2023
Përkrahja e Anëtarëve që Përjetojnë Shkurorëzimin
Korrik 2023


Përkrahja e Anëtarëve që Përjetojnë Shkurorëzimin

Ati Qiellor do të na ndihmojë të dimë se si të sigurojmë më së miri një mjedis të sigurt dhe mirëpritës në lagjet dhe degët tona për ata që janë të shkurorëzuar ose po kalojnë një shkurorëzim.

Pamja
një shtëpi e shfaqur në një figurë që është e ndarë në gjysmë

Dy zotërinj në një lagje mbetën beqarë pak a shumë në të njëjtën kohë, secili pas vitesh martesë me bashkëshorten e vet. Kur burri i parë mbeti beqar, lagjja i shkoi në ndihmë herë pas here, i çoi ushqime dhe gjeti mënyra për t’u siguruar që ai të mos ndihej tepër i vetmuar. Për zotërinë e dytë, kjo dhënie shërbese nuk ndodhi dhe ai u la të ndihej i veçuar dhe i pabarabartë.

Cili ishte ndryshimi midis dy burrave? I pari mbeti i ve dhe i dyti u shkurorëzua. Ndërsa zotëria i shkurorëzuar ma tregoi këtë përvojë, lutja e tij qe e thjeshtë: A mund t’i ndihmojmë anëtarët e Kishës që të kuptojnë më mirë se si t’u japin shërbesë atyre që janë të shkurorëzuar dhe ta dallojnë se ende kanë një vend të barabartë, me vlerë në lagjet dhe degët tona?

Shumë lagje bëjnë një punë të mrekullueshme për t’u dhënë shërbesë atyre që përjetojnë pasojat e shkurorëzimit, gjithsesi lutja e këtij burri mund të na bëjë të gjithëve të pyesim nëse ka ende ndonjë gjë që mund ta bëjmë më mirë. Kjo nevojë për t’u ndier i/e mirëpritur dhe i/e përkrahur lidhet me një ftesë të vazhdueshme nga udhëheqësit e Kishës, që t’i duam të gjithë brenda tufës së Perëndisë dhe t’i ndihmojmë ata të ndihen të mirëpritur dhe të sigurt në kunjet tona të Sionit.1

“Sa herë që ngremë dikë tjetër, ne në thelb po krijojmë vende sigurie për ta.”2 Lagjet dhe degët tona duhet të jenë mes atyre vendeve ndërsa kërkojmë t’i zbatojmë dy urdhërimet e mëdha për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur të tjerët porsi vetveten (shih te Mateu 22:37–39). Parimet vijuese mund të na ndihmojnë të dimë se si t’i përkrahim më mirë ata që e kanë përjetuar ose po e përjetojnë shkurorëzimin në lagjet dhe degët tona.

Kujtoni se Shkurorëzimi Përfshin Emocione të Shumta

Për shkak se e dimë doktrinën themelore të martesës së përjetshme dhe fuqinë e besëlidhjes vulosëse në planin e Perëndisë për shpëtimin, shkurorëzimi mund të jetë zemërthyes. Gjithsesi, jo të gjithë mund të ndihen në të njëjtën mënyrë rreth shkurorëzimit të tyre. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim se shkurorëzimi “është një temë delikate për shkak se ndjell emocione tepër të forta te personat që ka prekur në mënyra të ndryshme. Disa e shohin veten ose njerëzit e tyre të dashur si viktima të shkurorëzimit. Të tjerët e shohin veten si përfitues prej tij. Disa e shohin shkurorëzimin si provë e dështimit. Disa e konsiderojnë si një mënyrë shpëtimi nga martesa.”3

Në vend që të merrni me mend se si i sheh rrethanat e veta dikush që po përjeton shkurorëzim, ofrohuni ta dëgjoni kurdoherë dhe sido që personi të jetë gati. Merrni parasysh që thjesht të pyetni: “Si mund të jem një përkrahje për ty në këtë kohë?” ose “Në çfarë mënyre mund të të përkrahim gjatë shkurorëzimit tënd dhe madje pas tij?”

Pyetje për t’u Marrë Parasysh:

  • Si mund të jenë duke përjetuar individët një larmi ndjenjash në pika të ndryshme çdo ditë, javë ose muaj? Si mund të jem i/e kujdesshëm/me dhe përkrahës/e gjatë secilës prej atyre emocioneve?

