2023
Të Parit e Mrekullive të Shpëtimtarit në Jetën Tonë
Korrik 2023


“Të Parit e Mrekullive të Shpëtimtarit në Jetën Tonë”, Liahona, korrik 2023.

Mrekullitë e Jezusit

Të Parit e Mrekullive të Shpëtimtarit në Jetën Tonë

Katër mësime nga shërimi i të verbrit prej Shpëtimtarit.

Pamja
Jezusi duke shëruar një të verbër

Hollësi nga He Anointed the Eyes [Ai Vajosi Sytë], nga Walter Rane

Ka raste në jetën tonë kur shpresojmë dhe lutemi për mrekulli. Mund të jetë për një njeri të dashur ose për dobinë tonë vetjake. Shpresa jonë është që përgjërimi ynë të marrë përgjigje, situata problematike të ndreqet, shpirti i hidhëruar të zbutet dhe Zoti i mrekullive të na japë zgjidhjen që dëshirojmë. Kur rezultati nuk është ai që prisnim ose në harkun kohor për të cilin u lutëm, ne zakonisht vrasim mendjen pse.

Moroni jep mësim: “Dhe unë do t’ju këshilloja, vëllezër të mi të dashur, të mbani mend se ai është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë dhe se të gjitha këto dhurata, për të cilat ju fola, të cilat janë shpirtërore, nuk do të zhduken kurrë, madje për sa të qëndrojë bota, veçse nga mosbesimi i fëmijëve të njerëzve” (Moroni 10:19).

A janë ato dhurata dhe mrekulli të regjistruara në shkrimet e shenjta ende në dispozicion në kohën tonë? Si mund të kualifikohemi për ato bekime? A është Shpëtimtari në dijeni të asaj që po ndodh në jetën tonë, dhe a është i gatshëm të na shpëtojë nga sfidat tona?

Do të më pëlqente të përdorja mrekullinë e rikthimit të shikimit të të verbrit nga Shpëtimtari si bazën për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. (Për shembuj, shih te Mateu 9:27–31; 12:22–23; Marku 8:22–26; 10:46–52; Gjoni 9:1–11.)

Çfarë Mund të Mësojmë rreth Misionit të Shpëtimtarit nga Mrekullitë e Tij?

Për të kuptuar ndikimin e një mrekullie te ne dhe te jeta jonë, le ta nisim duke përkufizuar se çfarë është një mrekulli. Mrekullitë “kishin për qëllim të ishin një provë për judenjtë që Jezusi ishte Krishti. … Shumë prej tyre ishin gjithashtu të vërteta simbolike, mësimdhënëse … hyjnore. … Mrekullitë ishin dhe janë një përgjigje për besimin dhe inkurajimi më i mirë për besimin. Ato mrekulli nuk u kryen kurrë pa lutje, nevojë të ndier dhe besim.”1

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha thjesht dhe bukur:

“Mrekullitë janë vepra hyjnore, shpërfaqje dhe shprehje të fuqisë së pakufishme të Perëndisë dhe një pohim se Ai është ‘i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë’ [Moroni 10:19]. …

… Mrekullitë janë zgjatime të planit të përjetshëm të Perëndisë; mrekullitë janë një litar shpëtimi nga qielli drejt tokës.”2

Pra, një mënyrë dobiprurëse për t’i studiuar mrekullitë e Shpëtimtarit dhe për të mësuar prej tyre është të kujtojmë se çdo mrekulli na e tërheq vëmendjen për te diçka më e madhe sesa vetë ngjarja, dhe të kërkojmë të vërteta specifike rreth Perëndisë dhe punës së Tij.

Le të diskutojmë disa nga të vërtetat që mund të mësojmë nga mrekullitë e rikthimit të shikimit të të verbrit prej Shpëtimtarit. Ato mund të ndahen në katër mësime si në vijim.

