Mësime të Presidentëve
Jeta dhe Shërbesa e Tomas S. Monsonit


“Jeta dhe Shërbesa e Tomas S. Monsonit”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Jeta dhe Shërbesa”, Mësime: Tomas S. Monson

Jeta dhe Shërbesa e Tomas S. Monsonit

Në një ditë të ftohtë në prill të vitit 1972, Plaku Tomas S. Monson shkoi me makinë në një rrugë tashmë të njohur, për në një nga spitalet në Solt‑Lejk‑Siti. Për më shumë se dy dekada, ai i kishte vizituar shpesh këto spitale për të dhënë bekime dhe për t’u sjellë gëzim anëtarëve të lagjes, pjesëtarëve të familjes, miqve dhe shumë të tjerëve. Këtë herë, ai po shkonte për të parë nënën e tij të dashur.

Kur vizita e tyre përfundoi, ai shkoi për të takuar Plakun Spenser W. Kimball, një nga vëllezërit e tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, i cili kohët e fundit i ishte nënshtruar një operacioni me zemër të hapur. Plaku Kimball po pushonte dhe Plaku Monson nuk donte ta shqetësonte ndaj u largua për t’u kthyer në makinën e tij. Në ashensor, ai u ndesh me dy gra të cilat e pyetën nëse do t’i jepte babait të tyre një bekim. Ai i shoqëroi ato në pavijonin e reanimacionit të spitalit, ku i administroi bekimin babait të tyre.

Kur Plaku Monson po largohej nga dhoma, dëgjoi një burrë ta thërriste në emër. Ai pa drejt shtratit të burrit dhe e njohu atë si anëtar të dikurshëm të lagjes. “U kënaqa që i dhashë një bekim”, – kujtoi Plaku Monson. Kur u largua nga dhoma, atij iu afrua një infermiere e përlotur e cila e pyeti nëse po shkonte në Spitalin e Fëmijëve të Fillores. Ai tha se nuk e kishte në plan të shkonte atë ditë, por do të ishte i lumtur të shkonte nëse ajo do të donte që ai të takonte dikë atje. Infermierja i tregoi për një kushëri që ishte prekur nga poliomieliti shumë vite më parë dhe nuk ishte në gjendje të mirë.

Kur Plaku Monson mbërriti në spitalin e fëmijëve, ai takoi një burrë që e çoi te kushëriri i infermieres, të cilit i dha një bekim. Burri më pas e pyeti Plakun Monson nëse kishte kohë që të bekonte një vajzë 10‑vjeçare që kishte leucemi. Ata shkuan bashkë për t’i dhënë asaj një bekim.

Në lidhje me vizitat e tij në spital atë ditë, Plaku Monson shkroi në ditarin e vet: “U largova … duke kuptuar se Ati ynë Qiellor është shumë i vetëdijshëm për ata që vuajnë këtu në vdekshmëri dhe që dëshirojnë një bekim nga duart e priftërisë”1.

Pamja
Presidenti Monson duke përshëndetur një burrë në spital

Presidenti Monson i jep shërbesë me dashuri një miku prej një kohe të gjatë në Toronto të Kanadasë.

Përvoja të tilla ishin të shpeshta në jetën e Tomas S. Monsonit. Pas një dite të ngjashme gjatë së cilës kaloi thuajse dy orë në spital, ai shkroi: “Ndjeva se kisha bërë diçka të mirë dhe isha atje ku Zoti donte që të isha këtë ditë”2.

Të qenit atje ku Zoti donte që ai të ishte, ishte një zotim që e mbajti gjithë jetën Presidenti Monson. Ai shpesh foli për privilegjin e të qenit “në punën e Zotit”, e të qenit duart e Zotit në tokë, veçanërisht për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Ai tha: “Unë dua gjithmonë që Zoti të dijë se, nëse Ai ka nevojë që një punë të bëhet, Tom Monsoni do ta bëjë atë punë për Të”3.

Lindja, Fëmijëria dhe Rinia

“Çfarë mendon për trenin e Markut, Tomi?” – e pyeti Gledis Monsoni djalin e saj 10‑vjeçar.

“Prit vetëm një çast”, – u përgjigj ai. “Kthehem shpejt.” Ai doli nxitimthi nga dera dhe vrapoi për në shtëpi. Ai duhej të ndreqte diçka.

Atë mëngjes, Tomi djaloshar kishte marrë një dhuratë Krishtlindjeje që e kishte dëshiruar fort – një tren elektrik që ia kishin blerë prindërit me sakrifica gjatë ditëve të Depresionit të Madh. Pasi luajti me të për disa orë, nëna e tij i tha se kishte blerë një tren me kurdisje për Mark Hansenin, djalin e një vejushe që jetonte aty pranë. Kur ia tregoi Tomit, ai vuri re se treni i Markut kishte një vagon që ishte cisternë nafte, gjë e cila i mungonte kompletit të tij. Ai iu përgjërua nënës së tij që t’ia jepte cisternën dhe në fund ajo ia dha atij duke i thënë: “Nëse të duhet më shumë se Markut, merre”.

Gledisa dhe Tomi ia çuan pjesën tjetër të trenit Markut, i cili nuk e priste një dhuratë të tillë, dhe u emocionua. Ai e ndezi motorin dhe ndërsa treni kalonte nëpër shina, Gledisa Monsoni i bëri të birit pyetjen e thjeshtë dhe depërtuese se çfarë mendonte për trenin e Markut. Ai më vonë kujtoi: “Ndjeva një ndjenjë të fortë faji dhe u bëra shumë i vetëdijshëm për egoizmin tim”.

Kur mbërriti në shtëpi, ai e mori cisternën e naftës – dhe një vagon tjetër nga kompleti i tij – dhe vrapoi për t’ia dhënë Markut, i cili me lumturi i bashkoi ato me vagonët e tjerë. “Pashë lokomotivën që mori rrugën e vështirë nëpër shina”, – tha më vonë Plaku Monson, “dhe ndjeva një gëzim të jashtëzakonshëm që ishte e vështirë ta përshkruaja dhe e pamundur ta harroja.”4

Gëzimi nga të dhënit, gëzimi nga sakrifica, gëzimi nga kujdesi ndaj të tjerëve – të gjitha këto ishin mësime që Tom Monsoni i mësoi gjatë djalërisë së tij, mësime që do t’i jepnin formë zemrës dhe karakterit të një profeti të ardhshëm.

Pamja
i riu Tomas S. Monson

Tom Monsoni kur ishte i ri

Tomas Spenser Monsoni u lind në Solt-Lejk-Siti më 21 gusht 1927, fëmija i dytë dhe djali i parë i G. Spenser dhe Gledis Kondi Monsonit. Ai u mirëprit në botë nga motra e tij, Marxhëri, dhe rrethi i ngushtë familjar si gjyshërit, emtat, ungjit dhe kushërinjtë, shumë prej të cilëve jetonin në të njëjtin bllok banimi. Paraardhësit e nënës së tij ishin mes të kthyerve më të hershëm në besim të Kishës në Skoci dhe kishin mbërritur në luginën e Solt-Lejkut në vitin 1850, tre vjet pas kompanisë së pionierëve të Brigam Jangut. Babai i Tomit kishte paraardhës anglezë dhe suedezë të cilët emigruan në Territorin e Jutës duke filluar nga viti 1865.

“Për të njohur njeriun që Tomas Spenser Monsoni është bërë, është e rëndësishme të njohim rrënjët e tij dhe mjedisin që e ushqeu”, – tha Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.5 Duke u quajtur “Tomi” kur ishte djalosh, ai u rrit në një shtëpi dhe lagje të thjeshtë, rreth 1,6 kilometra në jugperëndim të qendrës së qytetit të Solt-Lejk-Sitit. Thuajse e gjithë periudha e tij e rritjes ndodhi gjatë Depresionit të Madh, i cili filloi kur ai ishte dy vjeç dhe gjatë Luftës II Botërore. Gjatë këtyre kohëve të vështira, prindërit e tij dhe njerëz të tjerë i mësuan tij dashurinë hyjnore dhe dhembshurinë, besnikërinë dhe punën e palodhur – cilësi që u ngulitën thellë në karakterin e tij.

Ai tha se nëna e tij rrënjosi tek ai “ndjenja dhembshurie dhe përkujdesjen për të tjerët”6. Ajo u përpoq t’i ngrinte moralisht njerëzit dhe tregoi dhembshuri të veçantë ndaj atyre që nuk lëviznin dot nga shtëpia. Ajo gjithashtu ushqeu dhe u dha bukë burrave që udhëtonin pa bileta me trena gjatë Depresionit, duke kërkuar punë (shih kapitullin 17). “Vetë nëna ime … më mësoi nga jeta dhe veprimet e saj se çfarë përmban [Bibla]”, – tha Plaku Monson. “Kujdesi për të varfrit, të sëmurët, nevojtarët ishin dramat e çdo dite që nuk do të harrohen kurrë.”7

Babai i tij ishte po aq i qetë dhe i rezervuar sa nëna e tij ishte e shoqërueshme, dhe dashuria e tij hyjnore e krishterë gjithashtu të linte një përshtypje të fortë. Njëri xhaxha që jetonte afër, ishte aq i gjymtuar nga artriti sa nuk mund të ecte. Spens Monsoni shpesh do të thoshte: “Eja, Tomi; le ta marrim për një xhiro të shkurtër me makinë xhaxhi Eliasin”. Spenseri do të shkonte me makinë në shtëpinë e Eliasit, do ta nxirrte jashtë dhe do ta ulte me kujdes në ndenjësen e përparme në mënyrë që ai të kishte një pamje të mirë. Plaku Monson kujtoi: “Xhiroja me makinë ishte e shkurtër dhe bashkëbisedimi i paktë, por oh, çfarë trashëgimi dashurie!”8 “Ky mësim”, – tha ai, “nuk u harrua nga unë.”9 (Shih kapitullin 17.)

Nga babai i tij, ai gjithashtu mësoi të punonte fort. Në moshën 14‑vjeçare, Spenser Monsoni e kishte lënë shkollën dhe filloi të punonte në një shtypshkronjë pasi babai i tij u sëmur rëndë dhe familja e tij kishte nevojë për të ardhura. Pasi Spenseri dhe Gledisi u martuan, Spenseri filloi të punonte në një shtypshkronjë tjetër ku u bë përgjegjës dhe qëndroi atje për më tepër se 50 vjet, duke punuar gjashtë ditë në javë dhe shumë mbrëmje. Kur Tomi ishte 12 vjeç, ai filloi të punonte me babanë e tij pas shkolle dhe të shtunave, duke bërë fillimisht punë të vogla dhe duke mësuar gradualisht për tregtinë e shtypshkronjave derisa u bë stazhier. Prej atij fillimi, ai përfundimisht do të krijonte një karrierë në industrinë e shtypshkrimit.

I riu Tomi Monson u ushqye gjithashtu nga udhëheqësit dhe mësuesit e tij në kishë. Duke kujtuar një rast kur presidentja e Fillores, Melisa Xhorxhelli, i bëri një vërejtje me dashuri, ai tha: “Sjellja jonë në Fillore nuk ishte gjithmonë siç duhet të ishte. Kisha shumë energji dhe e kisha të vështirë të rrija i ulur [me durim].”10 Një ditë, presidentja e Fillores i kërkoi atij të takohej me të dhe ndërsa i vendosi dorën në shpatull, ajo filloi të qante. I habitur nga lotët e saj, ai e pyeti se përse po qante. “Nuk më duket se ia arrij që djemtë … të jenë nderues gjatë ushtrimeve të hapjes së Fillores”, – shpjegoi ajo. “A do jesh i gatshëm të më ndihmosh, Tomi?” Ai premtoi se do ta ndihmonte.

“Çuditërisht për mua, por jo për [të], kjo përmbylli çdo problem të nderimit në Fillore”, – kujtoi ai. “Ajo kishte shkuar te burimi i problemit – unë. Zgjidhja qe dashuria.”11 Gjatë gjithë jetës së tij si i rritur, ai do të vazhdonte ta vizitonte këtë grua të dashur derisa ajo ndërroi jetë në moshën 97‑vjeçare.12 (Shih kapitullin 11.)

Një këshillues i kuorumit të mësuesve i dha Tomit një çift pëllumbash të racës Birmingam Roller dhe i përdori ata për të dhënë mësim mbi përgjegjësinë e tij si president i kuorumit për të shpëtuar anëtarët e kuorumit.13 Një mësues i Shkollës të së Dielës dha mësim se “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh” (Veprat e Apostujve 20:35) duke sugjeruar që anëtarët e klasës t’i merrnin paratë që kishin ruajtur për një festë dhe t’ia japin familjes së një shoku klase që sapo i kishte vdekur e ëma (shih kapitullin 19). Nga një mjeshtër i skautistëve që kishte një këmbë protezë dhe u bë objekt rrenge nga njëri prej djemve, Tomi mësoi rreth të përgjigjurit me mirësi dhe jo me zemërim (shih kapitullin 21).

Përvojat e tij të djalërisë gjatë stinës së verës në kanionin e Provos, në jug të Solt-Lejk-Sitit, gjithashtu patën një ndikim gjatë gjithë jetës. Atje ai arriti ta donte notin, peshkimin dhe veprimtari të tjera në ambiente të jashtme. Më vonë ai do t’i përdorte këto përvoja për të ilustruar parime të ungjillit. Garat me barka prej lodre në lumin e Provos do të bëheshin një mënyrë për të dhënë mësim rreth dhuratave që ka dhënë Ati Qiellor për t’i udhërrëfyer fëmijët e Tij përgjatë vdekshmërisë (shih kapitullin 7). Ndezja e një zjarri që do të kërkonte orë të tëra për t’u shuar, do të bëhej një mënyrë për të dhënë mësim rreth bindjes (shih kapitullin 12).

Universiteti, Marina dhe Martesa

Pasi mori diplomën e shkollës së mesme në vitin 1944, Tomi u përball me shumë vendime të rëndësishme. Atë vjeshtë ai u regjistrua në Universitetin e Jutës, tepër i sigurt se do të thirrej për shërbim ushtarak kur të mbushte 18 vjeç vitin pasues, duke qenë se Lufta II Botërore ende po ndodhte furishëm në Europë dhe Paqësor.

Gjatë atij viti në shkollë, Tomi takoi Frensis Xhonsonin, gruan që do të bëhej dashuria e jetës së tij. Herën e parë që ai e mori atë për të dalë në një takim, babai i saj e pyeti: “‘Monson’, ky është një emër suedez, apo jo?”

“Po”, – u përgjigj Tomi.

Babai i Frensisit më pas i tregoi një fotografi të dy misionarëve dhe e pyeti nëse kishte ndonjë lidhje familjare me atë që quhej Elias Monsoni. Tomi u përgjigj se Eliasi ishte vëllai i gjyshit të tij.

Kur e dëgjoi këtë, babai i Frensisit filloi të qante. Familja e tij e kishte njohur Plakun Elias Monson kur jetonin në Suedi. Babai i Frensisit e puthi Tomin në faqe dhe nëna e saj qau dhe e puthi atë në faqen tjetër.14 “Ky shoqërim”, – mendoi ai, “pati një fillim të mbarë.” Ai dhe Frensisi kishin shumë interesa të përbashkëta, si koha në natyrë, koha me familjen dhe kërcimi me grupe të mëdha muzikore. “Ajo qeshte menjëherë”, – kujtoi ai, ajo ishte “mirëbërëse dhe e këndshme”, dhe tregoi “një ndjeshmëri të madhe.”15

Në korrik të vitit 1945, pas një viti në universitet, Tomi u regjistrua në ushtri. Lufta në Europë kishte përfunduar në maj, por luftimet vazhdonin në Paqësor. Duke u lutur për udhërrëfim në pikën e rekrutimit, Tomi zgjodhi të regjistrohej në Rezervën e Flotës Detare të Shteteve të Bashkuara dhe jo në marinë – një vendim që më vonë do të thoshte se e ndryshoi rrjedhën e jetës së tij (shih kapitullin 5). Lufta në Paqësor përfundoi shpejt pasi ai u regjistrua, dhe ai e përfundoi me nder shërbimin e tij ushtarak pas një viti në San‑Diego të Kalifornisë. Ishte një vit tepër i rëndësishëm për të, duke i ofruar mundësi që t’i mbronte me kurajë bindjet e tij, të jepte shembullin dhe të jepte një bekim priftërie për herë të parë (shih kapitujt 8 dhe 23). Duke mos dashur që Frensisi ta harronte, Tomi i shkroi asaj çdo ditë kur ishte në San‑Diego.

