Të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë
Është thelbësore që të ushqejmë ata që mësojmë dhe të udhëheqim duke u përqendruar mbi doktrinat, parimet dhe zbatimet që theksohen në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme.
Kur isha djalë i ri, punoja me babain dhe vëllezërit e mi për të rritur bagëti e kuaj në fermën tonë në Jutën jugore dhe në Arizonën veriore. Babai na mësoi se kur donim të kapnim një nga kuajt për të kalëruar me të, e gjitha që duhet të bënim ishte të fusnim një dorë me drith në një kovë dhe ta tundnim për disa sekonda. Nuk kishte rëndësi nëse kuajt ishin në një vathë apo në një fushë të madhe, ata zakonisht vinin me vrap për të ngrënë drithin. Atëherë mund të vendosnim me kujdes një kapistër mbi kokën e tyre ndërsa ishin duke ngrënë. Gjithmonë mahnitesha që një proces kaq i thjeshtë funksiononte aq mirë.
Në disa raste, kur nuk donim ta merrnim drithin nga hangari, vendosnim dhé në kovë dhe e tundnim atë, duke u përpjekur t’i mashtronim kuajt që të mendonin se kishim drithë për ta. Kur e zbuluan mashtrimin tonë, disa nga kuajt qëndronin, por të tjerët largoheshin me vrap dhe ishte thuajse e pamundur t’i kapje. Shpesh kërkonte disa ditë që të rifitoje besimin e tyre. Mësuam se kur impenjoheshim për t’i ushqyer vazhdimisht kuajt tanë me drithë, kjo e bënte më të lehtë punën me ta dhe u siguronte një të ushqyer më të mirë dhe forcë më të madhe.
Megjithëse shumë vite kanë kaluar që nga ditët e mia në fermë, përvoja që sapo kam përshkruar më ka ndihmuar ndërsa kam pyetur veten sa më poshtë: Çfarë mund të bëjmë ne si mësues dhe udhëheqës në Kishë për t’u siguruar ushqim doktrinor dhe shpirtëror më të madh atyre që u shërbejmë?
Plaku Xhefri R. Holland ka thënë: “Shumica e njerëzve nuk vijnë në kishë duke kërkuar thjesht disa fakte të reja ungjillore, ose për të parë miq të vjetër, megjithëse e gjithë kjo është e rëndësishme. Ata vijnë për të kërkuar një përvojë shpirtërore. Ata duan paqe. Ata duan besimin e tyre të forcuar dhe shpresën e tyre të përtërirë. Ata duan, me pak fjalë, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit. Ata prej nesh të cilët thirremi për të folur, për të dhënë mësim apo për të udhëhequr, kemi një detyrim për të ndihmuar në sigurimin e kësaj, sa më mirë që të kemi mundësi.”1
Shpëtimtari dhe shërbëtorët e Tij nuk na kanë mësuar vetëm rë- ndësinë e ndihmës për të tjerët që “të [ushqehen] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4); por ata kanë siguruar gjithashtu udhëzim të frymëzuar në lidhje me atë se si të japësh mësim dhe të udhëheqësh, që të mund të përmbushet në mënyrën më të mirë. Seksioni 50 i Doktrina e Besëlidhje është një nga shumë referencat që jep një këshillë të tillë të vlefshme. Pasi njohu shqetësimet që ekzistonin në disa nga degët e para të Kishës, Shpëtimtari udhëzoi një grup udhëheqësish në lidhje me zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballeshin. Udhëzimet e tij filluan me një pyetje thelbësore: “Si rrjedhim, unë, Zoti, ju bëj këtë pyetje —për çfarë u shuguruat ju?” (DeB 50:13). Përgjigjja e njohur e Zotit vijon në vargun 14: “Për të predikuar ungjillin tim me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën.”
Përgjigjet ndaj problemeve me të cilat shenjtorët po përballeshin në vitin 1831 janë të njëjta me sfidat me të cilat përballemi sot — ne duhet t’u mësojmë ungjillin e Jezu Krishtit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Seksioni 50 përfshin disa hapa kyçe në sigurimin e ushqimit për ata që i mësojmë dhe ata që i udhëheqim. Hapi i parë gjendet në këshillën e Shpëtimtarit për të “predikuar ungjillin tim” (DeB 50:14, kursivet të shtuara). Shkrimet e shenjta qartësisht mësojnë se ungjilli që duhet të japim mësim nuk është: “[zgjuarsia e] botës” (Mosia 24:7), por “doktrina e Krishtit” (2 Nefi 31:21). Ndërkohë që ungjilli i Jezu Krishtit përqafon të gjithë të vërtetën, jo të gjitha të vërtetat kanë të njëjtën vlerë.2 Shpëtimtari qartësisht mësoi se ungjilli i Tij, së pari dhe kryesisht, është sakrifica e Tij shlyese. Ungjilli i Tij është gjithashtu një ftesë për të marrë bekimet e Shlyerjes nëpërmjet besimit tek Krishti, pendimit, pagëzimit, marrjes së Frymës së Shenjtë dhe durimit me besnikëri deri në fund.3
Ashtu siç mësova kur isha i ri se drithi ishte më tërheqës për kuajt sesa një kovë me dhè, gjithashtu mësova se drithi ishte më ushqyes sesa jonxha, që jonxha ishte më ushqyese sesa kashta dhe se ishte e mundur t’i jepje një kali për të ngrënë, pa e ushqyer atë. Si mësues dhe udhëheqës, është thelbësore që të ushqejmë ata që mësojmë dhe udhëheqim duke u përqendruar tek doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore që theksohen në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, në vend që të shpenzojmë kohë të çmuar mbi subjekte dhe burime më pak të rëndësishme.
