Mësime të Presidentëve
Kapitulli 15


“Kapitulli 15: Shërbimi Misionar: Një Detyrë e Shenjtë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 15”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 15

Shërbimi Misionar: Një Detyrim i Shenjtë

“Puna misionare është një tipar dallues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Gjatë një fluturimi nga San‑Françiskoja drejt Los‑Anxhelosit, Presidenti Tomas S. Monson pati një përvojë që e ilustron gatishmërinë e tij për ta shpërndarë ungjillin. Një e re e ulur pranë tij po lexonte “A Marvelous Work and a Wonder” [“Një Vepër e Mrekullueshme dhe një Çudi”], një libër nga Plaku Legrand Riçards (1886–1983), i cili qe anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Presidenti Monson e pyeti të renë a ishte anëtare e Kishës.

“O, jo”, – u përgjigj ajo. “Përse ma bëni këtë pyetje?”

Presidenti Monson shpjegoi se autori i librit qe udhëheqës në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

“Ashtu?” – pyeti e reja. “Ma dha një shoqe, por nuk di shumë rreth tij. Sidoqoftë më ka ngjallur kureshtje.”

Ndërsa Presidenti Monson vriste mendjen a duhej të fliste më shumë rreth Kishës, i erdhën në mendje fjalët e Apostullit Pjetër: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju” (1 Pjetër 3:15). “Vendosa që kjo ishte koha kur duhet të jepja dëshminë time”, – tha ai.

“I thashë se ishte privilegji im vite përpara ta ndihmoja Plakun Riçards për ta shtypur librin A Marvelous Work and a Wonder [Një Vepër e Mrekullueshme dhe një Çudi]. I tregova asaj diçka rreth atij burri të shkëlqyer. I tregova për shumë mijëra njerëz që kishin përqafuar të vërtetën pasi lexuan atë që kishte përgatitur ai.

Më pas, ishte privilegji im, gjatë gjithë rrugës për në Los‑Anxhelos, t’iu përgjigjesha pyetjeve të saj në lidhje me Kishën, pyetje inteligjente që vinin nga një zemër që po kërkonte të vërtetën. E pyeta nëse mund të planifikoja që dy motra misionare ta merrnin në telefon. E pyeta a do t’i pëlqente ta frekuentonte degën tonë në San‑Françisko, ku jetonte. Përgjigjet e saj qenë pohuese.”

Kur Presidenti Monson u kthye në shtëpi, ua kaloi këtë informacion udhëheqësve të Kishës në San‑Françisko. “A mund ta përfytyroni kënaqësinë time kur, pak muaj më vonë, mora një telefonatë nga [presidenti i kunjit] i asaj kohe i cili më tha: ‘Plaku Monson, po ju telefonoj për Ivon Ramirezin, një stjuardesë që e kishte pushim atë ditë, një vajzë e re që qe ulur pranë jush në një fluturim drejt Los‑Anxhelosit. … Ajo sapo qe bërë anëtarja më e re e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo do të donte t’ju fliste dhe të shprehte mirënjohjen e saj.’”1

“Një zë i ëmbël doli në linjë: ‘Vëllai Monson, të falënderoj që e ndave dëshminë tënde me mua. Jam njeriu më i lumtur në të gjithë botën.’

Teksa më mbusheshin sytë me lot dhe mirënjohja ndaj Perëndisë ma mbushi shpirtin, e falënderova dhe e përgëzova atë për kërkimin e saj për të vërtetën dhe për vendimin e saj pasi e gjeti të vërtetën që të hynte në ato ujëra që të pastrojnë, të dëlirin dhe të sigurojnë hyrjen në jetën e përjetshme.”2

burra duke biseduar

“Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju” (1 Pjetër 3:15).

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Ne kemi urdhrin që ta shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit.

Shumë vjet më parë, u dha një urdhër hyjnor nga Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, kur Ai iu tha njëmbëdhjetë dishepujve të Tij të dashur: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” [Mateu 28:19–20]. Marku shënon se ata “dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta” [Marku 16:20].

Ky detyrim i shenjtë nuk është shfuqizuar. Përkundrazi, është theksuar sërish.3

Krishti duke dhënë mësim

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19).

