Tre Qëllime Për t’ju Udhëhequr
Ndikimi juaj shtrihet matanë vetes dhe shtëpisë suaj dhe i prek të tjerët nëpër të gjithë globin.
Këtë mbrëmje shpirti ynë është drejtuar drejt qiellit. Ne jemi bekuar me muzikë të bukur dhe mesazhe frymëzuese. Shpirti i Zotit është këtu.
Motrat Xhuli Bek, Silvia Allred dhe Barbara Tompson — qielli qoftë falë për mamatë dhe baballarët tuaj të dashur, mësuesit tuaj, udhëheqësit tuaj të rinisë dhe të tjerë që dalluan në ju potencialin tuaj.
Për të perifrazuar një mendim:
Nuk mund ta dish kurrë se sa vlen një vajzë,
Do të duhet të presësh për ta parë;
Por çdo grua në një vend fisnik,
Dikur ishte një vajzë.1
Është një privilegj i madh për mua të jem këtu me ju. E di se përveç jush që jeni mbledhur në këtë Qendër të Konferencës, ka mijëra të tjera që po shikojnë dhe dëgjojnë zhvillimet e kësaj mbledhjeje nëpërmjet transmetimit satelitor.
Ndërsa ju flas, e kuptoj se si burrë jam pjesë e pakicës dhe duhet të jem i kujdesshëm me ato që them. Më kujtohet një burrë i cili hyri në një librari dhe e pyeti shitësen — një grua — për ndihmë: “A keni gjë një libër që titullohet: ‘Burri, Zotëruesi i Grave?’” Shitësja e pa drejt e në sy dhe i tha me sarkazëm: “Kontrollo tek seksioni i librave fantastiko-shkencorë!”
Ju siguroj sonte se ju nderoj juve, gratë e Kishës dhe jam mjaft i vetëdijshëm të citoj Uilliam R. Uallas, se “dora që lëkund djepin është dora që sundon botën.”2
Në vitin 1901 Presidenti Lorenco Snow tha: “Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës u kanë … shërbyer njerëzve që vuajnë, ato kanë hedhur krahët e tyre të dashurisë mbi jetimët e të vejat dhe e kanë ruajtur veten të pastër nga bota. Unë mund të dëshmoj se nuk mund të gjenden në botë gra më të pastra dhe më shpirtërore, sesa gratë që gjenden në radhët e Shoqatës së Ndihmës.”3
Si në kohën e Presidentit Snow, ka, këtu dhe tani, vizita që duhen bërë, përshëndetje që duhen dhënë dhe shpirtra të uritur që duhen ushqyer. Ndërsa mendoj për Shoqatën e Ndihmës sot, i përulur nga privilegji im për t’ju folur, kthehem për ndihmë drejt Atit tonë Qiellor për udhëheqjen e tij hyjnore.
Në këtë frymë, kam ndier se duhet t’i jap çdo anëtareje të Shoqatës së Ndihmës nëpër të gjithë botën, tre qëllime për t’u arrirë:
-
1. Studioni me zell.
-
2. Lutuni me sinqeritet.
-
3. Shërbeni me gatishmëri.
Le të diskutojmë për secilin nga këto qëllime. Së pari, studioni me zell. Shpëtimtari i botës udhëzoi: “Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit.”4 Ai shtoi: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.”5
Studimi i shkrimeve të shenjta do t’i ndihmojë dëshmitë tona dhe dëshmitë e pjesëtarëve të familjeve tona. Fëmijët tanë sot, po rriten të rrethuar nga zëra që i shtyjnë ata të braktisin atë që është e drejtë dhe të ndjekin, në vend të kësaj, kënaqësitë e botës. Nëse nuk kanë një themel të fortë në ungjillin e Jezu Krishtit, një dëshmi të së vërtetës dhe një vendosmëri për të jetuar në drejtësi, ata janë të prekshëm ndaj këtyre ndikimeve. Është përgjegjësia jonë t’i forcojmë dhe t’i mbrojmë ata.
