2017
Thirrur për Veprën
maj 2017


Thirrur për Veprën

Një caktim për të punuar në një vend të posaçëm është thelbësor dhe i rëndësishëm por dytësor ndaj thirrjes për veprën.

Presidenti Monson, ne jemi të ngazëllyer që e dëgjojmë zërin tënd dhe që marrim udhëzimet e tua. Ne të duam, të mbështetim dhe lutemi përherë për ty.

Unë lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa i shqyrtojmë bashkërisht parimet që lidhen me veprën e madhe të predikimit të ungjillit te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull.1

Thirrur për të Shërbyer dhe Caktuar për të Punuar

Çdo vit dhjetëra mijëra të rinj dhe të reja dhe shumë çifte në moshë, e presin me padurim marrjen e një letre të veçantë nga Solt-Lejk-Siti. Përmbajtja e letrës ndikon përgjithmonë te personi të cilit i drejtohet, si edhe te pjesëtarët e familjes dhe te një numër i madh njerëzish të tjerë. Me të mbërritur, zarfi mund të hapet me kujdes dhe me durim ose rrëmbyeshëm me emocion dhe nxitim të madh. Leximi i kësaj letre të veçantë është një përvojë që nuk duhet harruar kurrë.

Letra firmoset nga Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe dy fjalitë e para thonë sa vijon: “Me anë të kësaj letre jeni thirrur të shërbeni si një misionar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ju jeni caktuar të punoni në Misionin e ______ .”

Ju lutem vini re se fjalia e parë është një thirrje për të shërbyer si një misionar kohëplotë në Kishën e rivendosur të Zotit. Fjalia e dytë tregon një caktim për të punuar në një vend dhe në një mision të posaçëm. Dallimi i rëndësishëm i shprehur në këto dy fjali është thelbësor që të kuptohet nga të gjithë ne.

Në kulturën e Kishës, ne shpesh themi se jemi thirrur për të shërbyer në vende si Argjentina, Polonia, Korea ose Shtetet e Bashkuara. Por një misionar/e nuk thirret për një vend, përkundrazi, ai ose ajo thirret për të shërbyer. Ashtu siç Zoti shpalli nëpërmjet Profetit Jozef Smith në vitin 1829: “Nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën”2.

Çdo thirrje dhe caktim në mision, ose një ricaktim i mëvonshëm, është rezultati i zbulesës nëpërmjet shërbëtorëve të Zotit. Një thirrje për veprën vjen nga Perëndia nëpërmjet Presidentit të Kishës. Caktimi në një prej më shumë se 400 misioneve që aktualisht po funksionojnë anembanë botës, vjen nga Perëndia nëpërmjet një anëtari të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që vepron me autorizimin e profetit të gjallë të Zotit. Dhuratat shpirtërore të profecisë dhe zbulesës i shoqërojnë të gjitha thirrjet dhe caktimet në mision.

Seksioni 80 i Doktrinës e Besëlidhjeve është një anal i thirrjes për mision të Stephen Burnett-it, bërë nga Profeti Jozef Smith në vitin 1832. Studimi i kësaj thirrjeje të vëllait Burnett mund të na ndihmojë 1) ta kuptojmë më qartë dallimin ndërmjet të qenit “të thirrur për veprën” si një misionar dhe të qenit “të caktuar për të punuar” në një vend të posaçëm dhe 2) ta vlerësojmë më plotësisht përgjegjësinë tonë vetjake e të caktuar hyjnisht për ta predikuar ungjillin.

Vargu i 1-rë i këtij seksioni është një thirrje për të shërbyer: “Në të vërtetë, kështu thotë Zoti për ty, shërbëtori im Stephen Burnett: Shko ti, shko ti në botë dhe i prediko ungjillin çdo krijese që vjen nën tingullin e zërit tënd.”3

Është interesante që vargu i 2-të i bën të ditur vëllait Burnett rreth shokut misionar që iu caktua: “Dhe ngaqë dëshiron një shok, unë do të të jap shërbëtorin tim Eden Smith”4.

