2007
Zbulesa Personale: Mësimet dhe Shembujt e Profetëve
Nëntor 2007


Zbulesa Personale: Mësimet dhe Shembujt e Profetëve

Zbulesa personale është mënyra se si dimë për veten tonë të vërtetat më të rëndësishme të ekzistencës sonë.

Ndërsa fillojmë sesionin e fundit të kësaj konference historike, bashkohem me ju në shprehjen e mirënjohjes për privilegjin për të mbështetur Presidentin Henri B. Ajring si këshilltar në Presidencinë e Parë, Plakun Kuentin L. Kuk në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe Plakun Uolter F. Gonzales tek shtatë Presidentët e të Shtatëdhjetëve. U jap atyre dashurinë dhe mbështetjen time dhe dëshmoj se ata janë thirrur nga Perëndia nëpërmjet një profeti të gjallë, Presidentit Gordon B. Hinkli, “sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë.”1

Ngjarjet e këtyre dy ditëve të shkuara na mësojnë nevojën për zbulesë në punën e Zotit dhe për zbulesë personale në vetë jetën tonë. Zbulesa personale është mënyra se si dimë për veten tonë të vërtetat më të rëndësishme të ekzistencës sonë: realitetin e gjallë të Perëndisë sonë, Atit tonë Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit; vërtetësinë e ungjillit të rivendosur; dhe qëllimin e drejtimin e Perëndisë për ne.

Shumë nga ajo çfarë unë di rreth zbulesës personale, e kam mësuar nga shembuj të profetëve, si të lashtë, ashtu edhe të sotëm. Këtë pasdite dua të flas për disa nga ata shembuj vetjakë dhe lutem që ata do të frymëzojnë secilin nga ne për të kërkuar bekimet e zbulesës personale në vetë jetën tonë.

Kur isha një përfaqësues i ri rajonal, u caktova të ndihmoj Plakun Marion G. Romni në riorganizimin e presidencisë së një kunji. Gjatë udhëtimit të gjatë dhe të qetë drejt konferencës, biseda jonë u kthye drejt dimensionit shpirtëror të detyrës sonë. Plaku Romni më mësoi se si Zoti na bekon me zbulesë. “Robert”, tha ai, “kam mësuar se kur jemi në punën e Zotit, ne kemi bekimet e Tij për të përmbushur gjithçka që na kërkohet të bëjmë.” Plaku Romni shpjegoi më tej se ne do të arrinim në atë qytet të largët, do të gjunjëzoheshim në lutje, do të intervistonim mbajtësit e priftërisë, do të gjunjëzoheshim përsëri dhe Fryma e Shenjtë do të na zbulonte personin të cilin Zoti e kishte zgjedhur për të qenë presidenti i ri i kunjit. Ai më premtoi se do të ishte një nga përvojat e mëdha shpirtërore të jetës time, dhe ashtu ndodhi.

Secili nga ne është dërguar në tokë nga Ati ynë Qiellor për t’u provuar se jemi të denjë për jetën e përjetshme: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”2 Si e njohim Atin dhe Birin për veten tonë? Nëpërmjet zbulesës personale. Zbulesa personale është mënyra nëpërmjet së cilës Ati Qiellor na ndihmon ta njohim Atë dhe Birin e Tij, të mësojmë të jetojmë ungjillin, të durojmë deri në fund në drejtësi dhe të cilësohemi për jetë të përjetshme — të kthehemi në praninë e Tyre.

Ju mund të pyesni: “Si mund ta kërkojmë zbulesën personale?” Pali i këshilloi shenjtorët të mbështeten tek Shpirti dhe jo tek urtësia e botës.3 Për të marrë Shpirtin, ne fillojmë me një lutje. Presidenti Lorenco Snou e kishte studiuar ungjillin për disa vite përpara se të bashkohej me Kishën. Por ai nuk mori një dëshmi deri dy a tre javë pas pagëzimit të tij kur u tërhoq veçmas për të bërë një lutje në fshehtësi. “Shpirti i Perëndisë zbriti mbi mua”, tha ai. “Oh, çfarë gëzimi dhe lumturie që ndieva, [sepse] atëherë mora një njohuri të përsosur që Perëndia jeton, që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe për rivendosjen e Priftërisë së shenjtë e për plotësinë e Ungjillit.”4

