2007
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve
Nëntor 2007


Plaku Kuentin L. Kuk,
i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Ndonëse shprehet që thirrja për të shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ishte e papritur, Plaku Kuentin La Mar Kuk ka mësuar të jetojë si dëshmitar i Shpëtimtarit Jezu Krishti që në moshë të re.

“Gjithë jetën time jam bekuar prej atyre të cilët e duan Shpëtimtarin”, thotë Plaku Kuk.

Lindur më 8 shtator 1940, në Logan të Jutas, nga prindërit J. Vernon dhe Bernis Kuk, Plaku Kuk është mirënjohës për të atin e interesuar e të dashur dhe për nënën e cila “e donte Shpëtimtarin. Ata bënë gjithçka që mundën, që të na rrisnin në rrugën e drejtë.”

Ai e çmon të vëllanë dhe motrën e tij dhe sjell ndër mend se ishte në moshën 15 vjeç kur, gjatë një bisede serioze me vëllain e tij më të rritur, Xhoin, kuptoi që dëshmia për Shpëtimtarin kishte rrjedhoja të rëndësishme. Xhoi duhej të vendoste nëse do të linte shkollën e mjekësisë për të shërbyer në një mision ose jo. “Pas atij bashkëbisedimi, pohimi që unë mora nëpërmjet lutjes për vërtetësinë e Kishës dhe natyrën hyjnore të Jezu Krishtit, ishte një ngjarje përcaktuese për mua.”

Vëllai i tij vendosi të shërbejë, ashtu edhe Plaku Kuk, i cili shërbeu në Misionin e Britanisë. Presidentët e misionit, duke përfshirë Plakun Marion D. Henks, atëherë anëtar i Këshillit të Parë të të Shtatëdhjetëve, lanë një ndikim të thellë tek ai.

“Është shumë e rëndësishme të kesh një dëshmi për Shpëtimtarin dhe të shoqërohesh me njerëz të cilët e duan Shpëtimtarin”, thotë Plaku Kuk. Ai takoi një tjetër person të tillë, të quajtur Meri Gadi, me të cilën u martua në Tempullin Logan Juta më 30 nëntor 1962.

Pasi u diplomua nga Universiteti Shtetëror i Jutas me gradë në shkencën politike, çifti u vendos në Kaliforni, ku Plaku Kuk mori një titull të doktorit të ligjit nga Universiteti i Stenfordit. Ndërsa rrisnin tre fëmijët e tyre, Plaku Kuk punonte në profesionin e ligjit, u bë partner drejtues i një firme të ligjit në Zonën San Francisko Bei, pastaj president dhe kryenëpunës ekzekutiv i Sistemit Shëndetësor të Kalifornisë dhe në fund zëvendëskryetar i Sistemit Shëndetësor të Kontesë Sater.

Gjatë kësaj kohe shërbeu si peshkop, president dhe këshilltar i kunjit, përfaqësues rajonal dhe Autoritet Zonal. Kur ishte në presidencinë e kunjit, kishte përgjegjësi jo vetëm për lagjet jo anglishtfolëse, por edhe për bashkësitë e anëtarëve që flisnin gjuhët spanjisht, tonga, samoane, tagaloge, mandarine dhe kantoneze.

“E donim larminë e anëtarëve dhe zotimin e tyre në ungjillin e Jezu Krishtit. Ata kanë qenë një ndikim aq pozitiv në jetë time.”

Megjithatë, në jetën e tij profesionale, Plaku Kuk ka punuar kryesisht me njerëz që nuk ishin anëtarë të Kishës. Ai mësoi se “ka një shumicë të madhe njerëzish jashtë Kishës të cilët e duan Shpëtimtarin. Shumë prej tyre lanë një ndikim pozitiv edhe mbi mua. Prandaj, kur unë flas për shoqërim me njerëz të mirë, nuk po flas për izolimin e vetes nga bota.”

Pas thirrjes së tij në Kuorumin e Dytë të të Shtatëdhjetëve, më 6 prill 1996, dhe thirrjes pasuese në Kuorumin e Parë, më 4 prill 1998, Plaku Kuk shërbeu në Presidencinë e Zonës së Filipineve dhe të Mikronezisë dhe si President i Zonës së Paqësorit dhe Zonës Veriperëndimore të Amerikës Veriore, të Kishës.

Shërbimi i tij si Autoritet i Përgjithshëm ka përforcuar besimin e tij se “kudo ku ndodheni, ju mund të gjeni njerëz të mirë që e duan Shpëtimtarin.” Plaku Kuk beson se mënyra për t’i gjetur ata është të jetosh ungjillin me përulësi, por pa u turpëruar.

“Mendoj se gabimi më i madh që bën shumica e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, është se fshehin cilët janë”, thotë ai. “Shumë anëtarë nuk u tregojnë miqve dhe kolegëve se cilët janë e çfarë besojnë dhe e fusin veten në situata shumë të vështira. Ata që e përcaktojnë veten shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe sqarojnë se çfarë besojnë, kanë shumë më pak probleme.”

Ai gjithashtu kuptoi se ata janë anëtarë misionarë më të mirë, kur shërbente si Drejtor Ekzekutiv i Departamentit të Misionarëve, para se të thirrej në Presidencinë e të Shtatëdhjetëve në gusht 2007.

Në bisedën e tij të parë për konferencën, mbas mbështetjes si Apostull më 6 tetor 2007, Plaku Kuk trajtoi problemin e anëtarëve të “fshehur” dhe i nxiti të jetojnë “me anë të besimit dhe jo të frikës.”

“Ka shumë njerëz të cilët mbahen larg nga e vërteta, ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”, thotë ai (shih DeB 123:12). “Dhe, kur dikush është i hapur, me një mënyrë zemërgjerë e dashamirëse, është mahnitëse se sa njerëz do t’i përgjigjen.”

Plaku Kuk shpreson që njerëzit do të përgjigjen ashtu ndaj tij në thirrjen e tij të re, duke e ditur që, pavarësisht se ndihet jo i plotë, ai duhet të jetojë me anë të besimit dhe jo të frikës, kur i lejon njerëzit të njohin çfarë beson si dëshmitar i veçantë i Krishtit.

“E dua Shpëtimtarin”, shprehet ai. “Gëzohem për mundësinë që të jap dëshmi për Jezu Krishtin në të gjithë botën.”