Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21


“Kapitulli 21: Disiplino Ndjenjat e Tua”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 21”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 21

Disiplino Ndjenjat e Tua

“Askush nuk mund të na zemërojë. Është zgjedhja jonë. Nëse ne dëshirojmë të kemi shpirtin e duhur me vete gjithmonë, ne duhet të zgjedhim të përmbahemi nga zemërimi.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Presidenti Monson iu përgjigj fjalëve dashakeqe ose të zemëruara të të tjerëve me një butësi të qetë që zakonisht zbuste edhe situatat më të ndera. Një përvojë që i mësoi atij efektin e një fjale të butë në vend të një fjale të zemëruar, ndodhi në kampin e tij të parë me fjetje si skautist. Ai ia rrëfeu këtë incident një intervistuesi, që e raportoi atë si më poshtë:

“Me Tomin dhe shokët e tij skautistë u bashkua në kamp udhëheqësi i tyre i skautizmit, një bashkanëtar i lagjes i quajtur Karl, që ecte me një këmbë artificiale. …

Ndërsa skautistët u shtrinë për të kaluar natën në shtëpizën e tyre të drurit, Tomi dhe të tjerët e panë Karlin ta hiqte këmbën e tij artificiale dhe ta vendoste pranë thesit të tij të gjumit. Gjatë natës, njëri nga djemtë doli nga thesi i tij i gjumit, e mori këmbën artificiale të Karlit dhe e fshehu në shtratin e tij.

Kur Karli u zgjua, zbuloi që këmba nuk ishte më. Por në vend që të ngrinte zërin dhe të kërkonte t’i kthehej menjëherë gjëja e tij, Karli thjesht tha se kishte nevojë të dilte jashtë shtëpizës së drurit për një çast. Skautistët e panë udhëheqësin e tyre të dilte nga dera duke kërcyer mbi një këmbë. ‘Mendoj se çdo djalë u ndje i turpëruar’, – tha Presidenti Monson.

Karli u kthye shpejt dhe zbuloi që këmba e tij artificiale ishte atje ku e kishte lënë një natë më parë. ‘Nuk e di si nuk e pashë herën e parë që e kërkova’, – tha Karli, ‘por patjetër jam i kënaqur që është këtu.’

Presidenti Monson tha se Karli e dinte fare mirë se kishte rënë pre e rrengut të një djali, por ai zgjodhi të përgjigjej me butësi. ‘Ne u bëmë të gjithë djem më të mirë për shkak se ai nuk na u hakërrye.’”1

Pamja
Jezu Krishti duke shëruar një burrë

“Një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Por Jezusi … si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi” (Lluka 22:50–51).

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Zemërimi nuk zgjidh asgjë, por mund të shkatërrojë gjithçka.

Këto kohët e fundit, ndërsa po ndiqja lajmet në televizor, kuptova se shumë prej historive kryesore ishin të ngjashme nga natyra, në atë që tragjeditë e raportuara të gjitha në thelb e kishin burimin tek një emocion: zemërimi. … Mendova për fjalët e Psalmistit: “Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen” [Psalmeve 37:8]. …

… “Zemërimi nuk zgjidh asgjë. Ai nuk ndërton asgjë, por mund të shkatërrojë gjithçka” [Lawrence Douglas Wilder, cituar në “Early Hardships Shaped Candidates”, Deseret News, 1 dhjetor 1991, A2].2

Ca kohë më parë lexova një histori të ëmbël të shkruar nga Luiza Dikinson Riçi. … Ajo shkroi:

“Gjyshja ime kishte një armike që quhej zj. Uilkoks. Gjyshja dhe zj. Uilkoks, erdhën si nuse në shtëpi përbri njëra‑tjetrës në rrugën kryesore të qytezës së vockël në të cilën do të jetonin gjatë gjithë jetës së tyre. Nuk e di se pse filloi lufta midis tyre – dhe nuk mendoj se në kohën kur linda unë, më shumë se tridhjetë vjet më vonë, ato vetë e mbanin mend përse filloi. Kjo nuk ishte një ndeshje stërvitore e matur, por luftë e mirëfilltë. …

Kur ishim fëmijë dhe vizitonim gjyshen, një pjesë e argëtimit ishte përqeshja e nipërve dhe mbesave të zj. Uilkoks. Në një ditë të shënuar ne vendosëm një gjarpër në fuçinë e shiut të Uilkoksëve. Gjyshja ime gjoja kundërshtoi, por ne e ndiem mirëkuptimin e saj të heshtur.

