2009
Dashuria dhe Ligji
Nëntor 2009


Dashuria dhe Ligji

Dashuria e Perëndisë nuk i zëvendëson ligjet e Tij e urdhërimet e Tij dhe rezultati i ligjeve e urdhërimeve të Perëndisë nuk e zvogëlon qëllimin dhe efektin e dashurisë së Tij.

Pamja
Elder Dallin H. Oaks

Kam pasur ndjesinë të flas rreth dashurisë së Perëndisë dhe urdhërimeve të Perëndisë. Mesazhi im është se dashuria universale dhe e përjetshme e Perëndisë shfaqet në të gjitha bekimet e planit të Tij ungjillor, përfshirë faktin se bekimet e Tij më të çmuara u rezervohen atyre që u binden ligjeve të Tij.1 Këto janë parime të përjetshme që duhet t’i drejtojnë prindërit në dashurinë e tyre dhe në të mësuarin e fëmijëve të tyre.

I.

Po filloj me katër shembuj, të cilët ilustrojnë disa çoroditje në jetën e vdekshme, midis dashurisë dhe ligjit.

  • Një i ri në moshë madhore që ka një marrëdhënie bashkëjetese u thotë prindërve të hidhëruar: “Nëse do të më donit vërtet, ju do të më pranonit mua dhe partneren time ashtu siç i pranoni fëmijët tuaj të martuar”.

  • Një i ri reagon ndaj urdhrave ose trysnisë prindërore duke shpallur: “Nëse do të më donit vërtet, nuk do të më detyronit”.

Në këta shembuj, një person që shkel urdhërime shpall se dashuria prindërore duhet të nëpërkëmbë urdhërimet e ligjit hyjnor dhe mësimet e prindërve.

Dy shembujt e tjerë tregojnë çoroditje në jetën e vdekshme rreth efektit të dashurisë së Perëndisë.

  • Një individ mohon doktrinën që një çift duhet të martohet për përjetësinë që të gëzojë marrëdhëniet familjare në jetën tjetër, duke shpallur: “Nëse Perëndia do të na kishte dashur me të vërtetë, nuk besoj se ai do t’i ndante bashkëshortët e bashkëshortet në këtë mënyrë”.

  • Një tjetër individ thotë se besimi i tij është shkatërruar nga vuajtja që Perëndia e lejon t’i shkaktohet një personi ose race, duke arritur në përfundimin: “Nëse do të kishte një Perëndi që na do, ai nuk do të lejonte që kjo të ndodhte”.

Këta individë nuk besojnë ligjet e përjetshme të cilat i konsiderojnë në kundërshtim me konceptin e tyre për efektin e dashurisë së Perëndisë. Individët që marrin këtë pozicion, nuk e kuptojnë natyrën e dashurisë së Perëndisë apo qëllimin e ligjeve dhe urdhërimeve të Tij. Dashuria e Perëndisë nuk i zëvendëson ligjet e Tij e urdhërimet e Tij dhe rezultati i ligjeve e urdhërimeve të Perëndisë nuk e zvogëlon qëllimin dhe efektin e dashurisë së Tij. Po kjo gjë duhet të jetë e vërtetë për dashurinë dhe rregullat prindërore.

II.

Së pari, merrni parasysh dashurinë e Perëndisë, të përshkruar në mënyrë kaq kuptimplote këtë mëngjes nga Presidenti Diter F. Uhtdorf. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” pyeti Apostulli Pal. Jo pikëllimi, as përndjekja, as rreziku apo shpata (shih Romakëve 8:35). “Sepse unë jam i bindur”, nxjerr përfundimin ai, “se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë” (vargjet 38–39).

Nuk ka provë më të madhe të fuqisë e përsosmërisë së pafundme të dashurisë së Perëndisë, sesa ajo e shpallur nga Apostulli Gjon: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Një tjetër Apostull shkroi se Perëndia “nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne” (Romakëve 8:32). Mendoni se sa duhet ta ketë hidhëruar Atin tonë Qiellor që të dërgonte Birin e Tij për të duruar vuajtje të pakuptueshme për mëkatet tona. Kjo është prova më e madhe e dashurisë së Tij për secilin prej nesh!

Dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij është një e vërtetë e përjetshme, por përse Ai na do kaq shumë dhe përse ne e dëshirojmë atë dashuri? Përgjigjja gjendet në marrëdhënien mes dashurisë së Perëndisë dhe ligjeve të Tij.

Disa duket ta vlerësojnë dashurinë e Perëndisë për shkak të shpresës së tyre se dashuria e Tij është aq e madhe dhe e pakushtëzuar, sa do t’i shfajësojë mëshirshëm nga mosbindja e tyre ndaj ligjeve të Tij. Në të kundërt, ata që e kuptojnë planin e Perëndisë për fëmijët e Tij, e dinë se ligjet e Perëndisë janë të pandryshueshme, gjë që është një tjetër provë e madhe e dashurisë së Tij për fëmijët e Tij. Mëshira s’mund ta grabisë drejtësinë2 dhe ata që marrin mëshirë janë “ata që e kanë ruajtur besëlidhjen dhe e kanë mbajtur urdhërimin” (DeB 54:6).

Ne lexojmë vazhdimisht në Bibël dhe në shkrimet e shenjta moderne për zemërimin e Perëndisë ndaj të ligjve3 dhe për veprimin e Tij sipas zemërimit4 të Tij kundër atyre që shkelin ligjet e Tij. Si është zemërimi provë e dashurisë së Tij? Jozef Smithi na mësoi se Perëndia “[themeloi] ligje me anë të të cilave [shpirtrat që Ai do të dërgonte në botë] të mund të kishin një privilegj që të përparonin si Ai vetë”5. Dashuria e Perëndisë është aq e përsosur, sa Ai me dashuri na kërkon t’u bindemi urdhërimeve të Tij, sepse Ai e di se vetëm nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve të Tij, ne mund të bëhemi të përsosur siç është Ai. Për këtë arsye, zemërimi i Perëndisë dhe zemërata e Tij nuk janë një kundërshtim i dashurisë së Tij, por një provë e dashurisë së Tij. Çdo prind e di se mund ta duash tërësisht e plotësisht një fëmijë ndërkohë që je akoma i zemëruar dhe i zhgënjyer në mënyrë të zmadhuar nga ajo sjellje vetëshkatërruese e fëmijës.

Dashuria e Perëndisë është kaq universale, sa plani i Tij i përsosur i jep shumë dhurata gjithë fëmijëve të Tij, edhe atyre që nuk u binden ligjeve të Tij. Vdekshmëria është një dhuratë e tillë, që iu dha të gjithëve që u kualifikuan në Luftën në Qiell6. Një tjetër dhuratë e pakushtëzuar është ringjallja e përgjithshme: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). Në jetën e vdekshme shumë dhurata të tjera nuk janë të kushtëzuara nga bindja jonë vetjake ndaj ligjit. Siç na mësoi Jezusi, Ati ynë Qiellor “bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:45).

Sikur vetëm të dëgjonim, ne mund ta njihnim dashurinë e Perëndisë dhe ta ndienim atë, edhe kur jemi të pabindur. Një grua që është riaktivizuar në Kishë këto kohët e fundit, dha këtë përshkrim në një bisedë në mbledhjen e sakramentit: “Ai gjithmonë ka qenë i gatshëm të më ndihmonte, edhe kur e kam refuzuar atë. Ai më ka udhëhequr e ngushëlluar gjithmonë me mëshirat e Tij të dhembshura gjithkund përreth meje, por unë [isha] tepër e zemëruar për të parë e pranuar ngjarje e ndjenja si ndihmë nga Perëndia.”7

III.

Bekimet më të çmuara të Perëndisë puqen qartë me bindjen ndaj ligjeve e urdhërimeve të Perëndisë. Mësimi kyç vjen nga zbulesa moderne.

“Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen—

Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (DeB 130:20–21).