Në një masë alarmuese, fëmijët tanë sot po edukohen nga media, përfshirë internetin. Në Shtetet e Bashkuara, raportohet se një fëmijë i zakonshëm sheh katër orë televizor në ditë, me shumë programe të mbushura me dhunë, me përdorim alkooli e droge dhe me përmbajtje seksuale. Shikimi i filmave dhe lojrat elektronike janë përveç këtyre katër orëve.6 Dhe statistikat janë mjaft të ngjashme për vende të tjera të zhvilluara. Mesazhet që paraqiten në televizor, në filma dhe në media të tjera janë shpesh në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato që duam që fëmijët tanë të përqafojnë dhe t’i mbajnë si të çmuara. Është përgjegjësia jonë që jo vetëm t’i mësojmë të shëndoshen në besim dhe doktrinë, por gjithashtu t’i ndihmojmë ata të qëndrojnë në atë mënyrë, pavarësisht nga forcat e jashtme me të cilat mund të përballen. Kjo do të kërkojë mjaft kohë dhe përpjekje nga ana jonë — dhe në mënyrë që të ndihmojmë të tjerët, neve vetë, na duhet kurajoja shpirtërore dhe morale për t’i qëndruar së ligës të cilën e shohim nga të gjitha anët.
Ne jetojmë në një kohë për të cilën flitet tek 2 Nefi, kapitulli 9:
“O, kotësia dhe dobësitë dhe marrëzia e njerëzve! Kur janë të mësuar, ata mendojnë se janë të ditur dhe nuk dëgjojnë këshillën e Perëndisë, pasi e lënë mënjanë, duke supozuar se ata dinë nga vetja e tyre, prandaj, dituria e tyre është marrëzi dhe ajo nuk është e dobishme për ta. Dhe ata do të mbarojnë.
Por të jenë të mësuar është mirë, nëse ata dëgjojnë këshillat e Perëndisë.”7
Kërkohet kurajo për t’u mbajtur fort tek standardet, pavarësisht përqeshjes së botës. Tha Presidenti J. Ruben Klark i Riu, i cili ishte për shumë kohë anëtar i Presidencisë së Parë: “Nuk janë të panjohura rastet kur [ata] që pretendonin se kishin besim… kanë menduar se nëse do të dëshmonin plotësisht për besimin e tyre, mund të përqesheshin nga kolegët e tyre jobesimtarë, e kështu e kanë përshtatur apo e kanë shpjeguar në mënyrë të gabuar besimin e tyre, ose kanë dhënë një shpjegim të dobët për besimin e tyre, ose e kanë mohuar plotësisht atë. Të tillë janë hipokritë.”8
Më vijnë ndër mend vargjet e fuqishme që gjenden tek 2 Timoteut, në Dhjatën e Re, kapitulli 1, vargjet 7 dhe 8:
“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.
Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë.”
Përveç studimit tonë të çështjeve shpirtërore, mësimi laik është gjithashtu thelbësor. Shpesh e ardhmja është e panjohur; prandaj na duhet të përgatitemi për të papriturat. Statistikat tregojnë se do të vijë një kohë, që për arsye të sëmundjeve ose vdekjes së bashkëshortit, ose për shkak të nevojave ekonomike, ju mund ta gjeni veten në rolin e siguruesit financiar. Disa nga ju tashmë e luajnë atë rol. Unë ju nxis të vazhdoni shkollimin tuaj — nëse nuk po e bëni këtë tani apo nuk e keni bërë më parë — që të mund të jeni të përgatitura për të siguruar për jetën nëse viheni përballë një situate të tillë.
Talentet tuaja do të zgjerohen ndërsa studioni dhe mësoni. Do të jeni të afta të ndihmoni familjet tuaja më mirë në të mësuarin e tyre dhe do të keni paqe në mendje nga dija se keni përgatitur veten për të papriturat që mund të hasni në jetë.
E përsëris: Studioni me zell.