Vargu i 3-të tregon se ku duhet të punojnë këta dy misionarë: “Prandaj shkoni dhe predikoni ungjillin tim, qoftë në veri apo në jug, në lindje apo në perëndim, nuk ka rëndësi, sepse ju nuk mund të shkoni në udhë të gabuar”5.

Unë nuk besoj se fraza “nuk ka rëndësi”, siç përdoret nga Zoti në këtë shkrim të shenjtë, sugjeron se Atij nuk i intereson se ku punojnë shërbëtorët e Tij. Në fakt, Atij i intereson së tepërmi. Por për shkak se puna e predikimit të ungjillit është vepra e Zotit, Ai i frymëzon, i udhërrëfen dhe i drejton shërbëtorët e Tij të autorizuar. Kur misionarët përpiqen fort të jenë mjete gjithnjë e më të denja e të dobishme në duart e Tij dhe të bëjnë më të mirën për t’i përmbushur besnikërisht detyrat e tyre, atëherë me ndihmën e Tij ata “nuk mund të shko[jnë] në udhë të gabuar” – kudo që shërbejnë. Ndoshta një nga mësimet që Shpëtimtari po na mëson në këtë zbulesë, është se një caktim për të punuar në një vend të posaçëm është thelbësor dhe i rëndësishëm, por dytësor krahasuar ndaj thirrjes për veprën.

Vargu tjetër thekson kriteret e rëndësishme për të gjithë misionarët: “Si rrjedhim, shpallni gjërat që keni dëgjuar e i besoni vërtet dhe e dini se janë të vërteta6.

Vargu i fundit i kujton vëllait Burnett dhe të gjithëve ne se nga vjen me të vërtetë një thirrje për të shërbyer: “Vini re, ky është vullneti i atij që ju ka thirrur, Shëlbuesit tuaj, madje Jezu Krishtit. Amen.”7

Kapërcimi i Keqkuptimeve

Disa prej jush mund të jenë duke e pyetur veten për arsyen se përse kam zgjedhur ta diskutoj në një sesion të priftërisë të konferencës së përgjithshme këtë dallim në dukje të qartë ndërmjet të qenit i thirrur për veprën dhe të qenit i caktuar për të punuar. Përgjigjja ime për këtë pyetje është krejt e drejtpërdrejtë: përvoja ime më ka mësuar se këto parime nuk kuptohen mirë nga shumë anëtarë të Kishës.

Arsyeja e vetme më e madhe për trajtimin e kësaj çështjeje është ajo që kam mësuar me kohën rreth merakut, shqetësimit e madje fajit të ndier nga shumë misionarë, të cilët për arsye të ndryshme u ricaktuan për të punuar në një zonë tjetër gjatë kohës së tyre të shërbimit. Ricaktime të tilla nganjëherë janë të nevojshme për shkak të ngjarjeve dhe rrethanave të tilla si aksidente e dëmtime fizike, vonesa dhe pengesa në marrjen e vizës, paqëndrueshmëri politike, krijimi dhe grupimi i misioneve të reja ose për shkak të nevojave që dalin e ndryshojnë vazhdimisht anembanë botës në punën e predikimit të ungjillit.8

Kur një misionar ricaktohet për të punuar në një zonë tjetër, procesi është saktësisht i njëjtë sikurse për caktimin fillestar. Anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve kërkojnë frymëzim dhe udhërrëfim për kryerjen e të gjitha ricaktimeve të tilla.

Kohët e fundit fola me një burrë besnik, i cili ndau me mua ndjenjat më të thella të zemrës së tij. Në një mbledhje, unë sapo kisha shpjeguar ndryshimin ndërmjet të qenit i thirrur për veprën dhe të qenit i caktuar për të punuar. Ky vëlla i mirë ma shtrëngoi dorën dhe me lot në sy më tha: “Gjërat që më ndihmove të mësoja sot kanë hequr një barrë nga shpatullat e mia që e kam mbajtur për më shumë se 30 vjet. Kur isha misionar i ri, u caktova fillimisht për të punuar në një zonë në Amerikën e Jugut. Por nuk munda ta merrja vizën, kështu që caktimi im u ndryshua për në Shtetet e Bashkuara. Gjithë këto vite kam pyetur veten se përse nuk munda të shërbeja në vendin në të cilin isha thirrur. Tani e di se isha thirrur për veprën dhe jo për një vend. Unë nuk mund të ta tregoj se sa shumë më ka ndihmuar kjo kuptueshmëri.”

