Vend Paqeje
Për këto dy të reja në Republikën Domenikane, tempulli është shumë më tepër se një ndërtesë e mrekullueshme. Ai është gjithashtu një kujtues i gjallë i shpresave dhe ëndrrave të tyre më të dashura.
Dilsia Soto, 16 vjeçe, e kujton ende ditën kur tempulli u përkushtua në qytetin e saj të lindjes, Santo Domingo, në Republikën Domenikane: “Isha vetëm nëntë vjeçe atëherë, por thashë: Uah! Një tempull këtu!’ Isha mësuar të shihja njerëz të shkonin në vende të tjera për t’u vulosur e për të bërë besëlidhje. Mendova: ‘Tani familjes sime dhe mua nuk do të na duhet të shkojmë në një vend tjetër, sepse kemi vetë tempullin tonë këtu pranë.’”
Sot tempulli qëndron madhështor e i lartë në kryeqytet, kaq i shquar me kullën e tij dhe terreni kaq i mirëmbajtur saqë shumë njerëz që i kalojnë pranë supozojnë se duhet të jetë një katedrale. Dilsia ka kënaqësinë të shpjegojë se është edhe më i shenjtë se kaq. Në terrenin e tempullit ka një dinjitet të qetë në kundërshtim të mprehtë me energjinë aktive të rrugëve dhe tregjeve në qendrën e qytetit.
Ai është një vend paqeje ku Dilsia dhe shoqja e saj Kelsia St. Gardien, 14 vjeçe, erdhën jo shumë kohë më parë. Të dyja janë anëtare të Lagjes Mirador të Kunjit Independensia të Santo Domingos në Republikën Domenikane. Që të dyja kanë qenë në tempull më parë për të bërë pagëzime për të vdekurit. Por këtë ditë ato erdhën thjesht për të ecur në kopshtet, për të biseduar dhe për të ndier, që jashtë ndërtesës, Shpirtin që tempulli mbart përbrenda.
Dëshirat e Dilsias
“Kam një dashuri të pafundme për Zotin dhe jam kaq shumë mirënjohëse për atë që Ai ka bërë në jetën time”, thotë Dilsia. “Familja ime e ngushtë është anëtare e Kishës, por tetot, xhaxhallarët e kushërinjtë nuk janë. Kur ata vijnë në shtëpinë time, kam gjithmonë gati një Libër të Mormonit sepse mund të ketë një mundësi për të ndarë ungjillin me ta.” Ajo e ndan gjithashtu ungjillin me miqtë dhe “me cilindo person që mund të takoj që është vërtet i interesuar”. Dhe sa herë që e bën këtë, thotë ajo, “Unë e ndiej Shpirtin kaq fort. Çdo herë që ndaj dëshminë time, unë ndiej vërtetësinë e Kishës kudo përsëri.”
Ajo kujton një mësim seminari mbi planin e shpëtimit. “Përpara se të ishte kjo botë, ne qemë në një Këshill të madh në Qiell dhe ne zgjodhëm të ndjekim Atin tonë Qiellor e të pranojmë sakrificën që Jezu Krishti do të bënte në interesin tonë”, thotë ajo. “Mësuesi ynë shpjegoi se ne mund të themi se iu bindëm Atit Qiellor atëherë sepse jemi në tokë tani me trupa prej mishi e gjaku. Kur ai e tha këtë, unë e dija se ishte e vërtetë. Atë natë në lutjet e mia, unë qava dhe falënderova Perëndinë për atë njohuri.”
Dilsia citon 1 Korintasve 3:16: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” “Nëse unë jam gjithashtu një tempull”, thotë ajo, “unë duhet të jem po aq e pastër dhe e bukur sa tempulli. Ç’bekim i mrekullueshëm është të jesh në këtë Kishë dhe të jesh një e re e virtytshme!”
Ajo thotë se dëshira e saj më e madhe është të jetojë përsëri ndonjë ditë me Atin e saj Qiellor. “Jam kaq mirënjohëse që Ai na ka dhënë tempullin që ne të mund të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë për t’u kthyer tek Ai”, thotë ajo. “Forma më e mirë për ta falënderuar Atë është të jetojmë në atë mënyrë si Ai na kërkon të jetojmë.”