  • Si mund ta mbaj veten të ndjeshëm ndaj zbulesës rreth mënyrës se si të ndihmoj në raste të ndryshme?

  • Çfarë hamendësimesh po bëj unë që mund të më nevojitet t’i heq për të kërkuar dhe vepruar më mirë sipas zbulesës për mënyrën se si të ndihmoj?

Pamja
një zemër duke qëndruar pezull mbi një dorë

Përqendrohuni te Dashuria në Vend të Gjykimit

Për sa i përket shkurorëzimit, ne rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë, do t’i dimë të gjitha hollësitë që çuan në shkurorëzimin e një çifti dhe nuk ka pse t’i dimë. “Kur ndodh shkurorëzimi, individët kanë detyrimin të falin, ngrenë moralisht dhe të ndihmojnë në vend që të dënojnë”4; kjo është e vërtetë për çiftin dhe për ata që kanë përreth. Duhet të kemi kujdes që të përqendrohemi te dashuria për të tjerët, jo te gjykimi i tyre, pavarësisht se me cilin nga bashkëshortët kemi një marrëdhënie më të fortë.

Në vend që të përqendrohemi te gjykimi, ne mund të përqendrohemi te dashuria dhe bashkimi, sikurse u dha mësim nga Motra Xh. Enet Denis, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës:

“Sa shpesh i gjykojmë të tjerët në bazë të paraqitjes së tyre të jashtme dhe veprimeve ose mungesës së veprimit, kur, po t’i kuptonim plotësisht, përkundrazi do të reagonim me dhembshuri dhe dëshirë për të ndihmuar në vend që t’ua rëndojmë edhe më shumë barrët me gjykimin tonë? …

Ne urdhërohemi t’i duam të tjerët, jo t’i gjykojmë ata. Le ta ulim atë barrë të rëndë; nuk na takon neve ta mbajmë atë. Përkundrazi, ne mund të ngremë zgjedhën e dashurisë dhe dhembshurisë së Shpëtimtarit. …

… Gjithkush ka nevojë të ndiejë që ai njëmend i përket me të vërtetë trupit të Krishtit dhe është i nevojshëm në të.”5

Pyetje për t’u Marrë Parasysh:

  • Çfarë mund të bëj që të përqendrohem më shumë te dashuria për të tjerët sikurse bën Jezu Krishti?

  • A ka mënyra mbi atë se si po e gjykoj dikë, përfshirë gjetjen ose vënien e fajit, që mund të më zmbrapsë nga mundësia për të dhënë përkrahjen e nevojshme?

  • Çfarë mund të bëj për ta ndier më shumë dashurinë e Perëndisë për të tjerët?

Kërkoni Mënyra për t’i Përfshirë Ata

Gjatë shkurorëzimit, individët shpesh humbasin miqësi që ishin krijuar me miqtë ose familjarët e ish-bashkëshortit/es. Dhe çfarë ndodh kur miqësitë qenë krijuar gjatë martesës dhe miqtë nuk mund të jenë më në gjendje t’i ftojnë të dy ish-bashkëshortët në aktivitete në të njëjtën kohë?

Një motër tregoi se ajo dhe i shoqi kishin frekuentuar shpesh një mbrëmje të përjavshme lojërash me miq në lagjen e tyre. Pas shkurorëzimit, ajo u trishtua kur ftesat për në mbrëmjen e lojërave ndaluan për shkak se ishin vetëm çifte ata që kishin marrë pjesë. Një motër tjetër tregoi se shumë anëtarë të lagjes morën me mend se, për shkak se ajo tani ishte një nënë beqare, nuk do të kishte kohë të frekuentonte aktivitete me miqtë siç bënte më parë; prandaj nuk e ftuan që të mos ndihej e trishtuar ngaqë nuk do të mundej të vinte. Sidoqoftë, kjo thjesht bëri që ajo të ndihej më e veçuar dhe e vetmuar. Kjo motër tregoi se do të ishte ndier mirë po të vazhdonin thjesht ta ftonin (edhe nëse ajo nuk do të mund t’u bashkohej), po të dinte se të tjerët e donin atë aty.

Çdo situatë është e ndryshme, por “ne të gjithë kemi nevojë të ndiejmë dorën e ngrohtë të miqësisë dhe të dëgjojmë një shpallje të palëkundur të besimit”6.

