A Nuk Kemi Shkak të Gëzohemi?
Kjo është një fe e gëzimit, një fe e shpresës, e forcës dhe e çlirimit.
Ende ngazëllohem me shpirtin e mrekullueshëm që ndjemë kur kënduam së bashku këtë mëngjes:
Tani le të gëzojmë në dit’n e shpëtimit.
Si t’huaj mbi tokë s’do endemi më.
Lajmet e mira ushtojnë në t’gjith’ tokën.
(“Tani Le të Gëzojmë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, fq. 32.)
Ky tekst i Vëllait Uilljam W. Felps është krejt ndryshe nga prirja e botës për t’u përqendruar tek lajmet e këqija. Është e vërtetë, jetojmë në një kohë të parathënë në shkrimet e shenjta si një ditë “[luftërash], zhurma luftërash dhe [tërmetesh] në vende të ndryshme” (Moroni 8:30), kur “i gjithë dheu do të jetë në rrëmujë, dhe zemrat e njerëzve do të mpaken” (DeB 45:26).
Por si ndikon kjo mbi ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Po jetojmë me shqetësim, frikë dhe merak? Apo, mes gjithë sfidave tona, a nuk kemi shkak të gëzohemi?
Ne të gjithë ecim përmes përvojave të ndryshme të jetës. Disa janë të mbushura me gëzim dhe të tjerat me trishtim dhe pasiguri. Më kujtohet një kohë që gjërat nuk dukeshin mirë për familjen tonë, kur unë isha fëmijë.
Ishte dimri i vitit 1944, një nga më të ftohtët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fronti i luftës po i afrohej qytetit tonë dhe nënës sime iu desh të merrte të katër ne fëmijët, të linte pas gjithë mallin e gjënë tonë dhe t’u bashkohej miliona refugjatëve që iknin në kërkim të dëshpëruar të një vendi për mbijetesë. Babai ynë ndodhej ende në ushtri, por ai dhe nëna ishin marrë vesh që, nëse ndodhte që lufta t’i ndante, ata do të përpiqeshin të ribashkoheshin në qytetin e lindjes të gjyshërve të mi. Ata mendonin se ky vend ofronte shpresën më të madhe për strehim dhe siguri.
Për shkak të inkursioneve bombarduese gjatë natës dhe të sulmeve ajrore gjatë ditës, kërkoi shumë ditë që ne të arrinin tek gjyshërit e mi. Kujtimet e mia të atyre ditëve janë errësira dhe të ftohtit.
Babai u kthye tek ne shëndoshë e mirë, por e ardhmja jonë dukej jashtëzakonisht e shkretë. Jetonim në rrënojat e një Gjermanie të pasluftës me një ndjenjë dërrmuese nga mungesa e shpresës dhe nga errësira për të ardhmen.
Në mes të këtij dëshpërimi familja ime mësoi për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ky mesazh solli gjithë ndryshimin; na ngriti përmbi mjerimin tonë të përditshëm. Jetesa ishte ende e rëndë dhe gjendja ekonomike ende e frikshme, por ungjilli solli dritë, shpresë dhe gëzim në jetën tonë. Të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit na ngrohën zemrën dhe na ndriçuan mendjen. Na ndihmuan ta shihnim veten dhe botën përreth nesh me një sy tjetër dhe nga një këndvështrim më i lartë.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, a nuk përbëjnë arsye të mëdha gëzimi ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit dhe anëtarësimi ynë në Kishën e Tij?
Kudo që jetoni në këtë tokë dhe çfarëdo qoftë gjendja e jetës suaj, unë ju dëshmoj se ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqinë hyjnore t’ju ngrejë në lartësi të mëdha nga ajo që nganjëherë duket sikur është një barrë ose dobësi e padurueshme. Zoti i njeh rrethanat tuaja dhe sfidat tuaja. Ai i tha Palit dhe ne të gjithëve: “Hiri im të mjafton.” Dhe ne, ashtu si Pali, mund të përgjigjemi: “Fuqia ime përsoset në dobësi. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 Korintasve 12:9).
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit ne mund të kërkojmë bekimet e premtuara në besëlidhjet dhe ordinancat që morëm kur pranuam ungjillin e Jezu Krishtit.
Çfarë Është Ungjilli i Jezu Krishtit?
Ungjilli i Jezu Krishtit është lajm i mirë, njoftime të gëzueshme dhe shumë më tepër. Ai është mesazhi i shpëtimit siç u shpall vazhdimisht nga Jezu Krishti dhe apostujt e profetët e Tij. Është besimi im i patundur se e gjithë e vërteta dhe drita që buron nga Perëndia, përmbahet në ungjillin e Jezu Krishtit.