Mos mendoni për as edhe një çast se kjo ishte një fushatë e njëanshme. Zj. Uilkoks kishte nipër dhe mbesa gjithashtu. Gjyshja nuk shpëtoi pa u lagur. Nuk kaloi asnjëherë një ditë larjeje rrobash pa u këputur teli i rrobave në mënyrë të mistershme dhe pa rënë rrobat përdhe.

Nuk e di si mund t’i ketë mbartur gjyshja aq gjatë telashet e saj po të mos kishte qenë për faqen e gazetës së përditshme “Boston” që i kushtohej shtëpisë. Kjo faqe që i kushtohej shtëpisë, qe një krijim i mrekullueshëm. Përveç informacioneve për gatimin dhe këshillave të zakonshme për pastrimin, ajo kishte një rubrikë të përbërë nga letra që lexuesit ia dërgonin njëri-tjetrit. Ideja ishte që po të kishe një problem, ose thjesht pak duf për të shfryrë, i shkruaje një letër gazetës, duke nënshkruar me ndonjë emër të trilluar si Koçimarja. Ai ishte emri që përdorte gjyshja kur shkruante. Më pas disa zonja të tjera që kishin të njëjtin problem, të kthenin përgjigje dhe të tregonin se si e kishin zgjidhur. … Shumë shpesh, pasi eliminohej problemi, ato vazhdonin për vite t’i shkruanin njëra-tjetrës nëpërmjet rubrikës së gazetës, duke treguar rreth fëmijëve, bërjes së konservave dhe sallonit të ri në dhomën e ngrënies. Kjo qe ajo që i ndodhi gjyshes. Ajo dhe një grua me emrin Pulëbardha e Detit shkëmbyen letra për një çerek shekulli. Pulëbardha e Detit qe mikja e vërtetë e gjyshes.

Kur isha rreth gjashtëmbëdhjetë vjeçe, zj. Uilkoks vdiq. Në një qytezë të vogël, pavarësisht se sa zët e kishe fqinjin përbri, është njerëzi t’i shkosh në shtëpi dhe të shohësh se çfarë shërbimi mund t’i bësh familjes së të ndjerit. Gjyshja, me një përparëse basme të pastër për të treguar se e kishte me tërë mend atë që tha se do t’i hynte punës, kapërceu oborrin e përparmë për të shkuar te shtëpia e familjes Uilkoks, kur bijat e së ndjerës Uilkoks e vunë të pastronte dhomën e pritjes që tashmë ndriste, për varrimin. Dhe atje mbi tryezën e dhomës së pritjes, në vendin e nderit, qe një bllok kujtimesh i stërmadh dhe brenda në bllokun e kujtimeve, qenë ngjitur me kujdes të madh në kolona paralele letrat që gjyshja i kishte dërguar Pulëbardhës së Detit përgjatë viteve dhe letrat që Pulëbardha i kishte dërguar asaj. Ndonëse asnjëra nga dy gratë nuk e kishte ditur, armikja më e madhe e gjyshes kishte qenë [pikërisht] mikja e saj më e mirë. Ajo ishte e vetmja herë që kujtoj ta kem parë gjyshen time duke qarë. Atëherë nuk e dija me saktësi se përse po qante, por tani e di. Ajo po qante për të gjitha vitet e çuara dëm që nuk mund të ktheheshin më” [përshtatur nga “Grandma and the Sea Gull”, Together, nëntor 1957, f. 13–14].3

2

Nuk është e mundur të ndiejmë Shpirtin e Atit tonë Qiellor kur jemi të zemëruar.

Ne të gjithë kemi ndier zemërim. Ai mund të vijë kur gjërat nuk rezultojnë siç duam ne. Mund të jetë një reagim ndaj diçkaje që thuhet për ne ose na thuhet neve. Ne mund ta përjetojmë atë kur njerëzit nuk sillen në mënyrën si ne duam që ata të sillen. Ndoshta ai vjen kur na duhet të presim për diçka më gjatë nga sa e mendonim. Ne mund të ndihemi të zemëruar kur të tjerët nuk mund t’i shohin gjërat nga pikëpamja jonë. Duket se janë të panumërta arsyet e mundshme për zemërimin.