Puna misionare është një tipar dallues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përherë ka qenë; gjithmonë do të jetë.4

Ne jemi një popull me mendësi misionare. … Ai misionar energjik nga Libri i Mormonit, madje Alma, na jep një skicë të sjelljes misionare: “Kjo është lavdia ime se ndoshta unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë, që të sjell ndonjë shpirt në pendim dhe ky është gëzimi im” (Alma 29:9).

Po shtoj dëshminë time vetjake: Misionarët tanë nuk janë tregtarë mallrash për të shitur; përkundrazi, ata janë shërbëtorë të Më të Lartit Perëndi, me dëshmi për të dhënë, të vërteta për të dhënë mësim dhe shpirtra për të shpëtuar.5

Çdonjërit prej nesh i vjen urdhri për ta shpërndarë ungjillin e Krishtit. Kur jeta jonë pajtohet me vetë standardet e Perëndisë, ata të cilët ndikohen nga ne, asnjëherë nuk do të shprehin vajtimin: “Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar” [Jeremia 8:20].

Bariu i përsosur i shpirtrave, misionari që shëlbeu njerëzimin, na dha sigurimin e Tij hyjnor:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” [Doktrina e Besëlidhje 18:15–16]. …

Lutem që do të kemi guximin të zgjasim dorën e miqësisë, këmbënguljen për t’u përpjekur e përpjekur sërish, dhe përulësinë e nevojshme për të kërkuar drejtim nga Ati ynë ndërsa përmbushim urdhrin tonë për ta shpërndarë ungjillin.6

2

Mënyra si i shohim të tjerët mund t’i ndihmojë ata të ndryshojnë.

Ne duhet ta ngulitim në mendje që njerëzit mund të ndryshojnë. Ata mund t’i lënë pas veset e këqija. Ata mund të pendohen për shkeljet. Ata mund ta mbajnë priftërinë me denjësi. Dhe mund t’i shërbejnë Zotit me zell.7

Në një mbledhje të veçantë, N. Eldon Taner, i cili atëherë ishte Ndihmës i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, sapo ishte kthyer nga përvoja e tij fillestare e kryesimit në misionet në Britaninë e Madhe dhe Europën Perëndimore. Ai tregoi për një misionar që kishte qenë misionari më i suksesshëm, të cilin e kishte takuar në të gjitha intervistat që kishte kryer. …

Vëllai Taner e pyeti atë se cili qe ndryshimi lidhur me qasjen e tij. … Ai tha se nëse do të trokiste në derë dhe do të shihte një burrë duke pirë duhan dhe të veshur me veshje të vjetra, dhe në dukje pa interes për gjë – veçanërisht për fenë – misionari do ta përfytyronte atë në vetë mendjen e tij se si do të dukej ai burrë në një sërë rrethanash të ndryshme. Në mendjen e tij do ta shihte atë si të porsarruar dhe të veshur me këmishë të bardhë dhe pantallona të bardha. Dhe misionari do ta përfytyronte veten duke e drejtuar atë burrë në ujërat e pagëzimit. Ai tha: “Kur e shoh dikë në atë mënyrë, unë kam aftësinë t’ia tregoj atij dëshminë time në një mënyrë që mund të prekë zemrën e tij”.

Ne kemi përgjegjësinë t’i shohim në këtë mënyrë miqtë tanë, kolegët tanë, fqinjët tanë. Sërish, ne kemi përgjegjësinë për t’i parë individët jo siç janë, por përkundrazi, ashtu si mund të bëhen. Do t’ju lutesha që të mendoni për ta në këtë mënyrë.8

Ka individë të panumërt që pikërisht tani kanë një dëshmi të vogël ose [s’kanë fare] dëshmi, megjithatë, ata mund dhe do ta marrin një dëshmi të tillë nëse ne do të jemi të gatshëm të bëjmë përpjekje për ta [treguar] atë dhe për t’i ndihmuar ata të ndryshojnë. Në disa raste ne mund të ofrojmë nxitjen për ndryshim.9

3

Shërbimi misionar kohëplotë është një mundësi e pashembullt në jetë.

