2007
Forconi Shtëpinë dhe Familjen
Nëntor 2007


Forconi Shtëpinë dhe Familjen

Zoti mbështetet tek ju që të ndihmoni në ekzaltimin e familjes suaj të përjetshme.

Çdo të dielë, nga Mongolia deri në Mançester e Misisipi, të rejat e Kishës përsëritin këto fjalë të frymëzuara: “Ne do të jemi të përgatitura të forcojmë shtëpinë dhe familjen, do të bëjmë dhe mbajmë besëlidhje dhe ordinanca të shenjta të tempullit dhe do të gëzojmë bekimet e ekzaltimit” (“Tema e Të Rejave”, Përparimi Personal i Të Rejave [broshurë, 2001, fq. 5).

Edhe pse kjo është temë e Vajzave të Reja, ajo i përshtatet të gjithë rinisë në Kishë. Unë shpresoj se mund t’ju ndihmoj ju, vëllezër dhe motra të mia të reja, të kuptoni se sa i fuqishëm mund të jetë veprimi juaj individual në forcimin e shtëpisë dhe të familjes, pavarësisht nga rrethanat tuaja. Unë e kuptoj, për shembull, që shumë nga ju mund të jenë i vetmi anëtar i Kishës nga familja juaj.

Broshura Për Forcën e Rinisë na kujton se “të jesh pjesë e një familjeje është një bekim i madh … Jo të gjitha familjet janë njësoj, por secila është e rëndësishme në planin e Atit Qiellor” ([broshura], 2001, fq. 10).

Të gjitha familjet kanë nevojë të forcohen, nga familja ideale deri te më e trazuara. Ky forcim mund të bëhet nga ju. Në fakt, në disa familje ju mund të jeni burimi i vetëm i forcës shpirtërore. Zoti mbështetet tek ju për të sjellë bekimet e ungjillit në familjen tuaj.

Është shumë e rëndësishme të vendosen modele të drejtësisë në vetë jetën tuaj, që do t’ju aftësojnë të jepni një shembull të mirë për familjen tuaj, çfarëdo forme që mund të ketë familja juaj.

Shembulli i jetës tuaj të drejtë do të forcojë familjen tuaj. Presidenti Hinkli u dha grave të reja “një program të thjeshtë me katër pika” në mbledhjen e përgjithshme të Të Rejave pranverën e kaluar që jo vetëm “do të sigurojë lumturinë tuaj”, por do të bekojë gjithashtu familjet tuaja. Ai këshilloi secilën prej nesh: “(1) të lutemi, (2) të studjojmë, (3) të paguajmë të dhjetën dhe (4) të marrim pjesë në mbledhjet tona” (“Let Virtue Garnish Thy Thoughts Unceasingly”, Liahona, maj 2007, fq. 115).

Kërkimi i ndihmës nga Zoti çdo ditë nëpërmjet lutjes do të sjellë bekime në familjen tuaj. Pyeteni veten: “Kush mund të përfitojë në familje nga lutjet e mia personale?” “Çfarë mund të bëj për të ndihmuar dhe nxitur lutjen familjare?”

Duke studiuar personalisht shkrimet e shenjta, ju do të njihni Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij. Nga shembulli i Tij ju do të dini si t’i doni, t’u shërbeni dhe t’i falni anëtarët e familjes tuaj. Mendoni se si mund të shpreheni në familje për kuptimin që keni mbi shkrimet e shenjta.

Në disa raste, Presidenti Hinkli ka këshilluar të “marrim të gjithë arsimin që mundemi” (Liahona, maj 2007, fq. 116). Arsimi juaj do t’i sjellë dobi familjes tuaj tani dhe do të bekojë sigurisht familjen tuaj të ardhshme. Çfarë mund të bëni tani për të planifikuar dhe për t’u përgatitur për një arsimim të mirë?

Presidenti Hinkli na mëson: “Ndërsa e dhjeta paguhet me para, është më i rëndësishëm pagimi me besim” (Liahona, maj 2007, fq. 117). A po përjetoni bekime duke paguar të dhjetën — me besim? Ndërsa i bindeni këtij urdhërimi, Zoti do të “hapë … pragjet e qiellit” (Malakia 3:10) për t’ju bekuar ju dhe familjen tuaj.

Si mundet pjesëmarrja në mbledhjet tuaja — veçanërisht në mbledhjen e sakramentit — t’ju bekojë juve dhe familjen tuaj? Zakonisht pjesëmarrja në sakrament do t’ju ndihmojë të mbani besëlidhjen e pagëzimit. Kur ju jetoni denjësisht dhe përtëritni këtë besëlidhje çdo javë, ju do të kualifikoheni për drejtimin nga Shpirti. Fryma e Shenjtë do t’ju drejtojë dhe do t’ju mësojë se çfarë duhet të bëni për të bekuar familjen tuaj.

Kur ju angazhoheni me këto modele të drejtësisë, ju do të bekoheni në jetën tuaj dhe do të zhvilloni bazën shpirtërore nga e cila mund të forconi familjen nëpërmjet shembullit. Tek 1 Timoteut, Pali na mëson lidhur me shembullin: “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Timoteut 4:12).

Pjesa e familjes në broshurën “Për Forcën e Rinisë” jep disa mënyra të shkëlqyera se si ju të mund të jeni “një shembull për besimtarët” në shtëpinë tuaj:

“Ji i gëzuar, i dobishëm dhe mendo për të tjerët … Interesohu vetë për nevojat e anëtarëve të tjerë të familjes… .