Kur Tomi u kthye në Solt-Lejk-Siti në 1946‑ën, ai i rifilloi studimet e tij në Universitetin e Jutës dhe mori një diplomë universitare për marketing, duke u diplomuar me nota të shkëlqyera në vitin 1948. Ai gjithashtu vazhdoi të shoqërohej me Frensisin dhe ndërsa dashuria e tyre lulëzoi, ai i propozoi për martesë. Ata u martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut më 7 tetor 1948. Presidenti Monson shpesh foli për këshillën që morën atë ditë për mënyrën se si të ruanin ndjenja të mira në martesën e tyre (shih kapitullin 17). Pas ceremonisë së pritjes, ata e filluan jetën e tyre së bashku në të njëjtin vend ku ishte rritur Tomi.

Pamja
fotografi e dasmës së Tomas dhe Frensis Monsonit

Tomi dhe Frensis Monsoni në pritjen e tyre të dasmës në vitin 1948

Peshkop i Lagjes Gjashtë‑Shtatë

Ditën kur lindi Tomas S. Monsoni në vitin 1927, u mbështet një peshkop i ri në lagjen e familjes së tij. Kur Spenser Monsoni shkoi në spital për të takuar bashkëshorten e tij me djalin e porsalindur, ai njoftoi: “U bëmë me një peshkop të ri sot”. Duke e mbajtur në krah Tomin e vocërr, Gledis Monsoni tha: “Dhe unë kam një peshkop të ri për ty”16.

Qoftë nëse ishte apo nuk ishte një parandjenjë për Gledisën, fjalët e saj u përmbushën më shpejt nga sa mund të priste kushdo. Më 7 maj 1950, kur Tom Monsoni ishte vetëm 22 vjeç, ai u thirr që të ishte peshkop i lagjes kur ishte rritur. Kjo lagje kishte më shumë se 1 000 anëtarë, përfshirë prindërit e tij, vëllezërit dhe motrat e tij dhe të afërm të tjerë. Tomi dhe Frensisi ishin martuar prej vetëm 19 muajsh.

Peshkopi Monson e përshkroi Lagjen Gjashtë‑Shtatë si “një lagje e përulur pioniere në një kunj të përulur pionierësh”17. Në atë kohë kishte shumë sfida. Një numër i madh anëtarësh nuk po merrnin pjesë në kishë dhe nevojitej dashuri e miqësi për të ndihmuar në rikthimin e tyre në aktivitet. Për shkak se shumë prej tyre ishin të varfër, lagjja kishte nevojat më të mëdha të mirëqenies në Kishë.18 Anëtarët në moshë, përfshirë më shumë se 80 vejusha, kishin gjithashtu nevojë për përkujdesje të veçantë. Lagjja ishte një lagje ku kishte shumë lëvizje, ku shumë njerëz vinin dhe largoheshin çdo muaj. Vite më vonë, Presidenti Monson kujtoi ndjenjat e tij – dhe besimin – për përballjen me kaq shumë sfida si një peshkop i ri:

“Pesha e thirrjes ishte dërrmuese dhe përgjegjësia e frikshme. Papërshtatshmëria ime më përuli. Por Ati im Qiellor nuk më la të endesha në errësirë dhe në heshtje, i paudhëzuar ose i pafrymëzuar. Sipas mënyrës së Tij, Ai zbuloi mësimet që do të donte që unë të mësoja.”19

Disa prej mësimeve që iu zbuluan Peshkopit Monson, erdhën nëpërmjet ndihmës dhe këshillimit nga të tjerët. Ai mësoi mësime të tjera nëpërmjet lutjes. “Çdo peshkop ka nevojë për një korije të shenjtë tek e cila të mund të shkojë për të medituar dhe për t’u lutur për udhërrëfim”, – tha ai. “Korija ime ishte godina e vjetër kishtare e lagjes sonë. Nuk mund të filloja së numëruari rastet kur në një natë të errët, në një orë të vonë, do të shkoja e qëndroja në këtë ndërtesë ku isha bekuar, konfirmuar, shuguruar, kisha marrë mësime dhe përfundimisht isha thirrur për të kryesuar. … Me duart e vendosura mbi foltore do të gjunjëzohesha dhe do t’i shprehja Atij më lart ndjenjat e mia, shqetësimet e mia, problemet e mia.”20

Një nga një, Peshkopi Monson kërkoi anëtarët që nuk po e frekuentonin Kishën. Në derën e një shtëpie, ai i tha babait: “Kam ardhur t’ju njoh dhe të nxit pjesëmarrjen tuaj me familjen tuaj në mbledhjet tona”. Burri e largoi atë dhe familja shpejt u shpërngul në Kaliforni. Megjithatë, shumë vite më vonë ai erdhi ta takonte Plakun Monson, i cili asokohe ishte anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. “Kam ardhur të të kërkoj falje që nuk u ngrita nga karrigia ime dhe që të lashë te dera atë ditë vere shumë vite më parë”, – tha ai. “Tani jam këshilltar i dytë në peshkopatën e lagjes sime. Ftesa jote për të ardhur në kishë dhe përgjigjja ime negative, më përndoqi aq shumë saqë vendosa të bëj diçka lidhur me të.”21 (Shih kapitullin 2.) Ndonëse kjo familje u rikthye në aktivitetin në Kishë pas largimit nga Lagjja Gjashtë‑Shtatë, shumë anëtarë të tjerë u rikthyen gjatë shërbimit të Peshkopit Monson. Pjesëmarrja në mbledhjen e sakramentit u rrit ndjeshëm.22

Peshkopi Monson iu përkushtua të rinjve të lagjes dhe kërkoi t’i mbante ata brenda tufës së Kishës. Një herë ndjeu mbresën që të largohej nga një mbledhje priftërie që të kërkonte një të ri që rrallëherë shkonte në kishë. Më në fund e gjeti atë duke punuar në një gropë mekaniku të një pike shërbimi automjetesh. Peshkopi Monson i tha të riut se sa shumë u kishte munguar të tjerëve dhe sa shumë kishin nevojë për të, dhe ai filloi të merrte pjesë.23 (Shih kapitullin 2.) Më vonë ai shërbeu në një mision dhe përfundimisht shërbeu si peshkop dy herë. Mes shprehjeve të tij të shumta të mirënjohjes ishte një letër, e shkruar 40 vjet më vonë, në të cilën ai tha:

“Ndërsa përsiat për ngjarjet në jetën time, jam kaq mirënjohës për një peshkop që kërkoi, gjeti dhe tregoi një interes të madh për atë që kishte humbur. Të falënderoj nga thellësia e zemrës për gjithçka bëre dhe ke bërë për mua personalisht. Të çmoj shumë.”24

Peshkopi Monson tregoi kujdes të veçantë për vejushat në lagjen e tij. Ai i ndihmoi ato kur rrezikonin të humbisnin shtëpitë e tyre, kur u nevojiteshin gjërat bazë të jetës dhe kur shëndeti iu dobësua. Ai i gëzonte ato me vizitat në kohë vetmie dhe pikëllimi. Gjatë periudhës së Krishtlindjes, ai e përdorte kohën e pushimeve për të vizituar secilën, duke i dhënë nga një kuti me karamele ose një pulë për ta pjekur. Ai vazhdoi t’i vizitonte shumë prej tyre shumë kohë pasi u lirua nga thirrja si peshkop, dhe vizitoi shumë prej atyre që ishin vejusha pas shërbimit të tij si peshkop. Një shembull është një grua që mbeti e ve në vitin 1965 – 10 vjet pasi ai u lirua nga thirrja – të cilën e vizitoi rregullisht derisa ajo vdiq në vitin 2009 në moshën 98‑vjeçare, kur ai ishte President i Kishës. “Perla … ishte një nga vejushat që i kam telefonuar gjatë gjithë këtyre viteve”, – shkroi ai në ditarin e vet. “Ajo ka pasur një jetë të vështirë, por ka duruar.”25 Ai foli në funeralin e saj disa ditë më vonë, një prej më shumë se 800 funeraleve ku ai foli pasi u thirr në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve.

Pamja
Peshkopata e Lagjes Gjashtë‑Shtatë

Peshkopi Tomas S. Monson me këshilltarët e tij në peshkopatën e Lagjes Gjashtë‑Shtatë

Me kaq shumë njerëz që kishin nevojë për ndihmë materiale, Peshkopi Monson kërkoi si mënyra novatore edhe frymëzuese për të ofruar ndihmë, shpesh duke krijuar mundësi që anëtarët të shërbenin. Një dhjetor ai mori vesh se një familje nga Gjermania shpejt do të shpërngulej në lagje. Disa javë përpara se ata të mbërrinin, ai shkoi për të parë apartamentin që ishte marrë me qira për ta dhe zbuloi se ishte kaq i errët dhe i zymtë saqë iu copëtua shpirti. “Çfarë mirëseardhje e hidhur për një familje që ka duruar kaq shumë”, – mendoi ai.26

Mëngjesin vijues ai e ngriti këtë çështje në një mbledhje me udhëheqësit e lagjes. Peshkopi Monson shkroi se një “shpirt dashurie e çiltër … depërtoi në zemrën dhe shpirtin e çdo anëtari” ndërsa i ofruan me gatishmëri shërbimet e tyre.27 Për dy ose tre javët e ardhshme, anëtarët e lagjes punuan së bashku për ta bërë gati apartamentin.

Kur familja mbërriti, lot rrodhën kur panë një apartament të shndritshëm me tapet të ri, të lyer rishtas, dollapë të mbushur me ushqime dhe një pemë Krishtlindjeje të zbukuruar nga të rinjtë e të rejat. Babai i kapi dorën Peshkopit Monson dhe u përpoq të shprehte fjalë mirënjohjeje, por ishte shumë i emocionuar. Në vend të kësaj, “ai e mbështeti kokën në shpatullën time”, – tha Peshkopi Monson, “dhe përsëriti fjalët: ‘Mein Bruder, mein Bruder, mein Bruder’ [‘Vëllai im, vëllai im, vëlla im’]”28. Ndërsa anëtarët e lagjes u larguan atë natë, një e re pyeti: “Peshkop, ndihem më mirë sesa jam ndier ndonjëherë më parë. A mund të ma thuash arsyen?” Ai u përgjigj me këto fjalë nga Zoti: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40).

Në vitin 1955, pas pesë vitesh shërbimi, Peshkopi Monson u thirr si këshilltar në presidencën e kunjit. Edhe pse nuk e kishte më thirrjen si peshkop, ai qëndroi i tillë në zemër gjithë pjesën tjetër të jetës së vet, duke e vazhduar përkujdesjen e tij për anëtarët në lagjen Gjashtë‑Shtatë dhe duke i përdorur mësimet që mori, për t’u dhënë mësim të tjerëve dhe për të udhërrëfyer shërbimin e tij të ardhshëm. Duke reflektuar mbi ato vite, ai më vonë tha: “Gjithmonë e konsiderova veten si peshkop i cili anonte nga ana e bujarisë; dhe nëse do të duhej ta bëja përsëri, do të isha edhe më shumë bujar”29.

Ndërtesa e Lagjes Gjashtë‑Shtatë u shemb në vitin 1967, por jo përpara se Peshkopi Monson të shpëtonte diçka që kishte domethënie të veçantë për të: foltoren e bukur ku ai ishte gjunjëzuar në lutje si peshkop.30 Në vitin 2009, si President i Kishës, ai foli nga kjo foltore kur përkushtoi Bibliotekën e re të Historisë së Kishës. Ishte një përvojë emocionuese sepse foltorja përfaqësonte kaq shumë kujtime nga djalëria e tij, rinia e tij dhe shërbesa e tij si peshkop. “Kjo foltore, pjesërisht, tregon historinë e besimit tim”, – tha ai në atë kohë. “Për mua, [ajo] është një kujtim i dashur i përvojave të shenjta.”31

Familja

Tomi dhe Frensis Monsoni u ngazëllyen kur iu lindi fëmija i parë, një djalë që e quajtën Tomas Li, në vitin 1951, një vit pasi Tomi filloi të shërbente si peshkop. Vajza e vetme e çiftit Monson, En Frensisi, gjithashtu lindi ndërsa Tomi po shërbente si peshkop, në vitin 1954. Fëmija i tyre i tretë dhe i fundit, një djalë që ia vunë emrin Klark Spenser, lindi në vitin 1959 gjatë misionit të tyre në Kanada.

Pamja
fotografi e familjes Monson

Familja Monson në vitin 1962. Nga e majta në të djathtë: Frensisi, Tomi djali, Klarku, Tomi babai dhe Eni

Ndërsa punonte me orë të gjata në profesion dhe në shërbimin e tij në Kishë, Tomi ishte një bashkëshort dhe baba i përkushtuar. Fëmijët e tij mbanin mend se baballarët e tjerë “dukeshin sikur ishin në shtëpi më shumë sesa ishte babai ynë, por nuk dukej se bënin me fëmijët e tyre aq shumë sa bënte babi me ne. Ne ishim gjithmonë duke bërë diçka së bashku dhe i çmojmë ato kujtime.”32

Tomi i ri kujtonte se ndërsa i ati ishte duke kryesuar në Misionin e Kanadasë, ata kishin shumë pak kohë të lirë së bashku. Por çdo natë përpara se të shkonin në shtrat, ai do të shkonte në zyrën e babait në shtëpinë e misionit dhe do të luante damë. “Në mënyrën e vet, ai kujtim është po aq i ëmbël për mua sa dhe ai që kam kur babai do të fluturonte me avion deri në Luisvill të Kentakit, vite më vonë, për të më dhënë një bekim kundër pneumonisë që e kisha marrë gjatë trajnimit tim në bazën ushtarake atje”, – tha Tomi.33

Eni vlerësoi faktin se si babai i saj tregonte përvoja nga detyrat e tij në Kishë: “Kujtimet e mia më të bukura janë ato kur ai vinte në shtëpi të dielave në mbrëmje pas një detyre në konferencën e kunjit ose turneu në mision dhe e dëgjonte atë të tregonte për frymëzimin e veçantë që kishte kur thërriste një patriark ose për përvojat besimnxitëse që kishte kur intervistonte misionarët”34. Më vonë kur Eni krijoi familjen e saj, ajo e vlerësoi mundësinë që djemtë e saj të punonin pranë gjyshit të tyre, si dhe përvojat e tyre në kanionin e Provos: “Gjithsecilit në familje i pëlqen të ulet rreth zjarrit të kampit pranë kabinës së familjes, duke pjekur marshmellous dhe duke e dëgjuar gjyshin të tregojë histori”35.

