Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11


“Kapitulli 11. Dashuria Hyjnore, Dashuria e Pastër e Krishtit”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 11”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 11

Dashuria Hyjnore, Dashuria e Pastër e Krishtit

“Shpreh[shim] dashuri për gjithë fëmijët e Perëndisë, qofshin ata pjesëtarët e familjeve tona, miqtë tanë, thjesht të njohur apo krejtësisht të panjohur.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Për Presidentin Tomas S. Monson, dashuria për të tjerët ishte një mënyrë jetese. Plaku Xhefri R. Holland dhe të tjerë përshkruan disa nga mënyrat në të cilat ai shprehte dashuri dhe dashuri hyjnore:

“Zemra e butë e djaloshit Tom dhe natyra e dhembshur e tij e bënë shpejt të vetëdijshëm për shumë njerëz përreth vetes që ishin më pak fatlumë sesa ai. Duke mos dashur ta shihte familjen e njërit prej miqve të tij të fëmijërisë të hante drithëra (të zbutura me ujë të nxehtë në vend të qumështit) si darkë Krishtlindjeje, ai i solli dy lepuj që i kishte fituar në një garë, duke thënë me një shtrëngim në fyt: ‘Nuk janë gjela deti, por do t’ju bëjnë një darkë të mirë Krishtlindjeje’.

Njëmend, përvojat e tij në fëmijëri duket se kanë qenë pjesë e një procesi të drejtuar hyjnisht, i cili do ta bënte Tomas Monsonin të ndjeshëm ndaj halleve të të varfërve gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij. Kur ai më vonë u bë peshkop i Lagjes së Gjashtë e të Shtatë në të cilën kishte lindur dhe ishte rritur, ai kishte 1060 anëtarë, përfshirë 85 vejusha dhe ngarkesën më të madhe për mirëqenien në Kishë.

Shumë njerëz mund ta dinë se Peshkop Monsoni kur ishte i ri merrte një javë nga pushimet e tij private çdo periudhë Krishtlindjeje për t’i vizituar të gjitha ato tetëdhjetë e pesë vejusha në lagjen e tij. Shumë njerëz mund të mos e dinë se në vitet e para dhurata që do t’iu jepte atyre ishte një nga … pulat e rritura dhe të therura prej tij nga koteci i vet i pulave …

‘[Presidenti Monson është] kampioni në përkrahjen e të munduarve’ – [tha] miku i tij prej shumë kohësh Uendëll J. Eshton. … ‘Ai është si një pemë pishe – maja është e lartë dhe e drejtuar nga qielli por degët janë të gjera, të ulura në tokë dhe mbrojtëse ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë për strehë atje.’

‘Pak njerëz e dinë këtë, por Vëllai Monson është kapelani i vetemëruar i një numri qendrash përkujdesjeje për të moshuarit nëpër qytet’, – [tha] Plaku Bojd K. Paker, i cili u ul në krah të Plakut Monson në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve për pesëmbëdhjetë vjet. ‘Ai i viziton ata sa herë që ia lejon programi i tij i ngjeshur dhe nganjëherë dhe kur nuk ia lejon.’

Një person i tha një herë pa të keq Presidentit Monson se ishte e kotë që ai i vizitonte këta njerëz të moshuar, që u fliste atyre gjatë kur ata rrallëherë përgjigjeshin me ndonjë fjalë. ‘Mundesh fare mirë ta kursesh kohën dhe frymën tënde, Plaku Monson. Ata nuk e dinë se kush je ti.’

‘Çështja nuk është a më njohin ose jo mua’, – u përgjigj Tomas Monsoni i vendosur. ‘Unë nuk u flas atyre ngaqë ata më njohin u flas sepse unë i njoh.’”1

Jezusi duke u lutur në Gjetseman

“Dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit dhe Jezu Krishti është Shembulli ynë. Jeta e Tij ishte një trashëgimi dashurie.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Ne duhet ta shprehim dashurinë me fjalët dhe veprimet tona.

