Unë të Forcoj dhe Njëkohësisht të Ndihmoj
Ndihma më e madhe që do të kemi në forcimin e familjeve, është të dimë e të ndjekim doktrinat e Krishtit.
Disa muaj më parë Motra Bek më pyeti nëse do të shihja mundësinë për të folur mbi familjet dhe për të treguar mbi përvojat e mia me familjet. Unë jam beqare dhe nuk kam asnjë fëmijë timin. Them se Motra Bek mendoi se isha e përshtatshme për të folur për familjet, ngaqë s’kam pasur mundësi për të gabuar me vetë fëmijët e mi. Shumë gra nuk mund ta pretendojnë këtë.
Kam profesionin e punonjëses sociale dhe kam punuar me shumë familje ndër vite — kryesisht me familje që po përjetojnë shqetësime ose sfida të mëdha. Kam parë disa situata mjaft të dhimbshme, ku fëmijët janë lënduar keqas — edhe fizikisht, edhe emocionalisht. Kam parë fëmijë që ishin të braktisur dhe të harruar si pasojë e abuzimit me pasurinë ose e veseve të prindërve. Kam parë 18-vjeçarë që ishin lënë nën kujdestari të përkohshme dhe tani po jetojnë më vete pa asnjë ndihmë dhe përkrahje nga një familje e dashur që t’i ndihmojë.
Fatmirësisht, shumica prej nesh nuk kemi abuzime ose shpërfillje në familjet tona, por çdo familje do të përjetojë ndonjë lloj sfide — sëmundje, vdekje, mosbindje, probleme financiare e të tjera si këto.
Këto probleme ngrenë disa pyetje serioze. Çfarë po u ndodh familjeve? Cili është ndryshimi midis një familjeje të qëndrueshme dhe një tjetre që nuk shkon në rregull? Cilat janë disa gjëra të thjeshta që do t’i ndihmonin familjet? Dhe kush mund t’u sigurojë ndihmë familjeve?
Sot dëshiroj t’i prek shkurtimisht këto çështje dhe t’ju jap disa vëzhgime që kam bërë nëpër vite, me shpresën se ato mund të ndihmojnë.
Çfarë Po u Ndodh Familjeve?
Satani po punon me orar të zgjatur për ta sulmuar familjen. Na thotë se martesa nuk ka rëndësi, se fëmijët nuk kanë nevojë për baba e nënë dhe se familjet e forta nuk janë të rëndësishme. Na thotë se vlerat morale janë jashtë mode dhe marrëzira. Kur vijnë sfidat, Satani na thotë të braktisim besimet tona dhe të shkojmë sipas mënyrave të botës. Ai na josh tek fama dhe fati dhe na tregon ku të gjejmë jetën e lehtë. Sulmon besimin tonë tek Perëndia dhe përpiqet të shkurajojë madje edhe familjet më të forta e më të dashura. Satani kënaqet kur ne dorëzohemi — qoftë edhe vetëm pak.
Cili Është Ndryshimi midis një Familjeje të Qëndrueshme dhe një Tjetre që Nuk Shkon në Rregull?
Pjesëtarët e një familjeje të qëndrueshme e dinë se cilët janë, se ku po shkojnë dhe çfarë duan të arrijnë. Pjesëtarët e një familjeje që nuk shkon në rregull, nuk dinë se cilët janë; ata nuk kanë plan, as spirancë dhe as bërthamë vlerash apo standardesh për të caktuar drejtimin e saj.
Disa prindërve të familjeve që nuk shkonin në rregull, u ishin mësuar vlera të mira, por ata kanë marrë shtegun e gabuar për shkak të alkoolit, drogave ose veseve të tjera, të cilat u kanë hequr atyre gjykimin e shëndoshë dhe aftësinë për të marrë vendime të sakta. Në një familje të qëndrueshme, prindërit e dashur mësojnë nëpërmjet shembullit dhe jo vetëm u thonë fëmijëve të bëjnë diçka — ata e bëjnë së bashku me ta dhe u tregojnë si bëhen gjërat.
Cilat Janë Disa Gjëra të Thjeshta që i Ndihmojnë Familjet?
Mbani mend që fëmijët janë të çmuar. Janë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. E kam parë aftësinë përshtatëse të shpirtit njerëzor të shkëlqejë atëherë kur nuk e përfytyroja dot si mund të mbijetonte një fëmijë.
Të dashura motra, duajini dhe ushqejini fëmijët tuaj. U thoni atyre se i doni. I përqafoni. Dashuria e shprehur me gjestin e përshtatshëm do të kryejë mrekullira. Thoni fjalë dashamirëse. U tregoni me shembullin tuaj si të punojnë. Mësojini të luten. Presidenti Xhejms E. Faust tha: “Lutja si familje së bashku është një përjetim lidhjeje. Më të vegjëlit mund të mësojnë si të luten duke dëgjuar lutjet e prindërve dhe të vëllezërve e motrave të tyre më të rritur… . Lutja vetjake dhe lutja familjare janë të domosdoshme për lumturinë vetjake dhe familjare.”1
U lexoni fëmijëve tuaj. Lexoni nga shkrimet e shenjta. Ndihmojini ta kuptojnë që shkrimet e shenjta do t’i udhëzojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Mbani me ta mbrëmje familjare në shtëpi. U tregoni se koha e qëndrimit së bashku si familje është me shumë rëndësi për ju.
Fëmijët janë në përgjithësi mjaft pranues ndaj prindërve dhe gabimeve që bëjnë ata. Shpesh falin, harrojnë dhe shkojnë përpara shumë më shpejt, sesa të rriturit. Mos u ndieni në faj. Kërkoni falje kur keni bërë një gabim. Kërkoni falje nga fëmija. Ndryshoni në mënyrat tuaja dhe shkoni përpara.