Qëllimi i dytë që dëshiroj të përmend: Lutuni me sinqeritet. Zoti na ka udhëzuar: “Lutu gjithmonë e unë do të derdh Shpirtin tim mbi ty dhe i madh do të jetë bekimi yt.”9
Ndoshta nuk ka patur kurrë një kohë kur të kemi patur më shumë nevojë të lutemi dhe të mësojmë pjesëtarët e familjes tonë të luten. Lutja është një mbrojtje ndaj tundimit. Pikërisht nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe të çiltër ne mund të marrim bekimet e nevojshme dhe ndihmën e kërkuar për të ecur përpara në udhëtimin ndonjëherë të vështirë dhe sprovues, të cilin e quajmë vdekshmëri.
Ne mund t’u mësojmë rëndësinë e lutjes fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, si me fjalë ashtu edhe me shembull. Po ndaj me ju një histori të mësimit me anë të shembullit, që tregohet në letrën që një nënë më ka dërguar në lidhje me lutjen. “I dashur Presidenti Monson: Ndonjëherë pyes veten nëse sjell ndonjë ndryshim në jetën e fëmijëve të mi. Veçanërisht si një nënë e vetme që punon në dy punë për të përballuar jetesën, ndonjëherë kthehem në shtëpi ku më pret rrëmuja, por kurrë nuk e humbas shpresën.”
Letra e saj vazhdon ndërsa ajo përshkruan se si ajo dhe fëmijët e saj po shikonin konferencën e përgjithshme, ku unë po flisja rreth lutjes. Djali i saj vërejti: “Mami, ti tashmë na e ke mësuar këtë.” Ajo e pyeti: “Çfarë do të thuash?” I biri iu përgjigj: “Në fakt, ti na ke mësuar dhe na ke treguar si të lutemi, por një natë unë erdha në dhomën tënde për të të pyetur për diçka dhe të gjeta në gjunjë duke iu lutur Atit Qiellor. Në qoftë se Ai është i rëndësishëm për ty, do të jetë i rëndësishëm edhe për mua.” Letra përfundonte: “Besoj se kurrë nuk e dimë se ç’ndikim do të kemi, derisa një fëmijë të shikon ty vetë duke bërë atë që je përpjekur t’ia mësosh atij.”
Disa vite më parë, pak para se të largohesha nga Solt Lejk Siti për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Skautistëve të Amerikës në Atlanta, Xhorxhia, vendosa të marr me vete një sasi të mjaftueshme revistash të Kishës “New Era”, që të mund t’u jepja zyrtarëve të skautizmit kopje të këtij botimi të shkëlqyer. Kur arrita tek hoteli në Atlanta, e hapa pakon me revista. Zbulova se sekretarja ime, pa ndonjë arsye të veçantë, kishte vënë në pako dy kopje tepër të botimit të qershorit, një botim që paraqiste martesën në tempull. I lashë dy kopjet në dhomën e hotelit dhe, sipas planit, shpërndava kopjet e tjera.
Ditën e fundit të mbledhjeve, nuk pata dëshirë të merrja pjesë në drekën e planifikuar dhe ndjeva që duhet të kthehesha në dhomën time. Telefoni po binte ndërkohë që hyra në dhomë. Më telefononte një anëtare e Kishës e cila kishte dëgjuar që isha në Atlanta. Ajo u prezantua dhe më pyeti nëse mund t’i jepja një bekim vajzës së saj 10-vjeçare. Unë pranova menjëherë, dhe ajo më tha se ajo dhe bashkëshorti i saj, vajza dhe djali i tyre do të vinin menjëherë në dhomën time të hotelit. Ndërsa po prisja, u luta për ndihmë. Zhurma e mbledhjes u zëvendësua me ndjenja paqeje që shoqëruan lutjen.
Më pas erdhi trokitja në derë dhe privilegji i cili ishte i imi të takoja një familje të shkëlqyer. Vajza dhjetë vjeçare ecte me ndihmën e patericave. Kanceri kishte kërkuar prerjen e këmbës së saj të majtë; megjithatë, fytyra e saj ishte rrezatuese, besimi i saj tek Perëndia, i palëkundur. Një bekim u dha. Nëna dhe i biri u gjunjëzuan në anë të shtratit ndërsa babai dhe unë vendosëm duart tona mbi vajzën e vogël. Ne u udhëhoqëm nga Shpirti i Perëndisë. Ne u përulëm nga fuqia e tij.