Ne nuk mund ta duam me të vërtetë Perëndinë, në qoftë se nuk i duam bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim në vdekshmëri. Po njësoj, ne nuk mund t’i duam plotësisht bashkëqeniet tona, në qoftë se nuk e duam Perëndinë, Atin e ne të gjithëve. Apostulli Gjon na thotë: “Ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet” [1 Gjon 4:21]. Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor dhe, si të tillë, jemi vëllezër e motra. Kur e mbajmë këtë të vërtetë në mendje, dashuria ndaj gjithë fëmijëve të Perëndisë do të bëhet më e lehtë.

Në të vërtetë, dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit dhe Jezu Krishti është Shembulli ynë. Jeta e Tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurin Ai e shëroi; të shtypurin Ai e ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi. Më së fundi turma e zemëruar ia mori jetën Atij. Dhe prapëseprapë kumbojnë nga kodra e Golgotës fjalët: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” – një shprehje kurorëzuese në vdekshmëri e dashamirësisë dhe e dashurisë [Lluka 23:34].

Ka shumë tipare që janë shfaqje të dashurisë, të tilla si mirësia, durimi, vetëmohimi, kuptueshmëria dhe falja. Në të gjitha shoqërimet tona, këto tipare dhe të tjera si ato do të ndihmojnë për ta vënë në dukje dashurinë e zemrës sonë.

Zakonisht dashuria jonë do të tregohet në ndërveprimet tona të përditshme njëri me tjetrin. Tërësisht e rëndësishme do të jetë aftësia jonë për ta dalluar nevojën e dikujt dhe më pas për të vepruar. Gjithmonë më ka pëlqyer ndjenja e shprehur në vjershën e shkurtër:

Me lot natën kam qarë

Ngaqë sytë s’më kanë parë

Që dikush nevojë për mua pati;

Por ende asnjëherë

Keqardhje s’kam ndier

Që atij i dhashë pak mirësi.

[Autori i panjohur, cituar në Richard L. Evans, “The Quality of Kindness”, Improvement Era, maj 1960, f. 340] …

Do të shpresoja që ne do të përpiqeshim gjithmonë që të jemi të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj mendimeve, ndjenjave dhe rrethanave të njerëzve përreth nesh. Le të mos poshtërojmë ose nënvlerësojmë. Përkundrazi, le të jemi dashamirës dhe inkurajues. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e shkatërrojmë vetëbesimin e dikujt tjetër me anë të fjalëve ose veprimeve të pakujdesshme. …

Dashuria shprehet në shumë mënyra të dallueshme: një buzëqeshje, një përshëndetje me dorë, një fjalë e mirë, një kompliment. Shprehje të tjera mund të jenë më të menduara, të tilla si të treguarit e interesit për veprimtaritë e dikujt, mësimdhënia e një parimi me mirësi dhe durim, të vizituarit e dikujt që është i sëmurë ose që nuk del nga shtëpia. Këto fjalë e veprime si dhe shumë të tjera mund të përçojnë dashuri. …

Ju mund të filloni tani, pikërisht sot, të shprehni dashuri për gjithë fëmijët e Perëndisë, qofshin ata pjesëtarët e familjeve tona, miqtë tanë, thjesht të njohur apo krejtësisht të panjohur. Kur ngrihemi çdo mëngjes, ne duhet të marrim vendim që t’i përgjigjemi me dashuri dhe mirësi çfarëdo gjëje që mund të na ndodhë.