Klarku tha se ndonëse babai i tij shpesh ishte duke udhëtuar për detyrat e Kishës, ai “përherë gjente kohë për fëmijët e tij. … Asnjëherë nuk ndjeva se nuk kisha kaluar kohë me babanë. Kur ai ishte në shtëpi, ai do të luante lojëra me ne dhe do të na nxirrte për të marrë akullore. … Kur isha djalosh, kalova shumë kohë me babanë duke peshkuar.”36 Gjatë një udhëtimi për peshkim, Klarku u prek kur babai i kërkoi t’ia mblidhte fildispanjën dhe tha: “Për rreth pesë minuta vëllai yt, Tomi, do të ulet për të bërë provimin e jurisprudencës për t’u pranuar në profesionin e avokatit. Ai ka punuar shumë gjatë këtyre tre viteve të shkollës së juridikut për këtë dhe do të jetë pak i frikësuar. Le të gjunjëzohemi këtu në varkë. Do të bëj një lutje për të dhe më pas ti do bësh një lutje për të.”37

Frensisi ia përkushtoi veten rritjes së fëmijëve dhe krijoi një shtëpi të lumtur dhe mbështetëse. Pak përpara se babai i saj të vdiste në vitin 1953, ai i tha asaj: “Jam shumë krenar për ty, Frensis. Jam shumë krenar për bashkëshortin tënd, Tomin. Të dy ju do të merrni shumë bekime për shkak të besnikërisë dhe përkushtimit tuaj ndaj ungjillit, shtëpisë dhe familjes suaj.”38

Karriera

Pasi Tomi u diplomua nga Universiteti i Jutës në vitin 1948, ai kishte shumë oferta për punë, përfshirë disa nga kompani të mëdha jashtë shtetit. Ai vendosi të pranonte pozicionin në Deseret News si përfaqësues shitjesh për njoftimet në gazetë. Brenda pak muajsh ai u bë ndihmëspërgjegjës për njoftimet në gazetë dhe vitin pasues u bë përgjegjës.

Pamja
Presidenti Monson dhe makina e shtypit

Tomas S. Monsoni kontrollon një lastër shtypi në Deseret News Press.

Në vitin 1953, Tomi filloi të punonte në Desert News Press, një nga shtypshkronjat më të mëdha në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Në njëfarë mënyre, ky ishte një rikthim në rrënjët e tij si adoleshent, kur punoi me babanë e tij në një shtypshkronjë. Në Deseret News Press, ai u bë ndihmëspërgjegjës shitjesh, më pas përgjegjës shitjesh. Një nga përgjegjësistë e tij ishte ajo me Desert Book dhe, ndërsa i ndihmoi udhëheqësit e Kishës të botonin librat e tyre, ai krijoi shumë lidhje të ngushta dhe pati shumë përvoja ku mori mësime nga Autoritetet e Përgjithshme. “E konsideroj atë si një nga pikat kyç të jetës sime që kam qenë në gjendje të punoj nga afër me Autoritetet e Përgjithshme dhe të tjerë për t’i ndihmuar ata t’i kthejnë dorëshkrimet e tyre në një produkt të përfunduar”, – shkroi ai.39 Ai gjithashtu u mor me pjesën më të madhe të materialeve për shtypje të Kishës, përfshirë literaturën për misionarët dhe shtypjen e Librit të Mormonit në shumë gjuhë.

President i Misionit të Kanadasë

Korriku i vitit 1957 ishte muaji i ndryshimeve të mëdha për familjen Monson. Përveçse ishte përgjegjës shitjesh në Deseret News Press, Tomi u caktua si ndihmëspërgjegjës i përgjithshëm. Më pas nga fundi i muajit, familja u shpërngul në një shtëpi të re në periferi të Solt-Lejk-Sitit, duke u larguar nga lagjja ku Tomi ishte rritur dhe kishte shërbyer si peshkop.

Ndryshimet do të vijonin. Në më pak se dy vjet më vonë, Tomi u thirr të kryesonte në Misionin e Kanadasë, me zyrat qendrore në Toronto. Edhe një herë ai do të merrte një përgjegjësi me peshë në moshë të re (31 vjeç) dhe këtë herë do të kërkohej një lëvizje e madhe për familjen e tij. Frensisi, e cila po përjetonte probleme shëndetësore lidhur me shtatzëninë e saj, gjithashtu do të kishte shumë përgjegjësi të reja. Plaku Harold B. Li, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dha fjalë këshilluese të dobishme që do të bëheshin tema të spikatura të mësimeve të Presidentit Monson:

“Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon”.

“Kur jeni në detyrën e Zotit, ju është dhënë e drejta të keni ndihmën e Zotit.”

“Perëndia i jep formë shpinës për të mbajtur barrën që vendoset mbi të.”40

Në prill të vitit 1959, familja Monson hipi në një tren për në Toronto, ku do të jetonin për gati tre vjet. Dy fëmijët, Tomi dhe Eni, ishin shtatë vjeç dhe katër vjeçe. Frensisi kishte lot në sy kur u larguan nga shtëpia, por familja e bëri këtë sakrificë me gatishmëri, me besimin se po bënin vullnetin e Perëndisë.

Në Kanada ata iu futën menjëherë punës misionare. Presidenti Monson filloi mbikëqyrjen e punës së 130 misionarëve (që më vonë u bënë më shumë se 180), të cilët u shpërndanë kudo në provincat e mëdha të Ontarios dhe Kebekut. Siç kishte bërë edhe kur ishte peshkop, ai drejtoi me optimizëm e dashuri, ndihmoi që të ndërtohej besim dhe frymëzoi vetëbesim. Ai gjithashtu u mbështet te Zoti. Një nga misionarët e tij tha: “Zgjedhjet e tij gjithmonë dukeshin se përputheshin me planin më të madh të Zotit”41. Një misionar tjetër kujtoi: “Ai pati një ndikim dramatik në atë mision. … Në një turne të shpejtë të misionit, ai e dinte emrin e çdo misionari dhe të shumë anëtarëve. Ai e ngrinte moralisht këdo, kudo që shkonte, ai e fuqizoi plotësisht të gjithë misionin.”42

Pamja
fotografi grupi e Misionit të Kanadasë

Presidenti dhe Motra Monson (rreshti i dytë, në qendër) me disa nga misionarët në Misionin e Kanadasë

Nën drejtimin e Presidentit Monson, misioni lulëzoi. “Zoti ka derdhur shpirtin e Tij mbi njerëzit”, – i raportoi ai Presidencës së Parë. “Qytetet që më parë nuk kishin asnjëherë pagëzime, tani po nxjerrin të kthyer në besim çdo muaj.”43 Në një shkallë të madhe, ai ia dha meritat e këtij suksesi anëtarëve që u përfshinë gjithnjë e më shumë në gjetjen e njerëzve që misionarët t’u jepnin mësime dhe që t’i shoqëronin ata.

Fëmija i tretë i çiftit Monson, Klarku, lindi gjashtë muaj pasi mbërritën në Toronto. Përveç përkujdesit për tre fëmijët e vegjël, pritjes së misionarëve dhe të tjerëve në shtëpinë e misionit dhe shërbimit si presidente e Shoqatës së Ndihmës për misionin, Motra Monson ofroi ndihmë në punën misionare. Një ditë ajo mori një telefonatë nga një burrë i cili i tha: “Kemi ardhur nga atdheu ynë, Holanda, ku kishim mundësinë të mësonin diçka rreth mormonëve. Bashkëshortja ime do të donte të dinte më tepër. Unë nuk do të doja.” Motra Monson ia dha numrin dhe adresën e telefonuesit elderave [pleqve], por ata u vonuan që të viheshin në kontakt. Ajo do t’i pyeste ata: “Ç’bëhet me familjen time holandeze? A do t’i telefononi sonte?” Pas disa javësh, ajo u tha atyre se nëse nuk do të viheshin në kontakt sa më shpejt me familjen, ajo dhe bashkëshorti i saj do ta bënin vetë atë gjë. Dy elderat [pleqtë] e bënë vizitën dhe familja Jakob dhe Bea de Hager u bashkuan me Kishën. Vëllai de Hager që fillimisht tha se nuk ishte i interesuar për Kishën, shërbeu si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë nga viti 1976 deri në 1993.44

Nuk kishte asnjë kunj në Kanadanë lindore kur mbërriti familja Monson, ndaj përveç mbikëqyrjes së punës së misionarëve, Presidenti Monson kishte përgjegjësi për shtatë distrikte në mision. Misionarët kohëplotë kryesuan në shumë distrikte e degë dhe një nga përparësitë e Presidentit Monson ishte të thërriste udhëheqës vendorë priftërie që të shërbenin në ato pozicione. Kjo qasje ndërtoi udhëheqjen vendore dhe i lejoi misionarët të kalonin më shumë kohë me predikimin dhe mësimdhënien. Deri në vitin 1962, një udhëheqës vendor kryesonte në çdo njësi të Kishës në mision.45

Kur familja Monson mbërriti në Kanadanë lindore në vitin 1959, Kisha kishte vetëm dy godina të vogla kishtare në gjithë misionin, ndaj pjesa më e madhe e bashkësive mblidhej në salla të marra me qira. Duke ndier nevojën për t’i përmirësuar godinat e mbledhjeve, Presidenti Monson nisi një program për ndërtimin. Pasja e godinave kishtare për shërbimet gjithashtu ndihmoi në përpjekjet e misionarëve, duke krijuar një ndjenjë vazhdimësie në ndërtesat e përkushtuara. Kur familja Monson e përfundoi misionin e saj, shtatë godina të reja kishtare ishin ndërtuar ose ishin në proces e sipër dhe dhjetë të tjera ishin në fazat e planifikimit.46

Kisha arriti një moment historik në gusht të vitit 1960 me krijimin e Kunjit të Torontos. Ky ishte kunji i parë në Kanadanë lindore dhe kunji i 300‑të në Kishë. “Ishte një pikë kulmore e misionit tonë të shihnim anëtarësinë … të bëhej një kunj i Sionit”, – shkroi Presidenti Monson. “[Ata] u gëzuan për këtë arritje.”47 Më shumë kunje do të kishte në të ardhmen, si dhe një tempull në zonën e Torontos, për të cilin ai do të fillonte punimet në vitin 1987.

Në një mision të mbushur me pika kulmore, Presidenti Monson tha se kryesorja ishte të qenit në gjendje për të shërbyer me familjen e vet. “[Ajo] periudhë trevjeçare ishte një nga periudhat më të bukura të jetës sonë, ndërsa i përkushtuam kohë të plotë përhapjes së ungjillit të Jezu Krishtit me të tjerët”, – reflektoi ai.48

Pas gati tre vitesh shërbimi, Tomas S. Monsoni u lirua nga thirrja si president i Misionit të Kanadasë në janar të vitit 1962. Familja kishte zhvilluar një dashuri të thellë për Kanadanë, njerëzit e saj dhe misionarët. Ashtu si Presidenti Monson mbajti lidhje të forta me anëtarët e Lagjes Gjashtë-Shtatë pasi u lirua nga thirrja si peshkop, ai qëndroi shumë i lidhur me misionarët dhe anëtarët me të cilët kishte shërbyer në Kanada. Ai mori pjesë dhe foli në më shumë se 50 ribashkime me këta misionarë dhe anëtarë të familjeve të tyre e të tjerë, nga viti 1962 deri në vitin 2015.

I Thirrur si Apostull

Kur familja Monson u kthye nga Kanadaja në shkurt 1962, Tomi u rikthye në punën e tij në Deseret News Press. Në mars, ai u ngrit në detyrë si përgjegjës i përgjithshëm, një pozicion kërkues, veçanërisht pasi drejtonte një zhvendosje masive drejt proceseve dhe pajisjeve të reja të shtypjes. Ai gjithashtu shërbeu në katër komitete të përgjithshme të Kishës.

Në pasditen e 3 tetorit 1963, Tomi ishte në një takim me një të ftuar në zyrën e tij kur sekretari i tij e informoi se kishte një telefonatë. Pasi iu përgjigj telefonatës, ai u habit kur mësoi se telefonuesi ishte sekretari i Presidentit të Kishës, Dejvid O. Mek-Keit, dhe se Presidenti Mek-Kei donte të fliste me të. Pasi folën për pak kohë në telefon, Presidenti Mek-Kei e pyeti Tomin nëse mund të shkonte në zyrën e tij atë pasdite.

Makina e Tomit ishte në ofiçinë, ndaj ai mori një hua dhe shkoi me të në zyrën e Presidentit Mek-Kei. Për shkak të shërbimit të tij në komitetet e Kishës, ai mendoi se Presidenti Mek-Kei dëshironte të diskutonte për një nga ato detyra, por Presidenti kishte diçka tjetër në mendje. “Ai më kërkoi të ulesha pranë tij në një karrige në anë të tavolinës së tij, përballë tij”, – kujtoi Tomi dhe më pas më tha: “E kam emërtuar Plakun Nejthën Eldon Taner si këshilltarin tim të dytë në Presidencën e Parë dhe Zoti të ka thirrur ty për të plotësuar vendin e tij në Këshillin e Dymbëdhjetë Apostujve. A mund ta pranosh atë thirrje?”49

I hutuar nga ajo që i kishte kërkuar Presidenti Mek-Kei, Tomi nuk mund të fliste. “Sytë m’u mbushën me lot”, – tha ai, “dhe pas një ndalese që u duk si përjetësi, u përgjigja duke e siguruar Presidentin Mek-Kei se çdo talent me të cilin isha bekuar do të përdorej në shërbim të Mësuesit.”50

Atë mbrëmje, Tomi i kërkoi Frensisit që të dilnin për një xhiro me makinë. Duke e marrë me vete Klarkun katërvjeçar, ata shkuan me makinë në një monument në Solt-Lejk-Siti dhe, ndërsa ecën përreth tij, Frensisi mund ta ndiente se kishte diçka në mendjen e Tomit. Kur ajo e pyeti për atë, ai i tregoi për thirrjen në apostullimin e shenjtë. Frensisi më vonë tha: “Isha e befasuar dhe e përulur. … Ajo ishte një thirrje shumë domethënëse dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.”51 Si gjithmonë, ajo e dha përkrahjen e saj me gjithë zemër.

Pamja
Plaku Monson në publik në konferencën e përgjithshme

Plaku Tomas S. Monson në bashkësinë në konferencën e përgjithshme të tetorit 1963, përpara njoftimit për thirrjen e tij si Apostull

Në konferencën e përgjithshme mëngjesin pasues, Tomas S. Monsoni u mbështet si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, si një dëshmitar i veçantë “[i] emrit të Krishtit në gjithë botën”52. Në moshën 36-vjeçare, ai ishte Apostulli më i ri në moshë që ishte thirrur që nga Jozef Filding Smithi në vitin 1910, dhe ishte 17 vjet më i vogël se Apostulli i radhës më i ri në moshë në atë kohë.

Në po atë sesion konference, Plaku Monson dha fjalimin e tij të parë si Autoritet i Përgjithshëm. Pas shprehjeve të mirënjohjes, ai dha dëshminë dhe zotimin në vijim:

“Unë e di se Perëndia jeton, vëllezërit dhe motrat e mia. Nuk ka dyshim në mendjen time. E di se kjo është puna e Tij dhe e di se përvoja më e ëmbël në gjithë këtë jetë është të ndiejmë nxitjet e Tij ndërsa na drejton në çuarjen përpara të veprës së Tij. I kam ndier këto nxitje kur isha peshkop i ri në moshë, i udhërrëfyer në shtëpi ku kishte nevoja shpirtërore ose ndoshta materiale. I ndjeva sërish në fushën e misionit ndërsa punova me bijtë tuaj dhe bijat tuaja – misionarët e kësaj Kishe të mrekullueshme. …

… Zotohem me jetën time, gjithçka që mund të kem. Do të përpiqem fort me gjithë aftësitë e mia që të jem ai që doni që të jem. Jam mirënjohës për fjalët e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, kur Ai tha:

‘Unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai’ (Zbulesa 3:20).

