2009
Dashuria e Perëndisë
Nëntor 2009


Dashuria e Perëndisë

Dashuria është masa e besimit tonë, frymëzimi për bindjen tonë dhe lartësia e vërtetë e qenies sonë dishepuj.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po rritet vazhdimisht dhe po njihet gjithnjë e më mirë në mbarë botën. Ndonëse do të ketë gjithmonë nga ata që kanë formuar klishè për Kishën dhe anëtarët e saj në një mënyrë negative, shumica e njerëzve na mendojnë si të ndershëm, të dobishëm dhe shumë punëtorë. Disa kanë përfytyrime të misionarëve të pastër e të qethur, të familjeve të dashura dhe fqinjëve miqësorë që nuk pinë as duhan e as alkool. Ne mund të njihemi gjithashtu si njerëz që shkojmë në kishë çdo të diel për tri orë, në një vend ku gjithkush është një vëlla apo një motër, ku fëmijët këndojnë këngë për përrenj që flasin, pemë që prodhojnë kokoshka dhe fëmijë që dëshirojnë të bëhen rreze dielli.

Vëllezër e Motra, nga të gjitha gjërat për të cilat duam që të na njohin, a ka cilësi mbi të gjitha të tjerat që duhet të na karakterizojnë si anëtarë të Kishës së Tij, madje si dishepuj të Jezu Krishtit? Që nga konferenca jonë e fundit e përgjithshme gjashtë muaj të shkuar, unë kam vrarë mendjen mbi këtë dhe pyetje të ngjashme. Sot do të doja të ndaja me ju disa mendime e mbresa që kanë ardhur si rezultat i këtij kërkimi. Pyetja e parë është:

Si Bëhemi Dishepuj të Vërtetë të Jezu Krishtit?

Vetë Shpëtimtari e dha përgjigjen me këtë deklaratë të thellë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.”1 Ky është thelbi i asaj që do të thotë të jesh dishepull i vërtetë: ata që marrin Krishtin Jezus ecin me Të2.

Por kjo mund të paraqesë një problem për disa, sepse ka kaq shumë gjëra që “duhen bërë” dhe “nuk duhen bërë” saqë thjesht t’i ndjekësh ato mund të jetë një sfidë. Nganjëherë, përforcime dashamirëse të parimeve hyjnore – shumë që vijnë prej burimeve të pafrymëzuara – i ngatërrojnë çështjet më tej, duke e holluar pastërtinë e së vërtetës hyjnore me shtesa të bëra nga njerëzit. Ideja e mirë e një individi – diçka që mund të funksionojë për të – zë rrënjë dhe bëhet pritshmëri. Dhe ngadalë, parime të përjetshme mund të humbasin në labirintin e “ideve të mira”.

Kjo qe një nga kritikat e Shpëtimtarit për “ekspertët” fetarë të kohës së Tij, të cilët Ai i qortoi se kujdeseshin për qindra hollësira më të vogla të ligjit, ndërkohë që linin pas dore gjërat më të rëndësishme3.

Kështu, si rreshtohemi ne me këto gjëra më të rëndësishme? A ka një busull të qëndrueshme që mund të na ndihmojë të rendisim përparësitë në jetën, mendimet dhe veprimet tona?

Edhe një herë Shpëtimtari zbuloi mënyrën. Kur i kërkuan të përmendte urdhërimin më të madh, Ai nuk ngurroi. “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”, tha Ai. “Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.”4 Të lidhur me urdhërimin e dytë të madh – për të dashur të afërmin porsi vetveten5 – ne kemi një busull që na jep drejtim jo vetëm për jetën tonë, por gjithashtu për Kishën e Zotit në të dy anët e velit.

Meqenëse dashuria është urdhërimi i madh, ajo duhet të jetë qendra e të gjithave dhe gjithçkaje që bëjmë në vetë familjen tonë, në thirrjet tona në Kishë dhe në jetën tonë. Dashuria është balsami shërues që riparon të çarat në marrëdhëniet vetjake dhe familjare. Ajo është lidhja që bashkon familje, komunitete dhe kombe. Dashuria është fuqia që nis miqësinë, tolerancën, qytetarinë dhe respektin. Ajo është burimi që mposht ndarjen dhe urrejtjen. Dashuria është zjarri i brendshëm që ngroh jetën tonë me bekime të ëmbla gëzimi të pakrahasueshëm dhe shprese të shenjtë. Dashuria duhet të jetë mënyra e veprimit dhe e shprehjes sonë.

