O, Kujtoni, Kujtoni
“O kujtoni, kujtoni”, u përgjëruan shpesh profetët e Librit të Mormonit.1 Qëllimi im është t’ju nxis të gjeni mënyra të dalloni dhe të kujtoni mirësinë e Perëndisë.
I qeshë mirënjohës korit për transmetimin e tyre në këtë mëngjes, i cili ishte për Shpëtimtarin dhe qeshë mirënjohës kur pashë se tekstin e një prej këngëve që kënduan ata, “Ky Është Krishti”, e shkroi Presidenti Xhejms E. Faust. Ndërsa rrija ulur pranë Vëllait Njuell, u përkula drejt tij dhe e pyeta: “Si i keni fëmijët?” Ai tha: “Kur Presidenti Faust ulej në atë kolltuk, pyeste përherë këtë gjë.” Nuk çuditem, sepse ishte përherë shembulli i përsosur i dishepullit që u përshkrua sot tek transmetimi “Muzika dhe Teksti i Folur.” Gjithnjë kam menduar që, kur të rritesha, do të doja të isha si Presidenti Faust. Ndoshta mund të ketë ende kohë.
Kur fëmijët tanë ishin mjaft të vegjël, unë fillova të shkruaj nga pak mbi gjërat që ndodhnin çdo ditë. Më lejoni t’ju them se si filloi ajo gjë. U ktheva në shtëpi vonë nga një detyrë e Kishës. Ndërkohë ishte errësuar. Vjehërri im, i cili jetonte pranë nesh, më habiti ndërsa po ecja në drejtim të derës kryesore të shtëpisë sime. Ai po mbante një sasi tubash në shpatulla, ecte mjaft shpejt e ishte veshur me rrobat e tij të punës. E dija se po ndërtonte një sistem për të sjellë ujë me pompë në pronën tonë nga një përrua poshtë nesh.
Ai buzëqeshi, foli me butësi dhe më pas më kaloi me nxitim në errësirë për të vazhduar me punën e tij. Eca disa hapa drejt shtëpisë, duke menduar për atë që ai po bënte për ne, dhe sapo shkova tek dera, dëgjova në mendjen time — jo sipas zërit tim — këto fjalë: “Nuk po t’i jap këto përvoja për veten tënde. Shkruaji ato.”
Hyra brenda. Nuk shkova drejt shtratit. Megjithëse isha i lodhur, mora një copë letër dhe fillova të shkruaj. Dhe ndërsa e bëra atë, e kuptova mesazhin që pata dëgjuar në mendjen time. Duhet të shkruaja që fëmijët e mi të lexonin, një ditë në të ardhmen, se si e kisha parë dorën e Perëndisë ta bekonte familjen tonë. Gjyshi nuk ishte i detyruar ta bënte atë gjë për ne. Ai mund ta bënte atë me dikë tjetër apo të mos e kishte bërë fare atë gjë. Por ai po na shërbente neve, familjes së tij, në mënyrën që veprojnë gjithnjë dishepujt e besëlidhjes së Jezu Krishtit. E dija që ajo ishte e vërtetë. Dhe kështu e shkrova atë, në mënyrë që fëmijët e mi të mund të kishin atë kujtim një ditë kur të kishin nevojë për të.
Shkrova pak rreshta përditë për vite me radhë. Nuk lashë asnjë ditë pa shkruar, pavarësisht sa i lodhur isha apo sa herët do të më duhej ta nisja ditën tjetër. Përpara se të shkruaja, mendohesha për këtë pyetje: “A e kam parë dorën e Perëndisë të afrohet për të na prekur ne apo fëmijët ose familjen tonë sot?” Ndërsa vazhdova ta bëj atë, diçka filloi të ndodhë. Ndërkohë që i ktheja mendimet rreth ditës që kisha kaluar, do të shihja provën e asaj që Perëndia kishte bërë për një nga ne, të cilën nuk e kisha kuptuar gjatë momenteve të zëna të ditës. Ndërsa kjo ndodhte, dhe ajo ndodhte shpesh, fillova të kuptoj se përpjekja për të kujtuar i kishte mundësuar Perëndisë të më tregonte se çfarë Ai kishte bërë.
