Mirë, Më Mirë, Më e Mira
Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe forcojnë familjet tona.
Prej shumicës prej nesh, pritet të bëjë më shumë gjëra nga sa ka mundësi të bëjë. Si mbajtës të familjes, si prindër, si punonjës dhe anëtarë të Kishës, ne përballemi me shumë zgjedhje për mënyrën si do ta përdorim kohën tonë dhe burime të tjera.
I.
Duhet ta fillojmë duke kuptuar realitetin që thjesht se diçka është e mirë, nuk është një arsye e mjaftueshme për ta bërë. Numri i gjërave të mira që mund të bëjmë e tejkalon shumë kohën në dispozicion për t’i kryer ato. Disa gjëra janë më të mira se vetëm mirë dhe këto janë gjërat që duhet të marrin vëmendje me përparësi në jetën tonë.
Jezusi na e mësoi këtë parim në shtëpinë e Martës. Ndërsa ajo ishte “krejt e zënë nga punët e shumta” (Lluka 10:40), motra e saj, Maria, “u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij” (vargu 39). Kur Marta u shqetësua se motra e saj e kishte lënë të shërbente e vetme, Jezusi e përgëzoi Martën për atë që po bënte (vargu 41), por e mësoi se “vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet” (vargu 42). Ishte e lavdërueshme që Marta “po [shqetësohej] dhe [kujdesej] për shumë gjëra” (vargu 41), por mësimi i ungjillit prej Mësuesit Mjeshtër ishte më “[i nevojshëm].” Shkrimet përmbajnë mësime të tjera që disa gjëra janë më të bekuara se të tjerat (shih Veprat e Apostujve 20:35; Alma 32:14-15).
Një përvojë nga fëmijëria më njohu me idenë se disa zgjedhje janë të mira, por të tjerat janë më të mira. Për dy vjet kam jetuar në një fermë. Ne shkonim rrallë në qytet. Blerjet për Krishtlindje i bënim me anë të katalogut Robuk, Shiërs. Kam kaluar orë të tëra i zhytur në faqet e tij. Për familjet në zonat rurale të asaj kohe, faqet e katalogut ishin si qendrat tregëtare ose interneti i ditëve tona.
Diçka nga paraqitjet e mallrave në katalog u ngulit në mendjen time. Kishte tre shkallë cilësie: mirë, më mirë dhe më e mira. Për shembull, disa këpucë për burra kishin etiketat të mira ($1.84), disa më të mira ($2.98) dhe disa më të mirat ($3.45).1
Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, duhet të kujtohemi se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. Ndonëse një zgjedhje e caktuar është më e kushtueshme, vlera e saj shumë më e madhe mund ta bëjë atë zgjedhjen më të mirë nga të gjitha.
Vrisni mendjen si e përdorim kohën në zgjedhjet që bëjmë për të parë televizor, për të luajtur me video gejms, për të lundruar në internet apo për të lexuar libra ose revista. Natyrisht është mirë të shohësh zbavitje të dobishme ose të marrësh informacion interesant. Por jo çdo gjë e këtij lloji e vlen atë pjesë të jetës sonë që japim për ta marrë atë. Disa gjëra janë më të mira dhe të tjera janë më të mirat. Kur Zoti na tha të kërkojmë të mësojmë, Ai tha: “kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë” (DeB 88:118; kursivet të shtuara).
II.
Disa nga zgjedhjet tona më të rëndësishme janë në lidhje me aktivitetet familjare. Shumë mbajtës të familjes shqetësohen se profesionet iu lënë shumë pak kohë për familjen e tyre. Nuk ka një formulë të lehtë për atë konkurim përparësishë. Megjithatë, nuk kam njohur asnjë burrë që, të kujtonte jetën e tij në punë e të thoshte: “nuk kam kaluar aq kohë sa duhej në punën time.”
