Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1


“Kapitulli 1: Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi Ynë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 1”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 1

Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi Ynë

“Jezusi është Shpëtimtari i botës. Ai është Shëlbuesi i gjithë njerëzimit. Ai është Biri i Perëndisë. Ai na tregoi udhën.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Tomas S. Monsoni u thirr që të ishte një “dëshmitar [i] veçantë [i] emrit të Krishtit në gjithë botën” në moshën e re 36‑vjeçare (Doktrina e Besëlidhje 107:23). Për më shumë se pesë dekada, në mjedise publike dhe private në të gjithë botën, ai dëshmoi për misionin hyjnor të Shpëtimtarit. Ai dha mësim fuqishëm për flijimin shlyes të Shpëtimtarit, vuajtjen e Tij në Gjetseman dhe në kryq, dhe dhënien e jetës së Tij. Ai dëshmoi për realitetin e Ringjalljes, të fitores së Shpëtimtarit mbi vdekjen dhe se si ajo u siguron jetë të përjetshme të gjithëve dhe sjell ngushëllim e paqe. Duke u bërë jehonë fjalëve të Shpëtimtarit drejtuar Llazarit, Presidenti Monson dëshmoi se ndërsa “[dalim] jashtë” nga mëkati dhe mosbesimi, Shpëtimtari do t’i ndryshojë vetë zemrat dhe natyrat tona (Gjoni 11:43).

“[Jezu Krishti] është mësuesi i së vërtetës, por Ai është më shumë se një mësues”, – tha Presidenti Monson. “Ai është Shembulli i jetës së përkryer, por Ai është më shumë se një shembull. Ai është Mjeku i Madh, por Ai është më shumë se një mjek. Ai është Shpëtimtari i mirëfilltë i botës, Biri i Perëndisë, Princi i Paqes, i Shenjti i Izraelit, madje Zoti i ringjallur, që shpalli: ‘Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. … Unë jam drita dhe jeta e botës’ [3 Nefi 11:10–11]. ‘Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin’ [Doktrina e Besëlidhje 110:4].

Si dëshmitar i Tij, unë ju dëshmoj se Ai jeton dhe se nëpërmjet Tij, edhe ne do të jetojmë.”1

Krishti dhe gruaja te pusi

Jezu Krishti “është Shpëtimtari i mirëfilltë i botës, Biri i Perëndisë, Princi i Paqes, i Shenjti i Izraelit”.

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Në Gjetseman, Jezu Krishti vuajti “si në trup e në shpirt” për të shlyer për mëkatet tona.

Ne e dimë se kemi jetuar përpara lindjes në tokë. Në gjendjen tonë paratokësore, ne ishim [pa dyshim] midis bijve dhe bijave të Perëndisë që thërrisnin nga gëzimi për shkak të mundësisë për të ardhur në këtë ekzistencë tokësore sfiduese, por përsëri të nevojshme [shih te Jobit 38:4–7]. Ne e dinim se qëllimi ynë ishte të merrnim një trup fizik, të kapërcenim provat dhe të provonim që mund t’i [zbatonim] urdhërimet e Perëndisë. Ati ynë e dinte se nga natyra e jetës tokësore, ne do të tundoheshim, do të mëkatonim dhe do të dështonim. Kështu, që ne të mund të kemi të gjitha shanset për sukses, Ai dha [një] Shpëtimtar, i cili do të vuante dhe do të vdiste për ne. Jo vetëm që Ai do të shlyente për mëkatet tona, por si pjesë e asaj Shlyerjeje Ai do të kapërcente gjithashtu vdekjen fizike, së cilës ne do t’i nënshtrohemi për shkak të Rënies së Adamit.

Kështu, më shumë se 2 000 vite përpara, Krishti, Shpëtimtari ynë, lindi në një jetë të vdekshme në një grazhd në Bethlehem. Mesia, i profetizuar shumë kohë përpara, kishte ardhur.

Kishte shumë pak gjëra të shkruara mbi djalërinë e Jezusit. Mua më pëlqen pjesa nga Lluka: “Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” [Lluka 2:52]. Dhe nga libri Veprat e Apostujve ka një [frazë] të shkurtër lidhur me Shpëtimtarin që [ka shumë domethënie]: “[Ai] e përshkoi vendin duke bërë mirë” [Veprat e Apostujve 10:38].