Më shumë sesa mirënjohje filloi të rritej në zemrën time. Dëshmia u rrit. U bëra gjithmonë e më i sigurt se Ati ynë Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Ndjeva më shumë mirënjohje për butësinë dhe pastrimin që erdhi për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit Jezu Krishti. Dhe unë u rrita më shumë në vetëbesim se Fryma e Shenjtë mund t’i sjellë të gjitha gjërat në kujtesën tonë — madje gjëra të cilat nuk i vumë re ose nuk u dhamë rëndësi kur ato ndodhën.
Vitet kanë kaluar. Djemtë e mi tani janë bërë burra. Dhe herë pas here një nga ata do të më habisë duke më thënë: “Baba, po lexoja në kopjen time të ditarit në lidhje me atëherë kur … .” dhe më pas më thotë se leximi i asaj që ndodhi shumë kohë më parë, e ndihmoi atë të vërë re diçka që Perëndia kishte bërë në jetën e tij.
Qëllimi im është t’ju nxis të gjeni mënyra që të dalloni dhe të kujtoni mirësinë e Perëndisë. Ajo do të ndërtojë dëshminë tuaj. Ju ndoshta nuk mbani një ditar. Ju ndoshta nuk ndani çfarëdo kujtimesh që ruani, me ata që doni dhe u shërbeni. Por ju dhe ata do të bekoheni ndërsa kujtoni atë që Zoti ka bërë. Juve ju kujtohet kënga që e këndojmë herë pas here: “Numëro bekimet që ke, një nga një, dhe do të habitesh ç’ka Zoti ka bër.”2
Nuk do të jetë e lehtë për të mbajtur mend. Duke jetuar ashtu, me një vel mbi sytë tanë, nuk mund të kujtojmë se si ishte në prani të Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, në botën para lindjes; dhe as nuk mund të shohim me sytë tanë fizikë ose vetëm me anë të arsyes dorën e Perëndisë në jetën tonë. Për t’i parë ato gjëra, nevojitet Fryma e Shenjtë. Dhe nuk është e lehtë të jesh i denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë në një botë të ligë.
Kjo është pse harrimi i Perëndisë ka qenë një problem aq i vazhdueshëm mes fëmijëve të Tij, që kur bota filloi. Mendoni për kohën e Moisiut, kur Perëndia siguroi mana dhe në mënyra të mrekullueshme dhe të dukshme i udhëhoqi dhe i mbrojti fëmijët e Tij. Megjithatë, profeti i paralajmëroi njerëzit që kishin qenë bekuar në atë mënyrë, ashtu si profetët gjithmonë na kanë paralajmëruar dhe gjithmonë do ta bëjnë atë: “Kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj.”3
Dhe sfida për të kujtuar gjithmonë ka qenë ajo më e vështira për ata që janë bekuar me bollëk. Ata që janë besnikë ndaj Perëndisë janë të mbrojtur dhe të begatuar. Ajo vjen si rrjedhojë e shërbimit ndaj Perëndisë dhe mbajtjes së urdhërimeve të Tij. Por me ato bekime vjen tundimi për të harruar burimin e tyre. Është e lehtë të fillosh të mendosh se bekimet nuk erdhën nga një Perëndi i dashur nga i cili ne varemi, por nga vetë fuqitë tona. Profetët e kanë përsëritur këtë vajtim përsëri e përsëri:
“Dhe kështu ne mund të shohim sa të rreme dhe gjithashtu paqëndrueshmërinë e zemrave të fëmijëve të njerëzve; po, ne mund të shohim se Zoti në mirësinë e tij të madhe e të pafund, bekon dhe i përparon ata që e vendosin besimin e tyre në të.