Ky parim i mrekullueshëm na ndihmon të kuptojmë arsyet e shumë gjërave, mënyrën se si drejtësia dhe mëshira ekuilibrohen nga Shlyerja. Ai gjithashtu shpjegon se përse Perëndia nuk do të parandalonte ushtrimin e zgjedhjes së lirë prej fëmijëve të Tij. Liria e zgjedhjes – fuqia jonë për të zgjedhur – është thelbësore për planin ungjillor që na sjell në tokë. Perëndia nuk ndërhyn për të parandaluar pasojat e zgjedhjeve të disa njerëzve për të mbrojtur mirëqenien e njerëzve të tjerë – edhe kur ata vrasin, dëmtojnë ose shtypin njëri-tjetrin – sepse kjo do të shkatërronte planin e Tij për përparimin tonë të përjetshëm.8 Ai do të na bekojë që të durojmë pasojat e zgjedhjeve të të tjerëve, por Ai nuk do t’i parandalojë ato zgjedhje.9

Nëse një individ i kupton mësimet e Jezusit, ai ose ajo nuk mund të konkludojë në mënyrë të arsyeshme se Ati ynë i dashur Qiellor apo Biri i Tij hyjnor beson se dashuria e Tyre nëpërkëmb urdhërimet e Tyre. Merrni parasysh këta shembuj.

Kur Jezusi filloi shërbesën e Tij, mesazhi i Tij i parë qe pendimi10.

Kur Ai ushtroi mëshirë të dhembshur duke mos e dënuar gruan e kapur në kurorëshkelje, prapëseprapë, Ai i tha asaj: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11).

Jezusi mësoi, “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21).

Efekti i urdhërimeve e ligjeve të Perëndisë nuk ndryshohet për t’iu përshtatur sjelljes apo dëshirave njerëzore. Nëse ndonjë mendon që dashuria e perëndishme apo prindërore për një individ i jep, atij që e duan, lejen për të mos iu bindur ligjit, ai ose ajo nuk e kupton as dashurinë, as ligjin. Zoti shpalli: “Çfarë thyen një ligj dhe nuk përputhet me ligjin, por kërkon të bëhet ligj në vetvete dhe është i gatshëm të qëndrojë në mëkat e tërësisht qëndron në mëkat, nuk mund të shenjtërohet me anë të ligjit, as me anë të mëshirës, drejtësisë, as gjykimit. Si rrjedhim, ata duhet të vazhdojnë të mbeten të fëlliqur” (DeB 88:35).

Ne lexojmë në zbulesën moderne: “Të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë” (DeB 88:36). Për shembull:

“Ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie çelestiale, nuk mund të durojë një lavdi çelestiale.

Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie terrestriale, nuk mund të durojë një lavdi terrestriale.

Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie telestiale, nuk mund të durojë një lavdi telestiale“ (DeB 88:22–24).

Me fjalë të tjera, mbretëria e lavdisë në të cilën na cakton Gjykimi Përfundimtar nuk përcaktohet nga dashuria, por nga ligji që Perëndia e ka përdorur në planin e Tij për të na cilësuar për jetën e përjetshme, “dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7).

IV.

Në mësimdhënien dhe reagimin ndaj fëmijëve të tyre, prindërit kanë shumë mundësira për të zbatuar këto parime. Një mundësi e tillë ka të bëjë me dhuratat që prindërit u japin fëmijëve të tyre. Ashtu si Perëndia u ka dhënë disa dhurata të gjithë fëmijëve të Tij të vdekshëm pa kërkuar bindjen e tyre vetjake ndaj ligjeve të Tij, po ashtu prindërit sigurojnë shumë të mira si strehim dhe ushqim, edhe nëse fëmijët e tyre nuk janë në harmoni të plotë me gjithë kërkesat prindërore. Por duke ndjekur shembullin e një Ati Qiellor të gjithëdijshëm e të dashur, i cili ka dhënë ligje e urdhërime për përfitimin e fëmijëve të Tij, prindërit e urtë i kushtëzojnë disa dhurata prindërore me bindjen.

Nëse prindërit kanë një fëmijë të pabindur – si për shembull një adoleshent që shkon pas alkoolit ose drogave – ata përballen me një pyetje serioze. A kërkon dashuria prindërore që këto substanca ose konsumimi i tyre të lejohet në shtëpi apo a e kërkojnë urdhërimet e ligjit civil ose serioziteti i sjelljes, ose interesat e fëmijëve të tjerë në shtëpi që kjo të ndalohet?