Kam mësuar se lutja mundëson një themel të fortë për zbulesë personale. Por kërkohet akoma më shumë se kaq. Kur isha ende një përfaqësues rajonal, pata mundësinë të mësoj nga një apostull tjetër, Plaku Boid K. Paker. Ne u caktuam të riorganizonim një presidenci kunji dhe filluam duke u gjunjëzuar në lutje së bashku. Pasi intervistuam udhëheqës priftërie dhe pas lutjesh, Plaku Paker sugjeroi që të ecnim së bashku rrotull ndërtesës. Ndërsa ecnim, ai demonstroi një parim themelor të kërkimit të zbulesës personale — parimin që Zoti i mësoi Oliver Kauderit: “Vër re, … ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde.”5 Ne e medituam detyrën tonë, u këshilluam së bashku dhe dëgjuam zërin e Shpirtit. Kur u kthyem përsëri, u lutëm dhe studiuam akoma më shumë dhe atëherë ishim të përgatitur të merrnim zbulesë.

Zbulesa vjen kur Zoti e dëshiron, gjë e cila shpesh do të thotë se ne duhet të ecim përpara me besim, megjithëse nuk kemi marrë të gjitha përgjigjet që dëshirojmë. Si një Autoritet i Përgjithshëm, u caktova të ndihmoj në riorganizimin e një presidencie kunji nën drejtimin e Plakut Ezra Taft Benson. Pasi u lutëm, intervistuam, studiuam dhe u lutëm përsëri, Plaku Benson më pyeti nëse e dija se kush do të ishte presidenti i ri. I thashë se nuk e kisha marrë akoma atë frymëzim. Ai më vështroi gjatë dhe u përgjigj se as ai nuk e kishte marrë atë. Megjithatë, ne u frymëzuam t’u kërkonim tre mbajtësve të denjë të priftërisë të flisnin në sesionin e konferencës të shtunën në mbrëmje. Disa momente pasi filloi të fliste folësi i tretë, Shpirti më nxiti që ai duhet të ishte presidenti i ri i kunjit. E ktheva kokën nga Presidenti Benson dhe pashë që lot po i rridhnin nëpër faqe. Zbulesa na ishte dhënë të dyve — por vetëm ndërsa shkuam përpara duke kërkuar vullnetin e Atit tonë Qiellor dhe ndërsa ecëm përpara me besim.

Herët në shërbimin tim në Kishë, Plaku Harold B. Li më mësoi këtë mësim kur ai erdhi të riorganizonte një kunj të ri në distriktin ku jetonim. Plaku Li më pyeti mua, si një peshkop i mbështetur kohët e fundit, nëse do të bashkohesha me të në një konferencë shtypi. Atje, një reporter i ri e energjik e sfidoi Plakun Li. Ai i tha: “Ju e quani veten një profet”. “Kur ishte hera e fundit që patët zbulesë dhe për çfarë ishte ajo?” Plaku Li qëndroi për pak në heshtje, e vështroi drejt e në sy dhe iu përgjigj ëmbëlsisht: “Ishte dje pasdite rreth orës tre. Ne po luteshim se cili duhet të thirrej president i kunjit të ri dhe na u bë e ditur se cili duhet të ishte ai person.” Zemra e reporterit ndryshoi. Nuk do ta harroj kurrë Shpirtin që erdhi në atë dhomë ndërsa Plaku Li tha dëshminë e Tij të fuqishme mbi zbulesën që mund të merret nga ata që me besnikëri kërkojnë të bëjnë vullnetin e Zotit.

Qofshim fëmijë, të rinj, prindër, mësues dhe udhëheqës besnikë, ne mund të marrim zbulesë personale më shpesh sesa mund ta përfytyrojmë. Sa më shumë që marrim dhe dallojmë zbulesën personale, aq më shumë rriten dëshmitë tona. Kur isha peshkop, dëshmia ime rritej çdo herë që merrja dëshmi për t’u dhënë thirrje anëtarëve të lagjes. Ajo dëshmi është forcuar çdo herë që jam dëshmitar i një thirrjeje apo në dhënien e detyrave të reja për Autoritetet dhe nëpunësit e Përgjithshëm, të Shtatëdhjetët e Zonave apo presidentët e kunjeve. Por më e rëndësishme akoma, unë forcohem nga zbulesat personale që marr në rolin tim si një bir i Perëndisë, një bashkëshort dhe një baba. Jam shumë mirënjohës për udhëzimin dhe drejtimin e Shpirtit në shtëpinë tonë ndërsa kërkojmë për drejtim në çështje familjare.