Kur zgjedhim si të kalojmë kohën si familje, duhet të kemi kujdes të mos e shpenzojmë kohën tonë për gjëra që janë thjesht të mira dhe të lëmë pak kohë për atë që është më e mirë apo më e mira. Një mik e çoi familjen e tij të re në një seri udhëtimesh për pushimet e verës, përfshirë vizita në vende historike të paharrueshme. Në fund të verës ai e pyeti djalin e tij adoleshent se cila nga këto aktivitete të mira të verës e kishte kënaqur më shumë. Babai mësoi nga përgjigja dhe po kështu edhe të gjithë ata të cilëve ua tregoi. “Gjëja që më pëlqeu më shumë këtë verë”, u përgjigj djali, “ishte nata kur ti dhe unë u shtrimë në lëndinë, vështruam yjet dhe biseduam.” Aktivitete familjare të mrekullueshme mund të jenë të mira për fëmijët, por ato nuk janë gjithmonë më të mira se koha e kaluar vetëm për vetëm me një prind të dashur.
Sasia e kohës fëmijë-prind që thithet nga aktivitete të mira mësimesh private, sportesh në grup dhe aktivitetesh të tjera shkollore dhe në klube, gjithashtu duhet të rregullohet me kujdes. Përndryshe, fëmijët do të mbingarkohen dhe prindërit do të rraskapiten dhe irritohen. Prindërit duhet të veprojnë që të ruajnë kohë për lutje familjare, studim familjar të shkrimeve të shenjta, mbrëmje familjare në shtëpi dhe për çaste të tjera të çmueshme të të qenit së bashku dhe vetëm për vetëm, të cilat e lidhin familjen si dhe fiksojnë vlera tek fëmijët për gjërat me vlerë të përjetëshme. Prindërit duhet t’u mësojnë përparësitë e ungjillit nëpërmjet asaj çka bëjnë me fëmijët e tyre.
Specialistët e familjes na kanë paralajmëruar për atë që ata e quajnë “mbingarkesa e fëmijëve.” Në brezin e fundit fëmijët janë shumë më të zënë dhe familjet kalojnë shumë më pak kohë së bashku. Ndërmjet shumë të dhënave të kësaj tendence shqetësuese janë raportet se koha me sporte të organizuara është dyfishuar, por koha e lirë e fëmijëve është zvogëluar me 12 orë në javë ndërsa aktivitetet spontane në natyrë kanë rënë me 50 përqind.2
Numri i atyre që raportojnë se “e gjithë familja e tyre zakonisht ha drekë së bashku” ka rënë me 33 përqind. Kjo është më shqetësuesja sepse koha që familja shpenzon së bashku “duke ngrënë në shtëpi [është] parashikuesi më i fuqishëm i rezultateve shkollore të fëmijëve dhe përshtatjes psikologjike.”3 Vaktet e ngrënies në familje është treguar se janë edhe një ledh mbrojtës i fuqishëm kundër pirjes së duhanit, të pijeve alkoolike apo përdorimit të drogave nga fëmijët.4 Në këtë këshillë për prindërit ka urtësi të frymëzuar: Ajo që duan vërtet në drekë fëmijët është ju vetë.
Presidenti Gordon B. Hinkli na është përgjëruar që të “punojmë për përgjegjësinë tonë si prindër sikur çdo gjë në jetë të mbështetet tek ajo, sepse në fakt, çdo gjë në jetë mbështetet tek ajo.” Ai vijoi:
“Ju kërkoj veçanërisht juve burra, të ndaleni dhe të analizoni me vëmendje vetveten si bashkëshortë dhe etër dhe kryet e shtëpisë. Lutuni për udhërrëfim, për ndihmë, për drejtim dhe pastaj ndiqni pëshpëritjet e Shpirtit që t’ju rrëfejë udhën në më seriozen nga të gjitha përgjegjësitë, sepse pasojat e udhëheqjes tuaj në shtëpi do të jenë të përjetshme dhe të përherëshme.”5
Presidencia e Parë i ka bërë thirrje prindërve që “t’i kushtojnë përpjekjet e tyre më të mira për t’u dhënë mësim dhe për t’i rritur fëmijët e tyre me parimet e ungjillit… . Shtëpia është baza e një jete të drejtë dhe asnjë instrument tjetër nuk mund ta zërë vendin e saj … në … këtë përgjegjësi të dhënë nga Perëndia.” Presidencia e Parë ka deklaruar se “sado të denja dhe të përshtatshme qofshin kërkesat ose aktivitetet e tjera, ato nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë detyrat e caktuara hyjnisht që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë ashtu si duhet.”6
III.
