Liahona
Kisha falënderon partnerët e organizatave humanitare në Shqipëri
Mars 2024


Kisha falënderon partnerët e organizatave humanitare në Shqipëri

Udhëheqës nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u mblodhën në Hotel Tirana International ditën e enjte, më 2 nëntor 2023, për të shprehur vlerësimin ndaj drejtorëve të organizatave të komunitetit që bashkëpunuan me Kishën për t’u shërbyer të varfërve dhe nevojtarëve në mbarë Shqipërinë.

Kisha ka dhuruar 2 miliardë dollarë për organizatat bamirëse dhe ato me bazë fetare në të gjithë botën që kur filloi përpjekjet e saj humanitare shumë vjet më parë. Shqipëria është vetëm një nga 157 vendet ku Kisha kreu projekte gjatë vitit të kaluar.

“Ne përpiqemi fort t’i jetojmë dy urdhërimet e mëdha: së pari të duam Perëndinë dhe së dyti të duam të tjerët”, - tha Plaku Masimo De Feo, president i Zonës së Europës Qendrore të Kishës. “Gëzimi ynë më i madh vjen kur u vijmë në ndihmë të tjerëve.”

Kristofer dhe Dona Elsuorthi, misionarë humanitarë për Kishën që shërbejnë në Shqipëri, shpërndanë çanta me dhurata për përfaqësuesit e shumë organizatave që morën pjesë në ngjarje. Mes dhuratave u përfshi një pikturë e veçantë që paraqet shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë.

“Kur e pyetën Jezusin se kush është i afërmi im, Ai u përgjigj me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë”, - tha Motra Elsuorth. “Jezusi është shembulli i përkryer i përkujdesit ndaj nevojtarëve. Kur e duam Perëndinë, Ai i drejton zemrat tona te dashuria dhe përkujdesja për të tjerët.”

“Ju të gjithë jeni shembuj të mrekullueshëm për ne”, tha ajo. “Faleminderit që na u bashkuat në këtë punë të rëndësishme.”

Plaku Elsuorth shtoi: “Jemi tepër të lumtur që jemi këtu mes popullit tuaj dhe që shërbejmë me ju. Ne e respektojmë secilin prej jush dhe organizatat tuaja që bëjnë kaq shumë për më pak fatlumët.”

Lizi Grezda nga Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës fillimisht filloi të punojë me Kishën 10 vjet më parë. Në dekadën e fundit, Kisha ka dhuruar pajisje jetëshpëtuese për spitalet dhe “Kutitë e Shpresës” për nënat e reja, të cilat përmbajnë pelena, pudër bebesh, veshmbathje dhe më shumë.

“Ne jemi shumë mirënjohës dhe të inkurajuar nga dashuria që njerëzit e Kishës kanë treguar duke bashkëpunuar me ne”, - tha ajo.

Blerta Drenofci, drejtore ekzekutive e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ka punuar me Kishën që nga viti 1996 për të ndihmuar për plotësimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

“Një nga projektet tona më të suksesshme është ofrimi i shërbimeve të karrocave të invalidëve për njerëzit nevojtarë”, - tha ajo. “Kjo po ndodh për shkak të përkrahjes bujare të Kishës.”

Kisha kohët e fundit dhuroi 800 karroca invalidësh, duke përfshirë disa të projektuara posaçërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara specifike. Kisha siguron gjithashtu burimet e nevojshme për të ndihmuar personelin mjekësor dhe punonjësit socialë që t’u mësojnë përfituesve se si t’i përdorin karrocat e tyre të invalidëve.  

“Dhurimet këtë vit po ndihmojnë gjithashtu që fondacioni ta zgjerojë rrjetin e tij për të ofruar përkrahje për zonat më të largëta dhe rurale të Shqipërisë”, - tha ajo.

Jetmir Hysi dhe Jurgen Mene, udhëheqës të Kishës në Shqipëri, shprehën gjithashtu vlerësimin e tyre.

“Jam mirënjohës për kohën dhe sakrificën tuaj për ata të cilëve u keni shërbyer dhe ua keni ndryshuar jetën”, - tha Presidenti Hysi, President i Kunjit të Tiranës, Shqipëri. Ai u pasua nga Presidenti Mene, President i Distriktit të Elbasanit, i cili dëshmoi se “jeta me Perëndinë është një jetë më e lumtur”.

“Është e mrekullueshme të ndiesh frymën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërsa punojmë së bashku dhe shprehim disa nga ndjesitë tona qoftë edhe për ungjillin e Jezu Krishtit”, tha Plaku De Feo. “Puna e rëndësishme që bëjmë së bashku, jo vetëm që na lejon t’i ndihmojmë nevojtarët, por edhe të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.”