Ejani Dëgjoni Zërin e Profetit
Dashuria e një Profeti
Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 2008
Disa vite përpara, Presidenti Tomas S. Monson erdhi në një konferencë rajonale në Hamburg, Gjermani, dhe unë isha i nderuar ta shoqëroja.
Presidenti Monson pyeti për Vëllanë Mikael Paniç, një ish president kunji që kishte qenë një nga pionerët e vendosur të Kishës në Gjermani. Unë i tregova se Vëllai Paniç ishte i sëmurë rëndë, që ishte i detyruar të rrinte në shtrat dhe i paaftë të merrte pjesë në mbledhjet tona.
Presidenti Monson pyeti nëse mund t’i bënim një vizitë.
Unë e dija se pak përpara udhëtimit të tij për në Hamburg Presidenti Monson i ishte nënshtruar një operacioni në këmbë dhe që ai nuk mund të ecte pa dhimbje. Unë i shpjegova se Vëllai Paniç jetonte në katin e pestë të një ndërtese pa ashensor. Ne do të na duhej t’i ngjitim shkallët që ta shihnim atë.
Por Presidenti Monson këmbënguli. Dhe kështu, ne shkuam.
Unë mbaj mend sa e vështirë ishte për Presidentin Monson të ngjiste ato shkallë. Ai mund të ngjitej vetëm disa njëherësh dhe pastaj të ndalonte për pushim. Ai nuk shqiptoi asnjëherë një fjalë ankimi dhe nuk do të kthehej mbrapa. Ngaqë godina kishte tavane të lartë, shkallët dukeshin si pambarim, por Presidenti Monson qëndroi gazmor deri sa arritëm tek apartamenti i Vëllait Paniç në katin e pestë.
Sapo arritëm ne patëm një vizitë të mrekullueshme. Presidenti Monson e falënderoi për jetën kushtuar shërbimit dhe e përgëzoi me një buzëqeshje. Përpara se të largoheshim, ai i dha atij një bekim të mrekullueshëm priftërie.
Presidenti Monson mund të kishte zgjedhur të bënte pushim midis mbledhjeve tona të gjata. Ai mund të kishte kërkuar të vizitonte disa vende të mrekullueshme të Hamburgut. Unë shpesh kam menduar se sa e shkëlqyer ishte që nga të gjitha pamjet në atë qytet, ajo që ai donte më shumë të shihte sesa cilëndo tjetër, ishte një anëtar i pafuqishëm dhe i sëmurë i Kishës.
Presidenti Monson erdhi në Hamburg për t’u dhënë mësim dhe për t’i bekuar njerëzit e një vendi. Por në të njëjtën kohë, ai u përqendrua tek njëri.
Kur Apostulli Pjetër foli për Jezusin, ai tregoi këtë përshkrim të thjeshtë: “[Ai] e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). E njëjta mund të thuhet për njeriun që ne e mbështesim si profet të Perëndisë.