2023
Ndryshimet me të Cilat Duam dhe Nuk Duam të Përballemi
Korrik 2023


“Ndryshimet me të Cilat Duam dhe Nuk Duam të Përballemi”, Liahona, korrik 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Ndryshimet me të Cilat Duam dhe Nuk Duam të Përballemi

Cili është synimi juaj afatgjatë? Nëse e dini se për çfarë synoni, do të jeni të përgatitur dhe madje entuziastë për të bërë ndryshime në jetën tuaj.

Pamja
burrë duke zgjedhur një drejtim nga të ecë në një bigëzim në rrugë

A ju është dashur ndonjëherë të bëni një ndryshim për të cilin nuk kishit në të vërtetë shtysën ta bënit? Ose një ndryshim që nuk po e prisnit se kishit nevojë ta bënit?

Rreth 15 vjet më parë, mjeku im më tha se duhej të bëja një ndryshim në stilin e jetesës: “Fillo të jesh më tepër aktiv, ose nuk do të jetosh shumë gjatë”, – më tha ai. E mora seriozisht paralajmërimin e tij. Vendosa të filloja të vrapoja.

Për ta bërë të suksesshëm këtë ndryshim në stilin e jetesës, nevojitej ta mbaja perspektivën e gjerë në mendje sepse po të shihja vetëm të tashmen, nuk do të shkoja shumë larg.

Perspektiva ime e gjerë është një synim i ripërsëritur për të vrapuar në një maratonë çdo vit. Ky synim më ndihmon të ngrihem dhe të vrapoj çdo ditë për shkak se e di se në një ditë të caktuar vitin tjetër, do të më duhet të vrapoj për 42,2 kilometra. Qëndroj i disiplinuar për t’u stërvitur dhe për të përmbushur synimet e mia afatshkurtra çdo javë sepse e di që ato po më përgatitin për ditën e garës.

Nganjëherë ka gjëra që përpiqen të më ndalin, si moti. Ndoshta jashtë është ose shumë nxehtë ose shumë ftohtë, ose ndoshta po bie shi. Prandaj duhet të vrapoj brenda në pistën e vrapit, ndonëse parapëlqej ndjeshëm të vrapoj në rrugë. Dëmtimet gjithashtu përpiqen të më ndalin. Ndoshta nuk bëra shtriqje siç duhej përpara vrapit, ndaj bëj tërheqje tek tendinat e gjurit. Ose ndoshta nuk është medoemos faji im që u dëmtova. Por pavarësisht se si ndodh, nuk mund të heq dorë sepse e di se do të vrapoj në maratonë vitin tjetër. Ndaj bëj modifikime te stërvitja ime. Marr veten dhe pastaj i kthehem vrapimit.

Vrapimi më ka mësuar shumë rreth ungjillit. Ne të gjithë kemi një synim afatgjatë në ungjill për të duruar deri në fund dhe për të arritur ekzaltimin. Por ne vendosim synime afatshkurtra si marrja e sakramentit në kishë çdo javë, që na ndihmojnë ta arrijmë atë. Ne dëmtohemi shpirtërisht kur bëjmë gabime. Por ne nuk dorëzohemi. Ne pendohemi dhe kthehemi sërish. E vetmja mënyrë se si mund ta arrijmë synimin tonë afatgjatë, është duke bërë ndryshime të vogla gjatë gjithë rrugës për të na ndihmuar të vazhdojmë sipas planit.

Pamja
grua duke zgjedhur një drejtim nga të ecë në një bigëzim në rrugë

Zgjedhja për të Ndryshuar

Për më shumë se një dekadë, punova si zëvendëspresidenti më me përvojë për kompaninë Walmart në Brazil. Familja ime ishte e qëndrueshme nga ana financiare, më pëlqente puna ime dhe jeta më shkonte mirë. Por puna ishte kërkuese. Për të më duhej të udhëtoja shumë, gjë që po ndërhynte te familja jonë dhe te shërbimi im në Kishë. Pas 11 a 12 vjetësh, po bëhej e papërballueshme.

Bashkëshortja ime dhe unë u këshilluam bashkë dhe propozuam që ta lija këtë punë. Ne e biseduam gjerë e gjatë me fëmijët tanë dhe së bashku thamë: “Është koha të bëjmë një ndryshim”.

Kur dhashë dorëheqjen, rashë plumb nga zëvendëspresidenti më me përvojë në një të papunë. M’u desh afro një vit që të gjeja dhe të pranoja një vend tjetër pune. Kur më në fund pranova një pozicion në një kompani të vogël pasurish të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, u ndjeva mirë për këtë gjë. Ky vend pune do të më linte t’u kushtoja më tepër kohë gjërave që kishin vërtet rëndësi.

Por njerëz të tjerë më thanë se isha i çmendur. Pse të lija një vend pune të qëndrueshëm për një kompani pasurish të paluajtshme, për të cilin askush nuk ka dëgjuar gjë? Dhe të shpërngulesha në gjysmën tjetër të botës për në Shtetet e Bashkuara?

Ata kishin të drejtë se ky ishte një ndryshim i pamasë që po zgjidhnim ta bënim. Por ata e kishin gabim për faktin se ishte një zgjedhje jo e duhur.

