2009
Filloni me Lutje
Tetor 2009


Filloni me Lutje

Po kërkoni përgjigje? Këta adoleshentë në Otava, Kanada, thonë se lutja është pika e nisjes.

Kur Xheni 15-vjeçare tregon mbi marrjen e përgjigjes për një lutje, ajo fillon me një kërkesë për falje. Asaj i vjen keq të pranojë se ajo nuk ishte lutur rregullisht për thuajse një vit. Gjërat në jetën e saj nuk po shkonin mirë – as në shkollë, as me miqtë, madje as në kishë.

Një natë, shpjegon Xheni, ajo donte të shihte një film. Ajo u përkul të shihte për filmat në raftin më të ulët kur i ra në sy një foto e xhaxhait të saj që kishte vdekur tragjikisht pak kohë përpara. Befas, pesha e gjithçkaje për të cilat ishte dëshpëruar e bënë të donte të qante. “Unë thjesht e dija në atë moment se më duhej të lutesha”, thotë Xheni. Ajo u përkul në gjunjë atje ku ndodhej dhe u lut.

Xheni e përshkruan marrjen e përgjigjes: “Sapo mbarova, unë pata përgjigjet e pyetjeve. Unë ndjeva që çdo gjë ishte përsëri në rregull. Çdo gjë do të ishte në rregull. Çdo gjë me xhaxhanë tim është në rregull. Unë kuptova se e doja shkollën dhe miqtë e mi. Sapo kisha mbaruar së luturi e dija se duhet të shkoja në kishë sepse për të kam nevojë. Kjo vërtet më goditi dhe u ndjeva aq rehat dhe aq e ngrohtë. Unë e di se Ati im Qiellor më do dhe Ai do të më ndihmojë në gjërat e jetës.”

Për Xhenin kjo lutje ishte ajo që kishte dashur ta bënte, por kishte qenë disi e pamundur. Tani, madje duke menduar rreth saj, ajo përfton të njëjtën ndjenjë rehatie përsëri dhe të njëjtën siguri që përgjigja ishte nga Zoti.

Xheni Holt është nga Otava, kryeqyteti i bukur i Kanadasë i ndërtuar në brigjet me pyje të Lumit Otava. Ajo dhe miqtë nga Kunji i Otavës në Ontario treguan për revista të Kishës mbi mënyrën se si ndikon lutja në jetën e tyre.

Prej Nga Vijnë Përgjigjet?

Një nga gjërat më interesante që diskutuan adoleshentët e Otavës ishte se si merrnin përgjigje lutjet e tyre. Së pari, Sjuzën Bruk tha: “Nëse doni një përgjigje, ju duhet të dëgjoni për të.”

Sjuzën tha se përgjigjet për të ndonjëherë vijnë nëpërmjet leximit të shkrimeve të shenjta. Ajo tregoi një shembull të mirë: “Një ditë, unë isha vërtet e lodhur dhe po bëhesha e vështirë me këdo. Nuk doja të bisedoja. Mbaj mend që po lexoja në shkrimet e shenjta, madje nuk më kujtohet ku, dhe thuhej: ‘Ji i përulur.’ Befas kuptova. Kjo është përgjigja ime.” (Shih DeB 112:10.)

Ariana Kith dëgjon me kujdes në kishë. “Unë mendoj se shumë nga lutjet tona marrin përgjigje nga folësat në kishë”, tha ajo. “Ishte një kohë kur unë doja bekimin tim patriarkal. Pastaj javën përpara asaj që e kisha programuar ta merrja atë, patriarku i kunjit tonë erdhi faktikisht në lagjen tonë dhe foli. Unë isha lutur për këtë aq fort dhe ta dëgjoja atë ishte fantastike.”

Loftus Mek-Kenzi tha se lutjet e saj marrin shpesh përgjigje nëpërmjet familjes së saj. Ajo u lut për një vendim të familjes dhe: “Unë ndjeva menjëherë Shpirtin, duke ditur se vendimi që po merrnim ishte i drejtë.”

Ndonjëherë përgjigja vërtet vjen nga një person direkt tek ju. Kur Tomas Frensis dhe familja e tij u transferua në Otava, ai kishte nevojë të zinte miq të rinj në një shkollë të re. Ai u lut për të gjetur miq të mirë. “Një ditë”, tha Tomasi, “ky person në klasën time vjen tek unë dhe thotë: ‘A dëshiron të vish dhe të takosh miqtë e mi?’ Gjithnjë qysh atëhere, ne kemi qenë miq. Kjo më ndihmoi shumë.”

Douson Libert kishte diçka shumë të rëndësishme për të thënë lidhur me përgjigjet për lutjet. Ai tha: “Ndonjëherë ju nuk merrni përgjigjen që prisni, por ju do ta merrni përgjigjen që ju duhet.” Ai tha se ndonjëherë ju nuk mund ta shihni vërtet menjëherë, por do të mundeni kur hidhni vështrimin pas.

Dikë me të Cilin Mund të Flasësh

Disa nga adoleshentët thanë se sa mirë është të kesh një familje që lutet së bashku. Kifin de Suza pëlqen veçanërisht të dijë që familja e saj lutet së bashku çdo mbrëmje. “Ne kemi një farë programi për të patur radhë. Unë ndiej Shpirtin dhe e di se nëse jam larg shtëpisë, ata po luten për mua që të jem e siguruar.”