Për të gjithë ne, zbulesat tona personale reflektojnë modelin e zbulesës që merret nga profetët, siç tregohet në shkrimet e shenjta. Adami dhe Eva i thirrën emrit të Zotit dhe morën zbulesë personale, përfshirë njohurinë për Shpëtimtarin.6 Enoku, Abrahami dhe Moisiu kërkuan për mirëqenien e popullit të tyre dhe iu dhanë zbulesa të mrekullushme të cilat janë shënuar në Perlën me Vlerë të Madhe.7 Zbulesa personale e Elijas erdhi nëpërmjet zërit si një shushatje e ëmbël; 8 zbulesa personale e Danielit erdhi në një ëndërr. 9 Zbulesa personale e Pjetrit i dha atij një dëshmi se Jezusi është Krishti.10 Lehi dhe Nefi morën zbulesa rreth Shpëtimtarit dhe planit të shpëtimit, dhe praktikisht të gjithë profetët e Biblës dhe Librit të Mormonit morën zbulesa për t’i paralajmëruar, mësuar, forcuar dhe ngushëlluar ata dhe njerëzit e tyre.11 Pas shumë lutjesh në tempull, Presidenti Spenser W. Kimball mori zbulesën mbi priftërinë.12 Dhe pas shumë lutjesh rreth sigurimit të bekimeve të tempullit për më shumë anëtarë të Kishës, Presidenti Hinkli mori zbulesë rreth ndërtimit të tempujve më të vegjël.13

Profetët marrin zbulesë personale për t’i ndihmuar ata në vetë jetën e tyre dhe në drejtimin e çështjeve tokësore të Kishës. Përgjegjësia jonë është të kërkojmë zbulesa personale për veten dhe për përgjegjësitë që Zoti na ka dhënë.

Këto javët e fundit Presidenti Hinkli ka kërkuar zbulesë rreth thirrjeve që do të shpallen në këtë konferencë. Rreth një muaj më parë në mbledhjen tonë në tempull të enjteve, të Presidencisë së Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujve, dëgjova ndërsa Presidenti Hinkli dha një lutje të thjeshtë e të sinqertë për udhëheqje shpirtërore. Përgjigjja ndaj lutjes së tij të çiltër na është paraqitur tani të gjithë neve.

A e shohim modelin e zbulesës në jetën e profetëve? A janë fijet e atij modeli gjithashtu të endura brenda jetës tonë?

E dimë se modeli i zbulesës përqendrohet tek Shlyerja.14 Ne marrim bekimet e Shlyerjes kur pendohemi për mëkatet tona dhe mbajmë urdhërimet. Këtë ne besëlidhëm të bëjmë kur pagëzohemi dhe ne e rinovojmë atë besëlidhje çdo javë ndërsa marrim sakramentin. Ndërsa ne vazhdojmë në drejtësi, ne cilësojmë veten të themi bashkë me Samuelin: “Folë [Zot], sepse shërbëtori yt të dëgjon.”15 Dhe Zoti përgjigjet: “Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.”16

Ne përgatitemi të marrim zbulesë personale siç bëjnë profetët, nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, agjërimit, lutjes dhe forcimit të besimit. Besimi është çelësi. Kujtoni përgatitjen e Jozefit për Vegimin e Parë:

“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia… .

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar.”17

Nëpërmjet besimit të padyshuar ne mësojmë për veten tonë se “është nëpërmjet besimit që mrekullitë bëhen.”18

Përgjithësisht, ato mrekulli nuk do të jenë manifestime fizike të fuqisë së Perëndisë — hapja e Detit të Kuq, ngritja e të vdekurve, shkatërrimi i mureve të burgjeve ose shfaqja e lajmëtarëve qiellorë. Nëpërmjet planit të Perëndisë, shumica e mrekullive janë shfaqje shpirtërore të fuqisë së Perëndisë — mëshirat e dhembshura të dhëna butësisht nëpërmjet mbresave, ideve, ndjenjave të sigurisë, zgjidhjes së problemeve, forcës për t’u bërë ballë sfidave dhe ngushëllimit për t’u bërë ballë zhgënjimeve dhe dëshpërimit.