Përtej aftësisë për ta kuptuar, vëllezër dhe motra të mia, është dashuria e Perëndisë për ne. Për shkak të kësaj dashurie, Ai dërgoi Birin e Tij, i cili na deshi aq sa të jepte jetën e Tij për ne, që ne të mund të kemi jetë të përjetshme. Kur arrijmë ta kuptojmë këtë dhuratë të pakrahasueshme, zemrat tona do të mbushen me dashuri për Atin tonë të Amshuar, për Shpëtimtarin tonë dhe për mbarë njerëzimin.2

Ati juaj Qiellor ju do – secil[i]n prej jush. Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. Ajo nuk ndikohet nga pamja juaj, nga zotërimet tuaja apo nga sasia e parave që keni në llogarinë tuaj bankare. Nuk ndryshohet nga talentet dhe aftësitë tuaja. Është thjesht atje. Është atje për ju kur jeni të trishtuar ose të lumtur, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë. Është thjesht gjithmonë atje.”3

2

Jezu Krishti u tregoi dashuri hyjnore të tjerëve dhe na fton të bëjmë të njëjtën gjë.

Mendimet e mia janë kthyer te një udhë që u bë e famshme nga shëmbëlltyra që tregoi Jezusi. Po flas për udhën për në Jeriko. Bibla na mundëson ta jetojmë sërish ngjarjen e paharrueshme që e bëri udhën për në Jeriko të famshme përgjithmonë. …

Atëherë Jezusi … tha: “Një burrë zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem’.

Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.

Dhe ai tha: ‘Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij’. Atëherë Jezusi i tha: ‘Shko dhe bëj kështu edhe ti’.” [Lluka 10:30–37.]

Secili prej nesh, në udhëtimin gjatë vdekshmërisë, do të shkelë vetë në udhën e tij për në Jeriko. Cila do të jetë përvoja juaj? Cila do të jetë përvoja ime? Vallë, mos nuk do të arrij ta vë re atë që ka rënë në duart e kusarëve dhe kërkon ndihmën time? Po ju? A do të jem personi që e shikon të lënduarin dhe e dëgjon lutjen e tij e prapëseprapë kalon në anën tjetër? Po ju? Apo do të jem personi i cili shikon, i cili dëgjon, i cili ndalon dhe i cili ndihmon? Po ju?

Jezusi na dha kushtrimin: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.[Lluka 10:37]. Kur ne i bindemi asaj deklarate, neve na shpaloset një tablo gëzimi e pakrahasueshme dhe që kurrë nuk tejkalohet.

Tani, udha për në Jeriko mund të mos jetë e shenjuar qartësisht. As të plagosurin që bërtet mund të mos e dëgjojmë. Por kur ne ecim në hapat e atij samaritani të mirë, ne ecim në udhën që çon te përsosuria.

Jezusi duke ndihmuar burrin e plagosur

“Do të jem personi i cili shikon, i cili dëgjon, i cili ndalon dhe i cili ndihmon? Po ju?”

Vërejini shembujt e shumtë të dhënë nga Mësuesi: burri i gjymtuar në pellgun e Betesdës; gruaja e zënë në shkelje kurore; gruaja në pusin e Jakobit; e bija e Jairit; Llazari, vëllai i Maries dhe Martës – secili përfaqësonte një fatkeqësi në udhën për në Jeriko. Secili kishte nevojë për ndihmë.

Të gjymtuarit në Betesda, Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec” (Gjoni 5:8.) Gruas mëkatare i erdhi këshilla: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11.) Për ta ndihmuar atë që erdhi të mbushte ujë, Ai siguroi një “burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14.) Bijës së vdekur të Jairit i erdhi urdhri: “Vajzë, ty po të them: Çohu!” (Marku 5:41.) Llazarit të varrosur i tha fjalët e paharrueshme: “Llazar, eja jashtë!” (Gjoni 11:43.)

Dikush mundet fare mirë të bëjë pyetjen e mprehtë: “Këto rrëfime i përkasin Shëlbuesit të botës. A mundet të ndodhë vërtet në vetë jetën time, në udhën time për në Jeriko, një përvojë e tillë e vyer?”

Përgjigjja është një po kumbuese! Më lejoni të jap [një shembull].

