2007
Sot Është Koha
Nëntor 2007


Sot Është Koha

Çfarë po bëjmë ne sot për të skalitur në shpirtrat tanë parimet e ungjillit që do të na mbështesin në kohë fatkeqësie?

Kur Presidenti Xhejms E. Faust informoi bashkëshorten time dhe mua se do të transferoheshim në Lima, Peru, ne nuk kishim ide se më 15 gusht 2007, vetëm pak ditë pas mbërritjes tonë, do të ishim dëshmitarë të një tërmeti shkatërrimtar. Më se 52.000 shtëpi u shkatërruan nga fuqia e tij e madhe. Dhe më e keqja, ai la më se 500 të vdekur. Nëntë prej tyre ishin anëtarë të Kishës. Anëtarët në kunjat e Ikas, të Piskos dhe të distrikteve Kanjete dhe Çinça vuajtën dëmin më të madh nga pasojat e tërmetit.

Kisha dha ndihmë të menjëhershme për anëtarët e saj dhe për ata të besimeve të tjera. Mëngjesin pas tërmetit, anëtarët tanë në zonën e shkatërruar merrnin ushqim e veshje dhe përpara se të vinte mbrëmja, Kisha po i jepte ndihmë humanitare mbrojtjes civile të kombit. Shumë anëtarë që kishin mbetur pa shtëpi u strehuan në kishat tona. Megjithëse ishte aq i beftë dhe shkatërrimtar, organizata e priftërisë funksionoi shumë mirë duke sjellë ndihmë për më të pafatët.

Presidentët e kunjit dhe të distriktit bashkë me peshkopët dolën për të ndihmuar anëtarët e tyre vetëm pak minuta pas tërmetit. Situata e tmerrshme në të cilën dolën jashtë këta udhëheqës të priftërisë e vlen të vihet në dukje: ishte natë, drita nuk kishte, shkatërrimi ishte pa fund dhe toka nuk po ndalej së lëkunduri. Këta udhëheqës të mrekullueshëm të priftërisë lanë familjet e tyre të siguruara dhe dolën jashtë në errësirë, midis njerëzve që qanin, të rrethuar nga shtëpi të rrënuara. Kështu udhëheqësit tanë dolën gjatë natës dhe në ditët pasuese, duke u përballur me paslëkundje të shpeshta e të fuqishme si dhe paralajmërimin e një cunami. Ata kërkuan në mes të rrënojave, në mes të trazirës, duke rrezikuar jetën e tyre për të shkuar tek të gjithë anëtarët. Një peshkop deklaroi: “Pa u menduar për së dyti, unë vrapova në kërkim të vëllezërve dhe motrave të mia dhe të udhëheqësve të Kishës.” Ai i gjeti ata. Kështu e kaloi ai shumicën e natës.

Çfarë i motivoi këta udhëheqës të dalin dhe të ndihmojnë të tjerët edhe me rrezikun për jetën e tyre? Sigurisht ishte besimi i tyre i madh te Shpëtimtari dhe te Kisha e Tij. Ishte kuptimi i tyre për thirrjen si udhëheqës në priftëri. Ishin parimet e ungjillit të skalitura në jetën e tyre përpara tërmetit, jo gjatë krizës — të skalitura jo me bojë, por me zjarr nga Shpirti në zemrën e tyre (shih 2 Korintasve 3:3).

Mundësia e një tërmeti ishte gjithnjë atje. Kur dhe si do të godiste ai asnjë nuk e dinte. Kur erdhi, ai ishte shkatërrues. Por nën drejtimin e priftërisë, momenti i sfidës u përballua. Në shumë raste, kur anëtarët nuk ishin në gjendje, Zoti bëri pjesën tjetër. Disa anëtarë tregojnë të kishin parë burra në të bardha duke ndihmuar t’u shpëtonin jetën. Të tjerë dëgjuan zëra udhëzues. Vite shërbimi të Kishës ishin një shkollë përgatitjeje për t’u bërë të organizuar dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

E njëjta ndodh në jetën tonë. Ne nuk dimë kur apo si do të na godasin tërmetet. Ato mund të mos jenë lëkundje pikërisht të tokës, siç ndodhi në Peru, por më shumë lëkundje nga tundimet, mëkatet apo nga sprovat si papunësia ose sëmundje serioze. Sot është koha të përgatitemi për atëhere kur kjo lloj lëkundjeje të vijë. Sot është koha të përgatitemi, jo gjatë krizës. Çfarë po bëjmë ne sot për të skalitur në shpirtrat tanë parimet e ungjillit që do të na mbështesin në kohë fatkeqësie?

Për shembull, çfarë mbolli në shpirtin e tij Jozefi që ishte shitur në Egjipt, që të përgjigjej: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” (Zanafilla 39:9), kur shmangte presionin e bashkëshortes së Potifarit për të thyer ligjin e dëlirësisë? Çfarë kishte mbjellë më parë Nefi në shpirtin e tij që, kur u ballafaqua me urdhërimet e Perëndisë qe në gjendje të përgjigjej: “Do të shkoj dhe do [ta] bëj … pasi e di”? (1 Nefi 3:7).