1. Rikthimi i Shikimit Ishte një Shenjë e Mesias

Profetët e lashtë të cilët e dëshmuan ardhjen e Mesias, folën për mrekullitë që Ai do të kryente, përfshirë t’u jepte shikim të verbërve.

Mbretit Beniamin, një engjëll i shenjtë i tha se Shpëtimtari “do të shkojë përpara mes njerëzve, duke punuar mrekulli të mëdha, të tilla si shërimin e të sëmurëve, ngritjen e të vdekurve, bërjen që ulokët të ecin, të verbërit të marrin shikimin e tyre” (Mosia 3:5; shih edhe tek Isaia 35:4–5).3

Kështu, mrekullitë e rikthimit të shikimit të të verbërve i vërtetojnë ato profeci rreth ardhjes së Shpëtimtarit dhe dhënies së shërbesës prej Tij te fëmijët e Perëndisë.

2. Jezusi Është Drita e Botës

Kjo e vërtetë u pohua qartë kur Jezusi ndeshi një burrë që ishte i verbër që nga lindja (shih te Gjoni 9:1–11). Kur dishepujt pyetën a kishte lindur burri i verbër për shkak të mëkatit, Jezusi tha jo, “por … që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë” (vargu 3). Më pas, përpara rikthimit të shikimit të të verbrit, Shpëtimtari deklaroi: “Derisa jam në botë, unë jam drita e botës” (vargu 5).

Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Përpara se t’ia hapte sytë të verbrit, fizikisht, Jezusi u kujtonte dëgjuesve të tij deklarimin e tij të mëparshëm: ‘Unë jam drita e botës’, si për t’u mësuar: ‘Sa herë që të kujtoni se i hapa sytë e verbër fizikisht, kujtoni edhe që erdha për t’u sjellë dritë syve shpirtërisht’.”4

Nevojitet që të kujtojmë se sa i zakonshëm është trajtimi i mëkatit në shkrimet e shenjta si një verbëri morale dhe çlirimi nga mëkati si një heqje e kësaj verbërie. Ai që është “drita e botës”, po e përdorte këtë ngjarje për të simbolizuar punën më të lartë të cilën Ai erdhi të përmbushte në botë.

Pamja
portretizim i Shpëtimtarit duke shëruar një të verbër

3. Besimi u Paraprin Mrekullive

Teksa Jezusi kalonte nëpër rrugët e Kapernaumit, dy burra të verbër e ndoqën Atë, duke bërtitur: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!” Më pas Ai u foli atyre, duke i pyetur: “A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?” Ata iu përgjigjën: “Po, o Zot”.

Prova e besimit të tyre që Zoti mund t’i ndihmonte, gjendej te këmbëngulja e tyre për ta ndjekur Atë dhe te rrëfimi i çastit dhe i hapur i atij besimi kur u pyetën. Shpëtimtari ua preku sytë, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj”. Efekti qe i menjëhershëm: “Atyre iu hapën sytë” (Mateu 9:27–31).

Plaku Mek-Konki vërejti: “Herë pas here, Jezusi, kur u hapi sytë të verbërve si këtu, e shoqëronte urdhrin e thënë me gojë me ndonjë veprim fizik. Në këtë rast dhe të tjera ai i preku sytë që nuk shihnin.”

Pse e bëri Shpëtimtari atë? “Asnjë nga këto veprime të pazakonta … nuk është thelbësore për ushtrimin e fuqisë shëruese”, – shpjegoi Plaku Mek-Konki. Por e dimë se besimi u paraprin mrekullive dhe kështu “qëllimi i dukshëm i Mësuesit ishte të forconte besimin e personit të verbër ose të shurdhër”5.

4. Mrekullitë Nganjëherë Vijnë Rresht pas Rreshti

Në Betsaidë, njerëzit sollën një të burrë të verbër te Jezusi. Pasi e nxori burrin jashtë fshatit, Jezusi “i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të”. Shikimi i burrit qe kthyer vetëm pjesërisht në këtë pikë dhe kështu Shpëtimtari “i vuri përsëri duart mbi sytë”, duke bërë të ndodhte një rikthim i plotë i shikimit. (Shih te Marku 8:22–26.)