Disa vjet më parë, një nga burrat më dashamirës e më të dashur që hijeshonin tokën iku drejt shpërblimit të tij të përjetshëm. Po flas për Luis C. Xhakobsenin. Ai u dha shërbesë atyre që ishin në nevojë, u erdhi në ndihmë imigrantëve për të gjetur punësim dhe mbajti më shumë fjalime në më shumë shërbesa varrimi se kushdo tjetër që kam njohur.

Një ditë, teksa ishte në një gjendje reflektimi, Luis Xhakobseni më tregoi për djalërinë e tij. Ai ishte i biri i një vejushe të varfër daneze. Ishte i vogël në shtat, jo i hijshëm në paraqitje, duke u bërë lehtësisht objekti i shakave të shkujdesura të shokëve të tij të klasës. Në Shkollën e së Dielës një mëngjes shabati, fëmijët e tallën për pantallonat e tij të arnuara dhe këmishën e vjetruar. Ngaqë ishte tepër krenar për të qarë, Luis vocërraku vrapoi me të katra nga kisha, duke ndaluar më në fund, pasi po i merrej fryma, për t’u ulur e për t’u çlodhur mbi buzën e ngritur të trotuarit që shtrihej përgjatë Rrugës “Third West” në Solt-Lejk-Siti. Nga kanali i kullimit në krah të buzës së trotuarit ku qe ulur Luisi rridhte ujë i pastër. Nga xhepi i tij ai mori një copë letër që përmbante mësimin e përvijuar të Shkollës të së Dielës, dhe i dha me mjeshtëri formën e një barke, të cilën e lëshoi në ujin që rridhte. Nga zemra e tij e lënduar djaloshare dolën fjalët e vendosura: “Nuk do të kthehem më kurrë aty”.

Papritmas, përmes lotëve Luisi pa të pasqyruar në ujë imazhin e një burri trupmadh e të veshur mirë. Luisi e ngriti fytyrën dhe e njohu Xhorxh Barbixhin, [udhëheqësin] e Shkollës të së Dielës. “A mund të ulem me ty?” – e pyeti udhëheqësi dashamirës. Luisi tundi kokën në shenjë pohimi. Atje mbi buzën e kanalit u ul një samaritan i mirë për t’i dhënë shërbesë dikujt që pa dyshim qe në nevojë. Ata formuan dhe lëshuan disa barka ndërkohë që vijonte biseda. Në fund, udhëheqësi u ngrit në këmbë dhe, me dorën e djaloshit të kapur fort pas së vetës, ata u kthyen në Shkollën e së Dielës. Më vonë edhe vetë Luisi kryesoi në po të njëjtën Shkollë të së Dielës. Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë me shërbim, ai pati gjithmonë falënderim për udhëtarin që e shpëtoi atë përgjatë një udhe për në Jeriko.4

3

Dashuria është katalizatori që shkakton ndryshimin, melhemi që sjell shërimin.

Në mendjen e sinqertë jehon përherë me shumë butësi ajo ftesë vetjake e Zotit: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai” (Zbulesa 3:20). A ka një emër ajo derë? Sigurisht që ka. Kam zgjedhur ta quaj “Dera e Dashurisë”.

Dashuria është katalizatori që shkakton ndryshimin. Dashuria është melhemi që i sjell shërim shpirtit. Por dashuria nuk rritet si barishtet e egra ose të bjerë si shiu. Dashuria ka çmimin e vet. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Ai Bir, madje Zoti Jezu Krisht, dha jetën e Tij që ne të mund të kemi jetë të përjetshme, kaq e madhe qe dashuria e Tij për të Atin dhe për ne.