Lutem me zell … që jeta ime të mund ta meritojë këtë premtim nga Shpëtimtari ynë.”53

Gjashtë ditë më vonë, më 10 tetor 1963, Plaku Monson u shugurua si Apostull dhe u veçua si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve nga Presidenti Jozef Filding Smith, i cili ishte President i Kuorumit.

Pamja
Tomas S. Monson

I Përfshirë në Shërbesën Apostolike

Kur Plaku Monson u thirr si Apostull, zgjerimi global i Kishës po shpejtohej me një ritëm të paparë. Ashtu si Autoritetet e tjera të Përgjithshme, shpejt ai do të udhëtonte nëpër botë për ta udhëhequr këtë rritje. Ndonjëherë ai do të largohej për pesë javë njëherësh, duke iu dhënë mësim anëtarëve dhe misionarëve, duke organizuar njësi të reja të Kishës, duke përkushtuar shtëpi mbledhjesh dhe duke zbatuar programet e Kishës.

Plaku Monson i nguli në zemër fjalët e një anëtari të Të Dymbëdhjetëve i cili tha se shërbimi si Apostull kërkon “zotim të plotë në punën e Mësuesit për të lartësuar dhe ngritur moralisht, për të dhënë mësim dhe trajnuar, për të udhëhequr dhe drejtuar shenjtorët e Perëndisë. Do të thotë të pranosh barrët dhe të forcosh shpresat e Kishës dhe të njerëzve të saj.”54

Çështjet administrative ishin dytësore kundrejt kërkimit të mënyrave për t’i bekuar individët. Një nga qindra shembujt ishte shërbimi i tij ndaj Pol C. Çajlldit, i cili kishte qenë presidenti i kunjit të Plakut Monson gjatë rinisë së tij. Në fund të viteve 1970, Presidenti Çajlld dhe bashkëshortja e tij, Diana, nuk gëzonin shëndet të mirë dhe jetonin në një godinë përkujdesjeje. Plaku Monson i vizitonte ata rregullisht dhe një herë gjatë shërbesave të së dielës në godinë, ai i bëri homazhe këtij udhëheqësi të dashur. Kur u kthye në shtëpi, i tha Frensisit: “Mendoj se bëra më shumë gjëra të mira gjatë asaj vizite të veçantë sesa në shumë konferenca”55.

Me detyrat e tij në zyrat qendrore të Kishës, Plaku Monson ndikoi thuajse në çdo aspekt të strukturës dhe programeve të Kishës. Nga viti 1965 deri në vitin 1971, ai shërbeu si kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve të Ndërsjella për Të Rriturit, duke ndihmuar në unifikimin e udhëzuesve, manualeve dhe organizatave të Kishës. Ai ishte gjithashtu këshillues në organizatat e Të Rinjve dhe Të Rejave. Ai shërbeu në Komitetin Ekzekutiv të Misionarëve nga viti 1965 deri në vitin 1982 dhe kryesoi në të shtatë vitet e fundit të kësaj periudhe. Gjatë asaj kohe ai mori pjesë në caktimin e dhjetëra mijëra misionarëve, zgjedhjen e presidentëve të misioneve, krijimin e misioneve të reja, zhvillimin e programeve trajnuese për misionarët dhe mbikëqyrjen e qendrave të vizitorëve. “Të shumta janë përvojat besimnxitëse që kanë ndodhur në caktimin e misionarëve”, – shkroi ai.56

Në vitin 1965, Presidenti Mek-Kei e caktoi Plakun Monson që të mbikëqyrte punën e Kishës në Paqësorin Jugor. Kjo detyrë kërkonte që të udhëtoje nga ishujt e Paqësorit për në kontinentin e Australisë. Plaku Monson zhvilloi një dashuri të thellë për shenjtorët në këto vende dhe u frymëzua nga përkushtimi i tyre ndaj ungjillit dhe nga besimi i tyre.

Kur Plaku dhe Motra Monson e vizituan për herë të parë Samoan në vitin 1965, ata shkuan në një fshat ku u takuan me thuajse 200 fëmijë në një shkollë të Kishës. Nga fundi i mbledhjes, Plaku Monson ndjeu nxitjen për t’i përshëndetur fëmijët individualisht, por kontrolloi orën dhe pa se nuk kishte mjaft kohë përpara orarit të planifikuar të nisjes së avionit. Megjithatë, kur e ndjeu sërish nxitjen, ai i tregoi mësuesit të shkollës për dëshirën e tij që t’i jepte dorën çdo fëmije. Mësuesi ishte tejet i gëzuar pasi fëmijët ishin lutur për një përvojë të tillë. “Lotët nuk përmbaheshin”, – tha Plaku Monson, “ndërsa djemtë dhe vajzat e çmuara ecnin të ndrojtur dhe na pëshpëritnin butësisht përshëndetjen e ëmbël samoane ‘talofa lava’”57.

Kur Plaku Monson vizitoi Sidnein në Australi në vitin 1967, një burrë i tregoi atij se dëshmia e tij gjatë një vizite të mëparshme e kishte çuar në vendimin për t’u pagëzuar. “Një koment i tillë më përul shumë”, – shkroi Plaku Monson në ditarin e vet, “dhe më sjell një ndërgjegjësim të vërtetë për përgjegjësinë që kam.”58

Gjatë gjithë shërbesës apostolike të Presidentit Monson, shqetësimi i tij kryesor ishte individi. I udhërrëfyer nga Shpirti dhe vetë vëzhgimet e tij, ai ua shtriu dorën atyre që po vuanin ose ishin të rënduar. Pjesëmarrja në konferencat e kunjeve dhe zonave, pjesëmarrja në përkushtimet e tempujve dhe shërbimi në komitete i dha mundësi që jo vetëm të drejtonte dhe udhëzonte, por edhe të tregonte se sa shumë ai kujdesej për individët.

Dhënia e Shërbesës dhe Mrekullitë në Republikën Demokratike të Gjermanisë

Në qershor 1968, pasi Plaku Monson kishte mbikëqyrur punën në Paqësorin Jugor për tre vjet, Presidenca e Parë e caktoi atë të mbikëqyrte misionet e Kishës në Gjermani, Itali, Austri dhe Zvicër. Në Gjermani, thuajse 5 000 anëtarë të Kishës jetonin pas Perdes së Hekurt në Republikën Demokratike të Gjermanisë. Në atë kohë, ajo pjesë e Gjermanisë ishte nën sundimin komunist, i cili i kufizonte ashpër liritë dhe i shtypte veprimtaritë fetare. Fillimisht, për shkak të kufizimeve nga qeveria, asnjë Autoritet i Përgjithshëm nuk kishte qenë atje që kur u ndërtua Muri i Berlinit në vitin 1961. Një nga përparësitë kryesore të Plakut Monson në detyrën e tij të re ishte që të vihej në kontakt me anëtarët e Kishës që jetonin atje.

Udhëtimi në Republikën Demokratike të Gjermanisë ishte përplot me rreziqe. Plaku Monson u vu në kontakt me një zyrtar në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, i cili nuk e inkurajoi që të shkonte dhe e paralajmëroi: “Nëse ndodh diçka, nuk mund të të nxjerrim dot”. Gjithsesi, ai vendosi të shkonte. “Ti thjesht duhet të kuptosh se synimi ishte më i lartë se çdo autoritet tokësor”, – shpjegoi ai më vonë, “dhe me mirëbesim te Zoti ti shkon.”59

Ai e bëri vizitën e tij të parë më 31 korrik 1968. Ai dhe Sten Risi, presidenti i Misionit të Gjermanisë Veriore, kaluan përmes postbllokut të ruajtur mirë në Murin e Berlinit dhe e kaluan një pjesë të ditës në Berlinin Lindor. Ndonëse vizita ishte e shkurtër, ajo nisi shërbesën e jashtëzakonshme të Plakut Monson në Republikën Demokratike të Gjermanisë, një shërbesë që do të vazhdonte për më shumë se dy dekada dhe do të bëhej një pjesë përcaktuese e shërbimit të tij si Apostull.

Plaku Monson u kthye përsëri në nëntor të vitit 1968. Me shumë tension, ai, Presidenti Ris dhe Motra Helen Ris udhëtuan thellë në vend për në Gërlic, ku shkuan në një magazinë të vjetër që ishte me shenja predhe nga Lufta II Botërore. Ata mbërritën pa njoftuar dhe gjetën më shumë se 200 anëtarë të Kishës të mbledhur në katin e dytë. Në atë mbledhje, Plaku Monson pati një nga përvojat më frymëzuese të jetës së tij.

Folësit dhanë mesazhe që treguan një kuptueshmëri të thellë për ungjillin dhe të kënduarit ishte gjëja më e zjarrtë që Plaku Monson kishte dëgjuar ndonjëherë, duke e mbushur dhomën me besim dhe përkushtim. Pavarësisht nga vështirësitë, varfëria dhe mungesat e mundësive me të cilat u përballën këta shenjtorë, ai pa aftësi ripërtëritëse, shpresë dhe besim. Ai më vonë tha: “Kam takuar disa bashkësi të cilat kanë treguar një dashuri më të madhe për ungjillin”60.

Ndonëse Plaku Monson u gëzua për besnikërinë e këtyre shenjtorëve, ai gjithashtu u pikëllua pasi ata nuk kishin patriark, nuk kishin lagje ose kunje dhe nuk kishin mundësi për të marrë bekimet e tempullit. Gjatë mbledhjes, ai shkoi në foltore me lot në sy dhe premtoi: “Nëse do të qëndroni të vërtetë dhe besnikë ndaj urdhërimeve të Perëndisë, çdo bekim që gëzon çdo anëtar i Kishës në çdo vend tjetër, do të jetë edhe bekimi juaj”61.

Gjatë disa viteve në vijim, Plaku Monson dhe udhëheqësit e Kishës bashkë me anëtarët në Republikën Demokratike të Gjermanisë punuan pa u lodhur për të bërë pjesën e tyre për të sjellë përmbushjen e atij premtimi. Plaku Monson u rikthye shpesh për t’i forcuar shenjtorët dhe dha bekime e nxitje. Atë e ndihmuan Henri Burkhardi, i cili kryesoi në Misionin e Dresdenit për 10 vjet, dhe shumë udhëheqës të tjerë vendorë të Kishës. Anëtarët agjëruan dhe u lutën, dhe ia vunë veshin këshillës së Plakut Monson për të vepruar sipas nenit të dymbëdhjetë të besimit – për të respektuar ligjet e vendit.

Pak nga pak, premtimi filloi të përmbushej. Në vitin 1969, Presidenca e Parë miratoi shugurimin e një patriarku në Solt-Lejk-Siti dhe e autorizoi atë të udhëtonte për në Republikën Demokratike të Gjermanisë për të dhënë bekime patriarkale. Në fillimet e viteve 1970, udhëheqësit e qeverisë filluan që t’i lejonin disa udhëheqës të Kishës të largoheshin nga vendi për pak kohë për të marrë pjesë në konferencën e përgjithshme.

Pamja
Plaku Monson dhe grupi i shenjtorëve nga Gjermania Lindore

Udhëheqësit mblidhen me Plakun Monson (rreshti i parë djathtas) pas një mbledhjeje priftërie në Misionin e sapokrijuar të Dresdenit në Republikën Demokratike të Gjermanisë.

Në prill 1975, Plaku Monson ndjeu nxitjen për të përkushtuar Republikën Demokratike të Gjermanisë në mënyrë që puna të mund të përshpejtohej. Ai mblodhi disa udhëheqës në një lirishtë nga ku dukej lumi Elba dhe ofroi një lutje përkushtimi në të cilën u përgjërua që të mund të hapej udha për anëtarët që të merrnin ordinancat e tyre të tempullit. Ai u lut që njerëzit të ishin pranues ndaj ungjillit dhe që udhëheqësit e qeverisë të lejonin që puna të përparonte. Ai gjithashtu u lut që misionarët të lejoheshin përsëri për ta dhënë mësim ungjillin atje.62

“Bekimi kryesor i nevojshëm ishte privilegji që anëtarët tanë të denjë të merrnin dhurimet e tyre dhe vulosjet e tyre”, – tha më vonë Plaku Monson. “Ne shqyrtuam çdo mundësi. Një udhëtim një herë në jetë në tempullin në Zvicër? Nuk u miratua nga qeveria. Ndoshta mamaja dhe babai mund të vinin në Zvicër duke i lënë fëmijët pas. [Kjo gjë] nuk ishte e drejtë. Si mund t’i vulosësh fëmijët te prindërit kur ata nuk mund të gjunjëzohen në altar? Ishte një situatë tragjike.”63

Plaku Monson e diskutoi këtë situatë dhe zgjidhjet e mundshme me Presidencën e Parë dhe udhëheqës të tjerë në Solt-Lejk-Siti. Në pranverën e vitit 1978, Presidenti Spenser W. Kimball i tha atij se Zoti nuk do t’ua mohonte bekimet e tempullit këtyre anëtarëve dhe më pas ai buzëqeshi dhe tha: “Gjeje mënyrën”64.

Shpejt pas kësaj, erdhi një zbulim. Ndërsa Henri Burkhardi vazhdoi me peticionin ndaj udhëheqësve të qeverisë për t’i lejuar familjet të shkonin në tempullin në Zvicër, ata e pyetën atë: “Përse nuk ndërtoni një tempull këtu?”65 Henri u shtang që qeveria, e cila i kishte mbikëqyrur veprimtaritë fetare nga afër për vite, do të lejonte që Kisha të ndërtonte një tempull që do të hapej vetëm për anëtarët që kishin një rekomandim tempulli.

Kisha e pranoi ofertën dhe gradualisht Zoti hapi udhën për ndërtimin e një tempulli në Republikën Demokratike të Gjermanisë. U mor toka në Frajberg dhe Plaku Monson kryesoi në fillimin e punimeve më 23 prill 1983. “Kjo është një mrekulli mbi mrekullitë”, – u ngazëllye ai. “[Ndiej] gëzim në zemër e shpirt.”66 Pak më shumë se dy vite më vonë, më 29 dhe 30 qershor 1985, Presidenti Gordon B. Hinkli përkushtoi Tempullin e Frajbergut në Gjermani dhe thirri Plakun Monson që të ishte folësi i parë. Duke shprehur ndjenjat e tij për këtë ngjarje historike, Plaku Monson shënoi në ditarin e tij:

“Sot shënohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës sime. … Ishte e vështirë që t’i kontrolloja emocionet ndërsa flisja, pasi më vërshonin në mendje shembuj besimi të shenjtorëve të përkushtuar të kësaj pjese të botës. Shpesh njerëzit do të pyesin: ‘Si ka qenë e mundur që Kisha të merrte leje për të ndërtuar një tempull pas Perdes së Hekurt?’ Mendimi im është thjesht se besimi dhe përkushtimi i shenjtorëve tanë të ditëve të mëvonshme në atë zonë solli ndihmën nga Perëndia i Plotfuqishëm dhe u siguroi atyre bekimet e përjetshme të cilat i meritojnë kaq shumë.”67

Pamja
grup përpara Tempullit të Frajbergut në Gjermani

Presidenti dhe Motra Monson gjatë përkushtimit të Tempullit të Frajbergut në Gjermani në qershor 1985. Nga e majta në të djathtë: Emil Fetcer, Elisa Uirthlin, Plaku Jozef B. Uirthlin, Meri Hejls, Plaku Robert D. Hejls dhe çifti Monson.