Ai u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Ai thirri të Dymbëdhjetë Apostujt. Ai bekoi të sëmurët. Ai bëri që ulokët të ecnin, të verbërit të shihnin dhe të shurdhrit të dëgjonin. Ai madje i risolli të vdekurit në jetë. Ai dha mësim, Ai dëshmoi dhe Ai dha një shembull të përsosur për ne që ta ndjekim.

Dhe pastaj misioni tokësor i Shpëtimtarit të botës iu afrua [fundit]. Një darkë e fundit me Apostujt e Tij u shtrua në dhomën e sipërme. Pastaj vijnë Gjetsemani dhe kryqi i Kalvarit.

Asnjë qenie e vdekshme e thjeshtë nuk mund të kuptojë gjithë rëndësinë e asaj që Krishti bëri për ne në Gjetseman. Ai Vetë më vonë e përshkroi përjetimin: “Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt” [Doktrina e Besëlidhje 19:18].2

Asnjë tregim rreth lutjes nuk më prek aq thellë sa lutja e ofruar nga Jezusi në Kopshtin e Gjetsemanit. Mendoj se Lluka e përshkruan më mirë këtë:

“[Ai] … shkoi … në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.

Kur arriti në vend, u tha atyre: ‘Lutuni që të mos hyni në tundim’.

Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,

duke thënë: ‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.’

Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë.

Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” [Lluka 22:39–44].3

Në çastin e fundit, Ai mund të kthehej pas. Por nuk [u] kth[ye]. Ai kaloi nën të gjitha gjërat, që të mund t’i shpëtonte të gjitha gjërat. Duke vepruar ashtu, Ai na dha jetë përtej kësaj ekzistence tokësore. Ai na ka rifituar prej Rënies së Adamit.

[Nga] thellësia e vetë shpirtit tim, i jam mirënjohës Atij.4

2

Jezu Krishti u kryqëzua dhe më pas u ringjall, duke korrur fitore mbi vdekjen dhe duke siguruar shpëtimin tonë.

Pas agonisë së Gjetsemanit, tani të dërrmuar, [Jezusin] e zunë duar të ashpra, të vrazhda dhe e çuan përpara An[ës], Kajafas, Pilatit dhe Herodit. Atë e akuzuan dhe e mallkuan. Goditje të egra e dobësuan më tej trupin e Tij të shkatërruar nga dhimbja. Gjaku rridhte nëpër fytyrën e Tij pasi një kurorë mizore, e bërë me gjemba të mprehtë, u ngjesh në kokën e Tij, duke e shpuar ballin e Tij. Dhe pastaj, edhe një herë Atë e çuan te Pilati, i cili iu [dorëzua] britmave të turmës së egërsuar: “Kryqëzoje” [Lluka 23:21].

Atë e fshikulluan me një kamxhik, ku ishin [ndërthurur] fije shum[ë]fishe lëkure dhe copa metali e kocka të mprehta. Duke u ngritur nga [mizoria] e fshikullimeve, me hapa që pengoheshin, Ai mbarti kryqin e Tij derisa nuk mund të ecte më dhe dikush tjetër e mori barrën për Atë.

Më në fund, në një kodër që quhej Kalvar, ndërsa ndjekësit e pashpresë vështronin, trupin e Tij të plagosur e mbërthyen në kryq. Pa mëshirë Atë e tallën, e mallkuan dhe e përqeshën. Dhe përsëri Ai thirri: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” [Lluka 23:34].

Orët në agoni kaluan ndërsa jeta e Tij po mbaronte. Nga buzët e tij të thara dolën fjalët: “‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]!’ Dhe, si tha këto, dha frymë” [Lluka 23:46]. … Trupi i Tij pa jetë u vendos me ngut, por butësisht në një varr të huajtur.

Asnjë fjalë në krishterim nuk ka më shumë domethënie sesa ato që u thanë nga engjëlli për Maria Magdalenën dhe Marien tjetër që qanin kur, në ditën e parë të javës, ato iu afruan varrit për t’u kujdesur për trupin e Zotit të tyre. Tha engjëlli:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur” [Lluka 24:5–6].