Po, dhe ne mund të shohim që pikërisht, në kohën kur ai begaton popullin e tij, po, në shtimin e arave të tyre, të grigjave të tyre dhe të kopeve të tyre dhe në ar, dhe në argjend, dhe në të gjitha gjërat e çmueshme të çfarëdo lloji dhe mjeshtërie; duke u kursyer jetën dhe duke i çliruar nga duart e armiqve të tyre; duke zbutur zemrat e armiqve të tyre, që ata të mos shpallin luftë kundër tyre; po, dhe në fund, duke bërë të gjitha gjërat për mirëqenien dhe për lumturinë e popullit të tij; po, atëherë është koha që ata ngurtësojnë zemrat e tyre dhe harrojnë Zotin, Perëndinë e tyre dhe shkelin nën këmbët e tyre të Shenjtin — po, dhe këtë gjë e bëjnë për shkak të rehatisë së tyre dhe begatisë së tyre jashtëzakonisht të madhe.”
Dhe profeti vazhdon të thotë:
“O, sa të shpejtë që të ngrihen në kryelartësi; po, sa të shpejtë që të mburren dhe të bëjnë çdo gjë nga ajo që është paudhësi; dhe sa të ngadalshëm që janë të kujtojnë Zotin, Perëndinë e tyre dhe t’u vënë veshin këshillave të tij, po, sa të ngadalshëm që të ecin në shtigjet e urtësisë!”4
Fatkeqësisht, begatia nuk është e vetmja arsye që njerëzit e harrojnë Perëndinë. Mund të jetë gjithashtu e vështirë ta kujtojmë Atë kur jeta jonë shkon keq. Kur mundohemi, siç bëjnë aq shumë njerëz, nga varfëria e madhe ose kur armiqtë tanë triumfojnë mbi ne, ose kur sëmundja nuk shërohet, armiku i shpirtit tonë mund të dërgojë mesazhin e tij të lig që nuk ka Perëndi ose se nëse Ai ekziston, Ai nuk shqetësohet për ne. Atëherë mund të jetë e vështirë që Fryma e Shenjtë të sjellë në kujtesën tonë bekimet e tërë jetës që Zoti na ka dhënë nga foshnjëria jonë dhe përgjatë kohëve të vështira.
Ka një kurë të thjeshtë për sëmundjen e tmerrshme të harrimit të Perëndisë, bekimeve të Tij dhe mesazheve të Tij për ne. Jezu Krishti ua premtoi atë dishepujve të Tij pak para se të kryqëzohej, ringjallej dhe më pas të merrej nga ta për t’u ngjitur në lavdi tek Ati i Tij. Ata ishin të shqetësuar për të ditur se si do të mund të duronin kur Ai të mos ishte më me ta.
Këtu është premtimi. U përmbush për ta atëherë. Mund të përmbushet për të gjithë ne tani:
“Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;
por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.”5
Çelësi që të çon tek kujtesa që sjell dhe ruan dëshminë, është marrja e Frymës së Shenjtë si një shoqërues. Është Fryma e Shenjtë i cili na ndihmon të shohim se çfarë Perëndia ka bërë për ne. Është Fryma e Shenjtë i cili mund të ndihmojë ata që shërbejnë të shohin çfarë Perëndia ka bërë për ta.
Ati Qiellor na ka dhënë një model të thjeshtë që të marrim Frymën e Shenjtë jo vetëm një herë, por vazhdimisht në pështjellimin e jetëve të përditshme. Modeli përsëritet në lutjen e sakramentit: Ne premtojmë se gjithmonë do ta kujtojmë Shpëtimtarin. Ne premtojmë të marrim mbi vete emrin e Tij. Ne premtojmë t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Dhe ne na premtohet se, po të veprojmë ashtu, do të kemi Shpirtin e Tij me ne.6 Ato premtime veprojnë së bashku në një mënyrë të mrekullueshme për të forcuar dëshmitë tona dhe me kalimin e kohës, nëpërmjet Shlyerjes, të ndryshojnë natyrën tonë ndërsa mbajmë pjesën tonë të premtimit.
Është Fryma e Shenjtë i cili dëshmon se Jezu Krishti është Biri i Dashur i një Ati Qiellor i cili na do dhe do që të kemi jetë të përjetshme me Të si familje. Madje edhe me fillimin e asaj dëshmie, ne ndiejmë një dëshirë për t’i shërbyer Atij dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij. Kur ngulmojmë në bërjen e kësaj, ne marrim dhurata të Shpirtit të Shenjtë për të na dhënë fuqi në shërbimin tonë. Ne arrijmë të shohim dorën e Perëndisë më me qartësi, aq me qartësi saqë me kalimin e kohës jo vetëm e kujtojmë Atë, por arrijmë ta duam Atë dhe nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, të bëhemi më shumë si Ai.