Ajo që bënë këta udhëheqës të mëdhenj ishte të lejonin Shpirtin të shkruante parimet e ungjillit në shpirtrat e tyre. Ky shkrim nuk ndodh në një natë. Hapja e thellë e shpirtit tonë ndaj parimeve të drejtësisë do të bëjë dallimin në përgatitjen tonë për tërmetet shpirtërore. Kjo hapje mund të ngrihet duke medituar dhe duke ndalur ndikimet e këqija.

Parimet e përjetshme do të hedhin rrënjë tek ne kur ne i kushtojmë kohë jo vetëm leximit të mësimeve të profetëve dhe të shkrimeve të shenjta, por gjithashtu të meditojmë rreth tyre me shpirtin e lutjes. Nefi, për shembull, i kushtoi kohë të ulurit për të medituar. Duke bërë kështu, ai u hap ndaj perlave doktrinore (shih 1 Nefi 11:1). I kushtoni kohë bërjes së asaj që Zoti na ka mësuar të bëjmë: “I mblidhni thesar këto gjëra në zemrat tuaja dhe i lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja” (DeB 43:34). Në një botë që kërkon gjithnjë më shumë nga koha jonë, është thelbësore që të kemi kohë të meditojmë në shtëpinë tonë, që të mund të kuptojmë doktrinën e shenjtë dhe parimet e saj. Siç tha Shpëtimtari: “Shkoni në shtëpitë tuaja dhe meditoni mbi gjërat që kam thënë … që të mund të kuptoni dhe të përgatitni mendjen për nesër” (3 Nefi 17:3).

Duke vepruar kështu, hapja jonë ndaj doktrinës dhe parimeve të saj do të vijojë të ngrihet nëse ne mbajmë parasysh këshillën e Zotit lidhur me ndikimet e këqija. Ka shumë gjasa të ketë njerëz që ushtrojnë presion ndaj nesh për të vepruar apo menduar në një mënyrë të tillë që tërmetet e ardhshme të na gjejnë pa përgatitjen e duhur. Lidhur me këtë, Shpëtimtari na dha çelësin që do të na ndihmojë të përgatitemi më mirë sot për të papriturat që vijnë. Ai tha: “Prandaj, nëse dora jote të bën të mëkatosh, preje; ose nëse vëllai yt mëkaton kundër teje dhe nuk e rrëfen dhe nuk e braktis, ai do të përjashtohet” (Përkthimi i Joseph Smith-it, Marku 9:40).

Fatmirësisht Shpëtimtari vetë tregoi kuptimin e prerjes së dorës tonë. Nuk është fjala për të gjymtuar veten por për të larguar nga jeta jonë sot ato ndikime që na mbajnë larg përgatitjeve për tërmetet e nesërme. Nëse unë kam miq që përfaqësojnë ndikime të këqija mbi mua, këshilla është e qartë: “Është më mirë për ty të hysh në jetë pa vëllanë tënd, sesa ti dhe vëllai yt të flakeni në ferr” (Përkthimi i Joseph Smith-it, Marku 9:41). Zoti zbatoi të njëjtin parim duke paralajmëruar Nefin të shkëputet nga vëllezërit e tij që u bënë një ndikim i rrezikshëm (shih 2 Nefi 5:5).

Ai vijon duke treguar se një prerje e tillë ka të bëjë jo vetëm me miqtë, por me çdo ndikim të keq, të tilla si shfaqje televizive, faqe interneti, filma, letërsi, lojra apo muzikë e papërshtatshme. Skalitja në shpirtin tonë e këtij parimi do të na ndihmojë t’i rezistojmë tundimit për t’u dhënë pas çfarëdo ndikimi të keq.

Lartësimi i hapjes sonë ndaj doktrinës dhe parimeve të saj, neve mbajtësve të priftërisë do të na rrënjosë thellë vlera të ungjillit. Ne do të përgatitemi më mirë për të përballuar lëkundjet që do të vijnë pa paralajmërim, kur janë më të papritura. Si mbajtës të priftërisë, ne do të ndiejmë premtimin që iu bë profetit Jeremia, të na drejtohet neve: “Ja, sot po të bëj një qytet të fortifikuar, një shtyllë të hekurt dhe një mur bronzi kundër gjithë vendit” (Jeremia 1:18).

Pastaj ne do të jemi në gjendje të shprehim mirënjohjen tonë siç bëri Motra Linda Krucado në Ika. Pasi kaloi gjithë natën e ekspozuar në qiell të hapur, ajo shkroi: “Ditën tjetër në të gdhirë, Ati ynë Qiellor tregoi dashurinë e Tij me një diell të ngrohtë që erdhi shumë herët, dhe natën Ai na rehatoi me një natë plot yje.”

Sot është koha jonë të jemi të guximshëm dhe të vendosim t’iu japim shpirtrave tanë një hapje të thellë ndaj mësimeve të Shpëtimtarit tonë. Unë e di se Ai jeton dhe, pasi të kemi bërë çdo gjë që mundemi, Ai do të bëjë pjesën tjetër. Kështu unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.