2007
Predikoni Ungjillin Tim — Mjeti Bashkues midis Anëtarëve dhe Misionarëve
Nëntor 2007


Predikoni Ungjillin Tim — Mjeti Bashkues midis Anëtarëve dhe Misionarëve

Misionarët dhe anëtarët duhet të … bëhen një në përpjekjet tona për të shpallur ungjillin.

Jo shumë kohë përpara ne ftuam dy motra misionare për darkë. Pasi mbaruam së ngrëni, u kërkuam të na linin një mendim shpirtëror për ne. Ato ishin të përgatitura mirë dhe na paraqitën një lexim nga shkrimet e shenjta dhe ushtrim nënvizimesh. Ato kishin sjellë një kopje të re të Librit të Mormonit dhe një komplet lapsash me ngjyra. Ne e pranuam ftesën e misionareve. Që atëhere, leximi ynë i përditshëm familjar i Librit të Mormonit ka ndryshuar. Në çdo kapitull, ne shënojmë me ngjyra të ndryshme pjesë që lidhen me Jezu Krishtin, kur i gjejmë. Çdo herë ky ushtrim i vogël na kujton misionaret tona.

Kur misionaret e prezantuan këtë, ne menjëherë e dalluam si ushtrim studimi të librave të shenjta të sugjeruar në “Predikoni Ungjillin Tim”. Si familje, jemi tepër mirënjohës për këtë mjet të madh dhe të fuqishëm të punës misionare.

Gjatë tre viteve të fundit misionarët e kanë pëdorur “Predikoni Ungjillin Tim” në të gjithë botën. Ai me të vërtetë e ka revolucionarizuar punën misionare. Vizioni i madh i Presidentit Hinkli po plotësohet: Misionarët “zotërojnë konceptet e mësimeve.” Ata “u mësojnë të tjerëve konceptet me fjalët e tyre nën ndikimin udhëzues të Shpirtit të Shenjtë” (shih “Misionary Service,” Worldwide Leadership Training Meeting, 11 janar 2003, fq. 19).

Ndërsa misionarët zhyten në “Predikoni Ungjillin Tim”, ata mësojnë dhe zbatojnë doktrina dhe parime të rëndësishme që i bëjnë më të aftë në shërbimin e tyre të rëndësishëm. Megjithëkëtë, ata përsëri kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Vetëm së bashku mund të plotësojmë sfidën e madhe dhënë nga Apostujt antikë dhe modernë: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).

Me qëllim që të jemi të suksesshëm në këto përpjekje, ne duhet të jemi një me misionarët, ne duhet të kuptojmë njëri-tjetrin. A i kuptoni ju gjithnjë misionarët? Unë nuk e kam fjalën për gjuhën, por më shumë se si punojnë ata. Ne i shohim dhe i vëzhgojmë ata se si i ftojnë njerëzit të dëgjojnë mesazhin e tyre. Ata u mësojnë parimet e ungjillit dhe ftojnë ata që janë të interesuar të ndryshojnë jetën e tyre dhe të pagëzohen e konfirmohen si anëtarë të Kishës.

Nëse duam të kuptojmë dhe të ndihmojmë misionarët tanë, ne duhet të kemi besim siç kanë besim misionarët, duhet të mendojmë siç mendojnë misionarët dhe duhet të ndiejmë siç ndiejnë misionarët. Si mund ta arrijmë këtë?

Një mënyrë e rëndësishme, sigurisht, është të jemi me misionarët dhe të shohim atë që bëjnë ata. Por një mënyrë tjetër është që të njihemi me “Predikoni Ungjillin Tim” dhe të mësojmë më shumë mbi punën misionare. Që kur Presidenti Mek-Kei tha: “Çdo anëtar një misionar” (në Conference Report, prill 1959, fq. 122), anëtarët janë përpjekur të bëhen më aktivë në përhapjen e ungjillit. Me “Predikoni Ungjillin Tim” ne kemi një udhëzues të mrekullueshëm që na ndihmon më shumë të veprojmë lidhur me këtë thirrje. Studimi ynë i “Predikoni Ungjillin Tim” jo vetëm që do të na ndihmojë të zhvillojmë një kuptim dhe vlerësim më të mirë për misionarët tanë, por ai do të na ndihmojë ne në jetën e përditshme.

Çdo anëtar në familjen tonë ka një Kopje të “Predikoni Ungjillin Tim.” Studimi i këtij udhëzuesi është një mbështetje e madhe në arritjen e një dëshmie të fortë. Ai na ndihmon të kuptojmë parimet themelore të ungjillit dhe të dëshirojmë të shërbejmë. Më lejoni për një moment të theksoj disa nga titujt e “Predikoni Ungjillin Tim” ([2004], iii) dhe ju do të kuptoni:

Ato shkruajnë:

“Si e Njoh dhe e Kuptoj Shpirtin?”

“Si Studioj me Efektshmëri dhe Përgatitem të Jap Mësim?”

“Çfarë Mësoj dhe Çfarë Mësimi Jap?”

“Cili Është Roli i Librit të Mormonit?”

“Si i Zhvilloj Cilësitë si Ato të Krishtit?”

