2009
Ia Vlen Pritja
Tetor 2009


Ia Vlen Pritja

Kur hyra në Tempullin e Buenos Airesit në Argjentinë me të rinj nga lagjia ime për të kryer pagëzime për të vdekurit, pritëm disa minuta në një sallon pritjeje. Pastaj punonjësit e tempullit na kërkuan të zbrisnim në një sallë ku kishte disa karrige dhe të prisnim përsëri.

Meqenëse ishte e shtunë, shumë njerëz kishin ardhur në tempull nga e gjithë Argjentina. Ne pritëm atje për dy orë e gjysmë, thjesht të ulur qetësisht. Disa mendime jo shumë të këndshme filluan të më vinin në mendje: “Si mund të na bëjnë të presim gjithë këtë kohë? Jam e lodhur dhe duket se do të kishte qenë më mirë nëse nuk do të kisha ardhur, sepse kjo është humbje kohe.”

U ngrita dhe fillova të eci në sallë. Shpejt erdhi një prej punonjësve dhe tha: “Të rinj, ju lutem mos jini të paduruar. E kuptoj se po prisni prej një kohe të gjatë, por a e dini diçka? Në botën e shpirtrave, miliona njerëz e kanë pritur këtë çast prej shekujsh dhe mund t’ju siguroj se ata mezi po presin që të vijë radha e tyre. Vëllezërit po pagëzojnë e po konfirmojnë dhe nuk mund të bëjnë më shumë nga sa po bëjnë.”

Kur ai tha këto fjalë, u ndjeva në siklet. E kuptova se po bëhesha egoiste sepse nuk doja të jepja disa orë për ata njerëz që kishin pritur kaq shumë vite të gjata dhe të cilët nuk patën mundësinë, që pata unë, që të dëgjonin për Kishën e vërtetë dhe të pagëzoheshin në tokë.

Punonjësi u shfaq përsëri dhe filloi të thërrasë emra nga lagjia jonë. Një motër na dha veshje të bardha që na bënin pak a shumë. Pasi u veshëm, na tërhoqi flokët pas dhe na i lidhi me një rrip të bardhë.

Pastaj, këmbëzbathur, shkuam tek stolat në pagëzore. Qilimat ishin kaq të butë e të trashë dhe dukej sikur ne nuk po ecnim mbi tokë.

Kur erdhi radha ime, isha kaq e tensionuar sikur të ishte dita e vetë pagëzimit tim. Por punonjësit ishin kaq të këndshëm dhe patën një durim të tillë me secilin prej nesh saqë dukej e pabesueshme.

Kur dola nga vaska, një motër po më priste me një peshqir të madh të bardhë dhe një buzëqeshje të ngrohtë. Ndërrova rrobat dhe shkova në një dhomë ku u konfirmova. E njëjta motër që më kishte dhënë peshqirin erdhi me mua dhe më falënderoi që qeshë e gatshme të bëja punën e Zotit.

Kur u largova nga tempulli, e kuptova se kishte qenë një prej përvojave më të mira të jetës sime. Tempulli është një vend i shenjtë dhe Shpirti i Zotit është atje, duke drejtuar punën e Tij të madhërishme. Ia vlen çfarëdo pritjeje.

Ilustrimi nga John Zamudio