Bekime të Tempullit
Nga një fjalim në një mbrëmje shpirtërore dhënë më 15 nëntor 2005 në Universitetin “Brigam Jang”. Për tekstin e plotë të fjalimit në anglisht, shih http://speeches.byu.edu.
Tempulli është një ndërtesë e shenjtë, një vend i shenjtë ku kryhen ceremoni dhe ordinanca thelbësore shpëtuese që të na përgatisin për ekzaltim.
Bekimet e indaumentit në tempull janë po aq thelbësore për secilin prej nesh sa ishte pagëzimi ynë. Për këtë arsye ne duhet të përgatitemi që të mund të jemi të pastër për të hyrë në tempullin e Perëndisë.
Mundësia për të hyrë në tempull dhe për të marrë mbi vete ordinancat e shenjta aty, është një prej bekimeve më të mëdha të disponueshme për ne në vdekshmëri. Pastaj, pasi marrim mbi vete ato besëlidhje, bindja jonë për t’i zbatuar ato përditë qëndron si një demonstrim i besimit, dashurisë, përkushtimit dhe zotimit tonë shpirtëror për të nderuar Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Bindja jonë gjithashtu na përgatit të jetojmë me Ta në përjetësi. Ordinancat shpëtuese të tempullit janë thelbësore për – dhe madje përqendrimi kryesor i – planit të përjetshëm të lumturisë.
Doktrina e Tempullit
Tempulli është vërtet një vend ku ju jeni “në botë dhe jashtë botës”. Kur jeni të shqetësuar apo keni vendime kritike që peshojnë fort në mendjen dhe shpirtin tuaj, ju mund t’i çoni shqetësimet tuaja në tempull dhe të merrni udhëheqje shpirtërore.
Ne duhet të sigurojmë një dëshmi dhe një ndjenjë nderuese që tempulli është shtëpia e Zotit. Për të ruajtur shenjtërinë e tempullit dhe për të ftuar Shpirtin që të bekojë ata që hyjnë në tempullin e shenjtë për ordinancat dhe besëlidhjet e tyre, ne na mësohet se asnjë gjë e papastër nuk duhet të hyjë në tempull. Nderimi në tempull është një element jetësor për të ftuar Shpirtin që të banojë brenda tij çdo orë të ditës.
Kur isha djalosh, babai im më solli që nga Long Ajlëndi në Nju Jork, për të ecur në terrenin e Tempullit të Solt Lejkut, për ta prekur tempullin dhe për të diskutuar rëndësinë e tempullit në jetën time. Qe në atë rast që unë ndava mendjen se një ditë do të kthehesha të merrja ordinancat e tempullit.
Përgjatë historisë, në çdo periudhë ungjillore, Zoti ka urdhëruar profetët që tempujt duhet të ndërtoheshin në mënyrë që populli i Tij të mund të merrte ordinancat e tempullit. Moisiu dhe izraelitët u bekuan me një tempull portativ, tabernakullin, ku u krye puna e shenjtë e ordinancave sipas ligjit të Moisiut – dhe ku, me raste, Zoti erdhi për të biseduar me Moisiun. Mbreti Salomon përfundoi një tempull të mrekullueshëm në Jeruzalem, që më vonë u shkatërrua. Pastaj, gjatë shërbesës së Krishtit, po ndërtohej një tjetër tempull në Jeruzalem.
Ne mësojmë nga Libri i Mormonit se Nefi ndërtoi një tempull “sipas mënyrës së tempullit të Salomonit” (2 Nefi 5:16). Profetë të tjerë nefitë, përfshirë Jakobin dhe Mbretin Beniamin, i dhanë mësim popullit në tempull (shih Jakobi 1:17 [LiM]; Mosia 1:18).
Në mënyrë kuptimplote, kur Zoti i ringjallur Jezu Krisht iu shfaq nefitëve në vitin 34 e.s., Ai erdhi në tempull (shih 3 Nefi 11:1–11).
Profeti Jozef Smith na mësoi: “Kisha nuk është e organizuar plotësisht, në rendin e saj të duhur dhe nuk mund të jetë, derisa Tempulli të përfundohet, ku do të sigurohen vende për administrimin e ordinancave të Priftërisë.”1
Tempulli i Kirtlandit qe tempulli i parë në këto ditë të fundit dhe ai luajti një rol të rëndësishëm në rivendosjen e çelësave të priftërisë. Jozef Smithin, si rezultat i një lutjeje, e vizitoi Jezusi në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836 (shih DeB 110). Shpëtimtari u shfaq në lavdi dhe e pranoi Tempullin e Kirtlandit si shtëpinë e Tij. Në atë rast u shfaqën gjithashtu Moisiu, Eliasi dhe Elia për të dhënë çelësat e priftërisë që ata mbanin. Elia rivendosi çelësat e fuqisë vulosëse, siç u premtua nga Malakia, që ne të mund të gëzonim plotësinë e bekimeve të tempullit në jetën tonë.
Paraardhësit tanë pionierë përfunduan Tempullin e Navusë dhe kryen aty ordinanca të shenjta. Tempulli i Navusë ishte tempulli i parë ku u kryen indaumente dhe vulosje, gjë që u solli forcë të madhe pionierëve ndërsa duruan mundimet kur kapërcyen rrafshinat për në Sion në Luginën e Solt Lejkut. Atyre u qe dhuruar fuqi në tempullin e shenjtë. Bashkëshorti e bashkëshortja u vulosën me njëri-tjetrin. Fëmijët u vulosën me prindërit e tyre. Shumë prej tyre humbën pjesëtarë të familjes që vdiqën përgjatë rrugës, por ata e dinin se ky nuk ishte fundi për ta. Ata ishin vulosur në tempull për gjithë përjetësinë. Më vonë, përmes zbulesës të marrë nga Presidenti Brigam Jang, shenjtorët ndërtuan tempuj të tjerë në Perëndim.
