2017
Mos Shiko Përreth, Shiko Lart!
maj 2017


Mos Shiko Përreth, Shiko Lart!

Ftesa ndaj të tjerëve për të ardhur te Krishti është qëllimi ynë dhe ne mund ta përmbushim këtë qëllim duke parë lart në drejtim të Jezu Krishtit.

Qëllimi im është t’i “fto[j] të tjerët të vijnë te Krishti”1. Ky është gjithashtu qëllimi juaj. Ne mund ta përmbushim këtë qëllim duke parë lart në drejtim të Jezu Krishtit.

Familja e Plakut Çoi

U pagëzova bashkë me prindërit e mi kur isha 16 vjeç. Vëllai im më i vogël, Kijung Huani, i cili ishte 14 vjeç, u bashkua me Kishën nëpërmjet dajës tim, Joung Jik Li, dhe na ftoi në kishën e tij. Secili nga 10 pjesëtarët në familjen tonë i përkiste një kishe tjetër, ndaj ishim të lumtur që gjetëm të vërtetën dhe pasi u pagëzuam, donim ta shpërndanim atë lumturi që gjetëm tek ungjilli i Jezu Krishtit.

Babai i Plakut Çoi me të tjerë

Babai im ishte më entuziasti ndër ne për ta mësuar dhe shpërndarë të vërtetën. Ai zgjohej herët në mëngjes për t’i studiuar shkrimet e shenjta për më shumë se dy orë çdo ditë. Pas pune shkonte me misionarët për të vizituar familjen, miqtë dhe fqinjët tanë gati çdo ditë. Shtatë muaj pasi u pagëzuam, 23 prej pjesëtarëve të familjes sime dhe të afërm u bënë anëtarë të Kishës. Kjo gjë vijoi me dëshmimin e mrekullisë së pagëzimit të 130 njerëzve vitin pasues nëpërmjet punës misionare të babait tim si anëtar.

Fillimet e punës misionare
Puna e zgjeruar misionare

Historia familjare ishte gjithashtu e rëndësishme për të, dhe ai plotësoi tetë breza të paraardhësve tanë. Nga ajo kohë e tutje, frytet e kthimit në besim të familjes sonë, që filluan nga vëllai im 14-vjeçar, janë rritur në mënyra të panumërta, jo vetëm midis të gjallëve, por edhe midis të vdekurve. Duke e vazhduar punën e babait tim dhe të të tjerëve, pema jonë familjare tani përfshin 32 breza dhe tani po përfundojmë punën në tempull për shumë linja paraardhësish. Sot jam i mahnitur dhe ndiej gëzim të madh që po i bashkojmë paraardhësit tanë dhe pasardhësit tanë.

Historia e zgjeruar familjare

Presidenti Gordon B. Hinkli shënoi një përvojë të ngjashme në Tempullin e Kolombusit në Ohajo:

“Duke reflektuar mbi jetën e [stërgjyshit, gjyshit dhe babait tim], ndërsa isha ulur në tempull, unë ktheva shikimin nga vajza ime, vajza e saj … dhe fëmijët e saj, stërnipërit e stërmbesat e mia. Unë papritmas kuptova se qëndroja pikërisht në mes të këtyre shtatë brezave – tre para meje dhe tre pas meje.

Në atë shtëpi të shenjtë dhe të shenjtëruar më kaloi nëpër mendje një ndjenjë e detyrimit të pamasë që më takonte mua t’ua kaloja të gjitha ato që kisha marrë si trashëgimi nga paraardhësit e mi, brezave që tani kanë ardhur pas meje.”2

Në mes të brezave tanë

Të gjithë ne jemi në mes të një familjeje të përjetshme. Roli ynë mund të jetë një çast vendimtar në të cilin mund të ndodhin ndryshime domethënëse në mënyra pozitive ose negative. Presidenti Hinkli vazhdoi: “Asnjëherë mos e lejoni veten që të bëheni një hallkë e dobët në zinxhirin e brezave tuaj”3. Besnikëria juaj në ungjill do ta forcojë familjen tuaj. Si mund të sigurohemi që do të jemi një hallkë e fortë në familjen tonë të përjetshme?

Një ditë, pak muaj pas pagëzimit tim, dëgjova disa njerëz duke kritikuar njëri-tjetrin në Kishë. U zhgënjeva shumë. Shkova në shtëpi dhe i thashë babait tim se ndoshta nuk duhet të shkoja më në Kishë. Ishte e vështirë të shihje anëtarë që i kritikonin të tjerët në atë mënyrë. Pasi më dëgjoi, babai im më mësoi se ungjilli ishte rivendosur dhe se është i përsosur, por anëtarët nuk janë ende të tillë, as ai vetë dhe as unë. Ai me vendosmëri tha: “Mos e humb besimit tënd për shkak të njerëzve rreth teje, por ndërto një marrëdhënie të fortë me Jezu Krishtin. Mos shiko përreth, shiko lart!”

Shiko lart në drejtim të Jezu Krishtit – këshilla e urtë e babait tim – e forcon besimin tim kurdoherë që përballem me sfida në jetë. Ai më mësoi se si t’i zbatoj mësimet e Krishtit, si te këto fjalë: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”4.

Misionarët në Tempullin e Siatëllit në Uashington

Kur kryesova në Misionin e Siatëllit në Uashington, binte shi në shumë ditë të vitit. Prapëseprapë, misionarët tanë u udhëzuan që të dilnin dhe të predikonin në shi. E kisha zakon t’u thoja: “Dilni në shi, shihni drejt qiellit, hapeni gojën dhe pijeni atë! Kur të shikoni lart, do të forcoheni për ta hapur gojën përpara kujtdo pa pasur frikë.” Ishte një mësim simbolik për ta që të shihnin lart kur përballeshin me sfida madje edhe pas misionit të tyre. Ju lutem, mos e provoni këtë në zona të ndotura.