Kur e kuptojmë vërtet se çfarë do të thotë të duash ashtu si na do Jezu Krishti, pështjellimi qartësohet dhe përparësitë tona renditen sipas vullnetit të Perëndisë. Jeta jonë si dishepuj të Krishtit bëhet më e gëzueshme. Jeta jonë merr kuptim të ri. Marrëdhënia jonë me Atin tonë Qiellor bëhet më e thellë. Bindja bëhet gëzim në vend të një barre.

Përse Duhet ta Duam Perëndinë?

Perëndia, Ati i Përjetshëm, nuk e dha atë urdhërim të parë të madh sepse Ai ka nevojë që ne ta duam Atë. Fuqia dhe lavdia e Tij nuk zvogëlohen nëse ne e shpërfillim, e mohojmë apo edhe e ndotim emrin e Tij. Ndikimi dhe sundimi i Tij shtrihen në kohë dhe hapësirë pavarësisht nga pranimi, miratimi apo admirimi ynë.

Jo, Perëndia, nuk ka nevojë që ne ta duam Atë. Por oh, sa shumë kemi nevojë ne ta duam Perëndinë!

Sepse ajo që duam përcakton atë që kërkojmë.

Ajo që kërkojmë përcakton atë që mendojmë dhe bëjmë.

Ajo që mendojmë dhe bëjmë përcakton atë që jemi – dhe atë që do të bëhemi.

Ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së prindërve tanë qiellorë; ne jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Si rrjedhim ne kemi një zotësi të gjerë për dashuri – është pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore. Ajo çfarë duam dhe mënyra si duam jo vetëm që na përcakton ne si individë; ajo na përcakton gjithashtu si kishë. Dashuria është karakteristika përcaktuese e një dishepulli të Krishtit.

Që nga fillimi i kohës, dashuria ka qenë burimi i të dyjave si i haresë më të madhe edhe i barrëve më të rënda. Në thelb të mjerimit që nga ditët e Adamit deri më sot, do të zbuloni dashurinë për gjëra të gabuara. Dhe në thelb të gëzimit, do të gjeni dashurinë për gjëra të mira.

Dhe më e madhja nga të gjitha gjërat e mira është Perëndia.

Ati ynë në Qiell na ka dhënë neve, fëmijëve të Tij, shumë më tepër nga sa mund të kuptojë cilado mendje njerëzore. Nën drejtimin e Tij Jehovai i Madh krijoi këtë botë të mrekullueshme ku jetojmë. Perëndia Ati vëzhgon mbi ne, na i mbush zemrat me gëzim befasues, i ndriçon orët tona më të errëta me paqe të bekuar, pikon mbi mendjen tonë të vërteta të çmuara, kujdeset për ne nëpër kohë shqetësimi, gëzon kur ne gëzojmë dhe u përgjigjet kërkesave tona të drejta.

Ai u ofron fëmijëve të Tij premtimin e një ekzistence të lavdishme e të pafundme dhe ka siguruar një udhë që ne të përparojmë në dijeni e lavdi derisa të arrijmë një plotësi të gëzimit. Ai na ka premtuar gjithçka që ka.

Nëse e gjithë kjo nuk është arsye e mjaftueshme për ta dashur Atin tonë Qiellor, ndoshta mund të mësojmë nga fjalët e Apostullit Gjoni, që tha: “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.”6

Përse Na Do Ati Qiellor?

Mendoni për dashurinë më të kthjellët, më gjithëpërmbushëse që mund të përfytyroni. Tani shumëfishojeni atë dashuri me një sasi të pafundme – kjo është masa e dashurisë së Perëndisë – për juve7.

Perëndia nuk shikon pamjen e jashtme8. Unë besoj se Ai nuk ka gajle asnjë grimë nëse ne jetojmë në një kështjellë apo shtëpizë, nëse jemi të pashëm apo të rëndomtë, nëse jemi të famshëm apo të harruar. Edhe pse jemi të paplotë, Perëndia na do plotësisht. Edhe pse jemi të papërsosur, Ai na do përsosmërisht. Edhe pse mund të ndihemi të humbur e pa busull, dashuria e Perëndisë na mbështjell tërësisht.