M’u dhimbs ky burrë i mirë. Kur i kam dhënë mësim këto parime bazë kudo nëpër botë, individë të shumtë më kanë shprehur privatisht të njëjtën ndjesi si burri që sapo përshkrova. Po e trajtoj këtë temë sot sepse as edhe një anëtar i vetëm i kësaj Kishe nuk duhet të mbajë një barrë të panevojshme keqkuptimi, pasigurie, ankthi apo faji rreth një caktimi për të punuar.

“Prandaj shkoni dhe predikoni ungjillin tim, qoftë në veri apo në jug, në lindje apo në perëndim, nuk ka rëndësi, sepse ju nuk mund të shkoni në udhë të gabuar.”9 Kur t’i përsiatni fjalët e këtij shkrimi të shenjtë dhe ta hapni zemrën, unë shpresoj dhe lutem që do ta ftoni Frymën e Shenjtë për ta përçuar thellë në shpirtin tuaj kuptueshmërinë, shërimin dhe ripërtëritjen për të cilën keni nevojë.

Një arsye tjetër për të cilën kam ndier nxitjen që të diskutoj për këtë temë, është përvoja ime vetjake në caktimin e misionarëve përgjatë shumë viteve. Për Të Dymbëdhjetët, asgjë nuk e pohon realitetin e zbulesës së vazhdueshme të ditëve të mëvonshme më fuqishëm sesa kërkimi për ta dalluar vullnetin e Zotit teksa përmbushim përgjegjësinë tonë për të caktuar misionarë që të punojnë në zonat e tyre përkatëse. Unë dëshmoj se Shpëtimtari na njeh dhe kujtohet për secilin prej nesh një nga një dhe emër për emër.

Përgatitja ndaj Thirrjes për Veprën

Tani dua të diskutoj shkurtimisht për një aspekt bazë, por që anashkalohet shpesh rreth përgatitjes për një thirrje për veprën.

Tri fjalë të ndërlidhura përcaktojnë një model përgatitjeje dhe përparimi për bijtë e Perëndisë: priftëria, tempulli, misioni. Nganjëherë në rolin tonë si prindër, miq dhe anëtarë të Kishës, ne përqendrohemi kaq gjerësisht mbi përgatitjen misionare për të rinjtë saqë mund t’i shpërfillim në një farë mase hapat e tjerë jetësorë përgjatë shtegut të besëlidhjeve që duhet të përmbushen përpara se të fillojë shërbimi misionar kohëplotë. Të punosh si një misionar me siguri është një nga elementet kyç, por jo i vetmi, në procesin e krijimit të një themeli të fortë për rritje shpirtërore dhe shërbim gjatë gjithë jetës. Bekimet e priftërisë dhe të tempullit, të cilat të dyja i paraprijnë mundësisë për të punuar në një zonë të caktuar, janë gjithashtu të nevojshme për të na fuqizuar dhe forcuar shpirtërisht gjatë gjithë jetës sonë.

Të rinj, teksa i përmbushni detyrat tuaja në Priftërinë Aarone ose priftërinë më të ulët dhe e nderoni atë, ju po përgatiteni që ta merrni e ta lartësoni betimin dhe besëlidhjen e Priftërisë Melkizedeke ose priftërisë më të lartë.10 Denjësia vetjake është kërkesa e vetme më e rëndësishme për ta marrë priftërinë më të lartë. Një shërbim priftërie vetëmohues për gjithë jetën shtrihet përpara jush. Përgatituni tani duke dhënë vazhdimisht shërbim kuptimplotë. Ju lutem, mësoni që të dëshironi të jeni të denjë dhe të qëndroni të tillë. Jini të denjë. Qëndroni të denjë.