Plaku Mek-Konki vuri në dukje të vërtetat që mund të mësojmë nga kjo ngjarje:

“Me sa duket rastet e njëpasnjëshme të kontaktit fizik me Jezusin patën ndikimin e shtimit të shpresës, sigurisë dhe besimit për atë që nuk shikonte.

… Njerëzit duhet ta kërkojnë hirin shërues të Zotit me gjithë forcën dhe besimin e tyre, megjithëse një gjë e tillë është e mjaftueshme vetëm për një kurim të pjesshëm. … Ata më pas mund të fitojnë sigurinë dhe besimin e shtuar për t’u shëruar plotësisht dhe tërësisht. Njerëzit madje shpesh shërohen nga sëmundjet e tyre shpirtërore shkallë-shkallë, hap pas hapi, ndërsa e vënë jetën e tyre në harmoni me planet dhe qëllimet e Hyjnisë.”6

Me anë të kryerjes së kësaj mrekullie në dy hapa të dallueshëm, Zoti e ndihmoi burrin e verbër të përgatitej për të marrë bekimin e plotë. A mund ta shohim këtë model edhe në kërkimin tonë vetjak për mrekulli, diçka që nevojitet të bëjmë ose të mos bëjmë, përpara se të jemi gati për një ndërhyrje nga lart?

Besimi për të Mos u Shëruar

Ndonëse mund ta kuptojmë rëndësinë e besimit për të bërë mrekulli, është e rëndësishme të vëmë re se ndonjëherë edhe shenjtorët më besnikë nuk do të marrin përgjigje për dëshirat dhe përgjërimet e tyre.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Drejtësia dhe besimi sigurisht janë mjete për të lëvizur male – nëse lëvizja e maleve përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Drejtësia dhe besimi sigurisht janë mjete për të shëruar të sëmurët, të shurdhët ose të çalët – nëse ky shërim i përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Pra, edhe me besim të fortë, shumë male nuk do të zhvendosen. Dhe jo të gjithë të sëmurët dhe të dobëtit do të shërohen. Nëse i gjithë kundërshtimi do të ndërpritej, nëse të gjitha dobësitë do të zhdukeshin, atëherë do të pengoheshin qëllimet fillestare të planit të Atit.

Shumë prej mësimeve që do të na duhet t’i mësojmë në vdekshmëri, mund të merren vetëm nëpërmjet gjërave që përjetojmë dhe ndonjëherë i vuajmë. Dhe Perëndia pret dhe ka mirëbesim se ne do t’i bëjmë ballë mjerimit të përkohshëm në vdekshmëri me ndihmën e Tij, që të mund të mësojmë atë që duhet të mësojmë dhe në fund të bëhemi ajo që duhet të bëhemi në përjetësi.”7

Dua t’u shtoj dëshminë time dëshmive të profetëve të lashtë dhe bashkëkohorë. Mrekullitë ende po ndodhin mes nesh. Shpëtimtari Jezu Krisht është burimi i gjithë fuqisë, dritës dhe lehtësimit. Dëshmoj se nëpërmjet besimit tonë tek Ai, mund të shërohemi dhe, në rast se nuk shërohemi, ne prapëseprapë mund të gjejmë paqe nëpërmjet Princit të Paqes, Dritës së Botës dhe Shëruesit të Shëruesve.

Shënime

  1. Shih Bible Dictionary, “Miracles”.

  2. Ronald A. Rasband, “Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”, Liahona, maj 2021, f. 109, 110.

  3. Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary (1973), 1:320.

  4. Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 1:481.

  5. Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 1:320.

  6. Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 1:379–380.

  7. David A. Bednar, “Accepting the Lord’s Will and Timing”, Liahona, gusht 2016, f. 22.

Shtyp në Letër