A nuk janë ato gjërat që të gjithë ne duam t’i mësojmë? Për secilin që do të bëhet një anëtar misionar më i mirë dhe ai që do të dijë se si të mbështesë misionarët, “Predikoni Ungjillin Tim” është plot me ide dhe sqarime të fuqishme. Ne mësojmë se si mund të ndihmojmë misionarët të gjejnë njerëz që t’i mësojnë dhe se si ne anëtarët mund të punojmë krah për krah me misionarët për t’i ndihmuar ata që kërkojnë të hyjnë në Kishë. Ne mësojmë të kuptojmë përse thirrjet e forta për të vepruar janë të dobishme në rritje të besimit tek Jezu Krishti dhe si mund të qëndrojmë me miqtë tanë joanëtarë, që po lëvizin nëpërmjet këtij procesi kthimi që ndryshon mrekullisht jetën.

Bashkë me studimin e shkrimeve të shenjta misionarët studiojnë “Predikoni Ungjillin Tim” çdo ditë. Ata mësojnë parimet dhe shprehitë dhe i zbatojnë ato. Ata veçanërisht mësojnë si të përdorin drejtimin nga Shpirti në punën e tyre. Nëse duam të mësojmë, si misionarët, ne gjithashtu duhet të studiojmë me kujdes “Predikoni Ungjillin Tim” dhe të vështrojmë misionarët në punën e tyre të përditshme.

Në hyrjen e “Predikoni Ungjillin Tim” lexojmë: “‘Predikoni Ungjillin Tim’ është për misionarët me kohë të plotë të Kishës. Megjithatë, parimet dhe doktrina që mësohen aty janë të zbatueshme gjithashtu për misionarët e lagjes dhe udhëheqësit që kërkojnë të ndërtojnë mbretërinë e Zotit. Studimi i shpeshtë i këtij manuali do t’i aftësojë ata të plotësojnë përgjegjësitë si anëtarë misionarë dhe do të forcojë unitetin me misionarët me kohë të plotë” (Predikoni Ungjillin Tim, fq. xi).

Plaku Riçard G. Skot na mëson që të gjithë anëtarët duhet të studjojnë me kujdes “Predikoni Ungjillin Tim”. Ai ka thënë: “Shumë gjëra të mira janë arritur … qysh kur doli ‘Predikoni Ungjillin Tim’, por më të mirat mbeten akoma për t’u realizuar kur ne të gjithë të aftësohemi më shumë në përdorimin e këtij mjeti të jashtëzakonshëm misionar” (“Fuqia e “Predikoni Ungjillin Tim, Liahona, maj 2005, fq. 31).

Koha jonë mund të duket e kufizuar për ta bërë kështu këtë studim, prandaj më lejoni të jap disa sugjerime që mund të ndihmojnë.

  • Të rinjtë që përgatiten për mision, duhet ta studjojnë me kujdes “Predikoni Ungjillin Tim” bashkë me shkrimet e shenjta.

  • Ftoni misionarët në shtëpitë tuaja. U kërkoni t’ju mësojnë juve dhe familjeve tuaja një parim apo doktrinë nga “Predikoni Ungjillin Tim”.

  • Herë pas here përdoreni “Predikoni Ungjillin Tim” për mbrëmjet familjare në shtëpi. I caktoni fëmijët tuaj adoleshentë t’ju mësojnë juve siç do të bënin misionarët. Në shtëpinë tonë, kemi patur disa mësime çuditërisht të shkëlqyera dhënë nga fëmijët tanë. Ne jemi habitur se sa mirë ata i shpjegonin parimet e thjeshta. Herë herë ne kemi ftuar miq në këto mësime.

  • Mësuesit e ungjillit mund të përdorin parimet e thjeshta por efikase të mësimit të ungjillit siç skicohen në “Predikoni Ungjillin Tim” si një mbështetje për kurset e caktuara të studimit.

  • “Predikoni Ungjillin Tim” është përkthyer dhe botuar në pothuaj çdo gjuhë që flasin anëtarët tanë. Në vende ku Kisha është akoma e re, “Predikoni Ungjillin Tim” mund të përdoret bashkë me shkrimet e shenjta si burim dhe themel për të gjithë mësimin dhe mësimdhënien e ungjillit.

  • Plaku Skot i nxiti udhëheqësit lokalë të Kishës “të përdorin këto materiale në … presidenci, në mbledhjet e komiteteve ekzekutive të priftërisë dhe në këshilla të lagjeve” (Liahona, maj 2005, fq. 31).

  • Përdorni “Predikoni Ungjillin Tim” si një burim trainimi, bisedash, mendimesh shpirtërore, mësimesh, mbledhjesh shpirtërore dhe studimi vetiak.

Unë dëshmoj se ky udhëzues i punës misionare është frymëzuar nga Perëndia. Ne duhet ta studiojmë atë më me kujdes, që ne të mund të kuptojmë më mirë misionarët tanë dhe punën e tyre. Misionarët dhe anëtarët duhet të flasin në një gjuhë. Ne duhet të bëhemi një në përpjekjet tona për të shpallur ungjillin. Kjo do të na bëjë më të aftë të bëhemi mjete në duart e Zotit, sepse Ai tha: “Po kështu do t’i mbledh unë të zgjedhurit e mi nga të katër anët e dheut, madje të gjithë ata që do të besojnë në mua e do t’i binden zërit tim” (DeB 33:6).

Si anëtarë të Kishës së Tij, nga ne kërkohet të jemi një pjesë e këtij procesi të lavdishëm grumbullimi. Unë dëshmoj për këtë të vërtetë në emrin e Jezu Krishtit, amen.