2023
A Beson te Perëndia?
Korrik 2023


“A Beson te Perëndia?”, Liahona, korrik 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

A Beson te Perëndia?

Ndërkohë që shoqja ime më tregonte shqetësimet e saj, papritmas i kuptova qartë të gjitha.

Pamja
një e re dhe një i ri duke folur së bashku

Ilustrimi nga Katy Dockrill

Ndërsa rritesha, nuk e kisha vënë kurrë në dyshim vërtetësinë e ungjillit. Sidoqoftë, kur erdhën vitet e adoleshencës, e vura në dyshim a kisha vërtet një dëshmi apo thjesht e pranoja atë që prindërit dhe miqtë e mi besonin. U luta që të mund ta dija që ungjilli është i vërtetë.

Pavarësisht nga vështirësitë e mia, një e re që takova në gjimnaz, më tha se ajo kishte ndjesinë se unë e kuptoja qëllimin dhe drejtimin tim në jetë.

“A beson te Perëndia?” – më pyeti ajo.

I thashë se besoja dhe se kisha ime e jep mësim marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe qëllimin e jetës. I tregova edhe rreth Profetit Jozef Smith dhe Rivendosjes. Ajo dëgjoi me kujdes.

Të dielën vijuese në kishë, mora pamfleta rreth Jozef Smithit dhe planit të shpëtimit për shoqen time. Pasi i lexoi ato dhe filloi të lexonte Librin e Mormonit, e mora me vete në kishë.

Më vonë ajo më tha se kishte qenë shumë e afërt me vëllanë e saj më të madh. Ai kishte qenë pilot akrobat i cili jepte shfaqje në spektakle ajrore të vendit. Për fat të keq, verën përpara se të njiheshim, ai kishte vdekur ndërkohë që po fluturonte gjatë një spektakli. Ajo qe e dërrmuar nga vdekja e tij dhe ishte e shqetësuar për të sepse ai kishte shpallur se ishte agnostik. Ajo ishte lutur për të ditur se cila ishte gjendja dhe pozicioni i tij përpara Perëndisë.

Ndërsa më tregonte shqetësimet e saj, papritmas më erdhi një vrull kuptueshmërie. Ajo ishte një ndjesi e vërtete dhe drite të kulluar. E kuptova se takimi ynë nuk kishte ndodhur rastësisht. Përkundrazi, Perëndia e kishte dëgjuar dhe i qe përgjigjur lutjes së sinqertë të kësaj të reje zemërthyer.

U përula kur e mora vesh se Ati Qiellor ishte i vetëdijshëm për mua dhe më konsideronte të denjë për të qenë një mjet në duart e Tij që t’i përgjigjej lutjes së saj. E kuptova urtësinë e madhe që Ai tregoi duke e përdorur këtë përvojë për t’iu përgjigjur edhe lutjes sime për të ditur që ungjilli është i vërtetë.

Pasi u përgatita, bëra gati valixhet për dy vitet më të mira të jetës sime. Ndërkohë, shoqja ime mori mësimet nga misionarët me motrën e saj. Të dyja u bashkuan me Kishën dhe në vijim shërbyen në misione. Pas misionit tim, shoqja ime më kërkoi të kryeja ordinancat e tempullit për vëllanë e saj.

E di se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të sinqerta, ndonëse nganjëherë në një mënyrë ose hark kohor që ne nuk e presim.

Shtyp në Letër