Ndërsa po shërbeja ende në misionin e Siatëllit, mora një telefonatë nga djali im më i madh, Sanbimi, i cili është pianist. Ai tha se do të kishte privilegjin të interpretonte në Sallën Karnëgi në Nju-Jork sepse fitoi një konkurs ndërkombëtar. Ne ishim shumë të lumtur dhe shumë të emocionuar për të. Megjithatë, atë mbrëmje, ndërsa po luteshim me mirënjohje, bashkëshortja ime e kuptoi se nuk mund të shkonim në interpretimin e tij dhe i tha Atit Qiellor diçka të tillë: “Atë Qiellor, jam mirënjohëse për bekimin që Ti i ke dhënë Sanbimit. Meqë ra fjala, më vjen keq që nuk mund të shkoj atje. Mund të kisha shkuar nëse Ti do të na e kishe dhënë këtë bekim para ose pas këtij misioni. Nuk po ankohem, por kam njëfarë keqardhjeje.”

Sapo e përfundoi këtë lutje, ajo dëgjoi një zë të qartë: “Djalit tuaj i është dhënë ky privilegj, ngaqë ju nuk mund të shkoni. A do të doje të ishte e kundërta?”

Bashkëshortja ime u befasua. Ajo e dinte se fëmijët do të bekoheshin nëpërmjet punës besnike të prindërve të tyre në mbretërinë e Zotit, por ishte hera e parë që ajo e kuptonte me kaq qartësi rolin e saj. Ajo iu përgjigj Atij menjëherë: “Jo, jo, nuk ka problem që nuk do të shkoj. Lëre atë ta ketë atë nder.”

Vëllezër dhe motra të dashura, nuk është e lehtë për ne që ta dallojmë dashurinë e Atit Qiellor kur shohim përreth me sytë tanë tokësorë, ngaqë së pari shohim shqetësimin, humbjen, barrët ose vetminë. Nga ana tjetër, kur shohim lart, ne jemi në gjendje të kuptojmë se si jemi bekuar. Zoti ka zbuluar: “Kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”5. Për të gjithë ata që hyjnë në çfarëdo shërbimi të Perëndisë, dijeni se ju jeni një lidhje e fortë për bekime të fuqishme për njerëzit para jush dhe për brezat pas jush.

Sot, jam mirënjohës që shoh se shumë nga pjesëtarët e familjes sonë janë besnikë në shtegun e besëlidhjes, por trishtohem kur përfytyroj ndonjë vend bosh krah nesh. Plaku M. Rasëll Ballard tha: “Nëse zgjidhni të bëheni joaktiv ose ta lini Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ku do të shkoni? Çfarë do të bëni? Vendimi për të ‘[mos] shkua[r] më’ me anëtarët e Kishës dhe udhëheqësit e zgjedhur të Zotit do të ketë një ndikim afatgjatë që jo gjithnjë mund të kuptohet tani për tani.”6 Presidenti Tomas S. Monson na nxiti: “E zgjedhshim përherë të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë!”7

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të parë lart në drejtim të Jezu Krishtit. Krahët e Tij janë gjithmonë të hapura për ju. Ka breza përpara nesh dhe pas nesh që varen nga ne për ta ndjekur Krishtin në mënyrë që të mund të jemi një familje e përjetshme e Perëndisë.

Kur u lirova nga thirrja ime si president kunji, djemtë e mi ishin të ngazëllyer që do të kalonin më shumë kohë me mua. Tri javë më vonë u thirra si I Shtatëdhjetë. Fillimisht mendova se ata mund të zhgënjeheshin, por përgjigjja e përulur e djalit tim më të vogël ishte: “Baba, mos u shqetëso. Ne jemi një familje e përjetshme.” Çfarë e vërtete e thjeshtë dhe e qartë ishte ajo! U shqetësova pak pasi në fillim pashë përreth kësaj jete në vdekshmëri, por djali im ishte i lumtur pasi nuk pa përreth por pa lart me sytë drejt përjetësisë dhe qëllimeve të Zotit.

Nuk është përherë e lehtë të shohësh lart kur prindërit tuaj janë kundër ungjillit, kur jeni anëtar i një njësie të vogël të Kishës, kur bashkëshorti/ja juaj nuk është anëtar/e, kur jeni ende beqar edhe pse keni bërë më të mirën tuaj për t’u martuar, kur njëri prej fëmijëve ka dalë nga udha, kur e gjeni veten si prind i vetëm, kur sfidoheni fizikisht ose emocionalisht, kur jeni viktimë e një fatkeqësie natyrore dhe kështu me radhë. Mbahuni te besimi juaj në ato kohë të vështira. Shihni lart në drejtim të Krishtit për forcë, drejtpeshim dhe shërim. Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit “gjithë gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën [tuaj]”8.

Jap dëshmi për Jezu Krishtin, se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Kur ne e ndjekim profetin tonë të gjallë, Presidentin Tomas S. Monson, ne shohim lart në drejtim të Jezu Krishtit. Kur lutemi dhe i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe e marrim me sinqeritet sakramentin çdo javë, ne marrim forcën që gjithmonë të shohim lart në drejtim të Tij. Jam i lumtur që jam anëtar i kësaj Kishe dhe që jam pjesë e një familjeje të përjetshme. Më pëlqen shumë ta shpërndaj këtë ungjill të mrekullueshëm me të tjerët. Ftesa ndaj të tjerëve për të ardhur te Krishti është qëllimi ynë dhe ne mund ta përmbushim këtë qëllim duke parë lart në drejtim të Jezu Krishtit. Me përulësi dëshmoj për këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.