2007
E Vërteta — Themeli i Vendimeve të Sakta
Nëntor 2007


E Vërteta — Themeli i Vendimeve të Sakta

Dijenia e së vërtetës ka pak vlerë, nëse nuk e zbatojmë duke marrë vendime të sakta.

Meqenëse e vërteta është i vetmi themel kuptimplotë mbi të cilin mund të marrim vendime të mençura, si mundet një njeri të përcaktojë çfarë është tamam e vërtetë? Përherë e më shumë njerëz po e provojnë se marrja e vendimeve të mençura po bëhet gjithmonë e më e vështirë për shkak të një bote me kaq shumë mjete informimi dhe burime informacionesh në të cilën jetojmë. Na jepet vazhdimisht një sasi e pafundme këshillash, udhëzimesh dhe reklamash. Kjo gjë bëhet nëpërmjet një kombinimi ngatërrues të mjeteve të informimit, internetit dhe mjetesh të tjera. Për një temë të dhënë mund të marrim mesazhe të shumëfishta, të përhapura me këmbëngulje dhe të planifikuara me kujdes, së bashku me zgjidhjet. Por shpesh, dy nga zgjidhjet mund të jenë diametralisht të kundërta. Nuk është çudi që disa hutohen dhe nuk janë të sigurtë se si të marrin vendimet e sakta.

Për t’i ndërlikuar gjërat më tej, të tjerë mundohen të na bindin se vendimet tona duhet të jenë të pranueshme nga shoqëria dhe të sakta politikisht. Ata që meditojnë për këtë mënyrë do të zbulojnë sa e gabuar është ajo. Përderisa strukturat shoqërore dhe politike ndryshojnë gjerësisht në botë dhe mund të ndryshojnë po gjerësisht në kohë, duket qartë marrëzia e përdorimit të asaj mënyre për të bërë zgjedhje.

Ka dy rrugë për të gjetur të vërtetën, të dyja të dobishme, me kusht që të zbatojmë ligjet mbi të cilat ato bazohen. E para është mënyra shkencore. Ajo mund të kërkojë analizimin e të dhënave për të konfirmuar një teori ose, përndryshe, të përcaktojë vlefshmërinë e një parimi nëpërmjet eksperimentit. Mënyra shkencore është një mënyrë me vlerë për të kërkuar të vërtetën. Megjithatë, ajo ka dy kufizime. Së pari, asnjëherë nuk mund të jemi të sigurtë se kemi gjetur të vërtetën absolute, ndonëse shpesh i afrohemi gjithnjë e më tepër asaj. Së dyti, nganjëherë, pavarësisht me sa zell e zbatojmë metodën, mund të marrim përgjigje të gabuar.

Mënyra më e mirë e zbulimit të së vërtetës është thjesht të shkojmë tek burimi i gjithë së vërtetës dhe të pyesim ose t’i përgjigjemi frymëzimit.1 Që të kemi sukses, janë thelbësorë dy përbërës: së pari, besim i palëkundur tek burimi i gjithë së vërtetës; së dyti, gatishmëri për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë që të mbajmë hapur komunikimin shpirtëror me Të. Plaku Robert D. Hejlls sapo na foli mbi zbulesën personale dhe si ta marrim atë.

Metoda Shkencore2

Çfarë kemi mësuar nga metoda shkencore e zbulimit të së vërtetës? Po jua tregoj me një shembull. Sado që jam përpjekur, unë nuk jam në gjendje të kuptoj, as në masën më të vogël, shtrirjen, thellësinë dhe madhështinë marramendëse të asaj që Ati ynë i shenjtë Qiellor, Elohimi, ka lejuar të zbulohet me mënyrën shkencore. Nëse do të ishim në gjendje të lëviznim në hapësirë, së pari, do ta shihnim tokën siç e kanë parë astronautët. Shumë më tej, do të kishim një pamje të qartë të diellit dhe planetëve që lëvizin rrotull tij. Ata do të dukeshin si një qark i vogël objektesh në një panoramë të pamasë yjesh vezullues. Nëse do të vazhdonim udhëtimin tonë më tej, do të kishim një pamje nga qielli të galaktikës së Rrugës së Qumështit me më shumë se 100 miliard yje që rrotullohen në një trajektore rrethore, me orbitat e kontrolluara nga forca e rëndesës rreth një zone qendrore të dendur. Më përtej, do të mund të shihnim drejt një grupi galaktikash të quajtur Grumbulli i Virgjëreshës, i cili disa mendojnë se përfshin dhe Rrugën tonë të Qumështit, vlerësuar të jetë rreth 50 milion vite drite larg. Më përtej do të takonim galaktika 10 miliard vite drite larg, të cilat i ka fotografuar teleskopi Habëll. Ideja e madhësisë trullosëse të asaj largësie sugjerohet po të mbajmë parasysh se drita udhëton 1.1 miliard kilometra në orë. Edhe prej këtij këndvështrimi të jashtëzakonshëm nuk do të kishim as provën më të vogël se po i afrohemi ndonjë kufiri të krijimeve të Perëndisë Atë.

