Durim së Bashku
Lagjja është organizuar që t’u shërbejë nevojave të atyre që përballen edhe me sprovat më të vështira dhe më zemërthyese.
Nja dy vjet më parë, një gazetar i kolanës humoristike të një gazete vendore shkroi mbi një temë serioze që të fut në mendime. Po citoj nga ky artikull: “Të jesh në Juta një mormon, që shkon rregullisht në mbledhjet e kishës, do të thotë të jetosh kaq pranë bashkëanëtarëve të lagjes, saqë nuk ndodh asgjë që e gjithë bashkësia të mos e mësojë maksimumi brenda pesë minutash.”
Ai vazhdon: “Kjo jetesë kaq pranë mund të jetë bezdisëse… . Por ndodh që kjo të jetë edhe një nga forcat tona më të mëdha.”
Autori vazhdon më tej: “Kur isha në punë të martën, pashë transmetimin e lajmeve të mesditës në televizion. Një furgon ishte shkatërruar në një aksident automobilistik. Një nënë të re dhe dy fëmijë të vegjël i kishin dërguar me nxitim në urgjencë, me anë të një helikopteri dhe një ambulance… . Disa orë më vonë mësova se furgoni ishte i një çifti të ri që jetonte nga ana tjetër e rrugës sime në Herriman, Erik dhe Zhana Kuigli.
Familjen Kuigli nuk e kam parë vetëm në kishë, … ne darkuam së bashku në një mbrëmje mes fqinjësh një natë para aksidentit. Nipërit tanë luajtën me të bijat Bianka dhe Miranda… .
Miranda katërmbëdhjetë muajshe u dëmtua rëndë në kokë dhe vdiq tre ditë më vonë në Primary Children’s Hospital [spitalin e fëmijëve të fillores që dhurojnë për mbajtjen e tij paratë e mbledhura në ditëlindje].
Kjo ‘përzierje me punët e të tjerëve’ … ja ku merr vlerë. Ndonëse aksidenti ndodhi disa kilometra larg shtëpisë, akoma pa rënë pluhuri i krijuar prej tij, dikush nga lagjja ndaloi aty makinën e tij dhe po kontrollonte mes mbeturinave të furgonit. Pjesa tjetër e lagjes mësoi për ngjarjen para se të mbërrinte dikush nga policia dhe nga urgjenca.
Anëtarë të lagjes shkuan në të tre spitalet, kontaktuan Erikun që ishte në punë dhe organizuan grupe pune. Njerëzit që nuk dhanë ndihmë menjëherë, mezi po prisnin rastin për ta dhënë atë.
Brenda 48 orëve e kositën oborrin e familjes Kuigli, pastruan shtëpinë, lanë rrobat, mbushën frigoriferin, ushqyen të afërmit dhe mblodhën një fond kredie në një bankë lokale. Madje do t’i kishim bërë banjë dhe qenit, nëse ata do të kishin një të tillë.”
Autori përfundon me këtë koment mendjemprehtë: “Ka një anë pozitive ky interesim që kanë anëtarët e lagjes sime për jetën e njëri-tjetrit… . Ajo që i ndodh njërit, u ndodh të gjithëve” (“Well-Being of Others Is Our Business”, Salt Lake Tribune, 30 korrik 2005, fq. C1).
Dhembshuria dhe shërbimi që dhanë anëtarët dashamirës të lagjes, si rezultat i këtij aksidenti tragjik, nuk i përkasin vetëm këtij aksidenti në veçanti. Profeti Alma i Librit të Mormonit u shpjegoi atyre që dëshirojnë të ndjekin Krishtin: “Pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta — Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen”, atëherë, siç shpjegoi Alma, ata ishin të përgatitur për pagëzim (shih Mosia 18:8-9). Shkrimet e shenjta hedhin themelin për të bërë shërbim e për t’u përkujdesur në mënyrën më të dhembshur.
Lagjja është organizuar që t’u shërbejë nevojave të atyre që përballen edhe me sprovat më të vështira dhe më zemërthyese. Peshkopi, që shpesh konsiderohet “babai” i lagjes, është aty për të dhënë këshillë dhe ndihmë. Por gjithashtu pranë e të gatshëm janë udhëheqësit e Priftërisë Melkizedeke dhe Aarone, presidencia e Shoqatës së Ndihmës, mësuesit e shtëpisë, mësueset e vizitave dhe anëtarët e lagjes — gjithmonë anëtarët e lagjes. Të gjithë janë atje për të dhënë ngushëllim e për të shfaqur dhembshuri në kohë nevoje.
Edhe në mëhallën time kemi patur mjaft tragjedi që të copëtojnë zemrën. Në tetor 1998, 19 vjeçari Zak Njuton, që jetonte vetëm tre shtëpi më në lindje prej nesh, vdiq në një aksident tragjik automobilistik.
Më pak se dy vjet më vonë, në korrik 2000, 19 vjeçari Andrea Riçards, që jetonte tamam përkundruall familjes Njuton, vdiq në një aksident automobilistik.
