2009
Siguri për Shpirtin Njerëzor
Nëntor 2009


Siguri për Shpirtin Njerëzor

Unë dua që të jetë krejtësisht e qartë, kur të qëndroj para shufrës së gjykimit të Perëndisë, që i kam shpallur botës … se Libri i Mormonit është i vërtetë.

Elder Jeffrey R. Holland

Profecitë që lidhen me ditët e fundit, shpesh përmendin katastrofa në shkallë të gjerë, si tërmete ose zi buke apo përmbytje. Këto, si pasojë, mund të çojnë në trazira të përhapura ekonomike ose politike të një lloji apo tjetri.

Por ekziston në ditët e mëvonshme një lloj shkatërrimi i cili gjithnjë më ka tingëlluar si më shumë vetjak sesa i përgjithshëm, më shumë i veçuar sesa kolektiv – një paralajmërim që ndoshta më shumë gjen zbatim në Kishë, se jashtë saj. Shpëtimtari paralajmëroi se, në ditët e fundit, madje edhe ata të besëlidhjes, vetë të zgjedhurit, mund të mashtroheshin nga armiku i së vërtetës.1 Nëse e mendojmë këtë si formë të shkatërrimit shpirtëror, mund të hidhet dritë mbi një tjetër profeci të ditëve të mëvonshme. Mendojeni zemrën, në mënyrë të figurshme, si qendrën e besimit tonë, poetikisht si vendndodhjen e besnikërive tona e të vlerave tona, pastaj merrni parasysh thënien e Jezusit se në ditët e fundit “[zemrat e njerëzve] do të mpaken”2.

Gjëja që të inkurajon, natyrisht, është se Ati Qiellor i di të gjitha këto rreziqe të ditëve të mëvonshme, këto shqetësime zemre e shpirti, dhe ka dhënë këshilla e mbrojtje lidhur me to.

Në dritën e kësaj gjëje, ka qenë gjithnjë domethënëse për mua që Libri i Mormonit, një nga “gurët-kyç”3 të fuqishëm të Zotit në këtë kundërsulm ndaj sëmundjeve të ditëve të mëvonshme, fillon me një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të jetës, një alegori e zgjeruar për shpresën përballë frikës, për dritën përballë errësirës, për shpëtimin përballë shkatërrimit – një alegori për të cilën Motra An M. Dib foli në mënyrë aq prekëse këtë mëngjes.

Në ëndrrën e Lehit, një udhëtim tashmë i vështirë bëhet edhe më i vështirë kur ngrihet një mjegull errësire që turbullon çdo shikim të shtegut të sigurt, por të ngushtuar, të cilin familja e tij dhe të tjerët duhet ta ndjekin. Është thelbësore të vihet re që kjo mjegull errësire zbret mbi të gjithë udhëtarët – besnikët e të vendosurit (madje mund të thonim të zgjedhurit) si dhe ata më të dobët e pa themel. Pika kryesore e ngjarjes është që udhëtarët e suksesshëm u rezistojnë të gjitha hutimeve, përfshirë joshjen për shtigje të ndaluara dhe thumbimet tallëse nga të pavlerët dhe kryelartët të cilët kanë marrë ato shtigje. Dokumenti thotë se të mbrojturit “u shtynë gjithnjë e më përpara, duke u mbajtur vazhdimisht [dhe, mund të shtoj, fort]” te një shufër prej hekuri që zgjatet e pandryshuar nëpër drejtimin e shtegut të vërtetë.4 Sado e errët nata ose dita, shufra shënon udhën e atij shtegu të vetëm dhe shëlbues.

“Unë vura re”, thotë Nefi më pas, “që shufra prej hekuri … ishte fjala e Perëndisë, që të çonte … te pema e jetës; … një përfaqësim i dashurisë së Perëndisë”. Duke parë këtë paraqitje të dashurisë së Perëndisë, Nefi shkon më tej dhe thotë:

“Dhe unë shikova dhe vura re Shëlbuesin e botës, … [i cili] shkoi përpara duke u shërbyer njerëzve… .