Sado mbresëlënëse të jetë kjo pamje e pabesueshme e qiejve, ka një tjetër element po aq në gjendje të konfirmojë aftësitë e padepërtueshme të Atit tonë në Qiell. Nëse do të lëviznim në drejtim të kundërt për të eksploruar strukturën e lëndës, do të mund të merrnim një pamje nga afër të molekulës me spirale të dyfishtë të ADN-së. Ajo është struktura molekulare e jashtëzakonshme, vetëriprodhuese, që kontrollon formimin e trupit tonë fizik. Eksplorimi i mëtejshëm do të na çonte tek niveli i atomit, i përbërë nga protonet, neutronet dhe elektronet për të cilat kemi dëgjuar.

Nëse do të depërtonim më tej në misteret e elementëve më themelorë të krijimit, do të mbërrinim tek kufiri i dijeve tona të tashme. Në 70 vjetët e fundit është mësuar shumë për strukturën e lëndës. Është përpunuar një Model Standard i Pjesëzave Themelore dhe i Ndërveprimeve. Ai bazohet mbi eksperimentet që kanë zbuluar ekzistencën e pjesëzave themelore të quajtura kuarke dhe të tjera të quajtura leptone. Ky model shpjegon strukturën e lidhjeve dhe të shkëputjes bërthamore në lëndë, por ai ende nuk jep një shpjegim të suksesshëm për forcën e rëndesës. Gjithashtu, disa mendojnë se mjete edhe më të fuqishëm se ata të përdorur për të arritur njohuritë e sotme mbi lëndën, mund të zbulojnë pjesëza të tjera themelore. Pra ka ende, krijime të mëtejshme të Atit në Qiell, që duhet të kuptohen me anë të mënyrës shkencore.

Mund të shohim se mënyra shkencore ka sjellë një zgjerim të jashtëzakonshëm të njohurive tona kur Zoti ka frymëzuar njerëz të talentuar, të cilët mund të mos e kuptojnë cili i krijoi këto gjëra dhe për çfarë qëllimi. Shumë të tjerë mundet që as të mos e kuptojnë një frymëzim të tillë apo as t’ia atribuojnë Perëndisë burimin e kontributeve të tyre. Më erdhi mirë kohët e fundit, kur Presidenti Henri B. Ajring tregoi një përvojë që ati i tij i talentuar pati në një takim me shkencëtarë të tjerë të shquar. Ai i pyeti nëse kërkimet e tyre tregonin ekzistencën e një inteligjence organizuese më të lartë. Të gjithë ata pohuan bindjen e tyre se një inteligjencë e tillë ekziston.

Megjithëse është e kufizuar, njohuria jonë për krijimet e Atit tregon se universi ka më shumë hapësirë boshe. Edhe ato gjëra që ne i konsiderojmë të ngurta, të qëndrueshme, të prekshme, kur i shohim në përmasa të jashtëzakonshme në qiej ose në një lëndë shumë të vogël, janë në shumicën e tyre hapësirë boshe që Perëndia, Ati ynë, i kontrollon dhe i përdor në mënyrë të përsosur për qëllimet e Tij madhështore.

Metoda e së Vërtetës së Zbuluar

Çfarë kemi mësuar për të vërtetën nëpërmjet zbulesës?

Shekuj më parë, Perëndia Atë i lejoi disa nga profetët e Tij të shihnin përsosmërisht krijimet e Tij të pafundme, nëpërmjet syrit të Shpirtit të Shenjtë. Ai gjithashtu shpjegoi përse Ai i kishte krijuar ato: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime — të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”3 Enoku ishte një nga ata profetë. Ai vështroi Perëndinë e qiellit të vajtonte ndërsa shihte se si fuqia dhe ndikimi i Satanit kishin kthyer drejt ligësisë shumë vetë në tokë.

Enoku deklaroi:

“Si është e mundur që ti mund të vajtosh, duke e parë që je i shenjtë dhe nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi? Dhe po të ishte e mundur që njeriu të mund të numëronte … miliona tokë si kjo, nuk do të kishte fillim në morinë e krijimeve të tua; dhe perdet e tua ende janë të hapura; dhe përsëri … ti je i drejtë, je i mëshirshëm dhe i mirë përgjithmonë;

Dhe asgjë, përveç paqe, drejtësi dhe të vërtetë është vendbanimi i fronit tënd; dhe mëshirë do të shkojë përpara fytyrës tënde e nuk do të ketë fund; si është e mundur që ti mund të vajtosh?

Zoti i tha Enokut: Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, … dhe … i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;

Dhe vëllezërve të tu … u kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre; por, vër re, ata janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre.”4

Perëndia Atë i tha mirë Moisiut:

“Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im… .

