2023
Rruga Jonë Vetjake për në Emaus
Korrik 2023


“Rruga Jonë Vetjake për në Emaus”, Liahona, korrik 2023.

Eja, Më Ndiq

Lluka 24:13–35

Rruga Jonë Vetjake për në Emaus

Pesë veprimtari të thjeshta mund të na ndihmojnë të dimë që Shpëtimtari është gjithnjë pranë.

Pamja
Jezusi dhe dishepujt rrugës për në Emaus

On the Road to Emmaus [Rrugës për në Emaus], nga Wendy B. Keller, me mirësinë e Havenlight‑it

Babai im vdiq nga kanceri kur isha 4 vjeç. U rrita duke vrarë mendjen se përse ai duhej të vdiste. E vija në dyshim Perëndinë dhe pyesja pse jeta ishte aq e padrejtë. Dhjetë vjet më vonë, kur isha 14 vjeç, takova misionarët. Ndërsa na jepnin mësim, nëna ime ndjeu se ata po jepnin mësim të vërtetën dhe se duhej të mbanim vesh. Kur iu bashkova Kishës, ungjilli i Jezu Krishtit dhe një kuptueshmëri për planin e shpëtimit erdhi në jetën time në një kohë kur kisha vërtet nevojë për të.

Më vonë, kur u vulosa me prindërit e mi në tempull, mami më pëshpëriti: “Ndiej praninë e babait tënd”. Ndërsa mendoja për bekimet e të qenit të vulosur, e dija se Zoti ishte i vetëdijshëm për familjen tonë dhe se Ai kishte qenë me ne shpesh, edhe kur ne nuk e kuptonim.

A e keni pyetur veten ndonjëherë a është Shpëtimtari në dijeni për ju? Ai i di Ai mundimet dhe shqetësimet tuaja? Çfarë do t’ju thoshte Ai po të mundeshit të ecnit e të flisnit me Të?

Ai Eci me Ta

Tri ditë pas vdekjes së Jezu Krishtit, dy nga dishepujt e Tij po ecnin përgjatë rrugës drejt fshatit Emaus, i cili është rreth 12 km larg Jerusalemit. Ata qenë përhumbur në mendimet dhe shqetësimet e veta kur me ta u bashkua një i huaj.

I huaji pyeti: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?”

Dishepujt folën për ngjarjet e fundit lidhur me “çështjen e Jezusit nga Nazareti”. Ata besuan që Jezusi kishte ardhur për ta shëlbuar Izraelin, por Ai ishte ndëshkuar dhe kryqëzuar padrejtësisht. Ata gjithashtu thanë se ata që e njihnin Krishtin më së miri, po thoshin se Ai ishte ngritur së vdekuri.

I huaji u tha se ata ishin “zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët”. Ai përsëriti atë që shkrimet e shenjta jepnin mësim, dhe si e kishte përmbushur Krishti profecinë. Kjo i mbushi dishepujt me gëzim.

Kur mbërritën në Emaus, dishepujt i kërkuan të huajit të “rri[nte] me [ta]”. Në darkë i huaji e bekoi bukën dhe e ndau atë. Papritmas, dishepujt e njohën të huajin që nuk ishte fare i huaj por Vetë Shpëtimtari! (Shih te Lluka 24:13–32.)

Ai Rri me Ne

Ne mund të pyetim veten se përse dy dishepujt nuk e njohën Shpëtimtarin kur Ai po ecte me ta. E prapëseprapë, sa shpesh na ndodh që nuk arrijmë të kuptojmë se Ai ecën me ne? Shpesh jemi aq të përqendruar te sfidat dhe madje gëzimet në jetën tonë të përditshme, saqë nuk e shohim se e kemi Shpëtimtarin përkrah.

Ne mund të mos e shohim si qëndron Ai me ne, lufton me ne, punon me ne dhe qan me ne. Edhe në çastet tona më të trishtuara, nëse e vëmë re, ne mund ta ndiejmë Atë pranë vetes dhe t’i dëgjojmë fjalët e Tij: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10, theksimi i shtuar; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 101:16).

Rruga Jonë Vetjake

Secili prej nesh ka një vendmbërritje për të kapur në këtë jetë. Nganjëherë në rrugëtimin tonë, mund të përballemi me sëmundjen ose mund të luftojmë me dobësitë tona vetjake. Ne mund të kemi probleme me paratë ose sfida që vijnë nga suksesi, kamja dhe krenaria.

Ndërsa përshkojmë rrugën tonë vetjake për në Emaus, nuk ka pse të ecim kurrë vetëm. Ne mund t’i kërkojmë Shpëtimtarit të rrijë me ne. Ja tek janë pesë veprimtari të thjeshta që do të na ndihmojnë të afrohemi me Të.

Pamja
grua duke u lutur

Ilustrimet nga Lovetta Reyes-Cairo

1. Lutuni Çdo Ditë

Lutja duhet të vijë e para në jetën tonë të përditshme. Ajo mund të na ndihmojë të marrim shoqërimin dhe udhërrëfimin nga Ati Qiellor. Ne mund të kërkojmë forcë për ta ndjekur Birin e Tij dhe për fuqinë e Shpirtit, veçanërisht në çastet kur mendimet tona mund të na çojnë drejt mëkatit.