Shpëtimtari ynë jetoi përsëri. Ngjarja më e lavdishme, më ngushëlluese dhe më siguruese e të gjithë historisë njerëzore kishte ndodhur – fitorja mbi vdekjen. Dhimbja dhe agonia e Gjetsemanit dhe e Kalvarit qenë zhdukur. Shpëtimi i njerëzimit qe siguruar. …

Varri i zbrazët atë mëngjes të parë të Pashkës ishte përgjigjja për pyetjen e Jobit: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” [Jobit 14:14.] Të gjithëve atyre që mund të më dëgjojnë, unë u deklaroj: “Nëse një njeri vdes, ai do të rrojë përsëri”. Ne e dimë, sepse kemi dritën e së vërtetës së zbuluar.

“Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.

Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjall[e]n në Krishtin” [1 Korintasve 15:21–22].5

Shpëtimtari i ringjallur

“Shpëtimtari ynë jetoi përsëri. Ngjarja më e lavdishme, më ngushëlluese dhe më siguruese e të gjithë historisë njerëzore, kishte ndodhur – fitorja mbi vdekjen.”

3

Ringjallja e Shpëtimtarit ofron paqe dhe ngushëllim.

Ndër vite unë kam dëgjuar dhe lexuar dëshmi që janë [tepër të shumta] për t’u [numëruar, të treguara] nga individë që dëshmojnë [për realitetin] e Ringjalljes dhe që kanë marrë, në orët e tyre të nevojës më të madhe, paqen dhe ngushëllimin e premtuar nga Shpëtimtari.

Unë [do të] përmend vetëm një pjesë të një tregimi të tillë. [Disa kohë] më përpara mora një letër prekëse nga një baba i shtatë fëmijëve, i cili shkruante mbi familjen e tij dhe, veçanërisht, për birin e tij Xhejsën, që ishte sëmurur kur ishte 11 vjeç. Në pak vitet e mëpasme, sëmundja e Xhejsënit u përsërit disa herë. Ky baba tregonte për qëndrimin pozitiv dhe natyrën e gëzuar të Xhejsënit, [pavarësisht nga] sfidat shëndetësore. Xhejsëni mori priftërinë Aarone në moshën 12‑vjeçare dhe “gjithnjë i gatshëm [i] lartësoi përgjegjësitë e tij përsosmërisht, pavarësisht nëse ndihej mirë apo jo”. Ai mori çmimin Skautist Shqiponjë kur ishte 14 vjeç.

[Një ditë] ver[e] …, jo shumë pas ditëlindjes së tij të 15‑të, Xhejsëni u shtrua përsëri në spital. Në një nga vizitat për ta parë Xhejsënin, babai i tij e gjeti me sy mbyllur. Duke mos kuptuar nëse Xhejsëni po flinte apo ishte zgjuar, ai filloi t’i fliste butësisht: “Xhejsën”, – tha ai, “unë e di se ke kaluar shumë në jetën tënde të shkurtër dhe se gjendja jote tani është e vështirë. Edhe pse ke një betejë gjigan[t]e përpara, unë nuk dua kurrë që ti ta humbasësh besimin te Jezu Krishti.” Ai thoshte se u befasua kur Xhejsëni menjëherë hapi sytë dhe tha: “Kurrë!” me një zë të qartë, të vendosur. Xhejsëni pastaj i mbylli sytë dhe nuk foli më.

Babai i tij shkruante: “Në këtë deklarim të thjeshtë, Xhejsëni shprehu një nga dëshmitë më të fuqishme, të pastër për Jezu Krishtin që nuk e kam dëgjuar kurrë. … Ndërsa deklarata e tij ‘Kurrë!’ u ngul në shpirtin tim atë ditë, zemra ime u mbush me gëzim që Ati im Qiellor më kishte bekuar të isha babai i një djali të tillë të mrekullueshëm dhe fisnik. … [Ajo] ishte hera e fundit që e dëgjova atë të thotë dëshminë e tij për Krishtin.”

Megjithëse familja e tij priste që ky të ishte vetëm një shtrim tjetër i zakonshëm në spital, Xhejsëni vdiq në më pak se dy javë më vonë. Një vëlla dhe një motër më të rritur po shërbenin misione në atë kohë. Një vëlla tjetër, Kajli, sapo kishte marrë thirrjen për misionin e tij. Në fakt, thirrja kishte ardhur më parë nga sa pritej dhe … vetëm një javë përpara vdekjes së Xhejsënit, familja u mblodh në dhomën e tij në spital, kështu që thirrja për mision e Kajlit të [mund të] hapej atje dhe të mësohej nga e gjithë familja.

