2023
Nxitjet në Tempull
Korrik 2023


“Nxitjet në Tempull”, Liahona, korrik 2023.

Nxitjet në Tempull

Shtëpia e Zotit është një shtëpi zbulesash. Sa më shpesh që të shkojmë në tempull, aq më tepër gjasë ka që të marrim zbulesë.

Pamja
Tempulli i Hjustonit, Teksas

Fotografi e Tempullit të Hjustonit në Teksas nga Steve Scott Jackson

Shtëpia e Zotit nuk është vetëm një ndërtesë e shenjtë ku bëjmë punën e shpëtimit, por gjithashtu një vend zbulese, ku mund të ndodhin nxitje të mëdha dhe të vogla, ku mund të shërohen plagët në shpirtin tonë dhe ku Zoti mund të na e prekë zemrën në mënyra të papritura.

Një Mbresë e Dallueshme

Kur po shërbeja si punonjës ordinancash në Tempullin e Hjustonit në Teksas, një grup motoristësh u kthyen në vendparkimin tonë dhe pyetën a mund të hynin në tempull. Presidenti i tempullit, Riçard Satëni, i shpjegoi grupit qëllimin e tempullit dhe nevojën për një rekomandim tempulli që të hynin në ndërtesë. Kreu i motoristëve dhe shoku i tij ishin veçanërisht të vëmendshëm.

“Ndjeva diçka kur kaluam pranë ndërtesës suaj”, – tha ai. “Nuk mund ta shpjegoj, por qe një mbresë aq e dallueshme saqë dëshiroja të zbuloja çfarë mund ta ketë shkaktuar atë.”

Dyshja dëshironte të dinte më tepër, ndaj Presidenti Satën e la që misionarët t’i vizitonin ata.

Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, Presidentit Satën i trokitën në derën e zyrës së tij në tempull. “Nuk do të më njohësh, por ca kohë më përpara erdha deri këtu me disa shokë me motoçikleta. Në atë kohë, mundesha vetëm të vështroja nga jashtë.” Duke ngritur lart një rekomandim tempulli, ai vazhdoi: “Sot, do ta vështroj nga brenda”.

Pamja
grua duke ecur jashtë një tempulli

Një Gjuhë e Dytë

Kur Din dhe Boni Hilli u thirrën për të shërbyer si misionarë në moshë në Tempullin e Koçabambës në Bolivi, Boni qe në ankth. Ajo nuk kishte studiuar kurrë spanjisht dhe ishte e pasigurt për aftësinë e saj për të kryer ordinanca të nevojshme ose për t’iu drejtuar të tjerëve në një gjuhë të panjohur. Një bekim priftërie i premtoi asaj se ajo do të ishte në gjendje të komunikonte edhe gojarisht, edhe shpirtërisht në spanjisht.

“Nuk mund të flas shumë spanjisht jashtë tempullit”, – thotë ajo. “Por në shtëpinë e Zotit, duket se më vjen me lehtësi.”

Edhe pasi ajo dhe bashkëshorti i saj u rikthyen në shtëpi dhe morën pjesë në sesione në spanjisht në Tempullin e Ogdenit të Jutës, frekuentuesit ia vunë në dukje theksin e saj të mahnitshëm.

Bëni Diçka për të Përjetuar Gëzimin

Presidenti Nelson tha: “Ne mund të frymëzohemi gjithë ditën rreth përvojave të tempullit dhe të historisë familjare që i kanë pasur të tjerët. Por duhet të bëjmë diçka që ta përjetojmë vetë me të vërtetë gëzimin.”1

Gëzimi dhe frymëzimi si dhe nxitjet dhe siguria na presin në tempull. Atje flitet dhe kuptohet një gjuhë qiellore që nuk është në dispozicion askund tjetër në tokë. Ne kemi qasje në zbulesën që Zoti dëshiron të na japë në tempull, kur jo vetëm e frekuentojmë atë, por edhe kur shkojmë atje duke pritur të marrim zbulesë. Ja tek janë disa shembuj frymëzimi që janë marrë:

  • Martin Gauri nga Bregu i Fildishtë kërkoi udhërrëfim në tempull për një çështje të rëndësishme jetësore dhe pati një vërtetim mbresëlënës që lutjet e tij kishin marrë tashmë përgjigje rreth saj. Ky është parimi që Zoti i mësoi Oliver Kaudërit: “Sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde. … A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen?” (Doktrina e Besëlidhje 6:22, 23.)

  • Rendi Bronsoni jeton pranë Tempullit të Pejsënit në Jutë dhe ka shpenzuar vite duke bërë kërkime për historinë familjare. “Por kam një djalë më pak aktiv dhe nuk jam gjithnjë i sigurt se çfarë mund të bëj për të. Ndaj jo vetëm që ia vendos emrin në listën e lutjeve, por lutem me zell në tempull, duke u përpjekur të zbuloj se çfarë mund të bëj për të. Më vijnë ide për atë që mund t’i them ose të bëj për të.”

  • “Ti je një nënë e mirë”, – i tha Stefani Fakrell Hilli një të panjohure në Tempullin e Loganit në Jutë. “Nga e di ti?” – pyeti nëna e re me ngurrim. Motra Hill tha: “Pashë bojën e fëmijëve të tu në duart e tua dhe pasi e pashë, ndjeva nxitje nga Shpirti që të ta thoja”. Nëna e re ishte përpjekur t’i fshihte duart. E lehtësuar, tani ajo u ndje e pranuar në vend që të ndihej se po ia vinin në dukje [për keq].

Tempulli është një vend, jo vetëm për t’i shpëtuar paraardhësit tanë, por edhe për të marrë atë lloj zbulese që mund të na udhërrëfejë ne dhe të tjerët përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Presidenti Nelson tha: “Secili prej nesh ka nevojë për forcimin dhe udhëzimin e vazhdueshëm shpirtëror, që janë të mundur vetëm në shtëpinë e Zotit”2. Këto nxitje dhe mbresa të marra në shtëpinë e Tij të shenjtë na mësojnë të shohim siç sheh Jezusi, të dëgjojmë siç dëgjon Ai dhe të jetojmë siç jeton Ai. 

Autori jeton në Jutë, SHBA.

Shtyp në Letër