I riu Jozef Smith, ndërkohë që iu përgjërua Perëndisë në lutje për një përgjigje, e gjeti kundërshtarin në përpjekje për ta ndalur (shih te Joseph Smith – Historia 1:16). Si Jozefi, ne duhet të këmbëngulim në lutje dhe të mirëbesojmë se Ati Qiellor nuk lodhet kurrë së na dëgjuari. Ai do të na ndihmojë që ta kuptojmë kohën e caktuar prej Tij dhe përgjigjet e Tij.

Pamja
një libër i hapur i shkrimeve të shenjta

2. Ushqehuni me Bollëk me Shkrimet e Shenjta

Shpëtimtari na dha shembull duke i studiuar shkrimet e shenjta. Ai citonte shpesh prej tyre ndërsa jepte mësim. Studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta na ndihmon të kemi një mendje të qartë e të hapur, një zemër pranuese që e çmon fjalën e Perëndisë, dhe duar gati për të shërbyer.

Teksa i studiojmë shkrimet e shenjta, Shpirti i Shenjtë mund të na mbushë me dëshirën për të bërë mirë. Ai do të na e mprehë shikimin për të parë atë që sytë njerëzorë nuk e shohin. Ai do të na ndihmojë t’i dëgjojmë ngashërimat e nevojtarëve. Ne do të bekohemi që ta ndjekim shembullin që dha Shpëtimtari duke ngushëlluar ata që kanë nevojë të ngushëllohen (shih te Mosia 18:8–9). Më pas, kur të përballemi me punët e ditës, nuk do të ecim kurrë vetëm. Shpëtimtari do të ecë me ne hap pas hapi.

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

3. Ndiqini Profetët e Gjallë

Duhet të ndjekim këshillën e profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson, dhe profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të tjerë. Pastaj do të zbulojmë se rruga jonë për në Emaus do të jetë e sigurt dhe e qartë. Ata do të na udhërrëfejnë me siguri dhe do të na ndihmojnë të dimë se Shpëtimtari është me ne.

Pamja
dy duar të zgjatura në drejtim të njëra-tjetrës

4. Ftojeni Atë të Rrijë

Ndërsa mësojmë rreth Jezu Krishtit dhe u bindemi urdhërimeve të Tij, ne e ftojmë Shpëtimtarin të jetë me ne. Ne mësojmë ta dallojmë ndikimin e Tij në jetën tonë.

Dy dishepujt rrugës për në Emaus ecën me Shpëtimtarin, folën me Të dhe e ndien zemrën t’u digjej përbrenda (shih te Lluka 24:32). Lutja e tyre ndaj tij: “Rri me ne” (Lluka 24:29), duhet të jetë edhe lutja jonë.

Kur dishepujt e njohën Shpëtimtarin, Ai iu zhduk nga sytë papritmas. Dishepujt u rikthyen menjëherë në Jerusalem dhe u dëshmuan Apostujve që Shpëtimtari ishte ringjallur. Ndërkohë që ata dëshmonin, Zoti përsëri “u shfaq në mes tyre” (Lluka 24:36). Ne gjithashtu mund ta ndiejmë Atë kur Ai është në mesin tonë.

Pamja
tabakaja e ujit të sakramentit

5. Përtërijini Besëlidhjet Rregullisht

Ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të Jezu Krishtit mund të na e ndryshojnë natyrën. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Adhurimi dhe vënia në zbatim nga ana jonë e parimeve të përjetshme na afrojnë me Perëndinë dhe e rritin aftësinë tonë për të dashur”1. Për shembull, pagëzimi i lejon Zotit të na pastrojë. Dhe nëse jemi besnikë dhe të bindur, besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit na përgatitin që të jetojmë një ditë në praninë edhe të Atit, edhe të Birit.

Sakramenti na ndihmon t’i kujtojmë dhe na lejon t’i përtërijmë besëlidhjet tona, të pendohemi dhe të provojmë përsëri. Kur e marrim sakramentin, ne tregojmë gatishmërinë tonë për të marrë emrin e Jezu Krishtit mbi vete dhe rizotohemi për ta kujtuar Atë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Më pas, neve na premtohet se Shpirti i Tij do të jetë gjithmonë me ne. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.) Ne duhet t’i kujtojmë gjithmonë ordinancat dhe besëlidhjet që kemi bërë.

Pamja
Jezusi duke iu ardhur në ndihmë të tjerëve

Shpëtimtari do të Jetë Afër

Gjatë rrugës sonë vetjake për në Emaus, Shpëtimtari me dashuri na fton të vijmë tek Ai dhe të gëzohemi në Të. Ndërsa lutemi çdo ditë, ushqehemi me bollëk me shkrimet e shenjta, i ndjekim profetët e gjallë, e ftojmë Atë të rrijë me ne dhe i përtërijmë e i nderojmë besëlidhjet tona, Ai do të jetë afër nesh. Ne atëherë do ta kuptojmë, sikurse e kuptuan dishepujt rrugës për në Emaus, që Jezu Krishti është ringjallur dhe se Ai jeton vërtet dhe na do.

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai pret me padurim për të qenë pranë nesh dhe për të na udhërrëfyer të sigurt përgjatë rrugës.

Shtyp në Letër