Ai na do sepse është i mbushur me një masë të pafundme dashurie të shenjtë, të kthjellët dhe të papërshkrueshme. Ne jemi të rëndësishëm për Perëndinë jo për shkak të përmbledhjes sonë por sepse jemi fëmijët e Tij. Ai na do secilin prej nesh, edhe ata që janë me të meta, të përjashtuar, të ngathët, të pikëlluar, ose të dërrmuar. Dashuria e Perëndisë është kaq e madhe, saqë Ai e do madje dhe krenarin, egoistin, mendjemadhin dhe të ligun.

Ajo çka do të thotë kjo është se, pavarësisht nga gjendja jonë e tanishme, ka shpresë për ne. Pavarësisht fatkeqësisë sonë, pavarësisht hidhërimit tonë, pavarësisht gabimeve tona, Ati ynë pafundësisht zemërdhembshur dëshiron që ne t’i afrohemi Atij që Ai të mund të na afrohet neve9.

Si Mund ta Rrisim Dashurinë Tonë për Perëndinë?

Meqë “Perëndia është dashuri”10, sa më afër t’i afrohemi Atij, aq më thellësisht përjetojmë dashuri11. Por meqë një vel e ndan këtë botë të vdekshme nga shtëpia jonë qiellore, duhet të kërkojmë në Shpirt atë që është e padukshme për sytë e vdekshëm.

Qielli mund të duket i largët nganjëherë, por shkrimet e shenjta ofrojnë shpresë: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.”12

Megjithatë, të kërkojmë Perëndinë me gjithë zemrën tonë përfshin shumë më tepër se thjesht të japim një lutje apo të shqiptojmë disa fjalë duke e ftuar Perëndinë në jetën tonë. “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.”13 Ne mund të japim një shfaqje të madhe duke thënë se e njohim Perëndinë. Mund të shpallim botërisht se e duam Atë. Gjithsesi, nëse nuk i bindemi Atij, gjithçka është e kotë, sepse “ai që thotë e njoh Atë dhe nuk i zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk qëndron tek ai”14.

Ne e rrisim dashurinë tonë për Atin tonë Qiellor dhe e shfaqim atë dashuri duke i rreshtuar mendimet e veprimet tona me fjalën e Perëndisë. Dashuria e kthjellët e Tij na drejton e nxit gjithmonë të bëhemi më të dëlirë e më të shenjtë. Ajo na frymëzon të ecim në drejtësi – jo prej frike apo detyrimi por prej një dëshire të nxehtë që të bëhemi edhe më shumë si Ai, sepse e duam Atë. Duke e bërë këtë, ne mund të “[lindemi] përsëri … dhe të [pastrohemi] me anë të gjakut, madje gjakut të të Vetëmlindurit … ; që [ne] të mund të [shenjtërohemi] nga gjithë mëkati dhe të [gëzojmë] fjalët e jetës së përjetshme në këtë botë dhe jetën e përjetshme në botën që vjen, madje lavdi të pavdekshme”15.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, mos u shkurajoni nëse ngecni nganjëherë. Mos u ndieni të dëshpëruar apo të hiqni dorë nga shpresa nëse nuk ndiheni të denjë për të qenë gjithmonë dishepull i Krishtit. Hapi i parë për të ecur në drejtësi është që thjesht të përpiqeni. Ne duhet të përpiqemi të besojmë. Përpiquni të mësoni nga Perëndia: lexoni shkrimet e shenjta; studioni fjalët e profetëve të Tij të ditëve të mëvonshme; zgjidhni ta dëgjoni Atin dhe bëni gjërat që Ai na kërkon. Përpiquni dhe vazhdoni të përpiqeni derisa ajo që duket e vështirë të bëhet e mundshme – dhe ajo që duket vetëm e mundshme të bëhet zakon dhe një pjesë e vërtetë e juaja.

Si Mund ta Dëgjojmë Zërin e Atit?

Kur ju të zgjateni drejt Atit tuaj Qiellor, kur ju t’i luteni Atij në emrin e Krishtit, Ai do t’ju përgjigjet. Ai na flet neve kudo.

Kur të lexoni fjalën e Perëndisë të regjistruar në shkrimet e shenjta, dëgjojeni zërin e Tij.

