2007
Kulloti Delet e Mia
Nëntor 2007


“Kulloti Delet e Mia”

Nëpërmjet vizitave tona të rregullta mujore ndaj motrave tona, ne mund të krijojmë lidhje dashurie, miqësie dhe besimi.

Jam e përulur nga mundësia që kam të qëndroj përpara jush dhe të ndaj ndjenjat e zemrës sime. Unë jam një grua shumë e zakonshme, e parëndësishme sipas standardeve të botës, por Zoti, në mëshirën e Tij të madhe, më ka bekuar gjithmonë me mundësi të veçanta dhe një dhuratë shumë të çmuar: unë kam marrë dhuratën e së vërtetës së këtij ungjilli dhe për vërtetësinë e Jezu Krishtit dhe sakrificës së Tij shlyese. Kam ndier ndikimin udhëheqës të Frymës së Shenjtë nga koha kur isha vetëm 14 vjeçe, kur për herë të parë fola me misionarët dhe lexova Librin e Mormonit. Dëshmia ime gjithmonë më digjet në zemër dhe besimi im është i qëndrueshëm. Kjo dhuratë e besimit dhe e dëshmisë e ka bekuar mjaft jetën time.

Sot qëndroj në mes grave më të mira dhe më të çmuara në botë dhe ndiej peshën e përgjegjësisë së madhe që qëndron mbi mua në këtë moment. Unë jam lutur, kam studiuar dhe medituar mbi shkrimet e shenjta duke kërkuar frymëzimin për të thënë atë që Zoti do që unë t’ju them me këtë rast.

Si presidenci e Shoqatës së Ndihmës ne kemi studiuar dhe medituar mbi historinë dhe qëllimin e Shoqatës së Ndihmës — kësaj organizate të veçantë e cila u organizua në mënyrë hyjnore nga një profet i Perëndisë për t’u shërbyer dhe për t’i bekuar gratë e Kishës. Ky fillim i frymëzuar erdhi në përgjigje ndaj dëshirave të ëmbla të zemrave të grave në atë kohë. U organizua për dy qëllime mjaft të qarta: për të ndihmuar të varfërit dhe për të shpëtuar shpirtra.1

Motra Bek përmendi se një gjë për të cilën gratë e kësaj Kishe mund dhe duhet ta bëjnë mirë, është të sigurojnë ndihmë.

Merrni në konsideratë parimin e mësuar tek Gjoni 21:15-17. Zoti e pyeti Pjetrin, “A më do ti mua?” Pjetri u përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Dhe Zoti iu përgjigj: “Kulloti qengjat e mi.” Zoti e pyeti për të dytën herë: “A më do ti mua?” Pjetri përsëri u përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Zoti i tha Pjetrit: “Ki kujdes për delet e mia.” Zoti e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?” Pjetri u përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.”

Si dishepuj të Krishtit, ne gjithashtu deklarojmë se e duam Atë. Kështu, si mund t’i ushqejmë delet e Tij?

Një nga mënyrat se si motrat e Shoqatës së Ndihmës mund t’i ushqejnë delet e Tij, është nëpërmjet vizitave të shtëpisë. “Qëllimet e mësimit të vizitave janë të ndërtojë marrëdhënie përkujdesjeje me secilën motër dhe të ofrojë mbështetje, ngushëllim dhe miqësi.”2 Për t’i përmbushur këto qëllime, mësueset e vizitave duhet të bëjnë sa më poshtë:

  1. Ta vizitojnë rregullisht çdo motër që u është caktuar (nëse është e mundur në shtëpinë e saj, çdo muaj).

  2. “Të mësojnë mbi nevojat shpirtërore dhe tokësore të motrës dhe familjes së saj.”

  3. “Të ofrojnë ndihmë të përshtatshme.”

  4. “T’u japin udhëzime shpirtërore nëpërmjet një mesazhi mujor.”3

Zoti i ka bekuar gratë me cilësi hyjnore dashurie, dhembshurie, mirësie dhe dashurie hyjnore. Nëpërmjet vizitave tona mujore si mësuese vizitash, ne kemi fuqinë për ta bekuar secilën motër ndërsa shtrijmë krahët tona të dashurisë dhe mirësisë dhe u japim dhuratën e dhembshurisë e të dashurisë hyjnore. Pavarësisht rrethanave tona individuale, të gjithë kemi mundësinë për të ngritur moralisht dhe ushqyer të tjerët.

