2023
Misioni Im në Vazhdimësi
Korrik 2023


“Misioni Im në Vazhdimësi”, Liahona, korrik 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Misioni Im në Vazhdimësi

Letra e fundit e babait tim përshkoi të ardhmen time, duke më dhënë fjalë që vlenin sa e gjithë bota për mua.

Pamja
zarf i hapur dhe letër

Po shijoja misionin tim kohëplotë në malet e bukura të Kahamarkës në Peru, kur im atë papritmas pësoi një goditje në tru. Shpejt paskëtaj, ai nuk ishte më.

Kur u takova me presidentin tim të misionit, qava ndërsa kujtova që babi më kishte mësuar se çfarë do të thotë të jesh misionar dhe burrë me integritet moral. Ai më kishte shkruar çdo javë, duke më dhënë dëshminë e tij, duke më mësuar mprehtësi të fuqishme shpirtërore dhe duke më nxitur të bëj më të mirën.

Pas mbledhjes sonë, presidenti i misionit më dha një letër, të fundit nga im atë. Letra e tij e fundit përshkoi të ardhmen time, duke më dhënë fjalë që vlenin sa e gjithë bota për mua:

“Ti ke një [mision] tjetër që do të të vijë për pak muaj, misionin më të vështirë, ku do të pritet nga ty t’ua përkushtosh jetën parimeve që ke dhënë mësim, të bësh gjërat që, deri në këtë pikë, vetëm i ke predikuar. Ky mund të jetë misioni më frytdhënës. Ti je si majaja e bukës. …

Ne të duam dhe lutemi për ty përditë. Puno fort dhe bëj gjërat e drejta.”

Ndërsa i lexova fjalët e tij, qava nga hidhërimi, duke e ditur se ato ishin fjalët e tij të fundit për mua në këtë jetë dhe nga gëzimi, duke e ditur fuqinë dhe qëllimin e tyre për mua. E dija se misioni im i radhës, pjesa e mbetur e jetës sime, do të kishte kuptim të paçmueshëm. Ajo do të ishte një kohë e vërtetë sprovimi dhe për të do të duhej gjithçka që kisha mësuar dhe përjetuar si misionar.

E di se Ati Qiellor ka një plan thellësisht të qëllimshëm për secilin prej nesh. Ai mund t’i lartësojë çastet tona në tokë dhe të na japë sy për të parë dhe për ta ditur të vërtetën e Tij. E kam parë këtë ndërsa i jam zotuar me jetën time Atij dhe kam përjetuar bekimet e Tij. E kam parë këtë ndërsa bashkëshortja ime e bukur dhe unë kemi punuar së bashku për të ndërtuar një familje të mbushur me shpresë, fëmijë dhe ungjill.

Shpëtimtari na ka sjellë forcë kur jemi gjunjëzuar, kur u jemi drejtuar shkrimeve të shenjta, tempullit dhe të tjerëve në shërbim. E kam parë dorën e Zotit të shpaloset gjatë çasteve të mrekullueshme në jetën time ndërsa i kam shpërndarë ungjillin familjes dhe miqve të mi.

Misioni i Tij është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Ai mision vërtet vazhdon.

Shtyp në Letër