Gjatë kësaj konference të përgjithshme dhe më vonë, kur të studioni fjalët e thëna këtu, dëgjojeni zërin e Tij.

Kur të vizitoni tempullin dhe të merrni pjesë në mbledhjet e Kishës, dëgjojeni zërin e Tij.

Dëgjoni zërin e Atit në dhuratat dhe bukuritë e natyrës, në pëshpëritjet e buta të Shpirtit.

Në ndërveprimet tuaja të përditshme me të tjerë, në fjalët e një himni, në qeshjen e një fëmije, dëgjoni zërin e Tij.

Nëse dëgjoni për zërin e Atit, Ai do t’ju udhëheqë në një drejtim që do t’ju lejojë të provoni dashurinë e pastër të Krishtit.

Kur i afrohemi Atit Qiellor, bëhemi më të shenjtë. Dhe kur bëhemi më të shenjtë, do ta kapërcejmë mosbesimin dhe shpirtrat tanë do të mbushen me dritën e Tij të bekuar. Kur ne rreshtohemi me këtë dritë të mbinatyrshme, ajo na udhëheq jashtë errësirës drejt një drite më të madhe. Ajo dritë më e madhe udhëheq tek shërbesat e pashprehshme të Shpirtit të Shenjtë dhe veli mes qiellit dhe tokës bëhet i hollë.

Përse Dashuria Është Urdhërimi i Madh?

Dashuria e Atit Qiellor për fëmijët e Tij është mesazhi qendror i planit të lumturisë, plan që vihet në veprim përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit – shprehja më e madhe e dashurisë që ka njohur bota ndonjëherë.16

Sa qartë foli Shpëtimtari kur tha se çdo urdhërim tjetër varet nga parimi i dashurisë.17 Nëse nuk i lëmë pas dore ligjet e mëdha – nëse vërtet mësojmë ta duam Atin tonë Qiellor dhe bashkëqeniet tanë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë – gjithçka tjetër do të shkojë siç duhet.

Dashuria hyjnore e Perëndisë i shndërron veprimet e zakonshme në shërbim të jashtëzakonshëm. Dashuria hyjnore është motivi që shndërron fjalë të thjeshta në shkrim të shenjtë. Dashuria hyjnore është faktori që shndërron pajtimin ngurrues me urdhërimet e Perëndisë në përkushtim dhe shenjtërim të bekuar.

Dashuria është drita udhëheqëse që ndriçon shtegun e dishepullit dhe e mbush ecjen tonë të përditshme me jetë, kuptim dhe mrekulli.

Dashuria është masa e besimit tonë, frymëzimi për bindjen tonë dhe lartësia e vërtetë e qenies sonë dishepuj.

Dashuria është udha e dishepullit.

Unë dëshmoj se Perëndia është në qiellin e Tij. Ai jeton. Ai ju njeh dhe ju do. Ai kujtohet për ju. Ai i dëgjon lutjet tuaja dhe jua njeh dëshirat e zemrës. Ai është i mbushur me dashuri të pafundme për ju.

Më lejoni të përfundoj siç e fillova, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura: çfarë cilësish duhet të na karakterizojnë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Le të njihemi ne si njerëz që e duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin e mendjen tonë dhe që i duam të tjerët porsi vetveten. Kur i kuptojmë dhe i ushtrojmë këto dy urdhërime të mëdha në familjet tona, në lagjet e degët tona, në kombet tona dhe në jetën tonë të përditshme, ne do të fillojmë ta kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh një dishepull i vërtetë i Jezusit, Krishtit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Gjoni 14:15.

  2. Shih Kolosianëve 2:6.

  3. Shih Mateu 23:23.

  4. Mateu 22:37, 38.

  5. Shih Mateu 22:39.

  6. 1 Gjoni 4:19.

  7. Shih Isaia 54:10; Jeremia 31:3.

  8. Shih 1 Samuelit 16:7.

  9. Shih DeB 88:63.

  10. 1 Gjoni 4:8.

  11. Shih Romakëve 5:5; 1 Gjonit 4:7, 16.

  12. Jeremia 29:13.

  13. 1 Gjoni 5:3; shih edhe 2 Gjoni 1:6.

  14. 1 Gjoni 2:4; shih edhe Isaia 29:13.

  15. Moisiu 6:59.

  16. Shih Gjoni 15:13.

  17. Shih Mateu 22:40.