Ju mund të pyesni: “Por si fillon ky proces tek dikush i cili nuk di asgjë rreth Perëndisë dhe nuk pretendon ndonjë kujtesë të ndonjë përvoje shpirtërore?” Çdokush ka patur përvoja shpirtërore që madje mund të mos i ketë dalluar. Çdo personi, kur hyn në botë, i jepet Shpirti i Krishtit. Mënyra si ai shpirt vepron, përshkruhet tek libri i Moronit:
“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia.
Por, çdo gjë që i bind njerëzit të bëjnë keq dhe të mos besojnë në Krisht, dhe ta mohojnë atë, dhe të mos i shërbejnë Perëndisë, atëherë ju mund ta dini me një njohuri të përsosur se ajo është e djallit; pasi sipas kësaj mënyre punon djalli, pasi ai nuk bind asnjë njeri të bëjë mirë, jo, asnjë; ashtu edhe engjëjt e tij; ashtu edhe ata që i nënshtrohen atij… .
Prandaj, unë ju lutem me ngulm, vëllezër, që ju të kërkoni me zell në dritën e Krishtit, që të mund të njihni të mirën nga e keqja; dhe në qoftë se do të mbështeteni në çdo gjë të mirë dhe të mos e dënoni, me siguri ju do të jeni një fëmijë i Krishtit.”7
Kështu, madje edhe para se njerëzit të marrin të drejtën ndaj dhuratave të Frymës së Shenjtë, kur ata konfirmohen si anëtarë të Kishës, dhe madje përpara se Fryma e Shenjtë t’u konfirmojë të vërtetën përpara pagëzimit, ata kanë përvoja shpirtërore. Shpirti i Krishtit tashmë, që nga fëmijëria e tyre, i ka ftuar të bëjnë mirë dhe i ka paralajmëruar kundër së ligës. Ata kanë kujtesa të atyre përvojave madje edhe nëse nuk e kanë dalluar burimin e tyre. Ajo kujtesë do t’u kthehet kur misionarët ose ne u mësojmë fjalën e Perëndisë dhe ata e dëgjojnë atë. Ata do të kujtojnë ndjenjën e gëzimit apo hidhërimit kur iu mësuan të vërtetat e ungjillit. Dhe ajo kujtesë e Shpirtit të Krishtit do të zbusë zemrën për të lënë Frymën e Shenjtë t’u dëshmojë. Kjo gjë do t’i çojë ata të zbatojnë urdhërimet dhe të duan të marrin emrin e Shpëtimtarit mbi vete. Dhe kur ta bëjnë këtë, në ujërat e pagëzimit, dhe ndërsa dëgjojnë gjatë konfirmimit fjalët “Merre Frymën e Shenjtë” të folura nga një shërbëtor i autorizuar nga Perëndia, fuqia për ta kujtuar gjithmonë Perëndinë do të rritet.
Unë dëshmoj se ndjenjat e ngrohta që keni patur ndërsa keni dëgjuar të vërtetat e folura në këtë konferencë, janë nga Fryma e Shenjtë. Shpëtimtari i cili premtoi se Fryma e Shenjtë do të vijë, është Biri i dashur dhe i lavdëruar i Atit tonë Qiellor.
Sonte dhe nesër mbrëma, ju mund të luteni dhe të meditoni, duke bërë pyetjet: “A dërgoi Perëndia një mesazh që ishte vetëm për mua? E kam parë dorën e Tij në jetën time apo në atë të fëmijëve të mi?” Unë do ta bëj atë. Dhe më pas do të gjej një mënyrë për ta ruajtur atë kujtesë për ditën që unë, dhe ata që unë dua, do të kemi nevojë të kujtojmë se sa shumë Perëndia na do dhe sa shumë ne e duam Atë. Unë dëshmoj se Ai na do dhe na bekon, më shumë sesa shumica nga ne e kanë kuptuar. Unë e di se kjo është e vërtetë dhe më sjell gëzim ta kujtoj Atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.