Ka periudha kur ne mund të nxehemi nga lëndime të përfytyruara ose padrejtësi të nuhatura. Presidenti Hiber J. Grant, Presidenti i shtatë i Kishës, tregoi për një rast kur, si i ri në moshë madhore, bëri ca punë për një burrë, i cili pastaj i dërgoi një çek prej 500 dollarësh me një letër ku kërkonte falje që nuk ishte në gjendje ta paguante më shumë. Pastaj Presidenti Grant bëri ca punë për një burrë tjetër – punë e cila, tha ai, ishte 10 herë më e vështirë, përfshinte 10 herë më shumë punë dhe shumë më tepër kohë. Ky burri i dytë i dërgoi atij një çek prej 150 dollarësh. Hiberi i ri ndjeu se ishte trajtuar në mënyrën më të pandershme. Ai fillimisht u ndje i fyer dhe pastaj i xhindosur.

Ai ia tregoi përvojën një miku më të madh në moshë, i cili e pyeti: “A kishte ndërmend ai burrë të të fyente?” Presidenti Grant u përgjigj: “Jo. Ai u tha miqve të mi se më kishte shpërblyer me bujari.”

Kësaj miku i vjetër iu përgjigj: “Një njeri është budalla kur e merr për ofendim atë që nuk është me qëllim fyes” [shih Heber J. Grant, Gospel Standards, përmb. G. Homer Durham (1969), f. 288–289].

Apostulli Pal pyet tek Efesianëve, kapitulli 4, vargu 26 në Përkthimin prej Jozef Smithit: “A mund të zemëroheni dhe të mos mëkatoni? Mos e lini diellin të perëndojë mbi zemërimin tuaj.” Unë pyes, a është e mundur të ndiejmë Shpirtin e Atit tonë Qiellor kur jemi të zemëruar? Unë nuk di asnjë rast kur kjo do të ishte e mundur.

Nga 3 Nefi në Librin e Mormonit, ne lexojmë:

“Nuk do të ketë grindje mes jush. …

Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.

Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken” [3 Nefi 11:28–30].

Të jesh i zemëruar do të thotë t’i dorëzohesh ndikimit të Satanit. Askush nuk mund të na zemërojë. Është zgjedhja jonë. Nëse ne dëshirojmë të kemi shpirtin e duhur me vete gjithmonë, ne duhet të zgjedhim të përmbahemi nga zemërimi. Unë dëshmoj se kjo është e mundur.4

3

Ne mund të përmbahemi nga zemërimi, të jemi paqebërës dhe t’u tregojmë dashamirësi dhe respekt të tjerëve.

Ne jemi të gjithë të prekshëm nga ato ndjenja të cilat, nëse lihen të pakontrolluara mund të çojnë në zemërim. Ne përjetojmë pakënaqësi ose acarim, ose kundërshti; dhe nëse e zgjedhim, ne nxehemi dhe bëhemi zemërakë me të tjerët. Si për ironi, ata të tjerët shpesh janë pjesëtarët e vetë familjeve tona – njerëzit që me të vërtetë i duam më shumë.

Shumë vite më parë lexova këtë njoftim [te] “Associated Press”, që kishte dalë në gazetë: Një burrë i vjetër, në funeralin e vëllait të tij, me të cilin kishte përdorur bashkërisht, që prej viteve të maturisë së hershme, një kabinë të vogël [me] një dhomë, afër Kanisteos në Nju‑Jork, rrëfeu hapur se në vijim të një grindjeje, ata e kishin ndarë dhomën përgjysmë me një vijë me shkumës dhe asnjëri nuk e kishte kaluar vijën apo t’i kishte thënë një fjalë tjetrit që prej asaj dite – 62 vjet më parë. Thjesht mendoni për pasojat e atij zemërimi. Çfarë tragjedie!

Marrshim një vendim të ndërgjegjshëm, sa herë duhet marrë një vendim i tillë, për t’u përmbajtur prej zemërimit dhe për t’i lënë pa i thënë gjërat e ashpra dhe lënduese që mund të tundohemi për t’i thënë.