… . Dhe unë vura re turma njerëzish të cilët ishin të sëmurë dhe të cilët ishin të prekur nga të gjitha llojet e sëmundjeve dhe nga djaj e shpirtra të papastër; … . dhe ata u shëruan nga fuqia e Qengjit të Perëndisë; dhe djajtë dhe shpirtrat e papastër u dëbuan.”5

Dashuri. Shërim. Ndihmë. Shpresë. Fuqia e Krishtit për t’iu kundërvënë të gjitha shqetësimeve në të gjitha kohërat – përfshirë edhe fundin e kohërave. Ky është limani i sigurt që dëshiron Perëndia për ne në ditët e dëshpërimit vetjak ose shoqëror. Ky është mesazhi me të cilin fillon Libri i Mormonit dhe ky është mesazhi me të cilin ai mbaron, duke u bërë thirrje të gjithëve që “[të vijnë] te Krishti dhe [të përsosen] në të”6. Ajo thënie – e marrë nga rreshtat e fundit të dëshmisë së Moronit, e shkruar 1000 vjet pas vegimit të Lehit – është dëshmi për udhën e vetme të vërtetë, nga një njeri që po vdes.

A mund të përmend një dëshmi moderne të “ditëve të fundit”? Kur Jozef Smithi dhe vëllai i tij Hajrëm u nisën për në Kartixh, që të përballeshin me atë që ata e dinin se do të ishte një martirizim i pashmangshëm, Hajrëmi lexoi këto fjalë për t’i ngushëlluar zemrën të vëllait:

“Ti ke qenë besnik; prandaj … [ti] do të bëhesh i fortë, madje sa të ulesh në vendin që unë kam përgatitur në pallatet e Atit tim.

Dhe tani, unë, Moroni, … them lamtumirë … derisa ne të takohemi para fronit të gjykimit të Krishtit.”7

Janë shkurtimisht disa vargje nga kapitulli i 12-të i Ethërit në Librin e Mormonit. Para se të mbyllte librin, Hajrëmi përtheu cepin e faqes nga ku kishte lexuar, duke e shënuar kështu si pjesë të dëshmisë së përjetshme për të cilën këta dy vëllezër së shpejti do të vdisnin. Po mbaj në dorë atë libër, pikërisht atë libër nga i cili lexoi Hajrëmi, dhe po i njëjti cep i përthyer i faqes duket ende. Më vonë, kur ishin tashmë të burgosur, Jozef Profeti iu drejtua rojeve të cilët e mbanin rob dhe u dha një dëshmi të fuqishme për vërtetësinë hyjnore të Librit të Mormonit.8 Shumë shpejt pas kësaj, pistoleta dhe plumbi do të merrnin jetën e të dy testamentlënësve.

Si një nga mijëra pjesët përbërëse të dëshmisë sime për natyrën hyjnore të Librit të Mormonit, unë parashtroj këtë si një provë më shumë për vërtetësinë e tij. Në këtë orë të tyre më madhështore – dhe të fundit – të një nevoje të tillë, unë ju pyes: a do të kishin blasfemuar këta burra para Perëndisë duke vazhduar së bazuari jetën e tyre, nderin e tyre dhe kërkimin e shpëtimit të tyre të përjetshëm në një libër (dhe, indirekt, në një kishë e në një shërbesë) që ata e kishin shpikur falsërisht?