Sot ka 130 tempuj funksionues, që u lejojnë anëtarëve besnikë të Kishës rreth botës të shkojnë tek shtëpia e Zotit për të marrë ordinancat e tyre të tempullit dhe për të bërë besëlidhje me Të.
Ordinancat e Tempullit
Qëllimi kryesor i tempullit është të sigurojë ordinancat e nevojshme për ekzaltimin tonë në mbretërinë çelestiale. Ordinancat e tempullit na udhëheqin tek Shpëtimtari ynë dhe na japin bekimet që na vijnë përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Tempujt janë universitetet më të mëdha të mësimit që njeh njeriu, që na japin njohuri e urtësi mbi Krijimin e botës. Udhëzimet e indaumentit na japin drejtim se si duhet ta drejtojmë jetën tonë këtu në vdekshmëri. Kuptimi i fjalës indaument është “dhurim”. Ordinanca përbëhet nga një varg udhëzimesh se si duhet të jetojmë dhe besëlidhjet që bëjmë për të jetuar drejtësisht duke ndjekur Shpëtimtarin.
Një tjetër ordinancë e rëndësishme është vulosja për përjetësinë në martesë çelestiale. Kjo besëlidhje martese lejon që fëmijët të vulosen me prindërit e tyre dhe fëmijët e lidhur në besëlidhje të bëhen pjesë e një familjeje të përjetshme.
Doktrina e Besëlidhje na mëson: “Çfarëdo që ti vulos në tokë, do të vuloset në qiell; dhe çfarëdo që ti lidh në tokë, në emrin tim dhe me anë të fjalës sime, thotë Zoti, do të jetë përjetësisht e lidhur në qiej” (DeB 132:46).
Kur një çift gjunjëzohet në altar, si vulosës unë jam i ndërgjegjshëm për rolin tim si përfaqësues i Zotit. Unë e di se çfarëdo që vuloset në tokë vuloset në qiell me kuptimin e plotë të fjalës – për të mos u thyer kurrë nëse ata që vulosen mbeten besnikë dhe durojnë deri në fund.
Gjatë viteve kam vërejtur shumë çifte që kanë qenë në gjendje të mbanin martesa të forta e të gjalla ndërsa kanë mbetur të vërtetë ndaj besëlidhjeve që kanë marrë mbi vete në tempull. Këto çifte të suksesshme kanë disa gjëra të përbashkëta.
Së pari, këto çifte e dinë individualisht se cilët janë – bij dhe bija të Perëndisë. Ata vendosin qëllime të përjetshme që të jetojnë përsëri me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ata përpiqen të lënë pas mënyrat e njeriut të natyrshëm (shih Mosia 3:19).
Së dyti, ata e njohin doktrinën dhe rëndësinë e ordinancave shpëtuese të tempullit, dhe besëlidhjeve të tempullit, dhe nevojës së tyre për të arritur qëllime të përjetshme.
Së treti, ata zgjedhin të fitojnë bekimet e përjetshme të mbretërisë së Perëndisë në vend të zotërimeve të përkohshme të botës.
Së katërti, këto çifte e kuptojnë se, kur ata vulosen për kohën dhe gjithë përjetësinë, ata kanë zgjedhur një shok të përjetshëm – ditët e tyre të përpjekjeve për të tërhequr të tjerë kanë mbaruar! Nuk ka nevojë të kërkojnë më tej!
Së pesti, këto çifte mendojnë për njëri-tjetrin përpara vetvetes. Egoizmi i mbyt ndjesitë shpirtërore. Duke komunikuar me Zotin në lutje, ata rriten së bashku dhe jo veçmas. Ata bisedojnë me njëri-tjetrin, duke mos lënë kështu kurrë që gjërat e vogla të bëhen gjëra të mëdha. Ata flasin herët për “lëndimet e vogla” ku ka pak frikë për fyerje. Kështu që, kur të rritet presioni i avullit në çajnik dhe bilbili të fërshëllejë, të mos ketë shpërthim të ndjenjave të hidhura. Është shumë më mirë që të lëshohet pak avull përpara se tenxherja me presion të shpërthejë! Ata janë të gatshëm të shfajësohen dhe të kërkojnë falje nëse kanë lënduar atë që duan. Ata shprehin dashurinë e tyre për njëri-tjetrin dhe bëhen më të afërt. Ata lartësojnë e forcojnë njëri-tjetrin.
Bekimet e Tempullit
Tempulli është një ndërtesë e shenjtë, një vend i shenjtë ku kryhen ceremoni dhe ordinanca thelbësore shpëtuese që të na përgatisin për ekzaltim. Është e rëndësishme që të fitojmë një dijeni të sigurt se përgatitja jonë për të hyrë në shtëpinë e shenjtë dhe pjesëmarrja jonë në këto ceremoni e besëlidhje janë disa prej ngjarjeve më kuptimplote që do të përjetojmë në jetën tonë në vdekshmëri.
Ne erdhëm vullnetarisht nga prania e Perëndisë, Atit, në këtë kohë prove në vdekshmëri me zgjedhjen e lirë, duke e ditur se do të kishim “një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11). Pikësynimi ynë është të marrim mbi vete armatimin e plotë të Perëndisë dhe t’u bëjmë ballë [shigjetave të] zjarrta të të ligut” me mburojën e besimit dhe shpatën e Shpirtit (shih DeB 27:15–18), për të duruar deri në fund dhe për të qenë të denjë që të qëndrojmë e jetojmë në prani të Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, për gjithë përjetësinë – për të arritur atë që quhet jetë e përjetshme.