Unë kam jetuar në shumë vende në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në Karaibe dhe në Spanjë. Kam parë mësimin e vizitave të bëhet me besnikëri nëpërmjet ecjeve të shkurtra apo të gjata, me autobuz, metro ose tren. Shoqja ime Ana ishte një nënë e re në Kosta Rika, e cila me besnikëri i bëri vizitat e saj të shtëpisë çdo muaj, duke ecur shpesh nëpër shiun e rrëmbyer. Tridhjetë vjet më vonë, tashmë një gjyshe, ajo vazhdon të jetë një mësuese besnike shtëpie. Ajo ka bekuar mjaft jetë njerëzish.

Nëpërmjet vizitave tona të rregullta mujore ndaj motrave tona, ne mund të krijojmë lidhje dashurie, miqësie dhe besimi. Nëse i dëgjojmë nxitjet e Shpirtit, do të rrisim vetëdijen në lidhje me nevojat e tjetrit. Nëse veprojmë sipas atyre nxitjeve hyjnore, ne mund të jemi një bekim për njerëzit në nevojë. Por duhet të jemi të gatshëm të japim — nga të mirat materiale dhe nga koha jonë. Masa e vërtetë e jetës sonë nuk është sa shumë marrim, por sa shumë japim. Mësimi i vizitave siguron mundësi për të dhënë, ndërsa kujdesemi për nevojat fizike, shpirtërore dhe emocionale të njëri-tjetrit.

Ndërsa po jetoja në Republikën Domenikane, shkova për të vizituar një motër e cila sapo ishte kthyer në shtëpi nga spitali, pasi kishte lindur fëmijën e saj të tretë. U habita nga fakti se sa mirë dhe sa e qetë dukej. Dy fëmijët e saj të tjerë ishin akoma shumë të vegjël! Pas disa minutash në bashkëbisedimin tonë, ajo më tregoi sa e qetë ishte ndier ngaqë motrat e Shoqatës së Ndihmës ishin organizuar që të vinin për ta ndihmuar çdo ditë, për ato pak ditë në vijim. Ajo e ndjeu se e donin.

Mësueset e mia të vizitave ishin gjithmonë të parat që vinin për të më parë dhe të më sillnin vakte pasi kthehesha në shtëpi me secilën nga foshnjat e mia të sapo lindura në San Hoze, Kosta Rika.

Presidenti Bojd K. Paker tha se shërbimi në Shoqatën e Ndihmës “e lartëson dhe e shenjtëron secilën motër” dhe ai na ka këshilluar t’i “japim shërbimit në Shoqatën e Ndihmës përparësi mbi të gjitha klubet shoqërore ose shoqëritë e tjera të ngjashme.”4

Mësimi i vizitave është gjithashtu një mjet mjaft efikas në ruajtjen në besim dhe përpjekjet riaktivizuese. Një motër e re e pamartuar, në moshë madhore, tha sa më poshtë:

“Ndërsa po lexoja Mesazhin e Presidencisë së Parë nga revista ‘Ensign’, u kujtova për detyrën time si mësuese e vizitave. Shoqja ime e vizitave ishte një mike e ngushtë, por dukej se gjithmonë nuk na përputheshin oraret. Atë mëngjes vendosa t’i telefonoja motrave që do të vizitonim, të caktonim një takim, me shpresën se do të funksiononte edhe me orarin e shoqes sime. Fatkeqësisht, shoqja ime nuk pati mundësi të vinte. I kërkova dy nga shoqeve të mia të apartamentit që të vinin me mua për ato vizita, por asnjëra nuk ishte e lirë. Duke e ditur se bërja e mësimit të vizitave vetëm, nuk ishte gjëja ideale, mendova të telefonoja për ta anulluar, por vendosa se ishte më mirë t’i bëja vizitat vetëm sesa të lejoja edhe një muaj tjetër të shkonte pa i vizituar motrat tona.