Ka shumë botë … dhe të panumërueshme janë ato për njeriun; por të gjitha gjërat numërohen prej meje, sepse ato janë të miat dhe unë i njoh ato.”5

Dijenia e së vërtetës ka pak vlerë, nëse nuk e zbatojmë duke marrë vendime të sakta. Mendoni për një çast një burrë, shumë mbi peshë, që i qaset një vitrine të një dyqani ëmbëlsirash. Në mendjen e tij vijnë këto mendime: “Doktori të ka thënë të mos hash më nga këto. Nuk të bëjnë mirë. Të japin kënaqësi vetëm për çaste oreksi. Pasi t’i hash do të ndihesh keq gjithë ditën. Ti ke vendosur të mos hash më.” Por pastaj ai dëgjon vetveten t’i thotë: “Do të marr dy nga këto gërsheta të spërkatura me bajame dhe nja dy nga këto petullat me çokollatë. Një herë më shumë nuk do të më dëmtojë. Do t’i ha edhe një herë të vetme dhe kjo do të jetë hera e fundit.”

Besimi dhe Karakteri

Procesi i identifikimit të së vërtetës nganjëherë kërkon përpjekje të jashtëzakonshme të kombinuara me besim të thellë tek Ati ynë dhe Biri i Tij i përlëvduar. Perëndia e bëri të ishte kështu për të farkëtuar karakterin tuaj. Karakteri i denjë do të forcojë aftësinë tuaj për t’iu përgjigjur me bindje udhëheqjes së Shpirtit kur merrni vendime jetësore. Karakteri i drejtë është ajo gjë çfarë ju po bëheni. Është më i rëndësishëm sesa çfarë zotëroni, çfarë keni mësuar apo çfarë qëllimesh keni realizuar. Ai lejon të vihet mbi ju besim. Karakteri i drejtë siguron themelin e forcës shpirtërore. Ai ju lejon në kohët e provave dhe sprovave të merrni vendime të vështira, jashtëzakonisht të rëndësishme dhe korrekte madje edhe kur ato duken mposhtëse.

Unë dëshmoj se as Satani, as ndonjë fuqi tjetër nuk mund të dobësojë ose shkatërrojë karakterin tuaj në rritje. Vetëm ju mund ta bëni këtë me anë të mosbindjes.

Kuptoni dhe zbatoni këtë parim jetësor në jetën tuaj. Ushtrimi juaj i besimit ndërton karakterin. Karakteri i përforcuar rrit aftësinë tuaj për të ushtruar besim më të madh. Kështu, besimi juaj për marrjen e vendimeve të sakta rritet. Dhe cikli i forcimit vazhdon. Sa më tepër forcohet karakteri juaj, aq më në gjendje jeni të ushtroni fuqinë e besimit për një karakter edhe më të fortë.

Ati Ynë dhe Biri i Tij

Meqenëse ka kaq shumë gjëra që ne i kuptojmë kaq pak dhe as nuk i afrohemi kuptimit të plotë, sa mirënjohës duhet të jemi që ky Perëndi, me aftësi kaq të padepërtueshme, është Ati ynë! Ai është një Atë i dashur, mirëkuptues, i dhembshur e i duruar. Ai na krijoi ne si fëmijët e Tij. Ai na trajton si një bir ose bijë të dashur. Ai na bën të ndihemi të dashur, të vlerësuar, të vlefshëm dhe të shtrenjtë për Të. Ai na ka dhënë planin e Tij të mëshirës6 dhe na ka pajisur që, kur jemi të bindur, të marrim vendime të sakta. Ai na ka siguruar nëpërmjet Birit të Tij të shenjtë, një mjet që të jetojmë, të rritemi, të zhvillohemi dhe ta vendosim vetën qartë në rrugën për të qenë përjetësisht nën udhëheqjen dhe ndikimin e Tij.

E dua Atin tonë në Qiell përtej aftësisë sime për ta shprehur këtë. Me përulësi të plotë, unë solemnisht jap dëshmi se ky Mjeshtër krijues, me aftësi të pashoqe, është Ati ynë i shenjtë përdëllyes. Biri i Tij i Dashur dha jetën e Tij me bindje absolute ndaj Atit të Tij për të thyer vargonjtë e vdekjes dhe për t’u bërë Mësuesi ynë, Shëlbuesi ynë, Shpëtimtari ynë. Ndonëse nuk i kuptoj plotësisht aftësitë e Tyre, kuptoj diçka nga fuqia e Tyre për ta shprehur thellësisht dashurinë e Tyre. Përulësisht jap dëshmi solemne se Ata jetojnë dhe na duan. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Jakobi (LiM) 4:8.

  2. Për informacion të mëtejshëm shih McGraw-Hill Concise Encyclopedia of Physics (2005); Philip Morrison and others, Powers of Ten (1982); www.particleadventure.org; dhe www.atlasoftheuniverse.com.

  3. Moisiu 1:39.

  4. Moisiu 7:29-33.

  5. Moisiu 1:33, 35.

  6. Shih Alma 42:31.