Dëshirimi i thellë i individëve të panumërt shprehet në lutjen e atij që i foli Filipit të lashtësisë: “E si do të mundja [të gjeja udhën time], po s’pata një që të më udhëzojë?” [Veprat e Apostujve 8:31].

… Bota ka nevojë për ndihmën tuaj. Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxi[t]im, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. Të korrat janë vërtet të mëdha. Le të mos ketë asnjë gabim rreth kësaj; mundësia e pashembullt në jetë për të qenë misionarë është vetëm për ju. Bekimet e përjetësisë ju presin ju. I juaji është privilegji për të mos qenë spektatorë, por pjesëmarrës.10

Çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Një shërbim i tillë është detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret nga ne që na është dhënë kaq shumë. Të rinj, ju këshilloj që të përgatiteni për shërbimin si misionar. Mbajeni veten të pastër, të dëlirë dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin. Ruani shëndetin dhe forcën tuaj. Studioni shkrimet e shenjta. Atje ku mundësohen, merrni pjesë në seminar dhe në institut. …

Motra, ndërsa nuk keni të njëjtën përgjegjësi priftërie si të rinjtë për të shërbyer si misionare me kohë të plotë, ju gjithashtu jepni një ndihmesë të çmuar si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin tuaj.

Vëllezër… dhe motra… më të rritura të Kishës, unë ju kujtoj juve se Zoti ka nevojë për shumë, shumë më tepër nga ju që të shërbeni si misionarë me kohë të plotë. Nëse ju nuk jeni ende në kohën e duhur të jetës për të shërbyer si misionarë çift, unë ju nxi[t] të përgatiteni tani për ditën që, kur rrethanat tuaja do ta lejojnë, ju dhe bashkëshortja juaj të mund ta bëni këtë. Ka pak raste në jetën tuaj kur ju do të gëzoni shpirtin e ëmbël dhe kënaqësinë që vjen nga dhënia e një shërbimi me kohë të plotë së bashku në punën e Mjeshtrit.

Tani, disa nga ju mund të jenë të ndrojtur nga natyra ose e konsideroni veten të papërshtatshëm t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për të shërbyer. Kujtoni se kjo është puna e Zotit dhe kur ne jemi në [punën e] Zotit, neve na jepet ndihma e Zotit. Zoti do të form[ës]ojë shpinën për të mbajtur barrën e vendosur mbi të.11

Përgatituni të shërbeni denjësisht me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë dhe qëllimet e Tij. Ju nuk do ta njihni kurrë ndikimin e plotë të dëshmisë dhe shërbimit tuaj, por do të ktheheni me kënaqësinë që keni pasur privilegjin t’i përgjigjeni një thirrjeje të shenjtë për t’i shërbyer Mësuesit. Ata që i sillni në dritën e së vërtetës, do t’ju duan përgjithmonë.12

misionarë

“Mundësia për të qenë misionarë në jetë është vetëm për ju. Bekimet e përjetësisë ju presin.”

4

Zoti do të na ndihmojë në shërbimin tonë misionar.

Një shembull i një jete të mbushur me shërbim … ishte përvoja misionare e Julius dhe Doroti Fusekut, që u thirrën për të kryer një mision 18‑mujor në Poloni. Vëllai Fusek lindi në Poloni. Ai e fliste gjuhën. Ai i donte njerëzit. Motra Fusek qe angleze dhe dinte pak për Poloninë dhe aspak rreth popullit të saj.

Duke besuar në Zot, ata filluan me detyrën e tyre. Kushtet e jetesës qenë të thjeshta, puna e vetmuar, detyra e tyre e pamasë. Në atë kohë në Poloni nuk kishte mision të themeluar plotësisht. Detyra që iu dha çiftit Fusek, ishte të përgati[t]nin udhën që misioni të zgjerohej dhe të kishte qëndrueshmëri, në mënyrë që misionarë të tjerë të mund të thirreshin për të shërbyer, t’u jepej mësim njerëzve, të mund të pagëzoheshin të kthyerit në besim, të mund të formoheshin degët dhe të mund të ndërtoheshin godinat kishtare.

