2007
Shërbim
Nëntor 2007


Shërbim

Kërkoni mënyra për të bekuar jetën e të tjerëve me veprime shërbimi në dukje të thjeshta.

Presidenti David O. Mek-Kei njëherë citoi Abraham Linkolnin që kishte thënë: “Gjithçka jam ose shpresoj të jem ia detyroj nënës time që ka qenë si një engjëll për mua.”1 Këto fjalë do të shpjegojnë ndjenjat e mia për nënën time. Viola Xhin Gouts Snou, Xhini për të gjithë ata që e njihnin, u lind më 1929 dhe vdiq pak ditë pas ditëlindjes së 60-të më 1989. Ajo më dha mësim dhe më nxiti. Me të vërtetë më bindi se mund të arrija gjithçka doja. Gjithashtu më disiplinoi. Siç thonë edhe bijtë e mi për nënën e tyre, “ajo na bënte të turpëroheshim kur bënim diçka të gabuar.” Mami ishte një nënë e mrekullueshme, një model i shkëlqyer dhe nuk kalon pothuajse asnjë ditë pa menduar dhe pa më marrë malli për të.

Pak vite para se të ndërronte jetë, i diagnostikuan kancer, një sëmundje që ajo e luftoi me kurajë të madhe. Duket e çuditshme, por si familje ne mësuam se kanceri është një sëmundje dashurie. Ai sjell mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet, për të dhënë lamtumirën e për të shprehur dashuri. Pak javë para se të vdiste mamaja, ne e vizituam në shtëpinë ku unë u rrita. Mami kishte shije të hollë dhe pëlqente gjërat e bukura. Ajo gjithashtu kishte dëshirë të udhëtonte, por familja jonë jetonte me të ardhura modeste dhe këto ëndrra nuk iu realizuan. Duke i ditur këto, e pyeta atë nëse kishte ndonjë peng. Po prisja i bindur të dëgjoja se ajo kishte dashur gjithmonë një shtëpi më të madhe e më të bukur, ose ndoshta një shprehje të brengës dhe zhgënjimit se nuk kishte udhëtuar kurrë. Ajo u mendua pak çaste për pyetjen time dhe u përgjigj thjesht: “Do të kisha dashur të shërbeja më tepër.”

U befasova nga përgjigjja e saj. Nëna ime kishte pranuar gjithmonë thirrjet e Kishës. Kishte shërbyer si presidente e Shoqatës së Ndihmës të lagjes, mësuese e Shkollës së të Dielës, mësuese e mësimit të vizitave dhe në Fillore. Kur ishim fëmijë gjithmonë u shpërndanim ushqime të gatuara, reçel dhe fruta të konservuara në shtëpi, fqinjëve dhe anëtarëve të lagjes. Kur i kujtova të gjitha këto, ajo qe e palëkundur. “Mund të kisha bërë më shumë” qe gjithçka tha. Nëna ime kishte jetuar një jetë shembullore dhe të plotë. Familja dhe miqtë e donin atë. Ajo kishte kryer shumë në një jetë që shpesh kishte qenë e vështirë dhe që e shkurtoi dobësia dhe sëmundja. Megjithë këto, pengu i saj më i madh ishte se nuk kishte kryer mjaft shërbim. Tani nuk kam dyshim se sakrifica tokësore e nënës time është pranuar nga Zoti dhe se Ai e ka mirëpritur atë. Po përse ishte kaq parësor në mendjen e saj vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë? Çfarë është shërbimi dhe pse është kaq i rëndësishëm në ungjillin e Jezu Krishtit?

Së pari, ne kemi marrë urdhërimin t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Urdhërimi i parë është të duam Perëndinë. “Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’”2

E shfaqim dashurinë tonë kur ndihmojmë dhe i shërbejmë njëri-tjetrit.

Presidenti Gordon B. Hinkli ka thënë: “Askush nuk mund të jetë një shenjtor i vërtetë i ditëve të mëvonshme nëse nuk është miqësor, nëse nuk shkon të ndihmojë të tjerët. Është karakteristikë në vetë natyrën e ungjillit që ta bëjmë atë. Vëllezërit dhe motrat e mia, nuk mund të jetojmë vetëm për vete.”3

Shpëtimtari ua mësoi këtë parim të rëndësishëm dishepujve të Tij tek Mateu:

“‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.’”4

Ky shërbim është të japësh pa egoizëm, pa menduar për përfitim apo shpërblim personal. Është të japësh kur nevojitet, jo kur të vjen volì. Mundësitë për të shërbyer mund të mos duken gjithmonë qartë, pasi është natyra njerëzore të shqetësohemi për dëshirat dhe nevojat vetiake. Duhet t’i qëndrojmë tendencave të tilla dhe të kërkojmë mundësi për të shërbyer. Kur vizitojmë ata që po vuajnë nga sëmundja, humbja e një njeriu të dashur, ose pikëllime të tjera, nuk mjafton që thjesht të themi: “Më telefono nëse mund të bëj diçka për ty.” Në vend të kësaj, kërkoni mënyra për të bekuar jetën e të tjerëve me veprime shërbimi në dukje të thjeshta. Është më mirë të bëjmë qoftë dhe gjëra me pasoja të vogla sesa të mos bëjmë gjë fare.