Mbani mend që kërkohet mjaft durim për të rritur një fëmijë. Ndonëse janë të çmuar, fëmijët mund të jenë irritues, zhgënjyes dhe ndonjëherë edhe të prapë. Kërkohet një masë e jashtëzakonshme durimi dhe vetëpërmbajtjeje për të mos bërë apo thënë diçka për të cilën do të na vijë keq më vonë. Nganjëherë prindërve u duhet ta nxjerrin veten “jashtë loje”, në mënyrë që të shmangin gabime serioze. Largimi juaj nga dhoma për ndonjë minutë, me qëllim që të rifitoni kontrollin, është shpeshherë shumë i dobishëm.
Nuk mund të gjendet këshillë më e mirë sesa ajo që është dhënë tek “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës.”2 Lexojeni. Studiojeni. Përvetësojeni si standard për familjen tuaj. Bëjeni temë për shumë mësime të mbrëmjes familjare në shtëpi, që askush nga familja të mos ketë ndonjë keqkuptim për mënyrën si veprohet në familjen tuaj.
Kush Mund t’u Sigurojë Ndihmë Familjeve?
Kuptohet, përgjegjësia e parë për mësimin e fëmijëve dhe forcimin e familjes qëndron tek prindërit. Megjithatë, ka shumë të tjerë që mund të ndihmojnë. Unë kam prindër të mrekullueshëm, por ata nuk më rritën mua të vetëm.
Unë isha në Tabernakull kur Presidenti Gordon B. Hinkli paraqiti për herë të parë proklamatën mbi familjen, tek mbledhja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, në shtator të 1995-s. Kjo ishte një mundësi e mrekullueshme. Ndjeva kuptimin e mesazhit. Ndjeva gjithashtu se po mendoja: “Ky është një udhëzim i madh për prindërit. Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe për prindërit.” Mendova për një çast se ajo nuk më përkiste aq shumë mua, meqë nuk isha e martuar dhe nuk kisha fëmijë. Por pothuajse në çast mendova: “Megjithatë, ajo më përket mua. Unë jam pjesëtare e një familjeje. Unë jam bijë, motër, teze, hallë, kushërirë dhe mbesë. Kam përgjegjësi — dhe bekime — ngaqë jam pjesëtare e një familjeje. Edhe sikur të isha e vetmja pjesëtare e gjallë e familjes sime, jam ende pjesëtare e familjes së Perëndisë dhe kam përgjegjësinë të ndihmoj për forcimin e familjeve të tjera.”
Plaku Robert D. Hejls tha: “Forcimi i familjeve është detyra jonë e shenjtë, si prindër, si fëmijë, si rreth familjar, si udhëheqës, mësues dhe si anëtarë të Kishës.”3
Si motra në Shoqatën e Ndihmës, ne mund ta ndihmojmë njëra-tjetrën për të forcuar familjet. Ne na jepen mundësi të shërbejmë në shumë detyra. Ne vazhdimisht kemi lidhje me fëmijë dhe të rinj të cilëve mund t’u nevojitet pikërisht ajo që ne mund të ofrojmë. Ju motra më të rritura keni shumë këshilla dhe përvoja të mira për t’ua treguar nënave më të reja. Nganjëherë një udhëheqëse e të Rejave ose një mësuese e Fillores thotë ose bën pikërisht gjënë e duhur për të përforcuar atë që një prind po përpiqet tmësojë. Dhe vetëkuptohet, nuk kemi nevojë për ndonjë thirrje të veçantë për t’i ardhur në ndihmë një miku ose fqinji.
Ndihma më e madhe që do të kemi në forcimin e familjeve, është të dimë e të ndjekim doktrinat e Krishtit dhe të mbështetemi tek Ai për të na ndihmuar. Shumë shpesh, kur kam punuar me familje me probleme, kam ndier në vetvete dëshirën që këto familje ta njihnin Shpëtimtarin dhe t’ua mësonin fëmijëve të tyre doktrinat e Jezu Krishtit.
“Dhe vini re, ai do të durojë tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje.”4
Krishti ka vuajtur për çdo gjë që mund të arrijmë të përfytyrojmë. Ai e di si ndihemi ne. Ai mirëkupton. Ai do të ndihmojë.
Shkrimet e shenjta kanë plot shembuj se si ka ndihmuar dhe do të ndihmojë Krishti. Disa prej më të preferuarave për mua janë:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”5
“Kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit.”6
“Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua.”7
“Sa shpesh që ti ke kërkuar, ke marrë udhëzim nga Shpirti im.”8
“Ji besnik e i zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë dhe unë do të të rrethoj me krahët e dashurisë sime.”9
Presidenti Hinkli tha: “Urgjente është të mos lini pas dore familjet tuaja. Asgjë nga ato që keni nuk është më e çmuar… . Kur gjithçka të jetë thënë dhe bërë, është kjo lidhje familjare ajo që ne do të marrim me vete në jetën e përtejme.”10
Kujtoni dashurinë e madhe të Shpëtimtarit tonë. Tek Isaia 41:10 Ai tha: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj.” Pastaj në vargun 13 Ai thotë përsëri: “Unë të ndihmoj”. Dhe akoma përsëri në vargun 14 Ai thotë: “Unë të ndihmoj”.
Besojeni Shpëtimtarin. Ai do të na ndihmojë. Ai na do. Ai dëshiron të jemi të lumtur.
Dëshmoj që Zoti dhe Shpëtimtari ynë jeton. Dëshmoj se Ai do të na ndihmojë. Ai më ka ndihmuar shumë herë dhe Ai do t’ju ndihmojë juve. Këtë unë e di. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.