Atë natë, Plaku Monson reflektoi mbi shërbesën e tij në Republikën Demokratike të Gjermanisë që nga vizita e tij e parë 17 vjet më parë dhe lutja e tij përkushtuese 10 vjet më parë – që kulmoi me përkushtimin e një tempulli. Ndonëse ai ishte në qendër të “një prej kapitujve më historikë dhe të mbushur me besim në historinë e Kishës”, ai shkroi se “i gjithë nderimi dhe lavdia i takojnë Atit tonë Qiellor, sepse vetëm nëpërmjet ndërhyrjes së Tij hyjnore kanë ndodhur këto ngjarje”68.

Në vitin 1982 ishte organizuar në Frajberg kunji i parë në Republikën Demokratike të Gjermanisë. Dy vite më vonë, Plaku Monson dhe Plaku Robert D. Hejls krijuan kunjin e dytë, në Laipcik. Me këtë, të gjithë anëtarët e Kishës në vend ishin pjesë e një kunji të Sionit.

Mbeti edhe një bekim më tepër për t’u realizuar: leja që misionarët nga kombet e tjera të jepnin mësim ungjillin në Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe që misionarët nga ai komb të shërbenin në kombe të tjera. Në vitin 1988, Presidenti Monson kërkoi leje të drejtpërdrejtë nga Erik Honekeri, udhëheqësi i vendit.

Kur Presidenti Monson dhe grupi i tij mbërritën, z. Honeker tha: “Ne e dimë që anëtarët e Kishës suaj besojnë te puna; e keni vërtetuar atë. E dimë se besoni te familja; e keni treguar atë. E dimë se jeni qytetarë të mirë në cilindo vend që e quani shtëpi; e kemi vërejtur atë. Tani është radha juaj. Na i bëni të ditura dëshirat.”69

Mes gjërave të tjera, Presidenti Monson shprehu mirënjohje për lejen për të ndërtuar Tempullin e Frajbergut. Ai më pas tregoi se si thuaje 90 000 njerëz kishin marrë pjesë në shtëpinë e hapur të tempullit dhe dhjeta mijëra më tepër kishin marrë pjesë në shtëpitë e hapura në godinat e reja kishtare në Laipcik, Dresden dhe Cvikau. “Ata duan të dinë se çfarë besojmë ne”, – tha ai. “Do të donim t’u tregonim atyre se ne besojmë te respektimi dhe bindja dhe përkrahja e ligjit të vendit. Do të donim të shprehnim dëshirën tonë për të arritur njësi të forta familjare. Këto janë vetëm dy prej bindjeve tona.”

Presidenti Monson shpjegoi nevojën për misionarë, më pas vazhdoi: “Të rinjtë dhe të rejat të cilët do të donim të vinin në vendin tuaj si përfaqësues të misionarëve, do ta donin kombin tuaj dhe popullin tuaj. Më veçanërisht, ata do të linin një ndikim te populli juaj që do të ishte fisnikërues.”

Kërkesa e fundit e Presidentit Monson ishte që “të rinjtë dhe të rejat nga kombi juaj të cilët janë anëtarë të Kishës sonë, [të] shërbejnë si përfaqësues të misionarëve në shumë kombe, të tilla si në Amerikë, në Kanada dhe në një mori vendesh të tjera”. Ai premtoi se kur këta misionarë të ktheheshin në shtëpi, ata do të ishin “më të përgatitur për të marrë pozicione përgjegjësie në vendin tuaj”.

Kur Presidenti Monson e mbaroi fjalën e tij, z. Honeker foli rreth 30 minuta. Presidenti Rasëll M. Nelson, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, tha se “të gjithë pritën … tërë ankth” të dëgjonin se si kryetari Honeker do t’i përgjigjej kërkesës.70 Përfundimisht ai tha: “Ne ju njohim. Kemi besim te ju. Kemi pasur përvojë me ju. Kërkesa juaj për punë misionare miratohet.” Presidenti Monson tha se kur ai i dëgjoi ato fjalë, shpirti “i gufoi në gjoks”71.

Në mars të vitit 1989, misionarët kohëplotë nga jashtë Republikës Demokratike të Gjermanisë filluan të shërbenin atje për herë të parë pas 50 vjetësh. Në maj të vitit 1989, 10 misionarët e parë nga ai shtet hynë në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo të Jutës. Qeveria nuk vendosi kufizime për vendin se ku mund të shërbenin.72

Përmes shumë mrekullive gjatë një harku kohor prej 20 vjetësh, premtimet që Plaku Monson kishte bërë në një magazinë të vjetër në vitin 1968 – dhe bekimet për të cilat ishte lutur kur përkushtoi Republikën Demokratike të Gjermanisë në vitin 1975 – u përmbushën. Lidhur me këto bekime, vite më vonë ai shënoi në ditarin e tij: “Kam mësuar nga përvoja se çastet më të vështira për njeriun nuk janë veçse mundësi për Perëndinë. Jam një dëshmitar i gjallë i asaj se si dora e Zotit është shfaqur për t’u kujdesur për anëtarët e Kishës në ato vende që dikur sundoheshin nga komunistët.”73

Botime të Reja të Shkrimeve të Shenjta

Ndërsa ishte në një mbledhje sakramenti kur ishte i ri në moshë, Tom Monsoni dëgjoi një anëtar të presidencës së tij të kunjit të jepte mësim nga seksioni 76 i Doktrinës e Besëlidhjeve në një mënyrë që ngjalli brenda tij dëshirën për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Udhëheqësit e tij të Priftërisë Aarone, të cilët i përshkroi si “burra të urtë dhe të duruar të cilët na mësuan nga shkrimet e shenjta”, gjithashtu e ndihmuan atë të zhvillonte dashuri për shkrimet e shenjta.74 Një nga mësueset e tij të Shkollës të së Dielës, Lusi Gertçi, “solli në klasën e saj si të ftuar nderi Moisiun, Jozueun, Pjetrin, Thomain, Palin dhe sigurisht, Krishtin. Edhe pse nuk i pamë, ne mësuam t’i duam, t’i nderojmë dhe t’i imitojmë ata.”75

Dashuria e tij për shkrimet e shenjta u thellua gjatë shërbimit të tij si peshkop dhe karrierës së tij në shtypshkronjë. Duke ndier se një njohuri më e mirë për shkrimet e shenjta do ta ndihmonte atë si peshkop, ai i lexoi ato të gjitha deri në fund të vitit të parë që mori thirrjen. Në Deseret News Press, “puna më e madhe ishte bërja e porosive për Librin e Mormonit”76. Këto përvoja me shkrimet e shenjta po e ndihmonin atë të përgatitej për një detyrë unike si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Në vitin 1972, Presidenti Harold B. Li e caktoi Plakun Monson që të ishte kryetar i Komitetit të Ndihmës për Studimin e Biblës, të cilit iu kërkua të gjente mënyra për ta përmirësuar studimin e shkrimit të shenjtë mes anëtarëve të Kishës. Ky komitet më vonë u bë Komiteti i Publikimit të Shkrimeve të Shenjta dhe u ngarkua për përgatitjen e botimeve të reja të shkrimeve të shenjta që do ta lehtësonin më shumë studimin. Krijimi i këtyre botimeve të reja kërkonte një përpjekje të gjatë e të vrullshme nga anëtarët e komitetit dhe më shumë se 100 studiues, specialistë kompjuterësh dhe profesionistë të tjerë që punuan nën drejtimin e tyre.

Një detyrë masive ishte të krijonin poshtëshënimet që ndërthurnin referencat‑kryq nga të katër veprat standarde: Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe. Për botimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës, një detyrë tjetër e pamasë ishte krijimi i Topical Guide [Udhëzuesit Tematik], që përbëhej nga më shumë se 2 800 tema për ungjillin me referenca nga studimi i shkrimeve të shenjta për katër veprat standarde. Përveç këtyre, botimi i ri përfshinte Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] dhe pjesë të shkëputura nga Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it. U shkruan krerë të rinj për kapitujt që theksonin përmbajtjen doktrinore dhe u shtuan 24 faqe me harta.

Kur ky botim i Biblës u publikua në vitin 1979, Plaku Monson shkroi se ishte “ndoshta përparimi më domethënës në studimet e Kishës për një shekull”. Ai tha më tej se “sistemi revolucionar i poshtëshënimeve te veprat e tjera standarde”, si dhe Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], e bëjnë atë “një Bibël referimi të pashoqe”77.

Dy vite më vonë, u publikuan botime të reja të Librit të Mormonit, Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Perlës me Vlerë të Madhe. Këto botime përfshinin poshtëshënime të reja, hyrje, krerë të kapitujve, krerë të seksioneve dhe përmbledhje të vargjeve, së bashku me një tregues të zgjeruar që ndërthurte referencat nga të tre librat e shkrimeve të shenjta. Dy seksione të reja iu shtuan Doktrinës e Besëlidhjeve (137 dhe 138), si dhe Deklarata Zyrtare 2.

Pamja
Presidenti Monson me shkrime të shenjta

Presidenti Monson luajti një rol kyç në publikimin e botimeve të reja të shkrimeve të shenjta për ta lehtësuar më shumë studimin.

Plaku Monson e ndjeu dorën udhërrëfyese të Perëndisë gjatë gjithë procesit të përgatitjes së këtyre botimeve të shkrimeve të shenjta. Njerëz me aftësitë e nevojshme erdhën pikërisht në kohën e duhur, ashtu siç erdhën edhe teknologjitë e reja kompjuterike. “Zoti çeli shumë dyer në kohë të ndryshme nevoje ndërsa puna përparonte”, – tha ai, “dhe mrekulli të qeta ndodhën për ta çuar atë përpara.”78

Plaku Monson e drejtoi Komitetin e Publikimit të Shkrimeve të Shenjta për 10 vjet dhe ndjeu se ajo ishte një nga detyrat e tij më domethënëse si Apostull.79 Përfundimisht ai shpresonte se anëtarët e Kishës do t’i përdornin këto botime të reja të shkrimeve të shenjta dhe ndihmat e përmirësuara për studimin për t’u përfshirë në studim më të thellë të shkrimeve të shenjta që do t’i forconte dëshmitë e tyre.

Pasi u publikuan botimet e reja në anglisht, përkthimi në gjuhë të tjera u bë përparësia kryesore. Nga fundi i shërbimit të Presidentit Monson si President i Kishës, Libri i Mormonit ishte përkthyer në 91 gjuhë dhe përzgjedhje nga libri ishin përkthyer në 21 gjuhë të tjera. Në vitin 2009 u publikua gjithashtu varianti i Kishës për Biblën në spanjisht që u bazua te përkthimi i dyshes Reina-Valera.

Këshilltar në Tre Presidenca të Para

Një mëngjes të diele, më 10 nëntor 1985, Tomas S. Monsoni vizitoi një qendër përkujdesjeje për të moshuarit, siç bënte shpesh, për të marrë pjesë në shërbimet e Kishës dhe për t’u sjellë gëzim banorëve të saj. Atë pasdite, ai u mblodh me Apostujt e tjerë në Tempullin e Solt-Lejkut për të riorganizuar Presidencën e Parë pas vdekjes së Presidentit Spenser W. Kimball. Në mbledhje, Ezra Taft Bensoni u shugurua dhe veçua si President i Kishës. Ai thirri Gordon B. Hinklin si Këshilltarin e tij të Parë dhe Tomas S. Monsonin si Këshilltarin e tij të Dytë. Në moshën 58‑vjeçare, Presidenti Monson ishte anëtari më i ri në moshë i Presidencës së Parë në më shumë se 80 vjet.

Pamja
Presidenca e Parë në vitin 1988

Presidenti Monson shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë nga viti 1985 deri në vitin 2008. Këtu ai është fotografuar me Ezra Taft Bensonin (President i Kishës, në qendër) dhe Gordon B. Hinklin (Këshilltar i Parë, majtas) në vitin 1988.

Një nga shumë mundësitë e reja që i erdhën Presidentit Monson, ishte kryesimi në përkushtimet e tempujve. Rreth dy muaj pas thirrjes së tij në Presidencën e Parë, ai përkushtoi Tempullin e Buenos‑Ajresit në Argjentinë. Në ditarin e tij ai shënoi se “zemrat ishin të buta dhe ishte e vështirë t’i mbaje lotët ndërsa anëtarët e Kishës kuptuan se më në fund bekimet e përjetshme që ofrohen në tempull, tani ishin të arritshme”80.

Në qershor të vitit 1986, Presidenti Monson ndihmoi që të krijohej Kunji i Kitçerit në Ontario të Kanadasë, i cili ishte kunji i 1 600 në Kishë. Ai reflektoi mbi shërbimin e tij si president misioni në atë zonë 26 vjet më parë, kur ishte krijuar kunji i 300‑të i Kishës në Toronto. Vitin pasues ai u kthye në Kanadanë lindore për të drejtuar ceremoninë e fillimit të punimeve për Tempullin e Torontos në Ontario dhe në gusht 1990 u kthye sërish për atë që e quajti “ngjarja e gurit kulmor”, përkushtimin e tempullit.81

Si këshilltar në Presidencën e Parë, Presidenti Monson gjithashtu dha thirrje për presidentët e misioneve dhe bashkëshortet e tyre. Ai i përkushtoi kohë të konsiderueshme njohjes me secilin çift, dhënies së këshillave dhe shprehjes së dashurisë së tij. Kur thirri 37‑vjeçarin, Nil L. Andersenin, që të ishte president misioni, ai tha: “Ti je i ri. Mos lejo kurrë që mosha jote e re të jetë justifikim. Jozef Smithi ishte i ri, Shpëtimtari ishte i ri.” Duke i dëgjuar këto fjalë, Plaku Andersen mendoi: “Edhe Tomas Monsoni ishte i ri”82.

Presidenti Ezra Taft Besoni ndërroi jetë më 30 maj 1994, pasi kishte shërbyer për thuajse nëntë vjet si President i Kishës. Kur Presidenca e Parë u riorganizua më 5 qershor, pasardhësi i tij, Hauard W. Hanteri, thirri Gordon B. Hinklin dhe Tomas S. Monsonin që të vazhdonin të shërbenin si këshilltarë. Presidenti Hanter bëri gjithçka mundi për t’u takuar me shenjtorët dhe për t’i forcuar ata, por shëndeti iu dobësua dhe shërbeu si President për vetëm nëntë muaj përpara se të ndërronte jetë më 3 mars 1995.

Më 12 mars Apostujt u mblodhën sërish për të riorganizuar Presidencën e Parë. Gordon B. Hinkli u shugurua dhe u veçua si President i Kishës dhe ai thirri Tomas S. Monsonin dhe Xhejms E. Faustin që të ishin këshilltarët e tij. Presidenti Monson shërbeu në atë pozicion gjatë gjithë shërbesës së Presidentit Hinkli, duke bërë plot 22 vite si këshilltar në Presidencën e Parë.

Presidenti Hinkli udhëtoi më shumë se një milion kilometra në më shumë se 60 vende, duke u bërë Presidenti që udhëtoi më tepër në historinë e Kishës. “[Ai] … po takohet me anëtarët tanë që rrallëherë, në mos asnjëherë, nuk kanë parë një President të gjallë të Kishës”, – kujtoi Presidenti Monson.83 Gjatë këtyre udhëtimeve, Presidenti Monson dhe Presidenti Faust administruan pjesën më të madhe të punës së Presidencës së Parë në zyrat qendrore të Kishës.

Presidenti Monson vazhdoi të udhëtonte për në konferencat rajonale, përkushtimet e tempujve dhe ngjarje të tjera. Në vitin 1995 ai shkoi në Gërlic të Gjermanisë për të përkushtuar një shtëpi mbledhjesh – 27 vite pasi ishte takuar për herë të parë me bashkësinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme atje (shih faqet 23–24). “Mirënjohja ma mbushi zemrën dhe shpirtin për privilegjin që të shikoja dorën e Zotit në bekimin e këtij populli të zgjedhur”, – shënoi ai në ditarin e tij.84 Në vitin 2000, ai kryesoi në më shumë se gjashtë përkushtime tempujsh, njëri prej të cilëve ishte në Tampiko të Meksikës – një qytet ku ai kishte organizuar kunjin e parë 28 vite më parë.