Dilsia thotë: “Zoti dëshiron që ne të hyjmë në shtëpinë e Tij, të mësojmë për Të dhe të kryejmë rrugën tonë drejt përjetësisë me Të.” Ajo thotë se kënaqet kur merr pjesë në pagëzime për të vdekurit sepse “është një mënyrë për të ndihmuar ata që po presin në anën tjetër të velit, që të bëjmë diçka për ta që ata nuk mund ta bëjnë për veten”.
Zotimet e Kelsias
Kelsia është dakord. “Paraardhësve tanë iu duhet që ne ta kryejmë punën dhe unë e di se ata do të na jenë mirënjohës”, thotë ajo. “Në veçanti unë mezi po pres të shoh gjyshen time që nuk e kam njohur kurrë në këtë jetë. Ne do të sigurojmë që të kryhet e gjithë puna e saj e tempullit për të.”
Kur flet për tempullin, Kelsias i ngjallen emocione të forta. “Unë jam zotuar të marr vendime që do të më ndihmojnë të jem e vulosur me familjen time”, thotë ajo. “Ne duhet të respektojmë ungjillin dhe të zbatojmë urdhërimet al pie de la letra [germë për germë sipas ligjit]”, thotë ajo. “Ne e bëjmë këtë sepse e duam Atin tonë Qiellor dhe bindja është mënyra si e shfaqim mirënjohjen tonë ndaj Tij.”
Familja e saj u bashkua me Kishën në dhjetor 2006, gjashtë vite pasi prindërit e saj u transferuan në Republikën Domenikane nga Haiti. “Jam kaq mirënjohëse për misionarët që trokitën tek dera jonë. Qe e mrekullueshme të ndieje Shpirtin dhe të mësoje për planin e Atit Qiellor për ne. Që kur ungjilli hyri në jetën tonë, familja jonë është shumë më e bashkuar. Jam mirënjohëse që Ai më dha një familje që është kaq shumë e bashkuar, edhe në çastet më të vështira. Kur mendoj që ne mund të kemi privilegjin që të vulosemi përjetësisht, duket si një prej bekimeve më të mëdha nga të gjithë.”
Prindërit e saj tamam tani po ndjekin një klasë përgatitjeje për tempull dhe kjo e kujton atë të përgatitet për ditën kur ajo do të martohet në tempull. “Ai është qëllimi im kryesor, që bashkëshorti im i ardhshëm dhe unë do të jemi të denjë për njëri-tjetrin dhe të denjë të jemi një familje e përjetshme.”
Ndajnë Qetësi
Dy shoqet ecin pranë shtizës ku flamuri i kombit të tyre shpaloset prej një flladi shkulmues. “Edhe flamuri në tempull na kujton të jemi besnike”, thotë Dilsia. “Është më tepër se thjesht ngjyra. Ai përmban moton Dios, patria, libertad [Perëndia, vendi, liria] dhe paraqet një kryq të krishterë dhe dhjetë urdhërimet. Ai na kujton se vendi ynë u themelua prej njerëzve që besonin tek Perëndia dhe se Perëndia është ende i rëndësishëm këtu.”
Ato ecin gjithashtu pranë hyrjes për në tempull, ku fjalët Santidad al Señor, la Casa del Señor (Shenjtëri Zotit, Shtëpia e Zotit) janë skalitur mbi derë, ashtu si tek çdo tempull.
“Kurdoherë që i lexoj ato fjalë, mbushem me një dëshmi të fuqishme se ato janë të vërteta”, thotë Dilsia. “Më kujtohet që erdha këtu një mbrëmje me grupin tonë të Aktiviteteve të Përjavshme, thjesht sa për të vizituar terrenin. Pasi përfunduam, peshkopi na pyeti se çfarë ndiemë këtu. Ne folëm për këtë dhe dolëm me një përgjigje njëfjalëshe: paqe.”
Dhe Kelsia e Dilsia largohen duke menduar për atë përgjigje njëfjalëshe të përsosur … të përsosur sepse tempulli është vendi i paqes.