Si mësues kam mësuar se një diskutim i klasës i përqendruar mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit, është pafundësisht më i rëndësishëm se diskutimi i çështjeve si vendndodhja e saktë e qytetit të lashtë të Zarahemlës në gjeografinë e sotme. Si udhëheqës kam mësuar se mbledhjet e udhëheqjes janë më kuptimplote, nëse prioriteti ynë më i lartë është një përpjekje e harmonizuar për të ndërtuar besim në Krisht dhe për të forcuar familje dhe jo thjesht një kalendar i bashkërenduar.
Fjalët e Zotit në seksionin 50 përmbajnë një paralajmërim se, nëse mësojmë “me anë të ndonjë mënyre tjetër”, atëherë Zoti ka udhëzuar se “nuk është prej Perëndisë” (DeB 50:18). Zoti i ka mësuar ata nga ne të cilët shërbejnë në Kishë, t’u mësojnë të tjerëve “asgjë tjetër përveç asaj që profetët dhe apostujt kanë shkruar dhe që u është mësuar atyre prej Ngushëlluesit nëpërmjet lutjes së besimit” (DeB 52:9). A do të thotë kjo se të ndjekësh këshillën e Shpëtimtarit për të “predikuar ungjillin tim” kërkon që çdo klasë ku japim mësim ose mbledhje që drejtojmë të kufizohet me mësimin e besimit dhe të pendimit?
Presidenti Henri B. Ajring iu përgjigj një pyetje të ngjashme duke thënë: “Sigurisht që jo. Por do të thotë se mësuesi dhe ata që marrin pjesë duhet të dëshirojnë gjithmonë të sjellin Shpirtin e Zotit në zemrën e anëtarëve në dhomë, për të prodhuar besim dhe një vendosmëri për t’u penduar dhe për të qenë të pastër.”4
Një hap tjetër për t’u siguruar se ata që mësojmë dhe udhëheqim janë “[ushqyer] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4) gjendet gjithashtu në udhëzimin e Shpëtimtarit “për të predikuar ungjillin tim me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën” (DeB 50:14, kursivet të shtuara). Fjalët e Shpëtimtarit jo vetëm që na drejtojnë të ndjekim udhëheqjen e Shpirtit ndërsa përgatitemi dhe ndërsa japim mësim; Ai gjithashtu është duke na mësuar se Shpirti është mësuesi më efikas në çfarëdo situate.
Presidenti Jozef Fillding Smith na mësoi: “Kur Shpirti i Perëndisë i flet shpirtit të njeriut, Ai ka fuqi të japë të vërteta me një efekt dhe kuptim më të madh sesa ajo e vërtetë mund të jepet nga një kontakt personal, madje edhe nga qenie qiellore.”5
Disa muaj më parë mora pjesë në një mbledhje trajnimi ku folën një numër Autoritetesh të Përgjithshme. Pasi komentoi mbi udhëzimin e shkëlqyer që ishte dhënë, Plaku David A. Bednar bëri këtë pyetje: “Çfarë po mësojmë që nuk është thënë?” Ai më pas shpjegoi se, përveç marrjes së këshillës që ishte dhënë nga ata që kishin folur ose që akoma do të flisnin, ne gjithashtu duhet të dëgjonim me kujdes dhe të mbanim shënim mbresat e pashprehura të dhëna nga Fryma e Shenjtë.
Thënia e mëposhtme nga Profeti ynë i dashur, Presidenti Gordon B. Hinkli, mundëson këshillë të mëtejshme në lidhje me mësimdhënien nëpërmjet Shpirtit: “Ne duhet … të bëjmë që mësuesit tanë të flasin nga zemra [dhe jo] nga librat, të shprehin dashurinë e tyre për Zotin dhe këtë punë të çmuar dhe, në një farë mënyre, kjo do të ndezë zjarr në zemrat e atyre që u mësojnë.”6
Fjalët e Zotit në seksionin 50 të Doktrina e Besëlidhje gjithashtu japin një standard të frymëzuar nëpërmjet të cilit secili nga ne mund të vlerësojë efikasitetin e mësimdhënies, udhëheqjes dhe të nxënurit tonë. Në vargun 22 lexojmë: “Si rrjedhim, ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku”.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, me gjithë zemrën time lutem që secili nga ne do të kujdeset mjaft për të ushqyer ata që mësojmë dhe ata që udhëheqim duke i fuqizuar ata me bukën e jetës dhe ujin e gjallë, i cili gjendet në ungjillin e rivendosur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.