Ndero prindërit e tu duke treguar dashuri dhe respekt për ta dhe duke qenë i bindur… . Merr pjesë në veprimtaritë dhe traditat e familjes, përfshi lutjen familjare, mbrëmjet familjare dhe leximin familjarisht të shkrimeve të shenjta. Këto tradita forcojnë dhe bashkojnë familjet… .

Forconi marrëdhëniet tuaja me vëllezërit dhe motrat. Ata mund të bëhen miqtë tuaj më të ngushtë” (fq. 10-11).

Shembulli është shpesh mësuesi më i mirë. Kush në familjen tuaj mund të përfitojë nga shembulli juaj — një vëlla, një motër, nëna apo babai juaj?

Më lejoni t’ju tregoj një përvojë nga vetë jeta ime dhe se si modelet e drejtësisë dhe të shembullit të vëllait tim çuan në atë që familja jonë të jetë përjetësisht e bekuar.

Vëllai im dhe unë ishim “lindur nga prindër të mirë” (1 Nefi 1:1) që na donin dhe bënë sakrifica të mëdha për të dy ne, por familja jonë nuk ishte bekuar me ordinancat e shenjta të tempullit.

Shumë vjet më parë, një ditë nga fundi i dhjetorit, ne morëm një letër nga vëllai im, që shërbente në Misionin e Kalifornisë Veriore. Mbi zarf paralajmërohej: “Mos e hapni derisa të jeni të gjithë bashkë!”

Kur babai, mamaja dhe unë u mblodhëm për të hapur këtë letër me shtatë faqe të shtypura, lexuam dëshminë e tij të lutjes. Ai na mësonte doktrinën e familjeve të përjetshme nga shkrimet e shenjta. Ne lexuam përvojat e tij se si agjërimi dhe lutja i ndihmuan kërkuesit e tij të përgatiteshin për të marrë ordinancën e pagëzimit. Ai na siguroi se familja jonë gjithashtu mund të bekohej nëpërmjet agjërimit dhe lutjes. Pastaj erdhi kjo sfidë: “Peshkopi i Lagjes Stanford foli mbi një çështje disa muaj përpara, e cila me të vërtetë goditi në shenjë… . Biseda e peshkopit më bëri të ndalem dhe të kuptoj qëllimet që dua të realizoj në jetë. Mbi të gjitha në mendjen time është objektivi që dua të arrij me vetë familjen time … ai, sigurisht, që të vulosem me ju, Mami dhe Babi, për kohën dhe gjithë përjetësinë në Shtëpinë e Zotit. Unë ju dua shumë dhe dua që familja jonë të jetë së bashku në përjetësi.”

Pastaj fjalët e tij të mbylljes: “Ju drejtoftë Zoti për këtë vendim të rëndësishëm dhe u lutshi së bashku si një familje, kjo është lutja ime.”

Kur isha e re, edhe unë isha lutur që të vinte ky bekim në familjen time. Kjo letër tani ngjalli shpresën për dëshirën time të drejtë.

Viti i ri ishte një mundësi që familja jonë të bënte disa ndryshime. Në shumë muaj që pasuan ne krijuam modelet familjare të drejtësisë. Ne luteshim së bashku, studionim mbi ordinancat e tempullit, paguanim të dhjetën dhe merrnim pjesë rregullisht në mbledhjet — si një familje. Shpejt pas kthimit të vëllait nga misioni i tij, ne ishim përgatitur të merrnim ordinancat e tempullit. Unë e dija se Zoti i kishte dëgjuar dhe u ishte përgjigjur lutjeve tona kur ne ishim përreth altarit në tempull dhe u vulosëm si familje për kohën dhe gjithë përjetësinë.

A mund të sillni një ndryshim në familjen tuaj? Po, ju mundeni! Unë shpesh mendohem mbi përparimin e përjetshëm të familjes time nëse vëllai nuk do ta kishte shkruar atë letër të fuqishme. Modelet e tij të drejtësisë dhe të shembullit ndryshuan jetën tonë.

Plaku Robert D. Hejls ka thënë: “Nëse shembulli që kemi marrë nga prindërit tanë nuk ishte i mirë, është përgjegjësia jonë ta prishim këtë rreth … Çdo person mund të mësojë një mënyrë më të mirë dhe duke bërë kështu bekon jetën e anëtarëve të familjes tani dhe jep mësim për tradita korrekte për brezat pasardhës” (“How Will Our Children Remember Us?” Ensign, nëntor 1993, fq. 10).

Kujtohuni, “familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, fq. 49). Familjet e përjetshme përbëhen nga individë. “Bëni pjesën tuaj për të krijuar lumturinë në shtëpi” (Për Forcën e Rinisë, fq. 10). Krijoni modele të drejtësisë në jetën tuaj. Dhe jini një shembull për besimtarët. Zoti mbështetet tek ju që të ndihmoni në ekzaltimin e familjes suaj të përjetshme.

Unë e di se Jezu Krishti jeton. Ai ju njeh dhe ju do ju. Ai më ka bekuar mua dhe familjen time dhe unë e di se Ai do t’ju bekojë ju dhe njerëzit tuaj. Unë dëshmoj përulësisht për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.