Na u desh shumë besim që të ndryshonim vendet e punës për t’u shpërngulur në një shtet të ri, por Zoti u kujdes për ne. Dhe unë pata më tepër kohë për t’i përmbushur përgjegjësitë e mia si bashkëshort, baba dhe anëtar i lagjes.

Unë besoj se ndryshimi është i detyrueshëm për arritjen e potencialit tonë. Ne nuk do të bëhemi kurrë njeriu që Ati Qiellor dëshiron që të bëhemi, nëse rrimë në vend në jetën tonë. Dhe ne bëhemi si Ai ndërsa bëjmë ndryshime të qëllimshme me besim.

Të Detyruar të Ndryshonim

Një ndryshim tjetër i madh që ndodhi në familjen time, ishte kur vëllai im më i vogël vdiq në një aksident me makinë. Ne nuk e zgjodhëm e as e dëshiruam atë për të ose për ne, dhe është ende i dhembshëm, edhe pas 10 vjetësh. Ndryshimi i detyruar nuk është kurrë i lehtë.

Por ndryshimet që nuk i zgjedhim, mund të bëhen edhe mundësi për të ndërtuar besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Është e lehtë të qëndrojmë besnikë kur gjërat po shkojnë siç duam. Por a mund ta mbajmë besimin dhe të vazhdojmë përpara kur ndryshimet nuk janë në favorin tonë?

Shkurorëzimi, pamundësia për të ngjizur fëmijë, papunësia, sëmundja dhe përvoja të tjera të dhembshme si këto nuk janë përvoja për të cilat shpresojmë dhe planifikojmë. Ato mund të na bëjnë të ndihemi sikur jeta po ndodh jashtë kontrollit tonë. Po kjo nuk është tërësisht e vërtetë, mes rrethanave që nuk i kërkuat ju, ka prapëseprapë gjëra që mund t’i kontrolloni. Mund të vendosni synime të vogla, edhe vetëm synimin për të kaluar edhe një ditë. Mund t’ia dilni! Mund t’i duroni të gjitha gjërat me durim! (Shih tek Alma 38:4.)

Jozefi i Egjiptit është një shembull i përkryer i kësaj. Jeta e tij ishte plot ndryshim të detyruar, ai e humbi lirinë dy herë! (Një herë pasi vëllezërit e shitën për skllav dhe përsëri kur Potifari e futi në burg.) Por Jozefi nuk u dorëzua ngaqë rrethanat e tij ishin të padëshiruara ose të paplanifikuara. Ai u përshtat dhe u rrit nëpërmjet përvojave të tij. Dhe në fund, e shpëtoi familjen e vet dhe një komb të tërë. Zoti po i jepte trajtë atij dhe po e përgatiste gjatë gjithë udhës (shih te Zanafilla 37–46).

Është e vështirë të jeni të duruar kur ndryshimi i detyruar jua prish planin, por mbajeni mend që synimi afatgjatë është të arrini ekzaltimin. Ati Qiellor e di se çfarë na nevojitet për të arritur aty: “Ju nuk jeni në gjendje ta duroni praninë e Perëndisë tani, as shërbesën e engjëjve; si rrjedhim, vazhdoni me durim derisa të përsoseni” (Doktrina e Besëlidhje 67:13).

Pamja
burrë duke ecur në rrugë

Ndryshimi na Ndihmon të Bëhemi si Shpëtimtari

Ati Qiellor ju do dhe dëshiron që t’ia dilni mbanë. Ai dëshiron që ju të jeni të lumtur. Dhe Ai ka parashtruar një plan që ju t’i arrini të dyja gjërat.

Kur e shoh vdekshmërinë për atë që është paracaktuar të jetë, [pra] stërvitje, ndryshimet në jetën time bëhen më qëllimplota. Ndryshimi më ndihmon të arrij synimin tim afatgjatë, i cili është të bëhem si Shpëtimtari im Jezu Krishti. E di se Ati Qiellor ka të njëjtin synim afatgjatë për mua dhe për të gjithë fëmijët e Tij. Njësoj siç e dinte mjeku im që unë kisha nevojë të ndryshoja diçka për hir të shëndetit tim, Perëndia i sheh qartë ndryshimet që kemi nevojë të bëjmë për t’u bërë si Ai. Ai na përkrah dhe na siguron burime si shkrimet e shenjta, një bashkësi vendore dhe një profet të gjallë që të na ndihmojnë në pikësynimin tonë për të ndryshuar për mirë.

Në ditët më të vështira, ato ditë kur është e vështirë të çohemi nga shtrati dhe të veshim atletet e vrapit, kur e dimë se kemi nevojë të pendohemi, ose kur po ndeshemi me një ndryshim tjetër të papritur, i kujtojmë vetes dashurinë e pafundme të Perëndisë dhe dëshirën e Tij që ne të jemi edhe më të lumtur nga sa jemi tani për tani.

Ai kujtues na jep forcën për të bërë ndryshimet që Shpirti na nxit t’i bëjmë. Dhe kjo na ndihmon të mirëbesojmë se ndryshimet e papritura që detyrohemi të bëjmë, janë pjesë e planit të Tij për lumturinë tonë më të madhe.

Shtyp në Letër