, pse nuk ma tregon Ai këtë? Pse më lë Ai të rri këtu duke vrarë mendjen?”

Duke hedhur vështrimin pas, mund ta shoh qartë pse nuk po merrja përgjigje: nuk po përpiqesha realisht. I lexoja shkrimet e mia të shenjta pesë minuta një herë në javë dhe prisja ndonjë përvojë zbulese vetëm sepse e kërkoja.

Nuk e kuptoja se besimi është një parim veprimi.

Një Farë Besimi

Kushdo që do të më shihte nga jashtë, do të më kishte quajtur “aktive” në Kishë, por unë prapëseprapë nuk e dija që Kisha ishte e vërtetë. Por unë doja njëmend ta dija.

Ndaj vendosa të shërbeja në një mision. Gabimisht hamendësova se si një misionare, do të kisha automatikisht më tepër gjasë që të merrja përgjigje nga Perëndia. Prapë nuk po përpiqesha me të vërtetë për t’u lutur ose studiuar, por shpejt më erdhi caktimi në detyrë.

Në fillim të misionit tim, e kisha të vështirë të ndieja Shpirtin ndërkohë që trajnohesha në internet gjatë pandemisë, për shkak të përpjekjes sime me gjysmë zemre. Por më pas shkova vetë në qendrën e trajnimit të misionarëve. Koha që kalova atje, ishte përvoja më shpirtërore e jetës sime. Ishte hera e parë që kisha një farë të thjeshtë besimi, që ishte e vërtetë.

Sjellja e një Ndryshimi

Në fund, hyrja në fushën e misionit ishte e vështirë. Ndihesha sikur humbi dëshmia e vogël që kisha marrë.

Një ditë po qaja dhe më pas një kujtim më erdhi ndër mend. Babai im e kishte zakon të më pyeste si shkoi dita ime në shkollë dhe unë gjithnjë i thosha se ishte e mërzitshme. Dhe ai më thoshte: “Epo, kjo vjen ngaqë ti e bëre atë të mërzitshme. Nëse dëshiron që shkolla të jetë argëtuese, bëje argëtuese.” E kuptova se ose mund të përfitoja sa më shumë nga misioni im nëpërmjet të mësuarit dhe rritjes ose mund të ndihesha e mjerë.

Prandaj u luta me më shumë sinqeritet se kurrë që t’i tregoja Atit Qiellor se do të përpiqesha dhe ta ndryshoja qëndrimin tim. Pas kësaj, mora shtysë për të bërë përpjekje të reja. Fillova të studioja, të lutesha dhe të përsiatja me të vërtetë dhe, me kalimin e kohës, ai vezullim dëshmie u kthye përsëri dhe vazhdoi të rritej. Isha më pak e zhgënjyer dhe nisa të gjeja gëzim në ungjill.

Ajo që Japim Është Ajo që Marrim

Kur jeni të zhgënjyer me ndjenja sikur besimi juaj nuk po rritet, mund të pyetni veten a është Perëndia atje dhe a interesohet Ai. Por kam mësuar se Ai është gjithnjë me ne dhe do të na ndihmojë ta forcojmë besimin dhe dëshminë tonë nëse marrim përgjegjësi dhe bëjmë përpjekje (shih te Moroni 10:4).

Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ndërkohë që duket se nuk ka formulë të saktë me anë të së cilës secili merr një dëshmi, duket se ka një model të dallueshëm”1. Ai model përfshin pasjen e një dëshire të sinqertë për të ditur të vërtetën, të luturit, të qenit të gatshëm të shërbejmë atje ku thirremi, përpjekjen që të jemi të bindur, studimin e shkrimeve të shenjta e zbatimin e tyre në jetën tonë dhe pasjen e një qëndrim me përulësi.

Nuk do ta forcoja kurrë besimin tim pa e ndryshuar qëndrimin tim, pa ndjekur këtë model dhe pa iu përkushtuar me gjithë zemër lidhjes me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kur i bëra ato ndryshime, fillova të merrja përgjigje dhe t’i besoja të vërtetat.

Motra Rebeka L. Krejvën, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, kohët e fundit, tha: “Të jesh dishepulle e Jezu Krishtit përfshin më shumë sesa thjesht të shpresosh ose të besosh. … Kërkon që ne të bëjmë diçka.”2 E kam mësuar vetë që kjo është e vërtetë: ajo që investoj tek ungjilli, është ajo që përfitoj.

Për ata që më shohin, niveli i aktivizimit tim në Kishë mbase duket i njëjti siç ka qenë gjithmonë. Por e kam ndryshuar zotimin tim ndaj ungjillit në zemër. Dhe kjo ka sjellë të gjithë ndryshimin.

Autorja jeton në Uashington, SHBA.

Shënime

  1. Robert D. Hales, “The Importance of Receiving a Personal Testimony”, Ensign, nëntor 1994, f. 21–22.

  2. Rebeka L. Krejvën, “Bëni Atë që Ka më Shumë Rëndësi”, Liahona, maj 2022, f. 62.

Shtyp në Letër