2007
Të Dimë Që Vërtet Dimë
Nëntor 2007


Të Dimë Që Vërtet Dimë

Dëshmia e të tjerëve mund ta fillojë dhe ta ushqejë dëshirën për besim dhe dëshmi, por në fund të fundit çdo njeri duhet ta gjejë vetë.

Vite më parë një burrë e akuzuan për krim të rëndë. Prokurori paraqiti tre dëshmitarë, secili prej të cilëve e pa burrin të kryejë krimin. Atëherë mbrojtja paraqiti tre dëshmitarë, asnjë prej të cilëve nuk kishte parë të kryhej krim. Trupi gjykues naiv u hutua. Të bazuar mbi numrin e dëshmitarëve, trupit gjykues i dukej se faktet e kundërta ishin në barazpeshë. Burri u shpall i pafajshëm. S’kishte asnjë lidhje, sigurisht, që edhe miliona njerëz të tjerë nuk e kishin parë kurrë krimin. Vetëm një dëshmitar do të duhej.

Në gjeninë e planit të ungjillit, vetëm në fund të fundit duhet të ketë një dëshmitar, por ai dëshmitar duhet të jeni ju. Dëshmia e të tjerëve mund ta fillojë dhe ta ushqejë dëshirën për besim dhe dëshmi, por në fund të fundit çdo njeri duhet ta gjejë vetë. Askush nuk mund të rezistojë me dritë të huazuar.

Ungjilli i rivendosur nuk është sot më i vërtetë se atëherë kur një djalë i vetmuar doli nga Korija e Shenjtë më 1820. E vërteta kurrë nuk ka qenë e varur nga numri i atyre që e përqafojnë. Kur Jozefi u largua nga korija, kishte vetëm një njeri në tokë i cili e dinte të vërtetën e Perëndisë Atë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Është, megjithatë, e nevojshme që secili ta zbulojë vetë dhe ta mbartë atë dëshmi të zjarrtë deri në jetën tjetër.

Kur 23-vjeçari Hibër J. Grant u caktua president i Kunjit Tuilla, u tha shenjtorëve se ai besonte që ungjilli ishte i vërtetë. Presidenti Jozef F. Smith, atëherë këshilltar në Presidencinë e Parë, pyeti: “Hibër, ju thatë se e besoni ungjillin me gjithë zemër, … por nuk dhatë dëshmi që e dini se është i vërtetë. Nuk e dini krejtësisht se ky ungjill është i vërtetë?”

Hibëri u përgjigj: “Nuk e di.” Atëherë Jozef F. Smith u kthye nga Xhon Tejlor, Presidenti i Kishës, dhe tha: “Jam dakord që në këtë pasdite të prapësojmë atë që bëmë këtë mëngjes. Nuk mendoj se ndonjë njeri duhet të kryesojë mbi një kunj pa pasur një dije të përkryer dhe të qëndrueshme për natyrën hyjnore të kësaj pune.”

Presidenti Tejlor u përgjigj: “Jozef, Jozef, Jozef, [Hibëri] e di atë po aq mirë sa ju. E vetmja gjë që nuk di ai, është se ai vërtet e di atë.”

Brenda pak javëve ajo dëshmi u kuptua dhe i riu Hibër J. Grant derdhi lot mirënjohjeje për dëshminë e përkryer, të qëndrueshme dhe absolute që hyri në jetën e tij.1

Është gjë e madhe të dish — dhe të dish që di vërtet — dhe që drita nuk u mor hua nga një tjetër.

Vite më parë kryesova një mision me seli në veri të pjesës qendrore të Shteteve të Bashkuara. Një ditë, bashkë me disa prej misionarëve tanë fola me një përfaqësues të vlerësuar të një besimi tjetër të krishterë. Ky shpirt fisnik foli për historinë dhe doktrinën e fesë së tij, duke përsëritur si përfundim fjalët e njohura: “Ju shpëtoheni me anë të hirit. Çdo burrë dhe grua duhet të ushtrojë besim te Krishti që të bëhet një qenie e shpëtuar.”

Mes të pranishmëve ndodhej një misionar i ri. Ai ishte plotësisht i pamësuar me fetë e tjera. Iu desh të bënte pyetjen: “Zotëri, po çfarë i ndodh foshnjës së vogël që vdes para se të ketë mjaft vite për të kuptuar dhe ushtruar besim te Krishti?” Ai burrë i mësuar uli kokën, vështroi dyshemenë dhe tha: “Duhet të kishte një përjashtim. Duhet të kishte një rast të veçantë. Duhet të kishte një mënyrë, por nuk ka.”

Misionari pa nga unë dhe me lot në sy tha: “Sa fat, president, që ne kemi të vërtetën, apo jo!”

Çasti i perceptimit të dëshmisë — kur ju dini që e dini — është i ëmbël dhe madhështor. Ajo dëshmi, në qoftë se e ushqeni, do të qëndrojë mbi ju si një mantel. Kur ne shohim dritë, ne rrëmbehemi prej saj. Dritat e të kuptuarit ndizen përbrenda nesh.