Benedikta Belizairës i pëlqen të lutet me prindërit çdo mëngjes. “Unë shkoj në dhomën e tyre dhe ne lutemi”, tha ajo. “Unë kam një dëshmi që Fryma e Shenjtë është me mua dhe nëse unë do të kem ndonjëherë nevojë për ndihmën e Tij, unë do t’ia kërkoj Atit Qiellor.”

Mikja e saj Ruth Dekadi tha: “Është vërtet e rëndësishme që kur ne lutemi, ne duhet të dimë se Ati Qiellor po dëgjon. Dikush është atje për ju.”

Keti Kameronit i pëlqen ndjesia që i sjell lutja. “Kur i flas Zotit, ndihet sikur dikush në të vërtetë dëshiron të më flasë. Unë e di që mund t’i tregoj Atij çdo gjë.”

Lutjet që Bëhen për të Tjerët

Të rinjtë – veçanërisht ata të moshës së priftërisë si Ronan Filamonti, Fred King dhe Douson e Dejvid Liberti – folën mbi rëndësinë dhe detyrën e shenjtë për të bërë lutje të sakramentit për anëtarët e lagjeve the të degëve të tyre.

Dousoni tha: “Lutja në sakrament të bën të mendosh më qartë për domethënien e tij. Unë e kam këtë autoritet priftërie dhe e ndiej se nuk mund ta shpërdoroj atë.”

Fredi kujton kur dha lutjen e sakramentit kur ishte shuguruar rishtas si prift: “Ishte e vështirë në fillim dhe unë vazhdoja të bëja gabime. Një herë unë duhej ta rifilloja disa herë radhazi. Por Shpirti më pëshpëriti duke më thënë se nuk kishte rëndësi sa herë m’u desh të përpiqem; unë më në fund do ta bëja siç duhej. Ishte një ndjesi e mirë.”

Lutja Kërkon Përgatitje

Disa nga adoleshentët folën mbi gjërat e rëndësishme që duhet të bëjnë për t’u përgatitur për lutje. Mat Larsoni ka ngjitur në mur një referencë nga shkrimet e shenjta në dhomën e tij të gjumit, DeB 78:19: “Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’i shtohen atij, madje njëqindfish, po, më shumë.” Ajo i kujton atij të jetë mirënjohës për çka Zoti i ka dhënë. Ai e di se mirënjohja duhet të jetë pjesë e lutjeve të tij.

Nik Mulenbeku tha: “Lutja nuk ka efekte nëse unë thjesht kërkoj pa menduar seriozisht dhe pa futur zemrën e shpirtin tim në të.”

Forca Çudibërëse e Lutjes

Siera Libert ka një histori të madhe për lutjen Kur ishte dy vjeçe, një kalë e shkeli mbi kokë. Gishti i madh i ishte dëmtuar rëndë dhe disa gishta i ishin çarë. Prindërit e saj e çuan me ngut nga një spital tek tjetri për të gjetur një kirurg që të merrte përsipër riparimin që dukej i pamundur. Ajo tha: “Një doktor u tha prindërve të mi se kirurgu nuk ka lutje për të qenë i suksesshëm. Mami im i tha se kirurgu nuk ka një lutje me vete – ai ka shumë. Mamaja ime i telefonoi tempullit për ta shtuar emrin tim në regjistrin e lutjeve.”

Tani, 13-vjeçare, Siera ka një dorë që funksionon. Gishti i madh i saj punon krejt në rregull dhe ajo e ngriti atë qëta shihnin disa vajza të tjera nga lagjja e saj. Ato nuk e kishin dëgjuar vërtet asnjëherë historinë. Gjithë çfarë mund të shihnin tek dora e Sierës ishte një shenjë e lehtë që rrethonte bazën e gishtit të saj të madh. Rezultati dukej vërtet mahnitës.

Siera tha: “Lumturohem duke ditur çfarë mund të bëjë lutja për mua. Është një gjë e mrekullueshme në jetën time.”

Secili dukej se binte dakord me Kejl Loftus kur tha: “Lutja është një shprehi e madhe për ta fituar.”

Lart: Brixhit Leger, Xheni Holt, Douson Libert, Dajana Konuej, Rebeka Vagoner dhe Aleksandër Riher-Brule me të rinj të tjerë nga Kunji i Otavës, Ontario (majtas), e dinë se ndihma nga Ati Qiellor është vetëm një lutje larg.

Lart, nga sipër: Fred King dhe Ronan Filamont janë dakord që lutja e sakramentit është e shenjtë dhe duhet të thuhet me nderim. Kifin de Suza është mirënjohëse për lutjet familjare.

Të rinjtë në Otava luten për qetësi gjatë kohëve të vështira, për ndihmë me detyrat e shkollës e me miqtë dhe për bekime që ata dëshirojnë. Ata e dinë se Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve të tyre. “Ndonjëherë ju nuk e merrni përgjigjen që prisni”, thotë Douson Libert, “por ju do ta merrni përgjigjen që ju nevojitet.”

Lart: Mat Larson lexon një shkrim të shenjtë të ngjitur në murin e tij përpara se të lutet dhe Nik Mulenbek thotë se lutja kërkon përpjekje.

Lart, nga e majta: Ruth Dekadi, Katja Gallant dhe Bénédikta Bélizair janë dakord se është ide e shkëlqyer t’i kërkosh Atit Qiellor të të dërgojë Frymën e Shenjtë. Poshtë: Keti Kameronit, Karolin Albersës dhe Siera Lbertit u pëlqen ndjesia që marrin kur luten.

Dëgjimi, nga Michael Jarvis Nelson

Foto nga Janet Thomas