Të parashtrojmë një pyetje edhe më serioze, nëse një fëmijë i rritur po bashkëjeton, a e kërkon serioziteti i marrëdhënieve seksuale jashtë lidhjeve të martesës që ky fëmijë të ndiejë peshën e plotë të mosmiratimit familjar, duke u përjashtuar nga çdo kontakt familjar, apo a kërkon dashuria prindërore që fakti i bashkëjetesës të mos merret parasysh? Unë i kam parë të dyja këto ekstreme dhe besoj se që të dyja janë të papërshtatshme.

Ku i vënë prindërit kufijtë? Kjo është një çështje për urtësi prindërore, të udhëhequr nga frymëzimi i Zotit. Nuk ka asnjë anë të sjelljes prindërore që të ketë më shumë nevojë për udhëheqjen hyjnore ose që ka më shumë të ngjarë ta marrë atë, sesa vendimet e prindërve në rritjen e fëmijëve të tyre dhe administrimin e familjeve të tyre. Kjo është puna e përjetësisë.

Kur prindërit luftojnë me këto probleme, ata duhet të kujtojnë mësimet e Zotit që ne i lëmë të nëntëdhjetenëntat dhe ikim në shkretëtirë për të shpëtuar delen e humbur11. Presidenti Tomas S. Monson ka bërë thirrje për një mision dashurie për të shpëtuar vëllezërit e motrat tona që po enden në shkretëtirën e plogështisë ose paditurisë12. Këto mësimdhënie kërkojnë shqetësim të dashur e të vazhdueshëm, i cili sigurisht kërkon marrëdhënie dashurie të vazhdueshme.

Prindërit gjithashtu duhet të kujtojnë mësimin e vazhdueshëm të Zotit që “Perëndia ndreq atë që do”(Hebrenjëve 12:6).13 Në bisedën e tij në konferencë mbi tolerancën dhe dashurinë, Plaku Rasëll M. Nelson na mësoi se “dashuria e vërtetë për mëkatarin mund të [na] detyrojë për një përballje me kurajë – jo pranim në heshtje! Dashuria e vërtetë nuk mbështet sjelljen vetëshkatërruese.”14

Kudoqoftë që vendosen kufijtë midis fuqisë së dashurisë dhe forcës së ligjit, thyerja e urdhërimeve me siguri ndikon mbi marrëdhënie të dashura familjare. Jezusi mësoi:

“A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;

sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.

Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës“ (Lluka 12:51–53).

Ky mësim kthjellues na kujton se, kur anëtarët e familjes nuk janë të bashkuar në përpjekjen për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë, do të ketë ndasi. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur dëmtimin e marrëdhënieve të dashura, por ndonjëherë ndodh, edhe pas gjithçkaje që mundemi të bëjmë.

Në mes të një stresi të tillë, ne duhet të durojmë realitetin që dalja e të dashurve tanë nga rruga do të pakësojë lumturinë tonë, por nuk duhet të pakësojë dashurinë tonë për njëri-tjetrin ose që përpjekjet tona plot durim të bashkohen në të kuptuarin e dashurisë së Perëndisë dhe ligjeve të Perëndisë.

Unë dëshmoj për vërtetësinë e këtyre gjërave, që janë pjesë e planit të shpëtimit dhe doktrina e Krishtit, për të cilin dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Russell M. Nelson, “Divine Love,” Liahona, shkurt 2003, f. 12.

  2. Shih Alma 42:25.

  3. Shih, për shembull, Gjyqtarët 2:12–14; Psalmet 7:11; DeB 5:8, 63:32.

  4. Shih, për shembull, 2 Mbretërve 23:26–27, Efesianëve 5:6; 1 Nefi 22:16–17; Alma 12:35–36; DeB 84:24.

  5. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 210.

  6. Shih Zbulesa 12:7–8.

  7. Letër e 6 dhjetorit 2005, në zotërim të autorit.

  8. Krahasoni Alma 42:8.

  9. Krahasoni Mosia 24:14–15.

  10. Shih Mateu 4:17.

  11. Shih Lluka 15:3–7.

  12. Shih Tomas S. Monson, “Lost Battalions”, Liahona, 3 shtator 1987.

  13. Shih gjithashtu Fjalët e Urta 3:12; Zbulesa 3:19; DeB 95:1.

  14. Rusell M. Nelson, “Teach us Tolerance and Love”, Ensign, maj 1994, f. 71.

Shtyp në Letër