Udhëheqësit e Kishës duhet të jenë të vetëdijshëm se mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës mund të bëhen tepër komplekse dhe një barrë nëse lagjja ose kunji përpiqet që anëtarësia të bëjë gjithçka është e mirë dhe e mundshme në programet tona të shumta të Kishës. Edhe aty nevojiten përparësi.
Anëtarët e Kuorumit të të Dymbëdhjetëve kanë theksuar rëndësinë e ushtrimit të gjykimit të frymëzuar në programet dhe aktivitetet e Kishës. Plaku L. Tom Perri na e mësoi këtë parim në mbledhjen tonë të parë trajnuese mbarëbotërore në vitin 2003. Duke u dhënë të njëjtën këshillë udhëheqësve më 2004-ën, Plaku Riçard G. Skot tha: “Përshtatini aktivitetet që të përputhen me kushtet dhe burimet tuaja vendore… . Sigurohuni që të përmbushen nevojat thelbësore, por mos e teproni duke krijuar aq shumë gjëra të mira që mund të bëhen, saqë të mos kryhen ato thelbësore… . Mbani mend, mos e zmadhoni punën që duhet të bëhet — thjeshtojeni atë.”7
Në konferencën e përgjithshme vitin e kaluar, Plaku M. Rasëll Ballard na paralajmëroi mbi keqësimin e marrëdhënieve familjare që mund të ndodhin kur kalojmë tepër kohë me aktivitete jo efikase që prodhojnë pak mbështetje shpirtërore. Ai na porositi kundër ndërlikimit të shërbimit tonë në Kishë “me lulka dhe zbukurime të panevojshme që zënë tepër kohë, kushtojnë tepër para dhe thithin tepër energji… . Udhëzimi për të lartësuar thirrjet tona nuk është një komandë për t’i zbukuruar dhe komplikuar ato. Të përtërish nuk do të thotë patjetër të zgjerosh, shpesh do të thotë të thjeshtosh… . Ajo çka është më e rëndësishmja në përgjegjësitë tona në Kishë”, tha ai, “nuk janë statistikat që raportohen ose mbledhjet që zhvillohen, por nëse vetë njerëzit — të cilëve iu shërbehet një e nga një siç bëri Shpëtimtari — u lartësuan, u nxitën dhe si përfundim u ndryshuan.”8
Presidencitë e kunjeve dhe këshillat e peshkopëve duhet ta ushtrojnë autoritetin e tyre për të përjashtuar angazhimin e tepërt dhe të paefektshëm që u kërkohet nganjëherë anëtarëve të kunjeve ose lagjeve të tyre. Programet e Kishës duhet të përqendrohen në atë që është më e mira (më me efekt) për arritjen e qëllimeve të caktuara pa ndërhyrë padrejtësisht në kohën që iu duhet familjeve për “detyrat e tyre të caktuara hyjnisht.”