Në letrën që më dërgo[i], ky baba kishte futur një fotografi të Xhejsënit në shtratin e tij në spital me vëllanë e tij më të madh Kajlin pranë shtratit, duke mbajtur thirrjen e tij për mision. Poshtë fotografisë ishte shkruar ky shpjegim: “Të thirrur për të shërbyer misionet e tyre së bashku – në të dy anët e velit”.

Vëllai dhe motra e Xhejsënit, tashmë duke shërbyer [në] misione, dërguan në shtëpi letra të shkëlqyera ngushëlluese që të lexoheshin në funeralin e Xhejsënit. Motra e tij, që shërbente në Misionin e Buenos‑Ajresit Perëndimor, në Argjentinë, si pjesë të letrës së saj, shkruante:

“Unë e di se Jezu Krishti jeton dhe ngaqë Ai jeton, të gjithë ne, përfshirë Xhejsënin tonë të dashur, do të jetojmë përsëri gjithashtu. … Ne [mund të] ngushëllohemi duke pasur dijeninë e sigurt që ne jemi vulosur së bashku si një familje e përjetshme. … Nëse ne bëjmë më të mirën tonë që të bindemi dhe të përmirësohemi në këtë jetë, ne do të shihemi [me atë përsëri].”

Ajo vazhdonte: “[Një] shkrim i shenjtë, që e kam dashur prej kohësh, tani merr një kuptim dhe rëndësi të re në këtë kohë. … [Nga] Zbulesa, kapitulli 21, vargu 4: ‘Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan’.”

Vëllezër dhe motra të mia [të dashura], në orën tonë të hidhërimit më të thellë, ne mund të marrim paqe të plotë nga fjalët e engjëllit atë mëngjes të parë të Pashkës: “Ai nuk është këtu: sepse u ringjall” [Mateu 28:6].

Ai ësht’ ngritur! Ai ësht’ ngritur!

Thoni me zë plot hare.

Ai shpërtheu tri dit’t e burgut;

Gjith’ toka le të g’zohet’.

U mposht vdekja, jemi t’lir’.

Fitoren solli Krishti!

[“Ai Ësht’ Ngritur!Himne, nr. 118]

Si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë në tokë sot, … unë deklaroj se kjo është e vërtetë.6

4

Jezu Krishti mund të na ndryshojë ndërsa e ndjekim Atë.

Ndërsa ju dhe unë ecim në shtegun ku eci Jezusi, le t’ia vëmë veshin tingullit të këmbëve të mbathura. Le t’ia shtrijmë dorën Zdruktharit. Atëherë ne do të arrijmë ta njohim Atë. … Ai na flet neve … fjalët: “Ti ndiqmë” dhe na cakton në detyrën që Ai duhet të përmbushë për kohën tonë. Ai urdhëron dhe atyre që i binden Atij, qofshin të urtë apo të thjeshtë, Ai do t’u shfaqet në mundimet, konfliktet, vuajtjet që do të kalojnë nën shoqërinë e Tij dhe ata do të mësojnë nga vetë përvoja e tyre se kush është Ai.

Ne zbulojmë se Ai është më shumë se Foshnja në Bethlehem, më shumë se biri i zdruktharit, më shumë se mësuesi më i madh që do të jetojë ndonjëherë. Ne arrijmë ta njohim Atë si Birin e Perëndisë. Ai kurrë nuk krijoi një statujë, kurrë nuk pikturoi një pikturë, kurrë nuk shkroi një poezi apo nuk drejtoi një ushtri. Ai kurrë nuk mbajti një kurorë monarku apo skeptër ose kurrë nuk hodhi rreth supeve të Tij një mantel të purpurt. Falja e Tij ishte e pakufishme, durimi i Tij i pashtershëm dhe kuraja e Tij pa caqe.

Jezusi i ndryshoi njerëzit. Ai i ndryshoi zakonet e tyre, opinionet e tyre, ambiciet e tyre. Ai i ndryshoi temperamentet e tyre, prirjet e tyre, natyrat e tyre. Ai i ndryshoi zemrat e njerëzve.

