2023
Dhënia e Shërbesës me Dashuri Hyjnore
Korrik 2023


“Dhënia e Shërbesës me Dashuri Hyjnore”, Liahona, korrik 2023.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës me Dashuri Hyjnore

Ne mund të shkaktojmë një ndryshim të thellë duke treguar dashuri në mënyra të natyrshme.

Pamja
placeholder altText

How Dorcas Helped the Poor [Si Gazela i Ndihmonte të Varfrit], Classic Bible Art Collection / me leje nga GoodSalt.com

Një Shembull i Dashurisë Hyjnore

Tabitha (që njihej edhe si Gazela), ishte një dishepulle e Jezu Krishtit që jetonte në Jopë. Ajo njihej si një grua me “shumë vepra të mira dhe [që] jepte shumë lëmoshë” (Veprat e Apostujve 9:36). Atë e donin sepse ajo bënte aq shumë për t’i dashur të tjerët. Si Shpëtimtari, ajo e shpenzoi jetën e vet duke shërbyer. Ajo kishte aftësi dhe talente që i përdorte për të sjellë një ndryshim.

Një nga ato aftësi ishte të bënte tunika dhe veshje, të paktën disa prej të cilave u shkonin të vejave në nevojë. Për ata që i merrnin dhuratat e saj, ajo ishte sikur ta kishte dërguar Perëndia. Kur Pjetri shkoi ta shihte pas vdekjes, “të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to” (Veprat e Apostujve 9:39). Ai u prek aq shumë saqë e ngriti atë nga vdekja, gjë që bëri që shumë njerëz të besonin te Shpëtimtari (Veprat e Apostujve 9:40–42).

Dhënia e Shërbesës me Dashuri Hyjnore

Dashuria hyjnore është dashuria që Jezusi ka për ne dhe dashuria që Ai pret që ne të kemi për njëri-tjetrin. Ajo është ta duam të afërmin porsi vetveten (shih te Mateu 22:37–39), t’i trajtojmë ata me të njëjtën dhembshuri, durim dhe mëshirë që do të dëshironim për veten tonë (shih te Mateu 7:12). Është t’u shërbejmë atyre, si Tabitha, duke përdorur dhuratat dhe talentet që na janë dhënë.

Ne mund të sjellim një ndryshim të thellë duke e treguar dashurinë tonë në mënyra që janë të natyrshme për ne, edhe nëse ajo që bëjmë është e thjeshtë. Nëse keni talent për rrobaqepësi, ajo mund të jetë një mënyrë për të dhënë shërbesë, por ndoshta juve ju jepet më tepër me kositësen e barit sesa me makinën qepëse. Ose ndoshta dhurata juaj është të dini se si njëmend të dëgjoni dhe t’i gjendeni dikujt pranë si mik/e i/e vërtetë.

Zhvillimi i Dashurisë Hyjnore

Si mund ta zhvillojmë cilësinë e dashurisë hyjnore si të Krishtit?

  • Dashuria hyjnore është një dhuratë që Ati Qiellor ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Jezu Krishtit. “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri” (Moroni 7:48).

  • Mormoni dha mësim se çfarë është dashuria hyjnore: “Dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq dhe nuk gëzohet në paudhësi, por gëzohet në të vërtetën, mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat” (Moroni 7:45). Këto nuk janë thjesht mënyra për të dalluar se kur jeni të mbushur me dashuri; ato janë edhe cilësi të ndërlidhura që do të kontribuojnë në një kapacitet më të madh për të dashur ndërsa i zhvillojmë ato.

  • Dhembshuria vjen pas ndjeshmërisë.1 Ndërsa përpiqemi t’i kuptojmë të tjerët, ne i japim dashurisë hyjnore një mundësi më të madhe për t’u rritur. Ushtrohuni që të bëni pyetje në një mënyrë të dobishme dhe të dashur dhe më pas dëgjoni me durim dhe mirëkuptim.

  • Ushtrojeni dashurinë hyjnore. Jepuni kohën tuaj dhe burime të tjera, përfshirë faljen tuaj, atyre që kanë nevojë për të. Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim: “Falja duhet të shkojë krah për krah me dashurinë. … Fajësimi i mban plagët të hapura. Vetëm falja shëron.”2

Shënime

  1. Shih te “Ministering with Compassion”, Liahona, qershor 2023, f. 20–21.

  2. Tomas S. Monson, “Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 93.

Shtyp në Letër