Por këtu është një paralajmërim për familjet. Le të supozojmë se udhëheqësit e Kishës e zvogëlojnë kohën që duhet për mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës, për të rritur kohën në dispozicion të familjeve që të jenë së bashku. Kjo nuk do ta arrijë qëllimin që ka nëse vetë anëtarët e familjes, veçanërisht prindërit, nuk veprojnë fuqishëm për të rritur kohën kur familja është e gjitha së bashku ose atë të qëndrimit vetëm për vetëm. Sportet në grup dhe lojërat teknologjike, si video gejmët dhe interneti, tashmë po ia rrëmbejnë kohën fëmijëve dhe rinisë tonë. Lundrimi në internet nuk është më i mirë se shërbimi ndaj Zotit ose forcimi i familjes. Disa të rinj dhe të reja po i kapërcejnë aktivitetet e rinisë në Kishë ose po shkurtojnë kohën me familjen, në mënyrë që të marrin pjesë në kampionate futbolli ose për të vijuar me zbavitje të ndryshme. Disa të rinj po zbaviten deri sa vdesin — një vdekje shpirtërore.
Disa përdorime të kohës vetjake ose me familjen janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe forcojnë familjet tona.
IV.
Këtu janë disa ilustrime të tjera për atë që është mirë, më mirë dhe më e mira:
Është mirë t’i përkasim Kishës së vërtetë të Atit tonë në Qiell, të mbajmë gjithë urdhërimet e Tij dhe të plotësojmë gjithë detyrat tona. Por që kjo të cilësohet si “më e mira”, duhet të bëhet me dashuri dhe pa arrogancë. Ne duhet, ashtu si këndojmë në një himn të mrekullueshëm, “të kurorëzojmë të mirën [tonë] me vëllazërinë”9, duke treguar dashuri dhe shqetësim për të gjithë ata tek të cilët ndikon jeta jonë.
Qindra e mijëra mësuesve tanë të shtëpisë e të mësimit të vizitave unë u sugjeroj se është mirë të vizitojmë familjet që na janë caktuar; është më mirë të bëjmë një vizitë të shkurtër në të cilën u mësojmë doktrinë dhe parim; dhe është më e mira e të gjithave të sjellim ndryshim në jetën e disave prej atyre që vizitojmë. E njëjta sfidë zbatohet edhe për shumë mbledhje që zhvillojmë — mirë të bëjmë një mbledhje, më mirë t’u mësojmë një parim, por më e mira të përmirësojmë vërtet jetë si rezultat i mbledhjes.
Ndërsa i afrohemi kursit të ri të studimeve të 2008-ës në kuorumet tona të Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatës së Ndihmës, unë përtërij paralajmërimin tonë për mënyrën si i përdorim manualet “Mësimet e Presidentëve të Kishës”. Shumë vite pune të frymëzuar kanë prodhuar vëllimin tonë të 2008-ës të Mësimeve të Jozef Smithit, profeti themelues i kësaj periudhe ungjillore. Ai është një pikë referimi ndërmjet librave të Kishës. Në të shkuarën, disa mësues nuk kanë bërë më shumë se një përmendje të shkurtër të ndonjë kapitulli nga manualet e “Mësimeve” dhe pastaj e kanë zëvendësuar një mësim me një zgjedhje të vetën. Mund të ketë qenë një mësim i mirë, por kjo nuk është praktikë e pranueshme. Një mësues i ungjillit thirret të japë mësim lëndën e specifikuar nga materialet e frymëzuara që janë dhënë. Gjëja më e mirë që mund të bëjë një mësues me “Mësimet: Jozef Smithi”, është të zgjedhë një citim nga fjalët e profetit mbi parimet që i përshtaten posaçërisht nevojave të anëtarëve të klasës dhe pastaj të drejtojë një diskutim klase sesi t’i zbatojmë ato parime në rrethanat e jetës së tyre.
Unë dëshmoj për Atin tonë në Qiell, bijtë e të cilit jemi dhe plani i të cilit është hartuar për të na cilësuar për “jetë të përjetshme, … më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7; shih edhe DeB 76:51–59). Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, Shlyerja e të cilit bën këtë të mundur. Dhe unë dëshmoj se udhëhiqemi nga profetë, Presidenti ynë Gordon B. Hinkli dhe këshilltarët e tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.