Në atë lamtumirë të dhembshur e mallëngjyese, teksa i këshilloi dishepujt e Tij të dashur, Jezusi dha mësimin: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do” (Gjoni 14:21). Veçanërisht me ndikim të madh qe udhëzimi: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri‑tjetrin” (Gjoni 13:34). …

I lavdëroj ata që, me përkujdesje të dashur dhe shqetësim të dhembshur i ushqejnë të uriturit, i veshin të zhveshurit dhe i strehojnë të pastrehët. Ai që e vë re rënien e harabelit, nuk do të jetë i pavetëdijshëm për një shërbim të këtillë.5

Kohët e fundit, solla ndërmend një përvojë nga djalëria ime [kur] isha vetëm 11 vjeç. Presidentja jonë e Fillores, Melisa, qe një grua e moshuar, e dashur e me flokë të thinjura. Një ditë në Fillore, Melisa më kërkoi të qëndroja më pas dhe të takohesha me të. Atje të dy ne ndenjëm të vetëm në kishë. Ajo vendosi krahun mbi shpatullën time dhe filloi të qajë. I çuditur, e pyeta përse po qante.

Ajo u përgjigj: “Nuk më duket se ia arrij që djemtë … të jenë nderues gjatë ushtrimeve të hapjes së Fillores. A do jesh i gatshëm të më ndihmosh, Tomi?”

Unë i premtova Melisës se do ta ndihmoja. Çuditërisht për mua, por jo për Melisën, kjo përmbylli çdo problem të nderimit në Fillore. Ajo kishte shkuar te burimi i problemit – unë. Zgjidhja qe dashuria.

Vitet kaluan. Melisa e mrekullueshme, tani në të 90‑at, jetoi në një azil në pjesën veriperëndimore të Solt‑Lejk‑Sitit. Pak përpara Krishtlindjes, unë vendosa ta vizitoja presidenten time të dashur të Fillores. Në radion e makinës dëgjova këngën “Engjëjt ja në këng’ ngritur lavdi Mbretit të lindur!” [Shih te Himne, nr. 129.] Reflektova mbi vizitën e bërë nga dijetarët kaq shumë vite më parë. Ata sollën dhurata ari, temjani dhe mirre. Unë solla vetëm dhuratën e dashurisë dhe dëshirën për të thënë “faleminderit”.

E gjeta Melisën në mensë. Ajo po ia ngulte sytë pjatës së saj të ushqimit, duke e çikur me pirunin që mbante në dorën e moshuar. Ajo nuk hëngri asnjë kafshatë. Ndërsa i fola, fjalët e mia u ndeshën me një vështrim të ëmbël por të zbrazët. E mora pirunin në dorë dhe fillova ta ushqeja Melisën, duke i folur gjithë kohën rreth shërbimit të saj si një punonjëse e Fillores për djemtë dhe vajzat. Nuk pati as edhe një shenjë të njohjes, ose ndonjë fjalë të thënë. Dy banorë të tjerë të azilit më vështruan ngultas me shprehje të mëdyshta. Së fundi, njëri prej tyre foli, duke thënë: “Mos fol me të. Ajo nuk njeh asnjë njeri – madje as vetë familjen e saj. Ajo nuk ka thënë asnjë fjalë gjatë gjithë kohës që ka qenë këtu.”

Dreka mbaroi. Biseda ime e njëanshme mbaroi. U ngrita për t’u larguar. E mbajta dorën e saj të brishtë tek e imja, vështrova ngultas fytyrën e saj të rrudhosur por të bukur, dhe i thashë: “Perëndia të bekoftë, Melisa. Gëzuar Krishtlindjen.” Pa dhënë ndonjë shenjë, ajo tha fjalët: “Të njoh ty. Ti je Tomi Monson, djali im i Fillores. Sa të dua.” Ajo tërhoqi dorën time te buzët e veta dhe dhuroi një puthje të ëmbël të mbushur me dashuri. Lotët rrodhën në faqet e saj dhe mbushën duart tona të shtrënguara. Ato duar atë ditë u bënë të shenjta nga qielli dhe u bekuan nga Perëndia.6

4

Ne tregojmë dashuri hyjnore kur i përmbahemi gjykimit dhe kritikave ndaj të tjerëve.

Një çift i ri, Lisa dhe Xhoni, u transferuan në një lagje të re. Një mëngjes ndërsa po hanin mëngjes, Lisa pa nga dritarja dhe vështroi fqinjën përbri që po varte rrobat e saja të lara.