Dikush mendon për peshkatarin e quajtur Simon, i njohur më mirë nga ju dhe unë si Pjetri, kreu i Apostujve. Pjetri dyshues e mosbesues, i rrëmbyer nga natyra, duhej të kujtonte natën kur Jezusin e dërguan te kryeprifti. Kjo ishte nata kur turma “fill[oi] ta pështy[nte] [Shpëtimtarin], t’ia z[inte] fytyrën, ta qëllo[nte] me shuplaka … dhe rojat [ta] godisnin [me pëllëmbët e duarve të tyre]”. (Marku 14:65.)

Ku ishte Pjetri, i cili kishte premtuar të vdiste me Të dhe të mos e mohonte kurrë Atë? Anali i shenjtë zbulon: “Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit”. (Marku 14:54.) Ajo ishte nata kur Pjetri, si përmbushje e profecisë së Mësuesit, me të vërtetë e mohoi Atë tri herë. Mes shtyrjeve, talljeve dhe goditjeve, Zoti, në agoninë e poshtërimit të Tij, në madhështinë e heshtjes së Tij, u kthye dhe pa nga Pjetri.

Siç e përshkroi një kronist ndryshimin: “Ishte e mjaftueshme. … [Pjetri] nuk njihte më rrezik, nuk i druhej më vdekjes. … [Ai] nxitoi … nëpër natë … për të takuar agimin e mëngjesit. … Ky i penduar zemërthyer [qëndroi] përpara gjykatës së vetë ndërgjegjes së tij dhe atje jeta e tij e vjetër, turpi i tij i vjetër, dobësia e tij e vjetër, vetja e tij e vjetër u dënuan me atë vdekje të trishtimit sipas Perëndisë që do të çonte në një lindje të re dhe më fisnike.” (Frederic W. Farrar, The Life of Christ, Portland, Oreg.: Fountain Publications, 1964, f. 604.)

Më pas ishte Sauli nga Tarsi [që u quajt më vonë Pali]. … Një ditë ai takoi Jezusin dhe vini re, të gjitha gjërat u bënë të reja. Nga ajo ditë deri në ditën e vdekjes së tij, Pali i nxiti njerëzit “që t[a] zhvish[nin] … njeriu[n e] vjetër” dhe të “vishe[shin] me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.” (Efesianëve 4:22, 24.)

Kalimi i kohës nuk e ka ndryshuar aftësinë e Shëlbuesit për ta ndryshuar jetën e njerëzve. Siç Ai i tha Llazarit të vdekur, ashtu më thotë mua dhe juve: “[Dilni]”. (Gjoni 11:43.) Dilni nga dëshpërimi i dyshimit.

Dilni nga hidhërimi i mëkatit. Dilni nga vdekja e mosbindjes. Dilni në një risi të jetës. Dilni.

Ndërsa e bëjmë këtë dhe i drejtojmë hapat tona nëpër shtigjet ku eci Jezusi, le të kujtojmë dëshminë që dha Jezusi: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. … Unë jam drita dhe jeta e botës.” (3 Nefi 11:10–11.) “Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin.” (DeB 110:4.)7

5

Zemra e Shpëtimtarit tonë është e mbushur me dashuri.

Në mbledhjet tona të sakramentit ne shpesh këndojmë himnin:

“Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do,

I shtangur nga hiri që ai kaq shum’ më dërgon.

Un’ dridhem kur di se për mua ai shkoi në kryq,

Për mua m’katarin vuajti, u gjakos dhe vdiq. …

Mendoj duart e tij t’gjakosura për borxhin tim!

A mund t’harroj k’të mëshir’, dashuri dhe flijim?