A u dëshpëruan Vëllai dhe Motra Fusek për shkak të madhësisë së detyrës së tyre? Për asnjë çast. Ata e dinin që thirrja e tyre ishte nga Perëndia. Ata u lutën për ndihmën e Tij hyjnore dhe ata iu përkushtuan me gjithë zemër punës së tyre. Ata qëndruan në Poloni jo 18 muaj, por përkundrazi, ata shërbyen për pesë vjet. Të gjithë objektivat paraprakë u realizuan. Kjo ndodhi pas një mbledhjeje më të hershme ku Pleqtë Rasëll M. Nelson, Hans B. Ringer dhe unë, të shoqëruar nga Plaku Fusek, takuam ministrin Adam Vopatka të qeverisë polake dhe e dëgjuam të thotë: “Kisha juaj është e mirëpritur këtu. Ju mund të ndërtoni ndërtesat tuaja, ju mund të dërgoni misionarët tuaj. Ju jeni të mirëpritur në Poloni. Ky njeri”, – duke treguar Julius Fusekun, “i ka shërbyer mirë kishës suaj, po ashtu edhe bashkëshortja e tij. Mund të jeni mirënjohës për shembullin dhe punën e tyre.”

Ashtu si çifti Fusek, le të bëjmë atë që duhet të bëjmë në punën e Zotit. Atëherë ne, së bashku me Julius dhe Doroti Fusekun, mund t’i bëjmë jehonë psalmit: “Ndihma më vjen nga Zoti” [Psalmeve 121:2].13

5

Puna misionare do përgatitje, dashuri për të tjerët dhe përpjekjen tonë më të mirë.

[Më lejoni] të sugjeroj një formulë që do t’jua garantojë suksesin si misionarë:

  1. Përgatituni me qëllim;

  2. Jepni mësim me dëshmi;

  3. Punoni me dashuri.

E para, përgatituni me qëllim. Kujtoni pohimin kualifikues të Mësuesit: “Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (Doktrina e Besëlidhje 64:34). Puna misionare është e vështirë. Ajo shteron energjitë e dikujt, sforcon kapacitetin e dikujt, ajo kërkon përpjekjen më të mirë të dikujt, kërkon vazhdimisht një përpjekje të dytë. Asnjë punë tjetër nuk kërkon orë më të gjata ose përkushtim më të madh, ose sakrificë të tillë dhe lutje të zjarrtë.” …

E dyta, jepni mësim me dëshmi. Pjetri dhe Gjoni, ata peshkatarë të kthyer në besim që u bënë Apostuj, u paralajmëruan [nga saducenjtë] të mos predikonin rreth Jezu Krishtit dhe kryqëzimit të Tij. Përgjigjja e tyre qe e vendosur: “Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë. Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar” [Veprat e Apostujve 4:19–20].

Pali, Apostulli, ai dëshmues i sprovuar i së vërtetës, po na fliste të gjithëve, anëtarëve dhe misionarëve bashkë kur e këshilloi mikun e tij të dashur Timoteun: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” [1 Timoteut 4:12]. …

E treta, punoni me dashuri. Nuk ka asnjë zëvendësues për dashurinë. Shpesh kjo lloj dashurie ndizet në fëmijëri nga një nënë, zgjerohet nga një baba dhe mbahet e gjallë nëpërmjet shërbimit ndaj Perëndisë. Kujtojeni këshillin e Zotit: “Dhe besimi, shpresa, dashuria hyjnore dhe dashuria, me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë, e cilësojnë atë për veprën” [Doktrina e Besëlidhje 4:5]. Secili prej nesh mund t’i bëjë vetes pyetjen: “Sot, a jam rritur në besim, në shpresë, në dashuri hyjnore, në dashuri?”14

Vite më parë, punoja me një burrë që quhej Sharman Hamel në fushën e shtypshkrimit. Një herë e pyeta si arriti ta merrte dëshminë për ungjillin.

Ai u përgjigj: “Ne jetonim në anën lindore. Po udhëtoja me autobus drejt San‑Françiskos. Në Solt‑Lejk‑Siti, hyri në autobus një vajzë e vogël, një vajzë në Fillore, e cila u ul pranë meje. Ajo po shkonte në Rino, Nevadë, për një vizitë tek emta. Ndërsa udhëtonim drejt perëndimit, vura re një tabelë rrugore: ‘Vizitojeni Shkollën e së Dielës Mormone këtë javë’.