Ndjeva lotët që më rridhnin nëpër faqe dhe binin mbi duart e mia ndërsa ato qëndronin mbi kokën e asaj fëmije të bukur të Perëndisë. Fola për ordinancat e përjetshme dhe ekzaltimin familjar. Zoti më frymëzoi ta nxisja këtë familje të hynte në tempullin e shenjtë të Perëndisë. Në përfundim të bekimit, mësova se një vizitë e tillë në tempull ishte planifikuar tashmë. Më bënë pyetje në lidhje me tempullin. Nuk dëgjova zëra qiellorë, as nuk pata ndonjë vegim. Megjithatë këto fjalë erdhën qartë në mendjen time: “Referoju revistës ‘New Era.’” Pashë në drejtim të komosë dhe aty ishin dy kopjet shtesë të botimit për tempullin të revistës “New Era”. Një kopje ia dhashë vajzës dhe një tjetër prindërve të saj. I rishikuam ato së bashku.
Familja u largua dhe dhoma ishte përsëri e qetë. Një lutje mirënjohjeje erdhi lehtësisht dhe, përsëri, vendimi që gjithmonë ta përfshij lutjen si pjesë të jetës sime.
Motrat e mia të dashura, mos u lutni për detyra në përputhje me aftësitë tuaja, por lutuni për aftësi që të përmbushni detyrat tuaja. Atëherë kryerja e detyrave tuaja nuk do të jetë mrekullia, por ju do të jeni vetë mrekullia.
Lutuni me sinqeritet.
Së fundi, shërbeni me gatishmëri. Ju jeni një forcë e madhe mirësie, një nga më të fuqishmet në të gjithë botën. Ndikimi juaj shtrihet matanë vetes dhe shtëpisë suaj dhe i prek të tjerët nëpër të gjithë globin. Ju keni afruar vëllezërit dhe motrat tuaja nëpër rrugë, qyetete, kombe, kontinente e matanë oqeaneve. Ju mishëroni moton e Shoqatës së Ndihmës: “Dashuria hyjnore nuk dështon kurrë.”
Ju jeni, sigurisht, të rrethuara nga mundësi për të shërbyer. Pa dyshim që ndonjëherë ju dalloni aq shumë mundësi për të shërbyer, saqë ndiheni disi të mbingarkuara. Ku të filloni? Si mund t’i bëni të gjitha këto? Si të zgjidhni, nga të gjitha nevojat që vëreni, ku dhe si të shërbeni?
Shpesh vepra të vogla shërbimi janë gjithçka që kërkohet për të frymëzuar dhe bekuar dikë: një pyetje mbi familjen e dikujt, fjalë të shpejta inkurajimi, një kompliment i sinqertë, një shënim i vogël falenderimi, një telefonatë e shkurtër. Nëse jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm dhe nëse veprojmë sipas nxitjeve që na vijnë, ne mund të përmbushim mjaft vepra mirësie. Ndonjëherë, sigurisht, kërkohet të bëjmë akoma më shumë.
Mësova kohët e fundit për një shërbim dashamirës që iu dha një nëne kur fëmijët e saj ishin mjaft të vegjël. Shpesh ajo ngrihej në mes të natës për t’u kujdesur për të vegjlit e saj, siç bëjnë nënat. Shpesh mikja dhe fqinja e saj, që jetonte nga ana tjetër e rrugës, vinte të nesërmen dhe i thoshte: “Pashë që kishe ndezur dritat në mes të natës dhe e dija se ishe zgjuar duke u marrë me fëmijët. Do t’i marr në shtëpinë time për nja dy orë, kështu që të flesh pak.” Tha kjo nënë me falenderim: “Isha shumë mirënjohëse për ofertën e saj të mirëpritur, dhe vetëm pasi kjo kishte ndodhur shumë herë e kuptova se, nëse ajo i kishte parë dritat e mia në mes të natës, ajo do të kishte qenë zgjuar me ndonjë nga fëmijët e saj po ashtu dhe kishte nevojë për gjumë ashtu si edhe unë. Ajo më mësoi një mësim të madh dhe që atëherë jam përjekur të jem po aq e kujdesshme sa ajo, në kërkimin e mundësive për të shërbyer.”