Njëherë bisedova me një të ri të shkëlqyer i cili nuk ishte i besimit tonë, megjithëse kishte frekuentuar për më shumë se një vit shumicën e shërbesave tona të adhurimit. E pyeta përse nuk ishte bashkuar me Kishën. U përgjigj: “Sepse unë nuk e di nëse është e vërtetë. Mendoj se ka mundësi të jetë e vërtetë, por nuk mund të ngrihem e të dëshmoj, siç bëni ju: ‘Unë vërtet e di që është e vërtetë.’”

E pyeta: “E ke lexuar Librin e Mormonit?” U përgjigj se kishte lexuar nga libri.

E pyeta a ishte lutur në lidhje me librin. Ai u përgjigj: “E kam përmendur në lutjet e mia.”

Unë i tregova mikut tim se, për sa kohë lexonte dhe lutej rastësisht, nuk do ta mësonte kurrë, botë pa fund. Por, kur ai të vinte mënjanë një kohë për agjërim dhe lutje, e vërteta do të flakëronte deri në brendësi të zemrës së tij dhe ai do ta dinte se vërtet e dinte. Ai nuk më tha asgjë më tepër, por të nesërmen në mëngjes i tha së shoqes se do të agjëronte. Të shtunën tjetër u pagëzua.

Në rast se dëshironi të dini se vërtet dini, duhet paguar një çmim. Dhe vetëm ju duhet ta paguani atë çmim. Ka zëvendësues në kryerjen e ordinancave, por asnjë të tillë në marrjen e një dëshmie.

Alma foli me këto fjalë të mrekullueshme për kthimin e tij në besim: “Unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar” (Alma 5:46).

Kur kuptohet dëshmia, ekziston një dëshirë e flaktë nga ai që e zotëron t’ua rrëfejë atë dëshmi të tjerëve. Kur Brigam Jangu mori pagëzimin e tij, tha: “Shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe u ndjeva sikur kockat do të më digjeshin përbrenda, po të mos u flisja njerëzve… . Në të parën ligjëratë që kam mbajtur zura mbi një orë kohë. Hapa gojën dhe Zoti e mbushi atë.”2 Ashtu si një zjarr nuk djeg pa u shfaqur flaka, ashtu dëshmia nuk qëndron, përveçse kur shprehet.

Më vonë Brigam Jangu tha për Orson Pratin: “Nëse Vëllai Orson të copëtohej në pjesë të vogla fare, secila pjesë do të thërriste ‘Mormonizmi [është] i vërtetë.’”3 Atë Lehi e lëvdoi të birin fisnik, Nefin, me këto fjalë: “Por, vini re, nuk ishte ai, por ishte Shpirti i Zotit që ishte në të, që hapi gojën e tij të fliste, kështu që ai nuk mund ta mbyllte atë” (2 Nefi 1:27).

Rasti dhe përgjegjësia për dhënien e dëshmisë gjenden së pari në mjedisin familjar. Fëmijët tanë duhet të jenë në gjendje të kujtojnë dritën në sytë tanë, tingullin e dëshmive tona në veshët e tyre dhe ndjenjën në zemrën e tyre, kur ne japim dëshmi para dëgjuesve tanë më të çmuar që Jezusi ishte me të vërtetë Biri i vetë Perëndisë dhe që Jozef Smithi ishte profet i Tij. Pasardhësit tanë duhet ta dinë se ne dimë vërtet, për arsye se ua themi atyre shpesh.

Udhëheqësit e hershëm të Kishës paguan një çmim të madh për themelimin e kësaj periudhe ungjillore. Ndoshta do t’i takojmë ata në jetën tjetër dhe do të dëgjojmë dëshminë e tyre. Kur të thirremi për të dëshmuar, çfarë do të themi? Në jetën tjetër do të ketë fëmijë shpirtërorë dhe gjigandë shpirtërorë. Është kohë e gjatë ta jetosh përjetësinë pa dritë, veçanërisht në rast se bashkëshortët dhe pasardhësit tanë jetojnë gjithashtu në errësirë, ngaqë brenda nesh nuk kishte dritë dhe, rrjedhimisht, as të tjerët nuk mund të ndiznin llambat e tyre.

Ne duhet të ulemi në gjunjë çdo mëngjes dhe mbrëmje, duke iu lutur Zotit që të mos e humbim kurrë besimin tonë, dëshminë tonë apo virtytin tonë. Duhet të ketë vetëm një dëshmitar, por ai duhet të jeni vetë ju.

Unë kam një dëshmi. Ajo të nxit ta shprehësh. Jap dëshmi se fuqia e Perëndisë së gjallë ndodhet në këtë Kishë. Unë e njoh atë që di dhe dëshmia ime është e vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Hibër J. Grant, Gospel Standards, përpilim G. Homer Durham (1941), fq. 191-193.

  2. Deseret News, 3 gusht 1870, fq. 306.

  3. President Brigham Young’s Office Journal, 1 tetor 1860, Brigham Young Office Files, Church Archives, The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints; me përdorim bashkëkohor të shenjave të pikësimit dhe shkronjave të mëdha.