Një pasdite të shtune, në korrik 2006, Trevis Bastian, një 28 vjeçar që kishte kryer misionin, dhe motra e tij 15 vjeçare, Dezirè, që jetonin nga ana tjetër e rrugës dhe dy shtëpi më në veri prej nesh, vdiqën në një aksident të tmerrshëm automobilistik.
Një muaj më vonë, në gusht 2006, 32 vjeçari Erik Gold, që u rrit në shtëpinë ngjitur me ne, pësoi një vdekje të parakohëshme. Edhe njerëz të tjerë në mëhallë kanë patur përvoja që të pikëllojnë zemrën, të cilat i kanë përballuar vetë dhe që i dinë vetëm ata dhe Perëndia.
Me humbjen e pesë të rinjve, dikush mund të thotë se ky është një numër jo i zakontë sprovash për një mëhallë të vogël. Po zgjedh të mendoj se numri duket i madh vetëm për shkak të një lagjeje të afërt dashamirëse, anëtarët e të cilës e dinë se kur ka një nevojë të menjëherëshme. Është një lagje me anëtarë që zbatojnë paralajmërimet e Almës dhe Shpëtimtarit — anëtarë dashamirës e të dashur që mbajnë barrët e njëri-tjetrit, anëtarë që janë të gatshëm të vajtojnë me ata që vajtojnë, anëtarë që janë të gatshëm të ngushëllojnë ata që kanë nevojë të ngushëllohen, anëtarë që durojnë së bashku.
Në secilën prej këtyre shembujve ne pamë derdhje dashurie, shërbimi dhe dhembshurie që qe frymëzuese për të gjithë. Peshkopët erdhën, mësuesit e shtëpisë dhe të vizitave hynë në veprim, ndërsa kuorumet e Priftërisë Melkizedeke dhe Aarone, si dhe Shoqatat e Ndihmës, u organizuan për t’u përkujdesur për nevojat si shpirtërore ashtu dhe tokësore. Frigoriferët i mbushën, shtëpitë i pastruan, lëndinat i kositën, shkurret i prenë bukur, gardhet i lyen, dhanë bekime dhe vunë në dispozicion supe ku mund të mbështetesh. Anëtarët ishin kudo.
Në secilin prej këtyre shembujve, familjet që humbën një njeri të dashur, shprehën besim më të madh, dashuri më të madhe për Shpëtimtarin, mirënjohje më të madhe për Shlyerjen dhe falënderime nga zemra për një organizatë që i përgjigjet nevojave më të thella emocionale dhe shpirtërore të anëtarëve të saj. Këto familje tani tregojnë se si e njohën Zotin nëpërmjet fatkeqësisë së tyre. Ato rrëfejnë shumë përvoja të ëmbla që erdhën për shkak të dhembjes së tyre. Ato dëshmojnë se mund të rrjedhin bekime nga pikëllimi. Ato lavdërojnë Zotin dhe i bëjnë jehonë fjalëve të Jobit: “Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit” (Jobi 1:21).
Ngaqë mbartëm barrët e njëri-tjetrit si anëtarë të lagjes, ne kemi nxjerrë disa mësime:
-
Organizimi i Zotit është plotësisht i mjaftueshëm për të njohur e për t’u kujdesur për ata që kanë qoftë edhe nevojat më të dëshpëruara emocionale dhe shpirtërore.
-
Fatkeqësia mund të na sjellë më pranë Perëndisë me një vlerësim të përtëritur e të ndriçuar për lutjen dhe për Shlyerjen, që vlejnë për dhimbjen dhe vuajtjen në të gjitha format e shfaqjes së tyre.
-
Anëtarët që provojnë personalisht tragjedi, shpesh përjetojnë një aftësi më të madhe për dashuri, dhembshuri dhe mirëkuptim. Ata bëhen të parët, të fundit dhe shpesh reaguesit më të efektshëm për të dhënë ngushëllim dhe për t’u shfaqur dhembshuri të tjerëve.
-
Një lagje, ashtu si dhe një familje, bëhet më e afërt kur duron së bashku — çfarë i ndodh njërit, i ndodh të gjithëve.
-
Dhe ndoshta më e rëndësishmja, secili prej nesh mund të bëhet më i dhembshur dhe dashamirës, sepse secili prej nesh ka patur sprovat e veta dhe përvoja nga të cilat ka mësuar. Ne mund të durojmë së bashku.
Unë ngazëllohem që i përkas një organizate të tillë kaq të dashur e dashamirëse. Askush nuk di më mirë të mbajë barrët e njëri-tjetrit, të vajtojë me ata që vajtojnë, dhe të ngushëllojë ata që kanë nevojë të ngushëllohen. Unë zgjedh ta quaj këtë “durimi së bashku”. Çfarë i ndodh njërit i ndodh të gjithëve. Ne durojmë së bashku.
Qofshim ne një mjet për të lehtësuar barrën e të tjerëve, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.