Të panumërta janë veprat e shërbimit të siguruara nga moria e mësueseve të vizitave të Shoqatës së Ndihmës. Disa vite më parë dëgjova për dy nga to, të cilat ndihmuan një të ve të pikëlluar, Anxhelën, mbesën e një kushëririt tim. Bashkëshorti i Anxhelës dhe një miku i tij kishin vajtur për shëtitje me motor bore dhe ishin bërë viktima të asfiksisë nga një ortek i cili i kishte zënë. Secili nga ata la prapa një grua shtatzënë — në rastin e Anxhelës, fëmijën e saj të parë dhe në rastin tjetër, një grua që jo vetëm priste një fëmijë, por që gjithashtu ishte nëna e një fëmije të vogël. Në funeralin që u mbajt për bashkëshortin e Anxhelës, peshkopi raportoi se sapo dëgjoi për aksidentin tragjik, ai kishte vajtur menjëherë në shtëpinë e Anxhelës. Pothuaj menjëherë sapo arriti, ra zilja e derës. Dera u hap dhe aty qëndruan dy mësueset e vizitave të Anxhelës. Peshkopi tha se kishte parë se si ato me sinqeritet i shprehën Anxhelës dashurinë dhe dhembshurinë e tyre. Të tre gratë qanë së bashku dhe ishte e dukshme se këto dy mësuese vizitash të mira, shqetësoheshin thellësisht për Anxhelën. Ashtu siç ndoshta vetëm gratë munden, ato me butësi — pa i pyetur — treguan saktësisht se çfarë ndihme do të siguronin. Se ato do të ishin pranë për aq kohë sa Anxhela do të kishte nevojë për to, kjo ishte e kuptueshme. Peshkopi shprehu mirënjohjen e tij të thellë për njohurinë se ato do të ishin një burim i vërtetë ngushëllimi për të gjatë ditëve në vijim.
Të tilla vepra dashurie dhe dhembshurie përsëriten përsëri e përsëri nga mësueset e mrekullueshme të vizitave në këtë Kishë — jo gjithmonë në situata të tilla dramatike, por sidoqoftë po me aq çiltërsi.
Unë ju lavdëroj ju, të cilat me një kujdesje të dashur dhe një shqetësim të dhembshur, ushqeni të uriturit, vishni të zhveshurit dhe strehoni të pastrehët. Ai që vëren rënien e harabelit nuk do të mund të mos vërë re një shërbim të tillë. Dëshira për të lartësuar, gatishmëria për të ndihmuar dhe shpirtmirësia për të dhënë, vijnë nga një zemër e mbushur me dashuri. Shërbeni me gatishmëri.
Profeti unë i dashur, madje Presidenti Gordon B. Hinkli, tha për ju: “Perëndia vendosi brenda grave diçka hyjnore që e gjen shprehjen e vet në forcën e heshtur, në delikatesën, në paqen, mirësinë, virtytin, të vërtetën dhe dashurinë.”10
Motrat e mia të dashura, Ati ynë Qiellor ju bekoftë secilën nga ju, të martuara apo jo, në shtëpinë, familjen dhe vetë jetën tuaj — që ju të mund të meritoni përshëndetjen e lavdishme të Shpëtimtarit të Botës: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”11. Për këtë lutem, ndërsa ju bekoj juve dhe gjithashtu bashkëshorten e dashur të Xhejms E. Faustit, Ruthin e tij të dashur, e cila ndodhet sonte këtu në rreshtin përballë, dhe familjen e tyre, në emrin e Jezu Krishtit, amen.