“Këto rroba nuk janë të pastra!” – thirri Lisa. “Fqinja jonë nuk di si t’i lajë rrobat!”

Xhoni vështroi por qëndroi i heshtur.

Sa herë që fqinja do të varte rrobat e saja të lara për tharje, Lisa do të bënte të njëjtat komente.

Pak javë më vonë, Lisa u befasua të shihte nga dritarja dhe të vinte re rroba të lara mirë, pastër që vareshin në oborrin e fqinjës së saj. Ajo i tha bashkëshortit të saj: “Shih Xhon – ajo më në fund mësoi si të lajë siç duhet! Çuditem si e ka bërë.”

Xhoni u përgjigj: “Mirë, e dashur, unë e kam përgjigjen për ty. Do të ishte me interes ta dije se unë u çova herët këtë mëngjes dhe lava dritaret tona!”

… Do të doja të ndaja me ju disa mendime lidhur me atë se si ne e shohim njëri-tjetrin. A po shohim ne nëpër një dritare që ka nevojë për pastrim? A po bëjmë gjykime kur ne nuk i kemi të gjitha faktet? Çfarë shohim ne kur vështrojmë tek të tjerët? Çfarë gjykimesh bëjmë ne rreth tyre?

Shpëtimtari tha: “Mos gjykoni” [Mateu 7:1]. Ai vazhdoi: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?” [Mateu 7:3.] Ose, për të parafrazuar, përse vë re ti atë që është rrobë e palarë në shtëpinë e fqinjit tënd, por nuk sheh dritaren e ndotur në vetë shtëpinë tënde?

grua duke qëndruar pranë dritares

“Në vend që të jemi gjykues dhe kritikë për njëri-tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës.”

Askush nga ne nuk është i përsosur. Unë nuk njoh askënd që do të thoshte se është i tillë. Dhe përsëri për disa arsye, me gjithë papërsos[u]ritë tona, ne kemi një prirje për të përmendur ato të të tjerëve. Ne bëjmë gjykime lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre.

Në të vërtetë nuk ka mënyrë se si ne të mund të dimë zemrën, prirjet apo rrethanat e dikujt, që mund të thotë apo bëjë diçka të cilën ne gjejmë arsye ta kritikojmë. Prandaj vjen urdhërimi: “Mos gjykoni”. …

Unë e konsideroj dashurinë hyjnore – apo “dashurinë e pastër të Krishtit” – të jetë e kundërta e kritikës dhe e gjykimit. Kur flas për dashurinë hyjnore, … unë kam parasysh dashurinë hyjnore që shfaqet kur ne jemi tolerantë ndaj të tjerëve dhe shpirtbutë ndaj veprimeve të tyre; llojin e dashurisë hyjnore që fal, llojin dashurisë hyjnore që është e durueshme.

Unë kam në mendje dashurinë hyjnore që na nxit të jemi të këndshëm, të dashur dhe të mëshirshëm, jo vetëm në kohë sëmundjeje dhe pikëllimi, dhe ankthi, por gjithashtu në kohë dobësie apo gabimi nga ana e të tjerëve.

Ka një nevojë të madhe për dashuri hyjnore që u kushton vëmendje atyre që nuk bien në sy, u jep shpresë atyre që janë shkurajuar, ndihmë atyre që vuajnë. Dashuria hyjnore e vërtetë është dashuri në veprim. Nevoja për dashuri hyjnore është kudo.