Jo, jo, un’ lavdi do t’i thur, do ta adhuroj,

Gjersa në gjunj’ t’i bie tek i lavdishmi fron”

[“Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113]

Qëndroj plot habi nga dashuria që Jezusi më ofron mua dhe nga dashuria që Jezusi ju ofron juve. Mendoj për dashurinë që Ai dha në Gjetseman. Mendoj për dashurinë që Ai dha në shkretëtirë. Mendoj për dashurinë që Ai dha në varrin e Llazarit; për dashurinë që Ai tregoi në kodrën e Golgotës; në varrin e hapur dhe, sigurisht, kur u shfaq në atë korije të shenjtë me Atin e Tij dhe i foli ato fjalë të paharrueshme Jozef Smithit. E falënderoj Perëndinë për dashurinë e Tij që dha Birin e Tij të Vetëmlindur në mish, madje Jezu Krishtin, për mua dhe ju. E falënderoj Zotin për dashurinë që tregoi duke dhënë jetën e Vet, që ne të mund të kemi jetë të përjetshme.

… Jezusi është Shpëtimtari i botës. Ai është Shëlbuesi i gjithë njerëzimit. Ai është Biri i Perëndisë. Ai tregoi udhën. Ju mund të kujtoni që Jezusi e mbushi mendjen e Tij me të vërtetën; Jezusi e mbushi jetën e Tij me shërbim; Jezusi e mbushi zemrën e Tij me dashuri. Kur e ndjekim atë shembull … dhe në mënyrë të mirëfilltë e mbushim mendjen tonë me të vërtetën, e mbushim jetën tonë me shërbim dhe e mbushim zemrën tonë me dashuri, ne mund të kualifikohemi që një ditë të dëgjojmë atë deklaratë të Shpëtimtarit tonë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21).8

grua duke prekur rrobën e Krishtit

“Qëndroj plot habi nga dashuria që Jezusi më ofron mua, dhe nga dashuria që Jezusi ju ofron juve.”

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Monson rreth vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman (shih pjesën 1). Cilat janë ndjenjat tuaja ndërsa reflektoni për flijimin e Shpëtimtarit për ju? Çfarë mund të mësojmë nga lutja e Shpëtimtarit në Gjetseman?

  • Presidenti Monson tha se Ringjallja e Jezu Krishtit është “ngjarja më e lavdishme, më ngushëlluese dhe më siguruese e të gjithë historisë njerëzore” (pjesa 2). Çfarë bekimesh na vijnë për shkak të Ringjalljes së Shpëtimtarit?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia e Presidentit Monson te pjesa 3? Si ju ka ndihmuar realiteti i Ringjalljes të ndieni “paqen dhe ngushëllimin e premtuar nga Shpëtimtari”?

  • Presidenti Monson theksoi se Jezusi mund të na ndryshojë (shih pjesën 4). Çfarë duhet të bëjmë në mënyrë që Shpëtimtari të mund të na ndryshojë? Si ka ndryshuar jeta juaj prej Tij?

  • Rishikojini mësimet e Presidentit Monson rreth Shpëtimtarit që tregon dashurinë e Tij (shih pjesën 5). Kur e keni ndier dashurinë e Shpëtimtarit për ju? Si mund ta dallojmë më plotësisht dashurinë që na ofron Jezusi? Si mund ta tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për Të? Si mund ta “mbushim zemrën tonë me dashuri”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 25:8; 2 Thesalonikasve 3:16; 2 Nefi 25:12; Mosia 15:18; Alma 5:48; 38:9; 3 Nefi 27:27; Doktrina e Besëlidhje 88:15–16; 93:33–34

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shprehje të sinqerta të dashurisë si e Krishtit kanë fuqi të madhe për t’i zbutur zemrat e [atyre] të cilët po hasin vështirësi me ungjillin. Shpesh këta individë thjesht kanë nevojë të dinë se janë të nevojshëm dhe se i duan. …  Mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa t’u kërkoni atyre të marrin pjesë në një mësim të ardhshëm – të tregojnë një përvojë ose ndjenja rreth një shkrimi të shenjtë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 9).

Shënime

  1. The Way of the Master”, Ensign, janar 2003, f. 7.

  2. Ai Ësht’ Ngritur!Liahona, maj 2010, f. 88.

  3. The Bridge Builder”, Liahona, nëntor 2003, f. 69.

  4. Në Lamtumirë”, Liahona, maj 2011, f. 114.

  5. Ai Ësht’ Ngritur!” f. 88–89.

  6. Ai Ësht’ Ngritur!” f. 89–90.

  7. The Paths Jesus Walked”, Ensign, shtator 1992, f. 5–6.

  8. Formula for Success”, Ensign, mars 1996, f. 6.