Lidhur me shërbimin e Presidentit Monson si këshilltar i tre Presidentëve të Kishës, Plaku Kuentin L. Kuk shënoi se ai “qartësisht kishte mendime lidhur me çështjet; qartësisht kishte përvojë të madhe. … Për shkak të forcës së personalitetit të tij, nuk ka dyshim se ai do të ketë dhënë këshillat dhe këshillimin e tij më të mirë. Ai e çmonte unitetin, e çmonte besnikërinë, do të bënte që t’i dëgjohej zëri kur të ishte e përshtatshme për ta bërë atë. … Por pasi vendimi merrej, ai e përkrahte plotësisht dhe me gjithë zemër atë. Uniteti i Presidencës së Parë në vendimet e tyre të rëndësishme është një shembull i mrekullueshëm për të gjithë Kishën.”85

President i Kishës

Më 27 janar 2008, Presidenti Monson shkoi buzë shtratit të mikut dhe udhëheqësit të tij të dashur, Gordon B. Hinklit, për t’i dhënë atij një bekim priftërie. Duke filluar nga viti 1963, të dy burrat kishin shërbyer së bashku për më shumë se 44 vjet në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe në Presidencën e Parë. Ata kishin zhvilluar dashuri dhe respekt të thellë për njëri-tjetrin.

Presidenti Hinkli e kishte udhëhequr Kishën me largpamësi, energji dhe frymëzim për thuajse 13 vjet. Në janar të vitit 2008, në moshën 97‑vjeçare, ai vijoi me pjesën më të madhe të veprimtarive të tij, por forcat po e linin. Pasi u largua nga shtrati i Presidentit Hinkli më 27 janar, Presidenti Monson shënoi: “E mbajta prej kyçit të dorës dhe pata një ndjenje të qartë që kjo ishte hera e fundit që do ta shihja Presidentin dhe mikun tim të dashur gjallë në vdekshmëri”86. Presidenti Hinkli ndërroi jetë atë mbrëmje.

“Nuk mund ta shpreh siç duhet se sa shumë më mungon ai”, – tha Presidenti Monson në ceremoninë e varrimit disa ditë më vonë. “Ai ishte profeti, shikuesi dhe zbuluesi ynë, … një ishull qetësie në një det me stuhi. Ai ishte një far për marinarin e humbur. Ai ishte shoku juaj dhe shoku im. Ai na ngushëlloi dhe qetësoi kur kushtet në botë ishin frikësuese. Ai na udhërrëfeu pa devijime në shtegun që do të na drejtojë sërish tek Ati ynë Qiellor.”87

Si një Apostulli me kohën më të gjatë në detyrë, Presidenti Monson e ndjeu peshën e asaj që nënkuptonte për të personalisht vdekja e Presidentit Hinkli. Lidhur me këtë, ai tha: “Zbulova se më e dobishme për mua ishte të gjunjëzohesha dhe ta falënderoja Atin tim Qiellor për jetën, për përvojën, për familjen time dhe më pas t’i kërkoja Atij në mënyrë të drejtpërdrejtë të shkonte përpara fytyrës sime, të ishte në të djathtën time, të ishte në të majtën time dhe shpirti i Tij të ishte në zemrën time dhe engjëjt përreth meje të më ngrinin lart” (shih te Doktrina e Besëlidhje 84:88)88.

Më 3 shkurt 2008, Apostujt u takuan në Tempullin e Solt-Lejkut për të riorganizuar Presidencën e Parë. Në këtë mbledhje, Tomas S. Monsoni u shugurua dhe veçua si President i Kishës, burri i 16‑të që shërbente në atë thirrje. Ai e kishte shqyrtuar me kujdes çështjen e këshilltarëve të tij dhe mori konfirmim nga Zoti për të thirrur Henri B. Ajringun, i cili kishte shërbyer si Këshilltar i Dytë i Presidentit Hinkli pas vdekjes së Presidentit Faust, dhe Diter F. Uhtdorfin, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Pamja
Presidenca e Parë në vitin 2013 në konferencë

Presidenti Tomas S. Monson (në qendër) me këshilltarët e tij, Presidentin Henri B. Ajring (majtas) dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf (djathtas), në konferencën e përgjithshme

Të nesërmen, Presidenti Monson dhe këshilltarët e tij iu drejtuan gazetarëve të lajmeve në Ndërtesën e Zyrave të Kishës. Ndër të tjera ai tha:

“Jam i përulur ndërsa qëndroj sot përpara jush. Dëshmoj se kjo punë në të cilën jemi përfshirë, është puna e Zotit dhe e kam ndier ndikimin e Tij mbështetës. Unë e di se Ai do t’i drejtojë përpjekjet tona ndërsa i shërbejmë Atij me besim dhe zell.

Si Kishë, ne ua shtrijmë dorën jo vetëm njerëzve tanë, por edhe atyre njerëzve mirëdashës kudo në botë me atë shpirt vëllazërie që vjen nga Zoti Jezu Krisht. Ka qenë mundësia ime të punoj disi nga afër me udhëheqës të besimeve të tjera për të zgjidhur disa nga sfidat me të cilat përballet komuniteti ynë, dhe në të vërtetë, e gjithë bota. Ne do të vazhdojmë në këtë përpjekje bashkëpunuese.”

Duke iu referuar unitetit që ai dhe Presidenti Hinkli kishin zhvilluar pas dekadash shërbimi së bashku, ai vazhdoi: “Nuk do të ketë asnjë ndryshim të papritur nga kurset që kemi ndjekur. … Ne do ta vazhdojmë zotimin e atyre që janë larguar përpara nesh për ta dhënë mësim ungjillin, për të nxitur bashkëpunim me njerëzit në të gjithë botën dhe për të dhënë dëshmi për jetën dhe misionin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”89

Anëtarët e Kishës e mbështetën Presidentin Monson si profet, shikues dhe zbulues në një mbledhje solemne në konferencën e përgjithshme të prillit 2008. Në fjalimin e tij të parë drejtuar anëtarësisë së përgjithshme të Kishës, mesazhet e tij ishin disa që kishin qenë dhe do të vazhdonin të ishin, përqendrimi i shërbesës së tij. Ai i ftoi anëtarët e Kishës të cilët nuk ishin duke marrë pjesë, që të “ktheh[eshin]” dhe t’i gëzonin frytet e shoqërimit. Duke iu referuar shembullit të Shpëtimtarit për të bërë mirë, ai tha: “[E] ndjek[sh]im atë shembull të përsosur”. Ai i nxiti anëtarët e Kishës të “tregojnë mirësi dhe respekt për të gjithë njerëzit kudoqofshin”. Ai i nxiti ata më tej që t’i bë[nin] shtëpitë e tyre shenjtërore “ku Shpirti i Perëndisë mund të [ban]ojë, … ku dashuria [të] mbretëro[jë]”.

Lidhur me “dhembj[en] e zemrave të thyera, zhgënjimi[n e] ëndrrave të prishura dhe dëshpërimi[n e] shpresave të venitura”, ai iu përgjërua anëtarëve që të ktheheshin tek Ati Qiellor me besim. “Ai do t’ju [lartësojë] dhe udhëheqë”, – premtoi Presidenti Monson. “Ai jo gjithmonë do t’i largojë vuajtjet prej jush, por Ai do t’ju ngushëllojë dhe udhëheqë me dashuri nëpër çfarëdo stuhie me të cilën përballeni.”90

Tempujt – Fenerë për Botën

Presidenti Monson shpesh tha se “asnjë godinë e ndërtuar nga Kisha nuk është më e rëndësishme sesa një tempull”91. Për shkak se shumë bekime për të gjallët dhe të vdekurit janë në dispozicion vetëm në tempuj, ai dëshironte t’i bënte këto ndërtesa të shenjta sa më të arritshme për anëtarët e Kishës. Vetëm në tempuj, dha mësim ai, anëtarët mund të marrin bekimet kurorëzuese që Kisha ka për të ofruar.92

Presidenti Monson dëshironte veçanërisht që anëtarët të merrnin ordinancat e tempullit që i lejojnë “marrëdhëniet [të] vulosen së bashku që të zgjasin nëpër përjetësitë”93. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e punës që kryhet për të vdekurit në tempuj. Duke thënë se Perëndia po e përshpejton punën e Tij në botën e shpirtrave, ai u bëri thirrje anëtarëve të Kishës të ndihmonin duke bërë punë për historinë familjare dhe duke kryer ordinancat me mëkëmbës në tempull për të afërmit e tyre të vdekur.94 Presidenti Monson gjithashtu dha mësim se tempujt janë shenjtërore ku anëtarët mund të marrim udhërrëfim qiellor, pavarësisht nga stuhitë e jetës, dhe forcë për t’i duruar sprovat e për t’i bërë qëndresë tundimit.

Kisha kishte 12 tempuj në funksionim kur Presidenti Monson u thirr si Apostull në vitin 1963. Gjatë shërbimit të tij si këshilltar në Presidencën e Parë, ai mori pjesë në një përshpejtim të jashtëzakonshëm të ndërtimit të tempujve. Në kohën që u bë President i Kishës në vitin 2008, kishte 124 tempuj. Gjatë shërbesës së tij si President, ai e vazhdoi këtë ritëm të përshpejtuar, duke njoftuar 45 tempuj të rinj në 21 vende. Një vit pasi u bë President, ai përkushtoi Tempullin e Reksburgut në Ajdaho, tempullin e parë nga 46 tempujt që u përkushtuan ose ripërkushtuan gjatë presidencës së tij. Ai personalisht përkushtoi dhe ripërkushtoi 19 prej tyre, përfshirë Tempullin e Kievit në Ukrainë që ishte tempulli i parë i ndërtuar në një komb të ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti Monson dha mësim se një element i sakrificës lidhet gjithmonë me tempujt dhe ai premtoi se anëtarët e Kishës do të bekoheshin për bërjen e sakrificave të tilla. Për disa njerëz, ai tha: “Sakrifica juaj mund të jetë që ta përshtasni jetën me atë çfarë kërkohet për të marrë një rekomandim”95. Për të tjerë: “Sakrifica që mund t’ju duhet të bëni, është që të lini mënjanë kohë në jetën tuaj të angazhuar, për ta vizituar tempullin rregullisht”96. Duke e nxitur frekuentimin e shpeshtë të tempullit atje ku ishte e mundur, ai nxiti: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, le të bëjmë çfarëdo sakrificash të nevojshme për t[a frekuentuar] tempull[in]”97.

Puna Misionare

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2012, Presidenti Monson bëri një njoftim të rëndësishëm se të rinjtë dhe të rejat do të kishin të drejtën për të shërbyer në misione në mosha më të reja. Të rinjtë e denjë dhe të aftë mund të “rekomandohe[shin] për shërbim misionar duke filluar nga mosha 18 vjeç në vend të moshës 19 vjeç”. Të rejat e denja dhe të afta që dëshironin të shërbenin, mund të “rekomandohe[shin] për shërbim misionar duke filluar nga mosha 19 vjeçe në vend të moshës 21 vjeçe”98.

Ky njoftim solli “[një] manifestim shpirtëror të pamohuesh[ë]m”, – tha Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Në konferencën e përgjithshme të prillit 2013, ai raportoi se shumë individë i ishin përgjigjur menjëherë kësaj mundësie të re:

“Të enjten pas konferencës, unë u caktova t’i rekomandoja Presidencës së Parë thirrjet për mision. U mahnita të shihja kërkesat e meshkujve 18-vjeçarë dhe vajzave 19-vjeçare, që tanimë i kishin rregulluar planet e tyre, i kishin vizituar doktorët e tyre, ishin intervistuar nga peshkopët dhe presidentët e kunjeve të tyre dhe i kishin d[orëzuar] kërkesat e tyre për punë misionare – të gjitha në vetëm pesë ditë. Mijëra më shumë tani i janë bashkuar atyre.”99

Pamja
misionarë duke studiuar

Njoftimi i Presidentit Monson se të rejat dhe të rinjtë mund të rekomandoheshin për shërbim misionar në moshë më të re, çoi në një rritje të madhe të numrit të misionarëve.

Gjashtë muaj pas njoftimit, Presidenti Monson tha se “reagimi i rinisë sonë ka qenë i mahnitshëm e frymëzues”. Forca misionare u rrit nga 59 000 në 65 000 veta, me 20 000 të tjerë që i kishin marrë thirrjet e tyre.100 Numri i misionarëve vazhdoi të rritej derisa arriti kulmin me 88 000 misionarë në vitin 2014.101 Ai numër u ul kur vala e parë e misionarëve u kthyen në shtëpi dhe në fund të vitit 2017, 68 000 misionarë po shërbenin në të gjithë botën.

Numri i misionarëve me shërbim në Kishë gjithashtu u rrit gjatë mandatit të Presidentit Monson nga rreth 12 000 në vitin 2008 në më shumë se 33 000 veta. Misionarët me shërbim në Kishë i përkrahën të gjithë sektorët e Kishës, përfshirë shërbimin në veprimtaritë për mirëqenien, punën për historinë familjare, zyrat e misionit, kampet e pushimit dhe shumë fusha të tjera.

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Përkujdesja për njerëzit nevojtarë ka qenë përherë përqendrimi i Kishës së Jezu Krishtit. Profeti Jozef Smith tha: “[Një anëtar i Kishës] duhet të ushqejë të uriturin, të veshë të zhveshurin, të sigurojë për të venë, të thajë lotët e jetimit, të ngushëllojë të pikëlluarin, qoftë në këtë kishë, apo në cilëndo tjetër, apo në asnjë kishë, kudo që t’i gjejë ata”102. Presidenti Monson jetoi, dha mësim dhe drejtoi sipas këtyre fjalëve. “Zhvillova shumë herët në jetë shpirtin e dhembshurisë për të tjerët që mund të jenë në nevojë, pavarësisht nga mosha ose rrethana”, – tha ai.103

Në vitin 1936, Presidenca e Parë kishte njoftuar për një program për mirëqenien për të ndihmuar në përkujdesjen e njerëzve nevojtarë. Në atë kohë, një numër i madh njerëzish ishin të papunë dhe të varfër për shkak të Depresionit të Madh. Programi i Kishës për mirëqenien ishte “një zbatim në kohët moderne i parimeve të përjetshme”, të tilla si puna, mbështetja te vetja, administrimi me mençuri i financave, përgatitja dhe shërbimi.104 Vënia në zbatim e këtyre parimeve trajton si nevojat e menjëhershme edhe mirëqenien afatgjatë shpirtërore dhe fizike për çdo person, duke i bekuar ata që japin dhe ata që marrin.

Ndërsa shërbeu si peshkop nga viti 1950 deri në 1955‑ën, Presidenti Monson pa drejtpërdrejt se si programi i Kishës për mirëqenien ndihmoi në zbutjen e kthetrave të urisë dhe dëshpërimit nga nevojat. Ky plan, tha ai, “frymëzohet nga Perëndia i Plotfuqishëm. Në të vërtetë, Zoti Jezu Krisht është Arkitekti i tij.”105 Ai merrte mësime për parimet e mirëqenies nga mësues për të cilët tha se ishin të dërguar nga qielli. Një herë, J. Ruben Klarku, i Presidencës së Parë, i lexoi atij ndodhinë nga Dhiata e Re të vejushës nga Naini, më pas i mbylli shkrimet e shenjta dhe tha, duke lotuar: “Tom, trego dashamirësi ndaj vejushave dhe kujdesu për të varfrit”106. (Shih te Lluka 7:11–15.) Presidenti Monson i nguliti ato fjalë në zemër.