Pa përmendur për një çast që bashkëshortet e tyre po mbeten vejusha dhe fëmijët e tyre pa baballarë. Pa përmendur për një çast që grupi i vogël i pasuesve të tyre do të jenë ende “të pastrehë, të pashtëpi e pa miq” dhe që fëmijët e tyre do të lënë gjurmë të gjakosura përmes lumenjve të ngrirë dhe një sipërfaqeje të pashtruar të stepave.9 Pa përmendur për një çast që legjione të tëra do të vdesin dhe legjione të tjera do të jetojnë duke shpallur në të katër anët e kësaj toke se ata e dinë që Libri i Mormonit dhe Kisha e cila e përkrah atë, janë të vërteta. Shpërfilleni gjithë këtë dhe më thoni që, në këtë orë të vdekjes, a do të hynin këta dy burra në praninë e Gjykatësit të tyre të Përjetshëm duke cituar e gjetur ngushëllim në një libër i cili, nëse nuk është vetë fjala e Perëndisë, do t’i damkoste ata si mashtrues e sharlatanë deri në fund të kohës? Ata nuk do ta bënin këtë! Ata qenë të gatshëm që më mirë të vdisnin, sesa të mohonin origjinën hyjnore dhe vërtetësinë e përjetshme të Librit të Mormonit.

Për 179 vjet ky libër është shqyrtuar dhe përfolur, mohuar dhe zbërthyer, kritikuar dhe sulmuar ndoshta si asnjë libër tjetër në historinë moderne të besimit fetar – ndoshta si asnjë libër tjetër në çfarëdo historie të besimeve. Dhe ai ende qëndron. Teori të dështuara rreth origjinës së tij kanë lindur, janë përsëritur dhe janë shuar – që nga autorësia e Ithën Smithit apo Solomon Spoldingut e deri për paranojakë të lojtur apo për gjení dinakë. Asnjë prej këtyre përgjigjeve, sinqerisht për t’u mëshiruar, lidhur me këtë libër, nuk i ka rezistuar analizës për arsye se nuk ka asnjë përgjigje tjetër veç asaj që dha Jozefi si përkthyesi i pamësuar i tij. Në këtë gjë unë qëndroj bashkë me stërgjyshin tim, i cili tha mjaft thjesht: “Asnjë njeri i lig nuk e shkruan dot një libër të tillë si ky; dhe asnjë njeri i mirë nuk do ta shkruante atë, po të mos ishte i vërtetë e të urdhërohej nga Perëndia për këtë”10.

Dëshmoj se një njeri nuk mund të vijë te besimi i plotë në këtë punë të ditëve të mëvonshme – dhe me të të gjejë masën e plotë të paqes e të ngushëllimit në këto kohë tonat – derisa ai apo ajo të mirëpresë natyrën hyjnore të Librit të Mormonit dhe të Zotit Jezu Krishti, për të cilin ai dëshmon. Nëse ndokush është aq i marrë ose aq i çorientuar sa të hedhë poshtë 531 faqet e një teksti të panjohur deri më parë, përplot me pjesë të ndërlikuara letrare e semite, pa u përpjekur ndershmërisht të marrë parasysh origjinën e atyre faqeve – veçanërisht pa marrë parasysh dëshminë e tyre të fuqishme për Jezu Krishtin dhe ndikimin e thellë shpirtëror që ajo dëshmi pati tek ata që tani janë dhjetëra milion lexues – në rast se është kështu, atëherë një person i tillë, qoftë i zgjedhur ose tjetërsoj, është mashtruar dhe, nëse ai ose ajo largohet nga Kisha, i duhet ta bëjë duke iu zvarritur përsipër, përposhtë apo përqark Librit të Mormonit për të kryer atë largim. Në atë kuptim libri është ashtu siç ishte thënë për Vetë Krishtin: “gur pengese, … shkëmb skandali”11, një pengesë në shtegun e dikujt që dëshiron të mos besojë në këtë vepër. Dëshmitarë, madje dëshmitarë që për një kohë ishin kundërshtarë të Jozefit, dëshmuan deri kur vdiqën se kishin parë një engjëll dhe i kishin prekur fletët. “Ato na u treguan nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe jo të njeriut”, bënë të ditur ata. “Prandaj, ne e dimë me siguri se vepra është e vërtetë.”12