[Më pëlqejnë] fjalët e himnit të shkruar nga Plaku Çarls W. Penroz, i cili shërbeu në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe në Presidenc[ën] e Parë gjatë viteve të para të shekullit të 20-të:

O Vëllai im, disiplino ndjenjat e tua

Stërvite shpirtin tënd të nxehtë, impulsiv.

Emocionet e tij mos i shtyp,

Por lëre zërin e diturisë t’i kontrollojë ato.

Disiplino ndjenjat e tua; ka fuqi

Në mendjen e qetë e të mbledhur.

Pasioni shkatërron kullën e arsyes,

E verbon edhe shikimin më të qartë.

[“School Thy Feelings”, Hymns, nr. 336] …

… Qofshim bij [dhe bija] të denj[a] të Atit tonë Qiellor. Qofshim gjithmonë shembuj të mirë në shtëpitë tona dhe besnikë në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve, që ne të mos ushqejmë asnjë mllef kundrejt ndonjë njeriu, por më mirë të jemi paqebërës, duke kujtuar gjithmonë këshillën e Shpëtimtarit: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” [Gjoni 13:35].5

Paqja në botë, ndonëse një synim zemërgjerë, nuk është veçse një zgjatim i paqes vetjake që çdo individ synon të fitojë. Nuk i referohem paqes së reklamuar nga njeriu, por paqes sikurse premtohet nga Perëndia. Flas për paqe në shtëpitë tona, paqe në zemrën tonë, madje paqe në jetën tonë. Paqja sipas mënyrës së njeriut është diçka që prishet. Paqja sipas mënyrës së Perëndisë do të mbizotërojë.6

Do t’i nxitja anëtarët e Kishës kudo që të ndodhen, të tregojnë mirësi dhe respekt për të gjithë njerëzit kudo qofshin. Bota në të cilën jetojmë, është e mbushur me [larmi]. Ne mundemi dhe duhet të tregojmë respekt kundrejt atyre besimi i të cilëve ndryshon nga i yni.7

4

Ne mund të tregojmë mëshirë dhe të falim lirisht.

Presidenti J. Ruben Clark i Riu [tha]: … “Shpesh mendoj se një nga gjërat më të bukura në jetën e Krishtit [qenë] fjalët e Tij në kryq, kur, ndërsa vuante agoninë e një vdekjeje që thuhet se ka qenë më e dhembshmja që mund të shpiknin njerëzit në lashtësi, … pasi qe dënuar dhe më pas kryqëzuar në mënyrë të padrejtë, të paligjshme dhe në kundërshtim me të gjithë rregullat e mëshirës, kur qe gozhduar në kryq dhe ishte gati duke dhënë jetën, i tha Atit të Tij në qiell, sikurse dëshmuan ata që e dëgjuan: ‘… O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’ (Lluka 23:34)” [në Conference Report, tetor 1955, f. 24].

Në Librin e Mormonit, Alma e përshkruan bukur situatën më lart me fjalët e tij: “Plani i mëshirës nuk mund të realizohej, nëse nuk bëhej një shlyerje; prandaj Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm” [Alma 42:15].

Nga pozicioni i kësaj njohurie e pyetim veten: Pse atëherë i shohim në çdo anë ato raste kur njerëzit nuk pranojnë ta falin njëri-tjetrin dhe të demonstrojnë aktin pastrues të mëshirës dhe faljes? Çfarë na e bllokon rrugën për një balsam të tillë shërues për t’i pastruar plagët njerëzore? Mos është kokëfortësia? A mund të jetë krenaria? Mbase urrejtja nuk është shkrirë e nuk është zhdukur ende. “Fajësimi i mban plagët të hapura. Vetëm falja shëron!” [nga përshtatja në materialin filmik O Pioneers! në Hallmark Hall of Fame e novelës nga Willa Cather-i (1991)]. …

Profeti Jozef na nxiti: “Jini të mëshirshëm dhe ju do të gjeni mëshirë. Kërkoni të ndihmoni për të shpëtuar shpirtra, jo për t’i shkatërruar ata; sepse vërtet ju e dini që ‘në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen’ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 420; shih te Lluka 15:7].8

Pamja
Krishti dhe dy hajdutët në kryq

“O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).