Gjatë 22 viteve të tij si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe 22 viteve si këshilltar në Presidencën e Parë, ai ishte një forcë lëvizëse në zgjerimin e shtrirjes së përpjekjeve të Kishës për mirëqenien. Ai ishte gjithashtu një ndikim udhërrëfyes në përmirësimin e atyre përpjekjeve. “Ne si Kishë kemi vazhduar të marrim drejtim hyjnor [për çështjet e mirëqenies], si ta kenë kërkuar rrethanat”, – tha ai. “Programet dhe procedurat e përdorura për t’i vënë në zbatim parimet e mirëqenies, kanë ndryshuar dhe me gjasë do të vazhdojnë të ndryshojnë herë pas here për të përmbushur nevojat që ndryshojnë. Por parimet bazë nuk ndryshojnë. Ato nuk do të ndryshojnë. Ato janë të vërtetat e zbuluara.”107

Pamja
vullnetarë në Peru

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Monson ishte një forcë lëvizëse në zgjerimin e shtrirjes së përpjekjeve të Kishës për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë.

Në vitin 1981, Presidenti Spenser W. Kimball njoftoi se “misioni i Kishës është i trefishtë”: të shpallë ungjillin, t’i përsosë shenjtorët dhe t’i shëlbejë të vdekurit.108 Presidenti Monson dëshironte të shtonte “përkujdesjen për të varfrit dhe nevojtarët” si pjesën e katërt të misionit të Kishës dhe Presidenca e Parë e miratoi atë shtesë në vitin 2008 dhe e zyrtarizoi në botimin e manualit të ri të Kishës në vitin 2010.109 Në vend që t’u referohej këtyre katër përpjekjeve madhore si “misioni” i Kishës, manuali i ri iu referua atyre si “përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore”110.

Rezultatet e këtij theksimi ishin me ndikim të gjerë. Anëtarët e Kishës iu përgjigjën me bujari thirrjes për të ofruar ndihmë për nevojat humanitare në shkallë të gjerë, duke e lejuar Kishën ta dyfishonte ndihmën e saj humanitare gjatë shërbimit të Presidentit Monson. Kjo ndihmë përfshinte sjelljen e ujit të pastër për miliona njerëz, sigurimin e karrocave për invalidë për qindra mijëra veta dhe dhënien e kujdesit për shikimin për të ndihmuar në parandalimin dhe trajtimin e verbërisë. Ajo gjithashtu përfshinte ushqimin dhe veshjet, kujdesin për nënat dhe të porsalindurit, trajnimin dhe pajisjet mjekësore, pajisjet arsimore dhe fushatat për imunizimin.111

“Unë jam thellësisht mirënjohës që si Kishë ne vazhdojmë të dërgojmë ndihmë humanitare kudo ku ka nevojë të madhe”, – tha Presidenti Monson. “Ne kemi bërë shumë në lidhje me këtë dhe kemi bekuar jetën e mijëra e mijëra fëmijëve të Atit tonë, që nuk janë të besimit tonë, ashtu si edhe [të] atyre që janë. Ne synojmë të vazhdojmë të ndihmojmë kudo që [një ndihmë e tillë nevojitet].”112

Disa nga përgjigjet më domethënëse të Kishës për urgjencat që lidhen me katastrofat, ndodhën nën udhëheqjen e Presidentit Monson. Ai u tha anëtarëve të Kishës: “Kontributet tuaja në fondet e Kishës, na mundësojnë të përgjigjemi thuajse menjëherë kur ndodhin katastrofa kudoqoftë në botë. Ne jemi thuajse gjithmonë ndër të parët në vendngjarje, për të dhënë çfarëdo ndihme që mundemi.”113

Si shembull, ai tregoi përgjigjen e Kishës pasi një tërmet goditi Haitin në vitin 2010, duke vrarë dhe lënduar qindra e mijëra njerëz: “Brenda një ore pasi ra tërmeti …, Kisha ishte në lëvizje, duke dërguar menjëherë furnizime për ndihmë. Ne ofruam ujë, ushqime, furnizime mjekësore, komplete për higjienën dhe artikuj të tjerë. Ne dërguam ekipe doktorësh dhe infermierësh për të ofruar kujdesin kaq të nevojshëm mjekësor.”114

Bashkë me përgjigjen për ndihmë dhe urgjencë që Kisha ofroi si organizatë, Presidenti Monson ishte mirënjohës për mijëra anëtarë që dhanë nga vetja e tyre – burimet e tyre, kohën dhe njohuritë e tyre – për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Në fjalimin e tij të hapjes së konferencës së përgjithshme të prillit 2011, ai raportoi shkurtimisht për tonelatat e furnizimeve që Kisha i kishte dërguar pas tërmetit shkatërrues dhe cunamit në Japoni. Megjithatë, pjesa më e madhe e raportit të tij, ishte rreth shërbimit përkujdesës ndaj individëve:

“Të rinjtë tanë në moshë madhore beqarë kanë dhënë vullnetarisht kohën e tyre për të gjetur anëtarët e humbur duke përdorur internetin, [mediat] shoqërore dhe mjete të tjera moderne të komunikimit. Anëtarët po shpërndajnë ndihma, me motoçikleta të siguruara nga Kisha, në zona që është e vështirë të arrihen me automjete. Projekte shërbimi për të paketuar komplete higjiene dhe komplete pastrimi janë organizuar në kunje e lagje të shumta në Tokio, Nagoja dhe Osaka. Deri tani, më shumë se 40 000 orë shërbimi janë dhuruar nga më shumë se 4 000 vullnetarë.”115

Gjatë kohës së Tomas S. Monsonit si President, anëtarët e Kishës dhuruan mesatarisht më shumë se 7 milionë orë në vit për shërbimin në godinat e mirëqenies. Çdo vit, mesatarisht rreth 10 000 vullnetarë ofruan një sërë shërbimesh anekënd botës. Kisha është përgjigjur edhe për qindra katastrofa – tërmete dhe tornado, uragane dhe cuname, zjarre dhe përmbytje, uri dhe kriza të refugjatëve – në rreth 89 vende çdo vit.116

Mbështetja te vetja është një parim tjetër për mirëqenien që Presidenti Monson e theksoi për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. “Mbështetja te vetja … i përkrah të gjitha praktikat e tjera të mirëqenies”, – dha mësim ai. “Ajo është një element thelbësor për mirëqenien tonë shpirtërore si edhe materiale.”117 Në vitin 2012, Presidenca e Parë autorizoi nismën për mbështetjen te vetja për vendet jashtë Amerikës Veriore, për t’i ndihmuar individët dhe familjet që të përmirësonin arsimimin e tyre, për të siguruar punësim më të mirë, për të filluar dhe rritur biznesin dhe për të administruar më mirë financat e tyre. Brenda katër viteve, më shumë 500 000 anëtarë të Kishës në më shumë se 100 kombe kishin marrë pjesë në këtë nismë.118 Për shkak të suksesit të saj, në vitin 2015 Presidenca e Parë e vuri në dispozicion nismën për mbështetjen te vetja edhe në Amerikën Veriore.

Frensisi – Një Shoqe e Përkushtuar

“E falënderoj Atin tim në Qiell për shoqen time të ëmbël, Frensisin”, – tha Tomas S. Monsoni në konferencën e përgjithshme kur u mbështet si President i Kishës. “Nuk mund të kisha pa[s]ur një shoqe më besnike, të dashur dhe mirëkuptuese.”119

Pamja
Presidenti dhe Motra Monson

Presidenti Tomas S. Monson dhe Motra Frensis Monson, 2009

Përgjegjësitë e mëdha të Presidentit Monson në Kishë filluan më pak se dy vjet pasi ai dhe Frensisi u martuan, kur u thirr si peshkop. Këto përgjegjësi u intensifikuan gjatë gjithë jetës së tij dhe gjithashtu kërkuan shumë edhe nga Motra Monson. Ajo e dha me gëzim përkrahjen e saj. “Nuk ka qenë asnjëherë një sakrificë ta shihja bashkëshortin tim të bënte punën e Zotit”, – tha ajo. “Ajo më ka bekuar mua dhe i ka bekuar edhe fëmijët tanë.”120

Duke e pranuar këtë besnikëri, Presidenti Monson tha: “Nuk kam marrë gjë tjetër përveç përkrahjes dhe nxitjes nga Frensisi”121. Udhëtimet e tij për të përmbushur detyrat e Kishës ndonjëherë kërkonin që ai të ishte larg shtëpisë për periudha të gjata, duke e lënë Frensisin të vetme që të kujdesej për fëmijët e tyre. “Duke filluar që kur u thirra si peshkop në moshën 22‑vjeçare, ne rrallë kemi patur luksin të ulemi bashkë gjatë një shërbese në Kishë”, – tha Presidenti Monson.122 Ai gjithashtu vuri në dukje se “në çdo thirrje kam zbuluar vazhdimisht aftësi dhe talente të reja tek [ajo]”123.

Vajza e Monsonit, Eni, kujtoi se si nëna e saj e drejtoi familjen ndërsa babai ishte larg shtëpisë për shërbimet e Kishës:

“Shumë herë babai do të udhëtonte për misione anekënd botës. … Nëna na përçoi [mesazhin] se ai po bënte detyrën e tij dhe se ne do të ishim nën vëzhgim dhe mbrojtje kurdoherë që ai ishte larg. Ajo na e komunikoi këtë mesazh jo vetëm me fjalë por nëpërmjet mënyrës së saj të qetë duke u siguruar se çdo gjë që duhej bërë, gjithmonë përmbushej. … Ndërsa reflektoj për bekimet e shumta që kam marrë si bijë e një Apostulli të Zotit, bekimi që ka më shumë domethënie për mua, është dhurata dhe bekimi i gruas me të cilën ai u martua, nëna ime.”124

Motra Monson pati disa probleme të rënda shëndetësore gjatë viteve të fundit të jetës së saj dhe Presidenti Monson bëri gjithçka mundi për t’u kujdesuar për të derisa ajo ndërroi jetë më 17 maj 2013, në moshën 85‑vjeçare. Në konferencën e përgjithshme të radhës, ai foli me dhembshuri për vdekjen e saj dhe më pas shprehu dëshminë e tij për jetën e përjetshme:

“Ajo ishte dashuria e jetës sime, njeriu im i besuar dhe shoqja ime më e ngushtë. Të them që më mungon, as nuk fillon ta përçojë thellësinë e ndjenjave të mia. …

Ngushëllimi më i madh për mua gjatë kësaj kohe të dhimbsur të ndarjes, ka qenë dëshmia ime për ungjillin e Jezu Krishtit dhe njohuria që kam se e dashura ime, Frensisi, jeton ende. E di se ndarja jonë është e përkohshme. Ne u vulosëm në shtëpinë e Perëndisë nga dikush me autoritet për të lidhur në tokë e në qiell. E di se një ditë do të ribashkohemi dhe nuk do të ndahemi më kurrë. Kjo është njohuria që më mban.”125

Kisha në Zhvillim

“Kisha vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të ndryshojë jetën e gjithmonë e më shumë njerëzve çdo vit”, – tha Presidenti Monson në fjalën e tij të hapjes në konferencën e përgjithshme të tetorit 2013.126 Kur u bë President i Kishës, kishte 13,2 milionë anëtarë. Kisha u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë kohës së tij si President, me anëtarësinë që u rrit në 16 milionë veta, kunjet që u rritën në numër nga 2 791 në 3 322 dhe tempujt që u rritën në numër nga 124 në 159. Në njëzet e një vende u organizua kunji i tyre i parë gjatë këtyre viteve, duke treguar një dimension tjetër të rritjes së Kishës.

Presidenti Monson theksoi se rritja e Kishës kërkon shërbim, sakrificë dhe shembull të mirë nga anëtarët e Kishës. “Ne … u dërguam në tokë në këtë kohë që të mund të marrim pjesë në përshpejtimin e kësaj vepre të madhe”, – tha ai.127 Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rritjes dhe përparimit vetjak të çdo personi.

Dëshmia për Jezu Krishtin

“Shikoni mirësinë tek ata sy. Shikoni ngrohtësinë në të shprehur. Kur përballem me situata të vështira, shpesh e shoh atë dhe i bëj vetes pyetjen: ‘Çfarë do të bënte Ai?’ Më pas jam përpjekur të përgjigjem sipas rrethanave.”128 Presidenti Monson po bisedonte me Plakun Xhefri R. Holland rreth pikturës së tij të parapëlqyer të Shpëtimtarit nga Hajnrih Hofmani, e cila ishte pozicionuar direkt përballë tavolinës së tij. “Ndiej forcë kur e kam pranë vetes.”

Pamja
pikturë e Jezu Krishtit

Presidenti Monson mori forcë dhe frymëzim nga kjo pikturë e Jezu Krishtit nga Hajnrih Hofmani.

Presidenti Monson fillimisht e kishte një kopje të shtypur të kësaj pikture në zyrën e tij si peshkop në ndërtesën e Lagjes së vjetër Gjashtë–Shtatë. Më pas e mori me vete në Kanada, kur shërbeu si president misioni. Ai kishte të njëjtën kopje të shtypur në zyrën e tij kur u thirr si Apostull, më pas e çoi nga një vend në një tjetër derisa, më në fund, e vari në zyrën e tij kur ishte President i Kishës. “Jam përpjekur ta modeloj jetën time sipas Mësuesit”, – i tha Presidenti Monson Plakut Holland. “Sa herë më është dashur … të mat kërkesën për të dhënë një bekim kundrejt kërkesave të pafundme për disa prej dokumenteve të punës, përherë kam parë atë pikturë dhe e kam pyetur veten: ‘Çfarë do të bënte Ai?’ Më pas, me një buzëqeshje, ai shtoi: ‘Mund të të siguroj se zgjedhja nuk ka qenë kurrë që të qëndroj dhe të plotësoj dokumentet e punës!”129

Presidenti Monson gjithashtu merrte këndvështrime nga piktura kur i duhej të bënte gjykime të vështira. Ai do të përsiaste: “Në këtë dorë ka mëshirë, [dhe] në këtë dorë ka drejtësi. Nga peshon më tepër?” Kur shihte pikturën dhe mendonte për atë që do të bënte Shpëtimtari, ai në përgjithësi zgjidhte mëshirën.130

“Piktura … është më shumë sesa një kujtues i asaj se kush është ‘guri i shoqes’ (Efesianëve 2:20) i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha Plaku Holland. “Është më tepër sesa një deklaratë, se burri që thirret për të qenë President i Kishës, pritet të jetë kryetari mes dëshmitarëve të gjallë të Shpëtimtarit. Piktura përfaqëson një ideal – Mësuesin të cilin e kishte si model në jetën e tij Tomas Monsoni. ‘Më pëlqen shumë ajo pikturë’, – tha Presidenti Monson ndërsa e vështroi atë sërish.”131

Presidenti Monson e dha dëshminë e tij për misionin hyjnor të Shpëtimtarit në të gjithë botën për më shumë se pesë dekada. Jeta e tij ishte gjithashtu një shprehje e asaj dëshmie. Duke jetuar sipas një shkrimi të shenjtë që e citonte shpesh kur nxiste dishepullim më besnik, ai sikurse Shpëtimtari “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Qëllimi i tij ishte që gjithmonë t’i ndihmonte njerëzit të ndërtonin besim te Jezu Krishti në mënyrë që ata të mund të përjetonin bekimet e atij besimi – ngushëllim, paqe, forcë, shpresë, gëzim dhe ekzaltim.