Perëndia, Ati ynë i dashur në Qiell, ka thënë se është puna dhe lavdia e Tij “të [bëjë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Perëndia Atë është autori i ungjillit, i cili është një pjesë kyçe e planit të shpëtimit të Perëndisë, ose e planit të shëlbimit. Quhet ungjilli i Jezu Krishtit, sepse është Shlyerja e Jezu Krishtit ajo që bën të mundur shëlbimin dhe shpëtimin. Nëpërmjet Shlyerjes të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët shëlbohen nga vdekja fizike pa kushte dhe të gjithë do të shëlbohen nga mëkatet e veta me kushtin e pranimit dhe të bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit (shih DeB 20:17-25; 76:40-42, 50-53; Moisiu 6:62).
Ungjilli i Krishtit është i vetmi ungjill i vërtetë dhe “nuk do të ketë asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit” (Mosia 3:17; shih edhe Veprat e Apostujve 4:12).
Elementet bazë të mesazhit të ungjillit gjenden në të gjitha shkrimet e shenjta, por me qartësinë më të madhe na jepen në Librin e Mormonit dhe në zbulesat e Profetit Jozef Smith. Këtu Vetë Jezusi shpall me qartësi doktrinën dhe ungjillin e Tij, me të cilat fëmijët e Perëndisë duhet të pajtohen në mënyrë që të “[kenë] jetë të përjetshme” (DeB 14:7; shih edhe 3 Nefi 11:31-39; 27:13-21; DeB 33:11-12).
Ungjilli është i qartë dhe i kuptueshëm. Ai u përgjigjet pyetjeve më të ndërlikuara të jetës, por madje edhe një fëmijë mund ta kuptojë dhe ta zbatojë. Ashtu si tha Nefi: “Shpirti im kënaqet në qartësi; pasi sipas kësaj mënyre vepron Zoti Perëndi mes fëmijëve të njerëzve. Pasi, Zoti Perëndi i jep dritë të kuptuarit; pasi ai u flet njerëzve sipas gjuhës së tyre, në të kuptuarin e tyre” (2 Nefi 31:3).
Profeti Jozef Smith ndoqi të njëjtin model qartësie dhe thjeshtësie kur i shpjegoi botës me vetëm pak fjalë “parimet dhe ordinancat e para të Ungjillit” (Nenet e Besimit 1:4), të cilat duhet t’i pranojmë që të marrim bekimet e përjetshme të ungjillit:
Së pari: besimi tek Zoti Jezu Krishti — të besosh tek Shëlbuesi, Biri i Perëndisë, “me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë” dhe pastaj “[të shkosh] përpara me një vendosmëri në Krisht, … duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit” (2 Nefi 31:19-20).
Së dyti: pendimi, i cili përfshin ndryshim të mendjes, të ofrosh “për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”, heqje dorë nga mëkati dhe të bëhesh i bindur dhe i përulur “si një fëmijë i vogël” (3 Nefi 9:20, 22).
Së treti: pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve dhe si një besëlidhje për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë e për të marrë mbi vete emrin e Krishtit.
Së katërti: vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë, e njohur edhe si pagëzimi me zjarr, që na shenjtëron dhe na bën “krijesa të reja”, të lindur nga Perëndia (shih Mosia 27:26; shih edhe 1 Pjetri 1:23).
Dhurata e Frymës së Shenjtë, që na jepet nga Ati ynë Qiellor dhe që administrohet nga dikush që ka autoritet, përmban premtimin e mëshirshëm: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni” (2 Nefi 32:5). Përmes shoqërisë së vazhdueshme të Frymës së Shenjtë, çdo anëtar i Kishës mund të marrë drejtpërdrejt “fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3), në çdo vend ose kohë. Ky udhërrëfim hyjnor vetjak na ndihmon të qëndrojmë të guximshëm në dëshminë e Jezu Krishtit dhe të durojmë deri në fund të jetës sonë. A nuk është kjo e mrekullueshme!
A nuk kemi shkak të gëzohemi?
Ç’do të Thotë të Durosh Deri në Fund?
Shkrimet e shenjta na mësojnë që, sapo të kemi marrë ordinancat e pagëzimit dhe të konfirmimit, detyra jonë pastaj është të “[durojmë] deri në fund” (2 Nefi 31:20).
Kur isha djalë i vogël, “durim deri në fund” për mua nënkuptonte kryesisht që duhej të përpiqesha më fort të qëndroja zgjuar deri në fund të mbledhjeve të Kishës. Më vonë, kur isha adoleshent, bëra vetëm pak përparim me kuptimin e kësaj fraze të shkrimeve të shenjta. Me ndjeshmërinë time prej të riu, e lidhja atë me përpjekjet që bënin anëtarët tanë të moshuar për të qëndruar besnikë deri në fund të jetës së tyre.