Njihem me një familje që erdhi në Amerikë nga Gjermania. Gjuha angleze ishte e vështirë për ta. Kishin vetëm pak për sa i përket pasurisë, por secili u bekua me vullnetin për të punuar dhe me një dashuri për Perëndinë.

U lindi fëmija i tretë, jetoi vetëm dy muaj dhe më pas vdiq. Babai ishte mobilier dhe krijoi një arkivol të bukur për trupin e foshnjës së tij të çmuar. Dita e ceremonisë mortore ishte e zymtë, duke pasqyruar kështu trishtimin që ndienin për humbjen e tyre. Ndërsa familja eci drejt kishës, me babanë që mbante arkivolin e vogël, një numër i paktë miqsh ishin mbledhur. Megjithatë, dera e kishës ishte e kyçur. Peshkopi i zënë me punë e kishte harruar ceremoninë mortore. Përpjekjet për t’u lidhur me të ishin të kota. Duke mos ditur se çfarë të bënte, babai e vendosi arkivolin nën krahun e tij dhe, me familjen e tij përkrah, e mbarti deri në shtëpi, duke ecur nën një shi që të bënte qull.

Nëse familja do të ishte me një forcë morale më të ulët, ata mund ta kishin fajësuar peshkopin dhe të kishin ruajtur ndjenja të këqija. Kur peshkopi mori vesh për tragjedinë, ai e vizitoi familjen dhe kërkoi ndjesë. Me dhembjen ende të dukshme në shprehjen e tij, por me lot në sy, babai e pranoi faljen dhe të dy u përqafuan me një shpirt mirëkuptimi. Nuk [mbeti asgjë] për të shkaktuar ndjenja të mëtejshme zemërimi. Dashuria dhe pranimi mbizotëruan. …

Sikurse shkroi Aleksandër Popi: “Të gabosh është njerëzore; të falësh është hyjnore” [An Essay on Criticism (1711), pjesa 2, rreshti 325].

Nganjëherë mund ta marrim diçka si fyerje me shumë lehtësi. Në raste të tjera jemi tepër kokëfortë për ta pranuar një ndjesë të sinqertë. Kush do ta vërë përfund egon, krenarinë dhe lëndimin, dhe më pas të hedhë një hapë duke thënë: “Më vjen vërtet shumë keq! Le të jemi si më parë: miq. Le të mos i kalojmë hidhërimet, zemërimin e kohës sonë te brezat e ardhshëm.” Le ta heqim çdo [mëri] që nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të shkatërrojë.

Nga e kanë origjinën [ndjenjat e hatërmbetjes]? Disa vijnë nga përplasje të pazgjidhura. … Të tjerat e gjejnë fillesën te zhgënjimet, xhelozitë, zënkat dhe lëndimet e përfytyruara. Ne duhet t’i zgjidhim ato, t’i vëmë të prehen dhe të mos i lëmë ato të shkaktojnë sëmundje, të përhapen dhe përfundimisht të çojnë në shkatërrim. …

Më lejoni ta mbyll me një tregim për dy burra që për mua janë heronj. Aktet e tyre të guximit nuk u kryen në shkallë kombëtare, por përkundrazi në një luginë paqësore të njohur si Miduej në Jutë.

Shumë vjet më parë, Roi Koleri dhe Grant Remëndi shërbyen së bashku në thirrje të Kishës. Ata ishin miq të ngushtë. Ata ishin kultivues të tokave dhe prodhues bulmeti. Më pas u krijua një keqkuptim që solli disi një çarje mes tyre.

Më vonë, kur Roi Koleri u sëmur rëndë nga kanceri dhe nuk kishte veçse edhe pak kohë për të jetuar, ime shoqe Frensisi dhe unë e vizituam Roin dhe bashkëshorten e tij dhe unë i dhashë një bekim. Kur folëm pas kësaj, vëllai Koler tha: “Më lër të të tregoj rreth njërës prej përvojave më të ëmbla që kam pasur gjatë jetës sime”. Ai më pas më rrëfeu keqkuptimin e tij me Grant Remëndin dhe ftohjen që pasoi. Komenti i tij qe: “Ne zëre se nuk ishim më miq me njëri-tjetrin”.