Pak muaj përpara se të bëhej President i Kishës, Presidenti Monson dëshmoi:

“Me gjithë zemrën dhe zjarrin e shpirtit tim, unë e ngre zërin për të dëshmuar si dëshmitar i veçantë dhe shpall se Perëndia jeton vërtet. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri në mish nga Ati. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Është Ai që vdiq mbi kryq për të shlyer [për] mëkatet tona. Ai u bë fryti i parë i Ringjalljes. Për shkak se Ai vdiq, të gjithë do të jetojnë përsëri. ‘Ç’gëzim më jep, oh kjo fjali: “E di [jeton] Shëlbuesi im!”’ [“E Di, Jeton Shëlbuesi im”, Himne, nr. 74].”132

Përfundimi i Punës së Zotit

Tomas S. Monsoni shërbeu si President i Kishës për afro 10 vjet, derisa u nda nga jeta më 2 janar 2018, në moshën 90‑vjeçare. Ai ka shërbyer për 54 vite së bashku në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, si këshilltar në Presidencën e Parë dhe si President. Vetëm katër burra kanë shërbyer më gjatë në ato pozicione. “[Ai] ndikoi në jetën dhe i dha formë fatit të miliona njerëzve përreth botës”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson në shërbimin e tij funeral.133

Ndërsa Kisha u rrit nga 2,1 milionë anëtarë kur ai u shugurua Apostull, në 16 milionë anëtarë gjatë kohës që ai kryesoi, Tomas S. Monsoni e vazhdoi shërbesën e tij gjatë gjithë jetës ndaj individëve. Ai i nxiti të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Presidenti Nelson citoi disa prej shprehjeve të tij të shpeshta lidhur me këtë:

“Dërgoj[ini një] shënim mikut që e keni lënë pas dore”.

“Përqafoj[e]ni fëmijë[n tuaj].”

“Thoni më shpesh ‘Të dua’.”

“Shprehini gjithmonë falënderimet tuaja.”

“Mos lejoni kurrë që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta duash.”

Duke vazhduar, Presidenti Nelson tha: “Presidenti Monson … mishëronte vetëmohimin. Ai personifikoi deklaratën e Zotit, i cili tha: ‘Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj’ [Mateu 23:11]. Ai dha nga koha e vet për të vizituar, bekuar dhe për t’u dhënë dashuri të tjerëve. Dhe në periudhën kur ra fizikisht, ai vazhdoi të jepte shërbesë, duke bërë vizita të shpeshta në spitale dhe qendra për të moshuarit.”134

Të kërkuarit që të ishte në punën e Zotit ishte një mënyrë jetese që Tomas S. Monsoni e mësoi dhe e jetoi kur ishte djalosh, peshkop, president misioni, apostull dhe profet. “Doja që Zoti të dinte … se nëse do të donte që të bëhej diçka, ai mund të mbështetej te Tom Monsoni”, – tha ai.135 “Atje ku ka nevojë dhe atje ku ka vuajtje, atje do të doja të isha për të dhënë një dorë ndihmuese.”136

Pamja
Presidenti Monson duke përshëndetur me dorë në konferencën e përgjithshme

Presidenti Monson përshëndet me dorë bashkësinë ndërsa largohet nga një sesion i konferencës së përgjithshme të prillit 2008. Ai u mbështet si President i Kishës gjatë kësaj konference.

Qoftë duke bekuar dikë që ishte i sëmurë, duke shpëtuar një të ri, duke u kujdesur për një vejushë, duke ngushëlluar të pikëlluarin ose duke zgjeruar shërbimin humanitar të Kishës, Tomas S. Monsoni u udhërrëfye nga shembulli i Shpëtimtarit dhe përgjërimet e Tij të shumta për dishepullimin. “Ju zhvilloni një vlerësim se Ati Qiellor e di se kush jeni”, – reflektoi ai, “dhe Ai thotë: ‘Ja, shko dhe bëje këtë për mua’. Gjithnjë e falënderoj Atë.”137 Ndërsa Presidenti Monson ua vuri veshin atyre nxitjeve, ai ndërtoi ura në zemrat e individëve dhe çoi besim, shpresë dhe dashuri hyjnore kudo në botë. Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon.

Shënime

  1. Thomas S. Monson journal, 27 prill 1972.

  2. Thomas S. Monson journal, 25 korrik 1982.

  3. On the Lord’s Errand (material filmik), ChurchofJesusChrist.org/study/video/feature-films/2009-09-01-on-the-lords-errand-the-life-of-thomas-s-monson; cituar në Uilliam R. Uolker, “Ndiq Profetin”, Ensign ose Liahona, prill 2014, f. 24.

  4. Thomas S. Monson, “Your Jericho Road”, Ensign, maj 1977, f. 72–73.

  5. Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, te President Thomas S. Monson: Sixteenth President of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints (material shtesë për revistën Ensign, qershor 2008), f. 4.

  6. Te Gerry Avant, “On Lord’s Errand Since His Boyhood”, Church News, 9 shkurt 2008, f. 4; shih edhe “Elder Monson: Caring”, Church News, 23 qershor 1985, f. 4.

  7. Thomas S. Monson, “An Attitude of Gratitude”, Ensign, shkurt 2000, f. 4.

  8. Thomas S. Monson, “Hallmarks of a Happy Home”, Liahona, tetor 2001, f. 6–7.

  9. Te On the Lord’s Errand (material filmik).

  10. Te Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, f. 5.

  11. Tomas S. Monson, “Krishtlindja është Dashuri” (takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2012), ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/christmas-devotional/2012/12/christmas-is-love; shih edhe “The Doorway of Love”, Ensign, tetor 1996, f. 7.

  12. Shih Thomas S. Monson journal, 8 dhjetor 1984.

  13. Shih Tomas S. Monson, “Të Angazhuar me Zell”, Liahona, nëntor 2004, f. 56–57; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, f. 82–83.

  14. Tomas S. Monson, “Të Bekuar me Bollëk”, Liahona, maj 2008, f. 111. Vëllai i gjyshit të Presidentit Monson, Elias Monsoni, shërbeu në Misionin e Suedisë nga viti 1906 deri në vitin 1908.

  15. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 92. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  16. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 131.

  17. Thomas S. Monson, në Conference Report, tetor 1963, f. 14.

  18. Shih Thomas S. Monson, “The Bishop – Center Stage in Welfare”, Ensign, nëntor 1980, f. 89.

  19. Thomas S. Monson, “Yellow Canaries with Gray on Their Wings”, Ensign, gusht 1987, f. 2.

  20. Thomas S. Monson, “The Bishop – Center Stage in Welfare”, f. 90.

  21. Thomas S. Monson, “Stand in Your Appointed Place”, Liahona, maj 2003, f. 57.

  22. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 136.

  23. Shih Thomas S. Monson, “Sugar Beets and the Worth of a Soul”, Ensign, korrik 2009, f. 6–7.

  24. Letër nga Richard Casto, në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 158–159; shih edhe On the Lord’s Errand (material filmik).

  25. Thomas S. Monson journal, 7 korrik 2009.

  26. Thomas S. Monson, “A Provident Plan – A Precious Promise”, Ensign, maj 1986, f. 64.

  27. Thomas S. Monson, On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson (botuar nga ai vetë, 1985), f. 137.

  28. Thomas S. Monson, “A Provident Plan – A Precious Promise”, f. 65. Këto fjalë në gjermanisht përkthehen “vëllai im”. Shih edhe On the Lord’s Errand (material filmik).

  29. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 150.

  30. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 243.

  31. Tomas S. Monson, fjalë të thëna në përkushtimin e Bibliotekës së Historisë së Kishës, 20 qershor 2009, f. 3, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  32. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Man of Action, Man of Faith, Always ‘on the Lord’s Errand’”, Ensign, shkurt 1986, f. 16.

  33. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson”, Ensign, shkurt 1986, f. 17; shih edhe On the Lord’s Errand (material filmik).

  34. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson”, Ensign, shkurt 1986, f. 17.

  35. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, f. 9.

  36. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, f. 8.

  37. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson”, Ensign, shkurt 1986, f. 17.

  38. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 112.

  39. On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson, f. 177.

  40. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 173. Nga Thomas S. Monson, fjalim i dhënë në përkushtimin e Bibliotekës “Harold B. Li”, 15 nëntor 2000, f. 3.

  41. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 184.

  42. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson”, Ensign, shkurt 1986, f. 14.

  43. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 196.

  44. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 186–187; Thomas S. Monson, Faith Rewarded: A Personal Account of Prophetic Promises to the East German Saints (1996), f. 27–28. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  45. Shih On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson, f. 240.

  46. Shih On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson, f. 241.

  47. On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson, f. 207; shih edhe On the Lord’s Errand (material filmik).

  48. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 176.

  49. On the Lord’s Errand: Memoirs of Thomas S. Monson, f. 245–246; shih edhe On the Lord’s Errand (material filmik).

  50. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 216.

  51. Në Gerry Avant, “From Tomboy to Apostle’s Ideal Wife”, Church News, 26 prill 1975, f. 13.

  52. Doktrina e Besëlidhje 107:23.

  53. Thomas S. Monson, në Conference Report, tetor 1963, f. 14; shih edhe pjesën e shkëputur nga materiali filmik të fjalimit në On the Lord’s Errand (material filmik).

  54. Thomas S. Monson, “Mark E. Peterson: A Giant among Men”, Ensign, mars 1984, f. 11.

  55. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 239.

  56. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 411.

  57. Thomas S. Monson, “The Lighthouse of the Lord: A Message to the Youth of the Church”, Ensign, shkurt 2001, f. 6; shih edhe Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 265.

  58. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 274.

  59. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 279.

  60. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 291.

  61. Thomas S. Monson, “Patience – A Heavenly Virtue”, Ensign, nëntor 1995, f. 61.

  62. Shih Thomas S. Monson, Faith Rewarded, f. 35–38.

  63. Thomas S. Monson, “Thanks Be to God”, Ensign, maj 1989, f. 51.

  64. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 309.

  65. Thomas S. Monson, “Thanks Be to God”, f. 51.

  66. Thomas S. Monson, Faith Rewarded, f. 88, 91.

  67. Thomas S. Monson, Faith Rewarded, f. 104–105.

  68. Thomas S. Monson, Faith Rewarded, f. 106.

  69. Thomas S. Monson, “Thanks Be to God”, f. 52.

  70. Russell M. Nelson, “We Are Better Because of Him”, In Memoriam: President Thomas S. Monson, 1927–2018 (material shtesë për revistën Ensign, shkurt 2018), f. 30.

  71. Thomas S. Monson, “Thanks Be to God”, f. 52.

  72. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 334–335.

  73. Thomas S. Monson, Faith Rewarded, f. 165.

  74. Thomas S. Monson, “Who Honors God, God Honors”, Ensign, nëntor 1995, f. 48.

  75. Thomas S. Monson, “Examples of Great Teachers”, Ensign, qershor 2007, f. 108.

  76. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 120.

  77. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 389.

  78. Thomas S. Monson, “Come, Learn of Me”, Ensign, dhjetor 1985, f. 48.

  79. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 385.

  80. Thomas S. Monson journal, 18 janar 1986.

  81. Në “Toronto Temple Dedicated”, Ensign, nëntor 1990, f. 104–105; shih edhe Thomas S. Monson, “Days Never to Be Forgotten”, Ensign, nëntor 1990, f. 67–70.

  82. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 433.

  83. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 471.

  84. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 488–489.

  85. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 467, 470.

  86. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 493.

  87. Në Julie Dockstader Heaps, “He Was a ‘Giant’ of Faith, Love, and Vision”, Church News, 9 shkurt 2008, f. 10.

  88. Në “16th President Fields Questions from Media”, Church News, 9 shkurt 2008, f. 15.

  89. Në “The Lord’s Work Will Continue Forward”, Church News, 9 shkurt 2008, f. 3.

  90. Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 90.

  91. Tomas S. Monson, “Ndërsa Prapë Takohemi”, Liahona, nëntor 2011, f. 5.

  92. Shih Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 93.

  93. Tomas S. Monson, “Ndërsa Prapë Takohemi”, f. 5.

  94. Shih Thomas S. Monson, “Hastening the Work”, Ensign, qershor 2014, f. 4.

  95. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, f. 93.

  96. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, f. 92.

  97. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, f. 94.

  98. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2012, f. 5.

  99. Nil L. Andersen, “Është një Mrekulli”, Liahona, maj 2013, f. 77.

  100. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, maj 2013, f. 5.

  101. Shih Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2014, f. 5.

  102. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 454.

  103. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 132.

  104. Thomas S. Monson, “Guiding Principles of Personal and Family Welfare”, Ensign, shtator 1986, f. 3.

  105. Thomas S. Monson, “The Way of the Lord”, Ensign, nëntor 1977, f. 9.

  106. Thomas S. Monson, “The Bishop – Center Stage in Welfare”, f. 89.

  107. Thomas S. Monson, “Guiding Principles of Personal and Family Welfare”, f. 3.

  108. Spencer W. Kimball, “A Report of My Stewardship”, Ensign, maj 1981, f. 5.

  109. Procesverbalet, mbledhja e Presidencës së Parë, 29 gusht 2008.

  110. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.2.

  111. Shih Welfare Fact Sheets, 2008–2016; dokumentet me fakte për vitet 2012–2016 janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org/topics/welfare/the-church-welfare-plan.

  112. Tomas S. Monson, “Gjersa të Takohemi Përsëri”, Liahona, maj 2009, f. 114.

  113. Tomas S. Monson, “Derisa Të Takohemi Përsëri”, Liahona, nëntor 2008, f. 107.

  114. Në Gerry Avant, “Church Welfare Program”, Church News, 16 prill 2011, f. 4.

  115. Tomas S. Monson, “Është Konferencë Sërish”, Liahona, maj 2011, f. 5–6.

  116. Shih Welfare Fact Sheets, f. 2008–2016.

  117. Thomas S. Monson, “Guiding Principles of Personal and Family Welfare”, f. 3.

  118. Shih “Let Us Be Self-Reliant and Independent”, Ensign, tetor 2017, f. 43.

  119. Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, f. 89.

  120. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson”, Ensign, shkurt 1986, f. 14.

  121. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Finishing the Course, Keeping the Faith”, Ensign, shtator 1994, f. 16.

  122. Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, f. 89.

  123. Në Dorothy O. Rea, “Frances Johnson Monson”, Church News, 30 maj 1964, f. 6.

  124. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Finishing the Course, Keeping the Faith”, f. 16.

  125. Tomas S. Monson, “Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”, Liahona, nëntor 2013, f. 85.

  126. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2013, f. 4.

  127. Thomas S. Monson, “Hastening the Work”, f. 4.

  128. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, f. 2.

  129. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Finishing the Course, Keeping the Faith”, f. 13.

  130. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue, f. 525.

  131. Në Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: In the Footsteps of the Master”, f. 2.

  132. Tomas S. Monson, “E Di Se Rron Shëlbuesi Im”, Liahona, maj 2007, f. 25; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 27.

  133. Russell M. Nelson, “We Are Better Because of Him”, f. 29.

  134. Russell M. Nelson, “We Are Better Because of Him”, f. 29–30.

  135. Cituar nga Sheri Dew, në Tad Walch, “Tears, Pain, Joyful Memories as Mormon Leaders Remember President Monson”, Deseret News, 3 janar 2018, deseret.com/2018/1/3/20637926.

  136. Në Sarah Jane Weaver, “Those with Much Should Reach Out”, Church News, 6 shkurt 2010, f. 5, thechurchnews.com/archives/2010-02-06/helping-hand-should-reach-out-66954.

  137. Në Gerry Avant, “Oct. 4 Is President Monson’s 50-Year Anniversary as Apostle”, Church News, 3 tetor 2013, f. 4, ChurchofJesusChrist.org/church/news/oct-4-is-president-monsons-50-year-anniversary-as-apostle.

Shtyp në Letër