2009
Duke Lartësuar të Tjerët dhe Veten
Tetor 2009


Duke Lartësuar të Tjerët dhe Veten

Keti Uitejker Marshall, Uashington, SHBA

Ishte dita e Falënderimeve e vitit 1990. Unë sapo kisha kaluar nëpër një divorc të vështirë dhe isha studente në vitin e parë për drejtësi në një qytet që nuk e ndieja. Fëmijët e mi përgatiteshin të shkonin në shtëpinë e babait të tyre për festë dhe për herë të parë në jetën time do të isha vetëm në ditën e Falënderimeve.

Në fillim isha gati të ndieja keqardhje për veten dhe të qaja fort. Por pastaj fillova të numëroj bekimet që kisha. Unë kisha dy fëmijë të mrekullueshëm, një shtëpi të mirë, një mundësi për të marrë njohuri dhe ungjillin e Jezu Krishtit që të drejtonte jetën time. Unë vërtet isha e bekuar me shumë gjëra.

Ndërsa dita e Falënderimeve afrohej, unë mësova se një grup studentësh të drejtësisë kishin planifikuar të shkonin në ndërtesën e një kishe tjetër për të ndihmuar në shërbimin e një dreke dite Falënderimesh për të pastrehët. Unë vendosa se të ndihmoja në një mision në kishë do të ishte më mirë sesa të qëndroja në shtëpi duke u ndien e vetmuar dhe e hidhëruar, kështu që u bashkova me bashkëstudentët e mi.

Disa ditë më vonë unë u gjenda duke mbushur me pure të nxehtë patatesh pjata njerëzish të uritur, mirënjohës dhe fatkeq. Lotët që mbushën sytë e mi nuk ishin nga dëshpërimi që ndieja për veten, më tepër ato ishin lotë dashurie për të gjithë fëmijët e Perëndisë, pavarësisht nga rrethanat e tyre.

Falënderimet nuk do të ishin Falënderime pa një gjel deti në furrë. Por një gjel deti 6 kilësh do të ishte tepër për mua, kështu që ftova disa studentë që ishin nga vende të tjera dhe shtete të largëta që të vinin tek unë. Unë dëshiroja të jepja një drekë tradicionale amerikane të Falënderimeve, por unë i ftova ata të kontribuonin. Unë i kërkova secilit të sillte një gjellë të parapëlqyer nga shtëpia. Dreka jonë e Falënderimeve doli një ushqim i lezetshëm dhe për t’u mbajtur mend – ku patëm madje edhe rolé vezësh.

Mbreti Beniamin tha: “Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Unë mora urtësi në atë ditë Falënderimesh. Duke ofruar shërbim, kur është më e lehtë të ulesh dhe të rrish e trishtuar, unë gjeta gëzim. Shërbimi është çelësi drejt lumturisë jo vetëm gjatë festave, kur është e lehtë të fiksohesh pas asaj që mungon në jetën tënde, por gjithashtu në çdo kohë. Nuk ka rëndësi si është gjendja jonë, ne kurdoherë mund të gjejmë dikë për ta ndihmuar. Duke lartësuar vëllezërit dhe motrat tona, ne gjithashtu lartësojmë veten tonë.

Unë vendosa se të ndihmoja në një mision në kishë do të ishte më mirë sesa të qëndroja në shtëpi duke u ndier e vetmuar dhe e hidhëruar. Disa ditë më vonë unë u gjenda duke mbushur me pure të nxehtë patatesh pjatat e njerëzve të uritur.