Tani, unë nuk lundrova me vëllain e Jaredit në kalimin e oqeanit, në vendosjen e tyre tek një botë e re. Unë nuk dëgjova Mbretin Beniamin duke thënë predikimin e tij i cili iu paraqit nga një engjëll. Nuk bëra predikim me Almën dhe Amulekun as nuk qeshë dëshmitar i vdekjes në zjarr të besimtarëve të pafajshëm. Nuk isha mes grumbullit të Nefitëve që prekën plagët e Zotit të ringjallur, as nuk vajtova me Mormonin dhe Moronin për shkatërrimin e një qytetërimi të tërë. Por dëshmia ime për këtë dokument dhe paqja që ajo i sjell zemrës njerëzore, është po aq detyruese dhe e qartë, sa dhe e tyrja. Ashtu si ata, “[unë ia jap emrin tim] botës, që t’i [dëshmoj] botës atë që [unë kam] parë”. Dhe ashtu si ata, “[unë nuk gënjej], Perëndia dëshmon për të”13.

Kërkoj që dëshmia ime për Librin e Mormonit dhe gjithçka që ajo nënkupton, e dhënë sot me betimin tim dhe pozitën time, të regjistrohet nga njerëzit mbi tokë dhe engjëjt në qiell. Shpresoj të kem ende disa vite në “ditët e fundit” të miat, por, qoftë nëse kam apo jo, unë dua që të jetë krejtësisht e qartë, kur të qëndroj para shufrës së gjykimit të Perëndisë, që i kam shpallur botës, në gjuhën më të drejtpërdrejtë që mundem të thërras, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se ai erdhi me atë mënyrë që tha Jozefi dhe se u dha që t’u sjellë besnikëve lumturi dhe shpresë në vuajtjet e ditëve të mëvonshme.

Dëshmia ime përsërit dëshminë e Nefit, i cili e shkroi një pjesë të librit në “ditët e fundit” të tij:

“U vini veshin këtyre fjalëve dhe besoni në Krisht; dhe nëse ju nuk besoni në këto fjalë, besoni në Krisht. Dhe nëse ju do të besoni në Krisht, ju do të besoni në këto fjalë, pasi ato janë fjalët e Krishtit; … dhe ato u mësojnë të gjithë njerëzve, që ata duhet të bëjnë mirë.

Dhe nëse ato nuk janë fjalët e Krishtit, gjykoni ju – pasi Krishti do t’ju tregojë, me fuqi dhe lavdi të madhe, se ato janë fjalët e tij, në ditën e fundit.”14

Vëllezër dhe motra, Perëndia pajis gjithnjë me siguri për shpirtin njerëzor dhe, me Librin e Mormonit, Ai ka bërë sërish ashtu në kohën tonë. Mbani mend këtë deklarim nga Vetë Jezusi: “Kushdo që e mbledh fjalën time si thesar, nuk do të mashtrohet”15 – dhe në ditët e fundit as zemra juaj, as besimi juaj nuk do të mpaken. Për këtë gjë unë dëshmoj seriozisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Mateu 24:24; shih edhe Joseph Smith – Mateu 1:22.

  2. Lluka 21:26.

  3. Shih History of the Church, 4:461.

  4. 1 Nefi 8:30.

  5. 1 Nefi 11:25, 27–28, 31.

  6. Moroni 10:32.

  7. Ethëri 12:37–38; shih edhe DeB 135:5.

  8. Shih History of the Church, 6:600.

  9. Joseph Smith, në History of the Church, 4:539.

  10. George Cannon, cituar në “The Twelve Apostles”, në Andrew Jenson, bot., The Historical Record, 6:175.

  11. 1 Pjetri 2:7.

  12. “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”, Libri i Mormonit.

  13. “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, Libri i Mormonit; kursivet janë theksime.

  14. 2 Nefi 33:10–11; kursivet janë theksime.

  15. Joseph Smith – Mateu 1:37.