Së dyti, kemi detyrimin si anëtarë të Kishës të pranojmë thirrje për t’i shërbyer ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë mbi tokë. Kur shërbejmë në thirrjet tona të ndryshme, bekojmë jetën e të tjerëve. Gjatë punës misionare, jeta ndryshon kur njerëzit mësojnë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe marrin një dëshmi të vërtetësisë së tij. Me anë të punës së shenjtë në tempull, ne bekojmë jetën e atyre që kanë shkuar përtej para nesh. Në shërbimin ungjillor ne kemi privilegjin t’u japim mësim të tjerëve, të forcojmë të rinjtë dhe të bekojmë jetën e fëmijëve të vegjël kur ata mësojnë të vërtetat e thjeshta të ungjillit. Në shërbimin në Kishë ne mësojmë të japim nga vetja dhe të ndihmojmë të tjerët.

Presidenti Spenser W. Kimball, një shembull i madh i shërbimit, tha: “Perëndia na vrojton dhe kujdeset për ne. Por zakonisht ai i plotëson nevojat tona nëpërmjet një personi tjetër. Prandaj, është jetësore që t’i shërbejmë njëri-tjetrit në mbretëri.”5 Megjithatë, përgjegjësia e shërbimit në Kishë, nuk na heq përgjegjësinë tonë për t’u shërbyer familjeve dhe fqinjëve tanë. Presidenti Kimball vazhdoi me paralajmërimin: “Askush prej nesh nuk duhet të jetë aq i zënë me detyrat zyrtare të Kishës sa të mos mbetet vend për shërbimin e pabujë e të krishterë për fqinjët tanë.”6

Së fundi, kemi përgjegjësinë të japim shërbim në komunitetet tona. Duhet të punojmë për të përmirësuar lagjen tonë, shkollën tonë, qytetin tonë. I përgëzoj ata mes nesh që, pavarësisht nga bindjet politike, punojnë në qeverisjen vendore, shtetërore apo kombëtare për të përmirësuar jetën tonë. Po ashtu, përgëzoj ata që japin vullnetarisht kohën dhe burime të tyre për të mbështetur çështje të denja dhe bamirësie të komunitetit, që bekojnë jetën e të tjerëve dhe e bëjnë botën një vend më të mirë. Gjyshi im më mësoi që kur isha i vogël: “Shërbimi publik që bëjmë është qeraja që paguajmë për vendin tonë mbi tokë.”

Shërbimi kërkon bujari, ndarje dhe dhënie. Gruaja ime dhe unë mësuam një mësim të vlefshëm kur shërbenim në Afrikë. Ishim caktuar të merrnim pjesë në një konferencë distrikti në Xhinxha, Ugandë. Të shtunën herët në mëngjes, para se të fillonte mbledhja, shfrytëzuam rastin të vizitonim një ndërtesë të re në atë zonë. Kur mbërritëm atje, na përshëndeti një djalë i vogël, tre apo katër vjeç. Ai kishte ardhur tek rrethinat e Kishës për të parë se ç’po ndodhte. E prekur nga buzëqeshja e tij, motra Snou kërkoi në çantë dhe i dha një karamele të fortë, të mbështjellë. Ai u mrekullua.

E vizituam ndërtesën për pesë minuta dhe u kthyem jashtë. Po na prisnin më shumë se një dyzinë fëmijë të buzëqeshur, që donin secili të takonin zonjën e karameleve të lagjes së re.

Filisi u trishtua, pasi i kishte dhënë djalit karamelen e fundit. E hidhëruar, me gjeste ajo u shpjegoi fëmijëve se nuk kishte tjetër. Atëherë, djali i vogël që na kishte përshëndetur në fillim, ia dha karamelen prapë Motrës Snou, duke bërë gjeste që t’i hiqte mbështjellësen. Filis e bëri këtë me një peshë në zemër, duke pritur e bindur që djali ta fuste karamelen në gojë para shokëve të tij që do ta shihnin me zili.

Në vend të kësaj, për habinë tonë të madhe, ai shkoi tek secili nga shokët, që nxirrnin gjuhën dhe lëpinin plot shije karamelen. Djaloshi vazhdonte, duke e lëpirë dhe vetë herë pas here, derisa mbaroi karamelja.

Tani, dikush mund të thotë se në këtë gjest ndarjeje mungonte higjiena, por askush nuk mund të vërë në diskutim shembullin që dha ky djalë i vogël. Bujaria, ndarja dhe dhënia janë thelbësore për shërbimin. Fëmija e kishte mësuar mirë atë mësim.

Shpresa dhe lutja ime janë që ne të gjithë të mund të bëjmë më shumë duke dhënë shërbim. Nëse dështojmë në dhënien e shërbimit, dështojmë në marrjen e plotë të privilegjeve dhe bekimeve të ungjillit të rivendosur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Pathways to Happiness, përpilim, Llewelyn R. McKay (1957), fq. 183.

  2. Mateu 22:39.

  3. “Latter-day Prophets Speak: Service”, Ensign, shtator 2007, fq. 49.

  4. Mateu 25:37-40.

  5. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), fq. 82.

  6. Teachings: Spencer W. Kimball, fq. 82.