“Pastaj”, – vazhdoi Roi, “sapo kisha mbledhur kashtën tonë për dimrin që pritej, kur një natë, si rrjedhojë e një shkëndije spontane, kashta mori zjarr, duke u djegur, duke djegur hambarin dhe gjithçka brenda tij deri në tokë. Qeshë i dërrmuar”, – tha Roi. Nuk dija fare se ç’të bëja. Nata qe e errët, përveç thëngjijve të zjarrit që po shuheshin. Më pas pashë të vinin nga rruga drejt meje, nga drejtimi i shtëpisë së Grant Remëndit, drita traktorësh dhe makineri të rënda. Ndërkohë që ‘skuadra e shpëtimit’ hyri në rrugën tonë dhe më takoi teksa lotoja, Granti tha: ‘Roi, ke goxha rrëmujë për të pastruar. Djemtë e mi dhe unë jemi këtu. Le të fillojmë nga puna.’” Së bashku ata iu përveshën punës. U zhduk përgjithmonë ajo përçarja e fshehur që i kishte ndarë për pak kohë. Ata punuan gjatë gjithë natës dhe deri të nesërmen, me shumë të tjerë nga komuniteti që u bashkuan.

Roi Koleri ka ndërruar jetë dhe Grant Remëndi po moshohet. Bijtë e tyre kanë shërbyer së bashku në të njëjtën peshkopatë lagjeje. E çmoj vërtet miqësinë e këtyre dy familjeve të mrekullueshme.

Pamja
grua duke ngushëlluar një grua tjetër

“Jini të mëshirshëm dhe ju do të gjeni mëshirë.”

Qofshim gjithmonë shembuj të mirë në shtëpitë tona dhe besnikë në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve, që ne të mos ushqejmë asnjë [hatërmbetje] kundrejt ndonjë njeriu, por më mirë të kujtojmë gjithmonë këshillën e Shpëtimtarit: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” [Gjoni 13:35].9

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson vuri re mbizotërimin e zemërimit dhe e theksoi se sa shkatërrues është (shih te pjesa 1). Si e keni parë ju se “zemërimi nuk zgjidh asgjë”? Si mund të h[eqim] dorë nga zemërimi? Çfarë mund të mësojmë nga historia e “Koçimares” dhe “Pulëbardhës së Detit”?

  • Rishikojini arsyet pse nganjëherë ndiejmë zemërim, sikurse përmendet nga Presidenti Monson (shih te pjesa 2). Si mund ta mposhtim prirjen për t’u zemëruar në këto situata? Përse është e rëndësishme të kuptojmë se mund të zgjedhim të mos jemi të zemëruar? Si keni mundur të pajtoheni me dikë kundrejt të cilit ndiet zemërim? Si mund ta pakësojmë grindjen në shtëpitë tona ose në marrëdhënie të tjera?

  • Si mund të bëhemi paqebërës më të efektshëm? (Shih te pjesa 3.) Si mund të zhvillojmë dashuri dhe respekt më të madh për njerëzit që janë të ndryshëm nga ne?

  • Rishikojini mësimet e Presidentit Monson rreth mëshirës dhe faljes (shih te pjesa 4). Si jeni ndier kur dikush ju ka falur? Si jeni ndier kur keni falur dikë? Si ndikon te ne refuzimi për të falur? Si mund të kemi një zemër që është më e shpejtë për të falur? Çfarë mund të mësojmë rreth faljes nga historitë te pjesa 4?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Psalmeve 145:8; Fjalët e Urta 15:1; Predikuesit 7:9; Mateu 5:38–42; Jakob [Bibël] 3:2–6; 5:9; Mosia 4:13; Alma 24:17–19; 3 Nefi 12:9

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur vijnë ide dhe mbresa rreth një mësimi, gjeni një mënyrë t’i shënoni që ju të mund t’i kujtoni ato dhe t’iu drejtoheni atyre më vonë. … Kur shënoni mbresa shpirtërore, ju i tregoni Zotit se e vlerësoni drejtimin e Tij dhe Ai do t’ju bekojë me zbulesë më të shpeshtë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, [2016] f. 12).

Shtyp në Letër