2023
Gjithkush Ka Nevojë për Ungjillin
Korrik 2023


“Gjithkush Ka Nevojë për Ungjillin”, Liahona, korrik 2023.

Gjithkush Ka Nevojë për Ungjillin

Kisha planifikuar të shërbeja në një mision, por pas kolegjit mendova se nuk kisha pse të shërbeja, derisa gjeta një vend pune ku punoja me vajza të keqtrajtuara. Më pas e pashë se gjithkush ka nevojë për ungjillin.

Pamja
grua duke mbajtur një monedhë

The Lost Coin [Monedha e Humbur], nga Harold Copping © Providence Collection / me leje nga GoodSalt.com

Kur isha në Fillore, nuk mund ta mbaj mend se sa herë mësuesit e mi pyetnin se kush mes nesh do të shërbente në një mision kohëplotë. Me mendjen time fëminore, gjithmonë thoja se do të shërbeja.

Nëna ime më tregoi se sa e rëndësishme është mbledhja e Izraelit duke i ndihmuar misionarët kohëplotë ta jepnin mësim dhe ta shpërndanin ungjillin. Një herë iu bashkova për të gjetur shtëpinë e një motre në lagje që nuk e kishte frekuentuar kishën prej disa kohësh. Ne thuajse humbëm rrugën sepse nuk e dinim me saktësi se ku banonte ajo. Në vend që të acarohej, nëna ime e kërkoi me zell shtëpinë e asaj motre. Si gruaja në shëmbëlltyrën e dhrahmisë së humbur (shih te Lluka 15:8–10), ajo e gjeti motrën dhe u gëzua.

Mënyra se si nëna ime bëri çmos për punën e Zotit, jo vetëm për ta shpërndarë ungjillin, por edhe në thirrje të tjera të Kishës, më ndihmoi të kuptoja se gjithkush duhet t’i shërbejë Zotit, edhe në mënyra të vogla.

Ndërsa vitet kaluan, u diplomova në seminar, mora medaljonin tim të Të Rejave, u diplomova në kolegj dhe fillova të punoja. Pak e nga pak, ndjenja e të bërit një misionare kohëplotë nuk ishte më një përparësi. Ndonëse isha ende aktive dhe i lartësoja thirrjet e mia në Kishë, thashë me vete: “Nuk ka problem nëse nuk shërbej në një mision kohëplotë, sepse nuk e kam detyrim. Jam një motër dhe mund t’i shërbej Zotit në shumë mënyra të tjera.”

Çfarë ma Ndryshoi Mendjen

Kur isha 22 vjeçe, pata mundësi të punoja në një qendër ku u shërbeja vajzave që kishin përjetuar keqtrajtim dhe mospërfillje. Ndjeva keqardhje për to. E pashë se si keqtrajtimi ua theu zemrën dhe ua shkatërroi dashurinë për veten. Disa prej tyre u orvatën të vrisnin veten. Disa prej tyre nuk donin t’i mirëbesonin askujt. Shumë prej tyre nuk kishin shpresë në jetë dhe nuk e ndienin dashurinë e Shpëtimtarit.

Shpesh e pyesja veten: “A mund të ishin parandaluar këto keqtrajtime? Po sikur autorët e keqtrajtimeve të tyre të kishin marrë ungjillin? Po sikur prindërit e tyre të ishin bërë anëtarë të Kishës përpara se këto vajza të lindeshin?” Kuptova se këto vajza mund edhe të mos i kishin përjetuar këto sprova nëse prindërit dhe autorët e keqtrajtimeve të tyre do ta kishin marrë dhe jetuar ungjillin.

Reflektimi mbi këto pyetje dhe puna në qendër më ndihmoi të kuptoja se të gjithë njerëzit kanë nevojë për ungjillin. Ashtu si ushtria e Helamanit në Librin e Mormonit luftoi për të mbrojtur besimin dhe familjet, Zoti ka nevojë për misionarë kohëplotë që ta shpërndajnë ungjillin e Tij dhe ta mbrojnë mbretërinë e Tij.

Përvojat që pata me vajzat në qendër, më frymëzuan të ecja në shtegun ku Zoti dëshironte që unë të shkoja. Vendosa që duhej t’i bashkohesha ushtrisë misionare të Zotit. Ai e pa këtë dëshirë dhe unë u thirra të shërbeja në Misionin e Filipines, Kauajani.

Shërbimi në një Mision

Në misionin tim, pashë njerëz të ndryshonin ndërsa mësonin ungjillin. U dhashë mësim njerëzve që nuk dinin si të falnin, të cilët pinin duhan dhe pije alkoolike, që kishin krenari, që nuk dinin si të luteshin. Për shkak të ungjillit, ata i lanë zakonet e tyre të vjetra për të qenë të denjë për atë që Perëndia ka premtuar: jetën e përjetshme.

Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, mësova që çdokush mund të fillojë të ecë ose të kthehet në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar nëse pendohet. Ungjilli i Jezu Krishtit do të na ndihmojë të ndryshojmë dhe të përparojmë drejt përsosurisë, dhe që të jemi të denjë për bekimet e mëdha që Ati Qiellor ka përgatitur për ne. Këto ndryshime mund të jenë nga trishtimi në lumturi, nga kaosi në paqe, nga zemërimi në falje, nga dobësia në forcë, nga urrejtja në dashuri.

Ndihem tejet e bekuar që jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ungjilli i Jezu Krishtit më ndihmon të kuptoj vlerën time si bijë e prindërve qiellorë, edhe në rrethana të këqija. Ati ynë në Qiell më ngushëllon gjithnjë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Shkrimet e shenjta janë busulla ime kur jam e pështjelluar dhe kam nevojë të marr vendime.

Familja ime dhe unë po përpiqemi fort të durojmë me besnikëri deri në fund. Jam mirënjohëse që jam e martuar me një burrë që mban priftërinë dhe ka një dëshmi të fortë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Besëlidhja ime me Zotin nuk është vetëm për veten time, por për familjen time dhe për mbretërinë e Tij.

Autorja jeton në Filipine.

Shtyp në Letër