2009
Privilegji Im për të Shërbyer
Tetor 2009


Privilegji Im për të Shërbyer

Përpara se dyert e Tempullit të Resifes në Brazil të hapen për një ditë tjetër administrimi të ordinancave shpëtuese, 70-vjeçarja María Hozé de Araújo ngrihet që të përgatitet për një ditë tjetër shërbimi vetëmohues.

Për të shkuar në tempull, María duhet të udhëtojë një orë e gjysmë me katër autobuza të ndryshëm që nga shtëpia e saj në Kabo de Santo Agostinjo, në jug të Resifes, në bregun verilindor të Brazilit. Por përpara se të mund të largohet, ajo përgatit ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme për një kushërirë të verbër për të cilën kujdeset në shtëpinë e saj.

“María është një shembull i mirë i shërbimit për të tjerë”, thotë Kleto P. Oliveira, regjistrues tempulli. “Që kur tempulli u përkushtua në dhjetor 2000, ajo ka dalë vullnetare që të shërbente këtu çdo ditë që tempulli ka qenë i hapur. Ajo vjen madje dhe në ditët e pushimit.”

Që nga ora 7:00 deri në 15:00, çdo të martë deri të shtunën, María punon në mensën e tempullit, duke larë pjata e duke përgatitur sallatëra. Ajo do të punonte më gjatë, thotë ajo, por me një udhëtim të gjatë për në shtëpi, i duhet të largohet mjaft herët që të kthehet para se të ngryset.

Vëllai Oliveira i thotë Marías se nuk i duhet të vijë në tempull çdo ditë, por e pranon se atij do t’i duheshin dy vetë për ta zëvendësuar atë. “Ajo thjesht buzëqesh dhe thotë se ia ka kushtuar jetën e saj Zotit”, thotë ai.

Për Marían, shërbimi i përditshëm në tempull është një privilegj i madh.

“Ati im në Qiell më ka bekuar me shëndet të mirë dhe synimi im është të vazhdoj të vij çdo ditë për sa kohë të ma lejojë shëndeti”, thotë ajo. “Unë kam bërë një besëlidhje që t’i kushtoj gjithë talentet dhe aftësitë e mia për t’i shërbyer Zotit. Kur mbërrij në shtëpi pasi shërbej në tempull, nuk ndihem e lodhur. Zoti më ka bekuar në atë mënyrë.”

Më parë, ndërsa shërbente për gjashtë vite në qendrën e historisë familjare të lagjes së saj, María kërkoi linjën e saj familjare. Pastaj, për mëngjese të shumta të shtunash përpara se të shkonte të punonte tek mensa e tempullit, ajo plotësoi punën mëkëmbëse në tempull për katër breza të paraardhëseve të saj femra. Ajo bëri gjithashtu që të plotësohej puna për katër breza paraardhësish meshkuj.

Kur filloi të shqyrtonte historinë e saj familjare, María ndjeu se detyra qe e pamundur – veçanërisht kur nuk qe e aftë të përcaktonte emrat e dy stërgjyshërve. Por një natë, emrat e tyre të plotë iu zbuluan në një ëndërr. Së pari ajo vrau mendjen nëse emrat mund të ishin të saktë, por ndërsa shqyrtoi ndër dokumentet e nënës së saj, ajo gjeti emrat dhe qe në gjendje të bënte lidhjet familjare që i kishin shpëtuar. Ajo beson se ëndrra erdhi si një bekim për përpjekjet e saj që t’i shërbejë Zotit dhe fëmijëve të Tij.

“Tempulli është jeta ime”, thotë María. “Njerëzit që nuk vijnë në tempull po humbasin një mundësi dhe bekim të shkëlqyer. Duke shërbyer në tempull, ne arrijmë të kuptojmë domethënien dhe fuqinë e vërtetë të tempullit.”

“Njerëzit që nuk vijnë në tempull po humbasin një mundësi dhe bekim të shkëlqyer”, thotë María Hozé de Araújo.

María Hozé de Araújo, që punon vullnetarisht çdo ditë në Tempullin e Resifes në Brazil, “është një shembull i mirë i shërbimit për të tjerët”, thotë regjistruesi i tempullit Kleto P. Oliveira, i paraqitur djathtas me Marían.

Fotografi nga Michael R. Morris, përveç kur shënohet ndryshe; fotografi e Tempullit të Resifes në Brazil nga R. Val Johnson