Këto mrekulli na vijnë ndërsa durojmë atë që shkrimet e shenjta e quajnë “[prova e] besimit [tonë].”19 Ndonjëherë ajo provë është koha që kërkohet përpara marrjes së një përgjigjeje. Kur Presidenti Dejvid O. Mek-Kei ishte një djalë i ri i cili kujdesej për bagëtinë, ai kërkoi një dëshmi, por ajo nuk erdhi deri pas shumë viteve kur po shërbente misionin e tij në Skoci. Ai tha: “Ishte një manifestim për të cilin si një i ri dyshues isha lutur në fshehtësi … në kodra e nëpër kullota. Ishte një siguri për mua se lutja e sinqertë merr përgjigje ‘dikur, diku.’”20

Përgjigjja mund të jetë: “Jo tani — ji i duruar dhe prit.”

Unë dëshmoj se në kodra apo në kullota, në pyll apo në dhomëz, tani ose në përjetësitë që do të vijnë, fjalët e Shpëtimtarit ndaj secilit nga ne do të përmbushen: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.”21 Ndërsa rekomandohemi të mos kërkojmë shenja, ne rekomandohemi të “[kërkojmë] … me zell dhuratat më të mira.”22 Këto dhurata përfshijnë Frymën e Shenjtë dhe zbulesën personale. Ajo zbulesë do të vijë “rresht pas rreshti, parim pas parimi”, siç tha Shpëtimtari, dhe “atij që merr, [Zoti] do t’i [japë] më shumë.”23

Ndërsa largohemi nga kjo konferencë, unë i kërkoj secilit nga ne të kërkojmë dhe të marrim më shumë nga Shpirti i Perëndisë. Shpëtimtari u lut që dishepujt e Tij në Hemisferën Perëndimore ta merrnin atë Shpirt. Më pas, si një shembull për të gjithë ne, Ai u largua nga dishepujt e Tij dhe në lutje e falenderoi Atin Qiellor që ua dha atë atyre.24 Le të ndjekim shembullin e Tij dhe të lutemi për Shpirtin e Perëndisë, duke dhënë falenderime për bekimet e tij të mrekullueshme në jetën tonë.

Unë jap dëshminë time të veçantë se Jezu Krishti jeton dhe e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet një profeti të gjallë, Presidentit Gordon B. Hinkli. Unë e di — unë e di — se Presidenti Hinkli e udhëheq këtë Kishë nëpërmjet zbulesës. Me fjalët e Almës: “Vini re, unë po ju them se [këto gjëra] m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë… . Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar …; dhe ky është shpirti i zbulesës që është tek unë.”25

Që secili nga ne mund të marrë atë Shpirt, të marrë bekimet e zbulesës personale dhe të dimë për veten tonë se këto gjëra janë të vërteta, është lutja ime e sinqertë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Alma 8:24.

  2. Gjoni 17:3.

  3. Shih 1 Korintasve 2:11-16.

  4. Cituar në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), fq. 8.

  5. DeB 9:8.

  6. Shih Moisiu 5:4-11.

  7. Shih Zanafilla 18:23-33; Eksodi 3:1-3; 32:31-33; Moisiu 1:1-2, 24; 6:26-37; 7:2-4; Abrahami 1:1-2, 15-19.

  8. Shih 1 Mbretërve 19:11-12.

  9. Shih Danieli 2:16-20.

  10. Shih Mateu 16:15-17.

  11. Shih 1 Nefi 2:16; 11:1-2; për shembuj të tjerë shih Mosia 3:1-4; Alma 43:23; Helamani 7-8; 3 Nefi 1:10-13; Mormoni 8:34-35; Ethëri 3:1-6, 13-14, 25.

  12. Shih “Letter of the First Presidency Regarding Revelation on the Priesthood”, Tambuli, korrik 1978, fq. 31; “Revelation on Priesthood Accepted, Church Officers Sustained”, Ensign, nëntor 1978, fq. 16.

  13. Shih “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, Ensign, nëntor 1997, fq. 49.

  14. Shih Veprat e Apostujve 9; Mosia 27; Alma 36.

  15. 1 Samuelit 3:10.

  16. Mateu 13:16.

  17. Jakobi [Bibla] 1:5-6.

  18. Moroni 7:37.

  19. Ethëri 12:6.

  20. Cituar në Francis M. Gibbons, David O. McKay: Apostle to the World, Prophet of God (1986), fq. 50.

  21. Mateu 7:7; Lluka 11:9; shih gjithashtu 3 Nefi 14:7.

  22. DeB 46:8.

  23. 2 Nefi 28:30.

  24. Shih 3 Nefi 19:19-23.

  25. Alma 5:46.