E nevojshme është dashuria hyjnore që kundërshton të gjejë kënaqësi duke dëgjuar apo duke përsëritur raportet e fatkeqësive që u ndodhin të tjerëve, pavarësisht se duke bërë kështu fatkeqi mund të përfitojë. …

Dashuria hyjnore është të kesh durim me dikë që na ka lënë në baltë. Është t’i rezistosh impulsit për t’u ndier lehtësisht i ofenduar. Ajo është të pranosh dobësitë dhe mangësitë. Ajo është t’i pranosh njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë. Ajo është të shohësh përtej dukjeve te tiparet që nuk do të zbehen me kalimin e kohës. Ajo është t’i rezistosh impulsit për të klasifikuar të tjerët. … Në vend që të jemi gjykues dhe kritikë për njëri‑tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës. …

“Dashuria hyjnore nuk dështon kurrë” [Moroni 7:46]. Le t’ju udhëheqë kjo … e vërtetë pa kohë, në çdo gjë që bëni. Le të përshkojë ajo vetë shpirtrat tuaj dhe të gjejë shprehje në gjithë mendimet dhe veprimet tuaja.7

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikojini mënyrat e shumta në të cilat Presidenti Monson na mëson se si duhet ta shprehim dashurinë (shih te pjesa 1). Në çfarë mënyrash mund të tregojmë dashuri më të madhe në ndërveprimet tona ditë pas dite? Si mund të zhvillojmë dashuri më të madhe për të tjerët? Si ju ndihmon të dini se dashuria e Atit Qiellor për ju “është thjesht gjithmonë atje”?

  • Përsiatini pyetjet e Presidentit Monson rreth rrugëtimit tonë përgjatë udhës për në Jeriko (shih te pjesa 2). Kur jeni bekuar nga dikush që ishte një “samaritan i mirë” për ju? Çfarë mund të na mësojnë historitë e Luis Xhakobsenit dhe Xhorxh Barbixhit? Pse është e rëndësishme që “ta lëmë shqetësimin për të tjerët [të zëvendësojë] shqetësimin për veten”?

  • Presidenti Monson dha mësim se “dashuria është katalizatori që shkakton ndryshimin” (pjesa 3). Si e ndihmoi atë dashuria e një mësueseje që të ndryshonte kur ishte një djalosh 11‑vjeçar në Fillore? Kur ka sjellë një ndryshim në jetën tuaj dashuria e një personi tjetër? Pse dashuria ka një fuqi të tillë?

  • Çfarë mund të mësojmë për dashurinë nga historia e Presidentit Monson rreth rrobave të lara të fqinjës? (Shih te pjesa 4.) Pse ne nganjëherë jemi gjykues ose kritikues? Si mund t’i kapërcejmë këto prirje? Shqyrtojini mësimet e Presidentit Monson rreth dashurisë hyjnore në paragrafin e ardhshëm deri tek ai i fundit dhe përsiatni si mund të keni më tepër dashuri hyjnore në këto mënyra.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 5:44–46; Gjoni 15:9–13; 1 Korintasve 13:1–13; Kolosianëve 3:12–14; 1 Nefi 11:8–23; Ethëri 12:33–34; Moroni 7:47–48; Doktrina e Besëlidhje 121:45–46

Ndihmë për Mësimdhënien

“Në varësi të rrethanave tuaja, shprehja e dashurisë ndaj atyre, të cilëve u jepni mësim, mund të nënkuptojë që t’iu jepni atyre përgëzime të çiltra, të tregoni interes për jetën e tyre, t’i dëgjoni me kujdes, t’i përfshini në mësim, të kryeni veprime shërbimi për ta ose thjesht t’i përshëndetni me ngrohtësi kur i shihni” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, [2016], f. 6).

Shënime

  1. Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Man of Action, Man of Faith, Always ‘on the Lord’s Errand’”, Ensign, shkurt 1986, f. 12–13.

  2. Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 91, 93–94.

  3. Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 123–124.

  4. Your Jericho Road”, Ensign, shkurt 1989, f. 2, 4.

  5. The Doorway of Love”, Ensign, tetor 1996, f. 7.

  6. Krishtlindja Është Dashuri” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2012), ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/christmas-devotional/2012/12/christmas-is-love; shih edhe “The Doorway of Love”, f. 7.

  7. Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë”, Liahona, nëntor 2010, f. 122, 124–125.