Durimi deri në fund, apo qëndrimi besnik ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës sonë, është kërkesë themelore për shpëtimin në mbretërinë e Perëndisë. Ky besim i dallon shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga shumë besime të tjera të krishtera të cilat mësojnë se shpëtimi u jepet të gjithë atyre që thjesht besojnë dhe pranojnë se Jezusi është Krishti. Zoti shpalli me qartësi: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7).
Si pasojë, durimi deri në fund nuk është thjesht një çështje që t’i durosh në mënyrë pasive rrethanat e vështira të jetës apo të mbetesh në një luftë thjesht për mbijetesë. Besimi ynë është besim aktiv, që i ndihmon fëmijët e Perëndisë nëpër shtegun e ngushtë e të ngushtuar të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë gjatë kësaj jete dhe të kthehen tek Ai një ditë. I parë nga ky këndvështrim, durimi deri në fund është ekzaltues dhe i lavdishëm, jo i pamëshirshëm apo i zymtë. Kjo është një fe e gëzimit, një fe e shpresës, e forcës dhe e çlirimit. “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25).
Durimi deri në fund është një proces që mbush çdo minutë të jetës sonë, çdo orë, çdo ditë, nga agimi në agim. Ai përmbushet nëpërmjet disiplinës vetjake në ndjekjen e urdhërimeve të Perëndisë.
Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është mënyrë jetese. Nuk është vetëm për të dielën. Nuk është diçka që mund ta bëjmë vetëm si zakon ose traditë, në rast se presim të korrim të gjitha bekimet e tij të premtuara. “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Galatasve 6:7).
Të durosh deri në fund, do të thotë “[të ngulmosh] në vepra të mira” (Romakëve 2:7), të përpiqesh t’u bindesh urdhërimeve (shih 2 Nefi 31:10) dhe të bësh veprat e drejtësisë (shih DeB 59:23). Ai kërkon sakrificë dhe punë të palodhur. Që të durojmë deri në fund, nevojitet të vëmë besimin tek Ati ynë në Qiell dhe të bëjmë zgjedhje të mençura, duke përfshirë pagimin e të dhjetave dhe ofertave, nderimin e besëlidhjeve të tempullit dhe shërbimin ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit me gatishmëri e besnikëri në thirrjet dhe përgjegjësitë e Kishës. Do të thotë forcë në karakter, vetëmohim dhe përulësi; do të thotë integritet dhe ndershmëri ndaj Zotit dhe njerëzve të tjerë. Do të thotë t’i bëjmë shtëpitë tona vende të fuqishme të mbrojtjes dhe strehimit nga ligësitë e botës; do të thotë të duam e të nderojmë bashkëshortët dhe fëmijët tanë.
Duke bërë ç’është më e mira për të duruar deri në fund, do të na vijë një pastrim i mrekullueshëm në jetën tonë. Do të mësojmë t’u “[bëjmë] të mirë atyre që [na] urrejnë, dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë” (Mateu 5:44). Bekimet që na vijnë nga durimi deri në fund në këtë jetë, janë të vërteta e shumë kuptimplote dhe për jetën që vjen ato shkojnë përtej të kuptuarit tonë.
Jezu Krishti Dëshiron që Ju t’ia Dilni Mbanë
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, do të ketë ditë dhe netë kur do të ndiheni të tronditur, kur zemra do t’ju rëndohet dhe koka do t’ju përkulet. Në atë kohë, ju lutem kujtoni që Jezu Krishti, Shëlbuesi, është Kreu i kësaj Kishe. Është ungjilli i Tij. Ai dëshiron që ju t’ia dilni mbanë. Ai dha jetën e Tij vetëm për këtë qëllim. Ai është Biri i Perëndisë së gjallë. Ai ka premtuar:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28).
“Edhe sikur të largohen malet dhe të lëvizin kodrat, mirësia ime nuk do të largohet prej teje” (3 Nefi 22:10). “Unë do të kem mëshirë për ty, thotë Zoti, Shëlbuesi yt” (3 Nefi 22:8).
Miqtë e mi të dashur, Shpëtimtari shëron zemrën e thyer dhe lidh plagët tuaja (shih Psalmet 147:3). Çfarëdo qofshin sfidat tuaja, kudo që jetoni mbi këtë tokë, anëtarësia juaj besnike në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe fuqitë hyjnore të ungjillit të Jezu Krishtit do t’ju bekojnë që të duroni me gëzim deri në fund.
Për këtë unë jap dëshmi me gjithë zemrën dhe mendjen time, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.