Arrita tek shtëpia e Alehandrës dhe me emocione iu afrova derës, duke mos e ditur nëse do ta njihja atë. Ajo ishte treguar shumë miqësore në telefon, kështu që mendova se ishte një motër që e kisha parë në kishë. Alehandra më përshëndeti me një përqafim të ngrohtë dhe shumë e buzëqeshur. Nuk e kisha parë ndonjëherë! Gjatë bashkëbisedimit tonë, Alehandra ndau dëshirën e saj që të fillonte të shkonte përsëri në kishë dhe tha se kishte shpresuar për ndonjë lloj vizite gjatë këtyre muajve të fundit. Ajo tha se kjo ishte hera e parë që kishte patur një mësuese vizitash. Folëm mbi disa nga parimet e ungjillit dhe ndamë mbresat tona mbi Mesazhin e Mësimit të Vizitave të atij muaji. Ajo u zotua që të vinte në kishë atë javë. Dhe me të vërtetë ajo erdhi (ajo madje solli edhe të dashurin e saj)!

Që atëherë, Alehandra dhe unë jemi bërë shoqe të ngushta. Unë nuk jam më mësuesja e saj e vizitave, por ne takohemi shumë më shpesh sesa një herë në muaj. Alehandra vjen rregullisht në kishë dhe në mbrëmjet familjare në shtëpi dhe po frekuenton institutin.

Tani kam një dëshmi më të fortë mbi mësimet e vizitave sesa ndonjëherë më parë. Jam mirënjohëse për udhëheqjen e Frymës së Shenjtë dhe nxitjen e Tij delikate e cila më çoi tek një shoqe kaq e mirë dhe e dashur si Alehandra. Të dyja u forcuam njëlloj nga kjo përvojë dhe të dyja kishim nevojë për të, për përparimin tonë shpirtëror.”5

Kur një bari kujdeset, shumë nga ata që janë larguar mund të sillen përsëri. Ata mund t’i përgjigjen një thirrjeje dhe të kthehen në grigjë.

Tek Moroni 6:4 neve na këshillohet të kujtojmë dhe ushqejmë ata që pagëzohen në Kishën e Krishtit.

Mesazhi mujor i ungjillit që ne ndajmë në ato vizita, forcon besimin dhe dëshminë. Si marrësi ashtu dhe dhënësi forcohen ndërsa ndajnë mendime dhe përvoja personale, ndërsa diskutojnë parime të ungjillit, shkrime të shenjta dhe mësime nga profetët tanë.

Një bekim tjetër është miqësia e ngushtë dhe forcimi që ngjasin ndërmjet dy motrave të cilat janë shoqe vizitash në këtë detyrë. Ne mësojmë nga njëra-tjetra dhe e duam njëra-tjetrën ndërsa shërbejmë së bashku.

Ne mundemi dhe duhet të jemi të afta të sigurojmë ndihmë kuptimplote. Ne kemi fushëpamjen e ungjillit në jetën tonë. Ne kemi nxitje hyjnore të cilat na shtyjnë për të bërë mirë. Le të zotohemi për mësime vizitash efikase. Ne mund të sigurojmë ushqim tokësor dhe shpirtëror. Ne mundemi dhe duhet të ofrojmë kuptim që të mund t’u mësojmë të tjerëve doktrinë. Ne mund t’i vijmë në ndihmë urisë shpirtërore dhe të kullotim delet. Kullotja e deleve mund të nënkuptojë forcimin dhe ushqimin e anëtarëve të rinj, atyre më pak aktivë ose madje edhe atyre që janë anëtarë plotësisht aktivë.

Shërbimi ynë duhet të jetë vetëmohues, i heshtur dhe i bërë me gatishmëri, me zemrën tonë të mbushur me dashurinë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Duhet të ketë shqetësim të çiltër për t’u kujdesur për grigjën, për t’i ftuar te Krishti.

Është lutja ime që ne do të premtojmë një zotim në rritje për të shtrirë krahët tona të dashurisë dhe dhembshurisë për të bekuar, ndihmuar dhe forcuar njëra-tjetrën ndërsa shkojmë përpara duke bërë mësimet tona të vizitave me një zemër të gatshme dhe plot gëzim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih History of the Church, 5:25.

  2. “Relief Society’, seksioni 3 i “Church Handbook of Instructions, Book 2: Priesthood and Auxiliary Leaders” (1998), fq. 202.

  3. “Church Handbook of Instructions”, Book 2, fq. 203.

  4. “The Circle of Sisters,” Ensign, nëntor 1980, fq. 110-111.

  5. Korrespondencë vetjake.