Pyetje për t’u Marrë Parasysh:

  • Çfarë rregullimesh mund t’u bëj aktiviteteve për t’i ndihmuar anëtarët që janë beqarë, të ndihen po aq rehat nëse i frekuentojnë siç bëjnë çiftet e martuara?

  • Si mund të sigurojë lagjja jonë mundësi të tjera për përfshirje në aktivitete që u përshtaten nevojave të anëtarëve që janë të shkurorëzuar?

  • Çfarë aktivitetesh mund ta ndihmojnë mikun/en tim/e të shërbejë ose japë ndihmesë, veçanërisht nëse ka nevojë t’i rikthehet vetëbesimi pas një marrëdhënieje të vështirë?

Pamja
njerëz në një rreth

“Së Pari Vëzhgoni, Pastaj Shërbeni”7

Ata që po përjetojnë shkurorëzim, po përshtaten me ndryshimet në financa, orare, emocione, tradita të përditshme dhe të përvitshme, marrëveshje se ku do të banojnë e më tepër. Kjo është e vërtetë për të rriturit si dhe për fëmijët e tyre, të cilët mund të jenë duke marrë përgjegjësi të tjera në shtëpitë e tyre.

Këshillat e lagjeve ose degëve mund të marrin parasysh se si ta përkrahin secilin nga pjesëtarët e familjes, përfshirë fëmijët. Si individë, ne kemi gjithashtu mundësi të shumta për të parë nevojat dhe më pas për të vepruar me lutje sipas zbulesës vetjake për të ndihmuar që ato të plotësohen.

Një motër u bekua kur një fqinj e kuptoi se ish-bashkëshorti i saj e kishte bërë zakonisht pastrimin e përvitshëm të kopshtit në vjeshtë, përfshirë spërkatjet për përgatitjen për dimrin dhe u ofrua që ta bënte ai në vend të saj ose që t’ia tregonte se çfarë të bënte. Një baba beqar u bekua kur fqinjët i dhanë ide për dado të besueshme në zonën e tij të re.

Ja tek janë mënyra të tjera se si anëtarët e lagjes i kanë ndihmuar familjet:

  • Udhëheqësit e lagjeve, rinisë dhe Fillores japin shembuj të ndikimit atëror ose amësor, si të jetë e përshtatshme në jetën e fëmijëve.

  • U dhuruan dhurata për Krishtlindje, po ashtu edhe para për të ndihmuar për kostot e misioneve.

  • Ushqimet që tepruan nga konferencat ose aktivitetet e rinisë, iu dërguan familjeve në shtëpi.

  • Anëtarët e lagjes frekuentuan veprimtaritë sportive të fëmijëve.

  • Këshillat e mësuesve diskutuan se si të ishin të vetëdijshëm për fëmijët me prindër të shkurorëzuar, veçanërisht me mësimet rreth familjeve ose kur fëmijët e frekuentonin lagjen një javë po e një jo kur ishin me njërin nga prindërit.

  • Një çift në moshë e mori familjen me një prind nën mbrojtjen e vet.

Ne mund të mbajmë parasysh gjithashtu se individët dhe familjet do të kenë nevojë për kohë që të përshtaten me situatat e tyre të reja. Jini zemërgjerë që t’i lini të shërohen dhe të përparojnë sipas kohës së Perëndisë dhe të tyre, jo tonës.

Pyetje për t’u Marrë Parasysh:

  • Si mund të forcoj një miqësi që është në vazhdim, në mënyrë që ata që po kalojnë një shkurorëzim, të ndihen rehat për të pranuar ndihmë kur iu nevojitet, edhe nëse nuk ndodh në këtë moment?

  • Cilat “gjëra të para” mund të jenë veçanërisht të vështira për familjen, të tilla si hera e parë që fëmijët nuk janë bashkë me njërin prind gjatë një feste? Si mund të jem një mik/e edhe më i/e mirë gjatë atyre rasteve?

  • Çfarë burimesh mund t’i nevojiten familjes me të cilat mund t’i vij në ndihmë, ose si mund të forcoj një lidhje me të tjerët me aftësi për të ndihmuar?

Ndërsa kërkojmë me lutje që t’i kuptojmë dhe t’u japim shërbesë më mirë atyre që janë të shkurorëzuar, bashkë me familjet e tyre, ne mund të ndiejmë dhe shpërndajmë një pjesë të dashurisë së Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.

Shtyp në Letër