I thashë vogëlushes: ‘Ma merr mendja se ka shumë mormonë në Jutë, apo jo?’

Ajo u përgjigj: ‘Po, zotëri’.

Më pas i thashë: ‘A je ti mormone?’

Përgjigja e saj qe sërish: ‘Po, zotëri.’

Sharman Hameli më pas pyeti: ‘Çfarë besojnë mormonët?’ Dhe ajo vogëlushe recitoi nenin e parë të besimit, pastaj foli rreth tij. Në vazhdim ajo i tha nenin e dytë të besimit dhe foli rreth tij. Më pas i tha nenin e tretë, të katërt, të pestë e të gjashtë dhe të gjithë Nenet e Besimit dhe foli për të gjithë ata.

Sharman Hameli tha: ‘Më la mbresë të thellë! Kur mbërrita në San‑Françisko, gjëja e parë që bëra, ishte të kërkoja … Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. I telefonova presidentit të misionit dhe ai dërgoi dy misionarë në vendin ku po rrija. Unë u bëra anëtar i Kishës, bashkëshortja ime u bë anëtare [dhe] të gjithë fëmijët tanë u bënë anëtarë.”

E gjithë familja Hamel mbeti aktive në Kishë. Secila nga bijat ka qenë në tempull. Të panumërt janë ata që janë sjellë në njohurinë e ungjillit nga anëtarët e kësaj familjeje, dhe e gjitha kjo sepse një fëmije të vogël i qenë mësuar Nenet e Besimit dhe pati aftësinë dhe guximin të shpallte të vërtetën.15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson dha mësim se secilit prej nesh i ka ardhur “urdhri për ta shpërndarë ungjillin e Krishtit” (shih te pjesa 1). Përse do Ati Qiellor që ne ta shpërndajmë ungjillin? Në çfarë mënyrash e keni shpërndarë ungjillin? Kur e keni ndier Atin Qiellor t’ju udhërrëfente në përpjekjet tuaja? Kur keni përjetuar gëzim nga shpërndarja e ungjillit?

  • Rishikojeni historinë e misionarit te pjesa 2. Si mendoni ju, pse mënyra se si ky misionar i shihte njerëzit e ndihmoi atë për shpërndarjen e ungjillit? Si ju ka ndihmuar ungjilli që të bëni ndryshime në jetën tuaj?

  • Si ju ka bekuar ju ose dikë që e njihni, shërbimi misionar? (Shih te pjesa 3.) Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të përgatitemi për shërbimin misionar? Si munden të rriturit t’i ndihmojnë fëmijët dhe rininë që të përgatiten për të shërbyer në misione? Si mund t’u vijmë në ndihmë misionarëve?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia e Plakut dhe Motrës Fusek? (Shih te pjesa 4.)

  • Presidenti Monson theksoi se “nuk ka asnjë zëvendësues për dashurinë” në punën misionare (pjesa 5). Pse dashuria është thelbësore në punën misionare? Çfarë mund të mësojmë rreth punës misionare nga vogëlushja që tha Nenet e Besimit? Merreni parasysh çdo ditë se si do t’i përgjigjeshit pyetjes vijuese nga Presidenti Monson: “Sot, a jam rritur në besim, në shpresë, në dashuri hyjnore, në dashuri?”

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Ezekiel 34:11–15; Marku 16:15; Alma 26:1–16; Doktrina e Besëlidhje 15; 60:2; 84:85–88; 88:81; 123:11–17

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur nxënësit tregojnë atë që po mësojnë, ata jo vetëm që e ndiejnë Shpirtin dhe i forcojnë vetë dëshmitë e tyre, por gjithashtu i nxitin anëtarë të tjerë të [familjes ose] klasës për të zbuluar të vërteta për veten e tyre. … Ruani kohë që studentët të tregojnë në çdo mësim – në disa raste, ju mund të mësoni se këto diskutime janë mësimi” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, [2016], f. 30).