Pas marrjes së Priftërisë Melkizedeke dhe thirrjes për të shërbyer, një i ri mund të armatoset me fuqi11 nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit të shenjtë. Vajtja në tempull dhe rrënjosja e shpirtit të tempullit brenda jush i paraprin shërbimit të efektshëm si një misionar kohëplotë. Denjësia vetjake është kërkesa e vetme më e rëndësishme për t’i marrë bekimet e tempullit për ju të rinj dhe për të gjithë anëtarët e Kishës. Teksa jetoni në përputhje me standardet e ungjillit, ju mund të hyni në shtëpinë e Zotit dhe të merrni pjesë në ordinancat e shenjta përgjatë viteve tuaja të adoleshencës. Dashuria dhe kuptueshmëria juaj për ordinancat e tempullit do t’ju forcojnë e bekojnë gjatë gjithë jetës suaj. Ju lutem, mësoni që të dëshironi të jeni të denjë dhe të qëndroni të tillë. Jini të denjë. Qëndroni të denjë.

Shumë të rinj dhe të reja e mbajnë tashmë një rekomandim aktiv tempulli me përdorim të kufizuar. Si mbajtës të Priftërisë Aarone, ju po gjeni vetë emrat e familjes suaj dhe po kryeni pagëzime e konfirmime për pjesëtarët e familjes suaj në tempull. Mbajtja siç duhet e rekomandimit tuaj të tempullit tregon denjësinë tuaj dhe shërbimi ndaj të tjerëve në tempull është një pjesë e rëndësishme e përgatitjes për [marrjen] e Priftërisë Melkizedeke.

Të rinj, secili nga ju tani është një misionar. Të gjithë rreth jush, çdo ditë, janë miq dhe fqinj “të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”12. Siç drejtoheni nga Shpirti, ju mund të jepni një mendim, një ftesë, një mesazh me celular ose Twitter që do t’ua paraqitë miqve tuaj të vërtetat e ungjillit të rivendosur. Ju nuk keni nevojë dhe nuk duhet të prisni thirrjen tuaj zyrtare për t’u përfshirë me zell në punën misionare.

Teksa bekimet e priftërisë, të tempullit dhe misionit sillen “në një krye të vetëm, në Krishtin”13 dhe ndërveprojnë fuqimisht në zemrën, mendjen dhe shpirtin e një misionari të ri, ai mund të kualifikohet për veprën.14 Aftësia e tij rritet për ta përmbushur përgjegjësinë që të përfaqësojë me autoritet Zotin Jezu Krisht. Kombinimi i fuqishëm shpirtëror i nderimit të priftërisë dhe i besëlidhjeve të tempullit, i marrjes së “fuqi[së së] perëndishmërisë”15 nëpërmjet ordinancave të priftërisë16, i shërbimit vetmohues dhe i predikimit të ungjillit të përjetshëm ndaj fëmijëve të Perëndisë, e aftësojnë një të ri që të bëhet i “vendosur dhe [i] paepur në besim”17 e me “rrënjë dhe … [i] ndërtuar në [Krishtin]”18.

Në shtëpitë tona dhe në Kishë, ne duhet t’i vëmë një theks të ekuilibruar të trija elementeve të modelit të Zotit për përgatitjen dhe përparimin për bijtë besnikë të Perëndisë: priftëria, tempulli, misioni. Të trija kërkojnë nga ne që të dëshirojmë të jemi të denjë dhe të qëndrojmë të tillë. Jini të denjë. Qëndroni të denjë.

Premtimi dhe Dëshmia

Vëllezërit e mi të dashur, unë premtoj se dhurata shpirtërore e zbulesës do ta shoqërojë thirrjen tuaj për veprën e predikimit të ungjillit dhe caktimin tuaj për të punuar në një zonë ose zona të posaçme. Teksa përgatiteni tani me zell nëpërmjet shërbimit vetëmohues në priftëri dhe shërbimit në tempull, dëshmia juaj për realitetin e gjallë të Zotit do të forcohet. Dashuria për Të dhe punën e Tij do ta mbushë zemrën tuaj. Teksa mësoni që të dëshironi të jeni të denjë, ju do të bëheni një mjet i fuqishëm në duart e Zotit për të bekuar shumë njerëz dhe për t’iu shërbyer atyre.

Me gëzim, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, jetojnë. Të qenit i përfshirë në shërbimin e Tyre është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrim ndonjëherë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.