Dhe Kjo Është Jeta e Përjetshme
Perëndia ju njeh dhe ju fton ta njihni Atë.
Unë po ju flas juve, brezit të ri – rinisë dhe të rinjve në moshë madhore, beqarë apo të martuar – ju që jeni udhëheqësit e ardhshëm të kësaj, Kishës së Zotit. Me gjithë ligësinë, rrëmujën, frikën dhe ngatërresën në botën e sotme, unë ju flas me qartësi rreth madhështisë dhe bekimit të arritjes së njohjes së Perëndisë.
Jezu Krishti dha mësim shumë të vërteta që shpjegojnë planin e Atit Qiellor të lumturisë dhe vendin tuaj në të. Unë do të përqendrohem te dy nga këto që t’ju ndihmoj ta kuptoni identitetin tuaj si fëmijë i Perëndisë dhe ta njihni qëllimin tuaj në jetë.
Së pari: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”1.
Së dyti: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.2Ju lutem, mbajini mend
këto të vërteta – ato të mësojnë arsyen përse – ndërsa përpiqem të përshkruaj mënyrën se si ju dhe të gjithë ne mund të arrijmë ta njohim Perëndinë.
Njiheni Atë nëpërmjet Lutjes
Miq të mi të rinj, ne mund të fillojmë ta njohim Perëndinë nëpërmjet lutjes.
Më 7 prill 1829, Oliver Kaudëri 22-vjeçar filloi punët e tij si shkrues për 23-vjeçarin Jozef Smith. Ata ishin të rinj – thjesht si ju. Oliveri kërkoi një konfirmim nga Perëndia lidhur me Rivendosjen dhe punën tij në të. Në përgjigje, ai mori zbulesën vijuese:
“Vër re, ti e di se ke kërkuar prej meje dhe unë vërtet e ndriçova mendjen tënde. …
Po, unë të them që ti të mund të dish se s’ka asnjë tjetër, përveç Perëndisë, që i di mendimet e tua dhe qëllimet e zemrës tënde. …
… Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde. …
A nuk i fola paqe mendjes tënde … ? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”3
Kur ju luteni me besim, ju do ta ndieni dashurinë e Perëndisë ndërsa Shpirti i Tij i flet shpirtit tuaj. Pavarësisht sa të vetmuar apo të pasigurt mund të ndiheni herë pas here, ju nuk jeni vetëm në këtë botë. Perëndia ju njeh ju individualisht. Kur luteni, ju do të arrini ta njihni Atë.
Njiheni Atë nëpërmjet Studimit të Shkrimeve të Shenjta
Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, ju jo vetëm mësoni rreth Shpëtimtarit, por ju mundet vërtet të arrini ta njihni Shpëtimtarin.
Në prill 1985, Plaku Brus R. Mek-Konki foli në konferencën e përgjithshme – saktësisht 13 ditë para se të vdiste. Ai e përfundoi me dëshminë e tij:
“Unë jam një nga dëshmitarët e Tij dhe, në një ditë të ardhshme, unë do të ndiej shenjat e gozhdëve në duart e Tij e në këmbët e Tij dhe do t’i lag këmbët e Tij me lotët e mi.
Por nuk do ta di më mirë atëherë nga sa e di tani, se Ai është Biri i Perëndisë së Plotfuqishëm, se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe se shpëtimi vjen në dhe nëpërmjet gjakut të Tij shlyes dhe në asnjë mënyrë tjetër.”4
Ata nga ne që e dëgjuan Plakun Mek-Konki të fliste atë ditë, nuk e kanë harruar kurrë se si u ndiem ne. Ndërsa filloi bisedën e tij, ai zbuloi arsyen përse dëshmia e tij ishte aq e fuqishme. Ai tha:
“Duke folur për këto gjëra të mahnitshme, unë do të përdor vetë fjalët e mia, edhe pse ju mund të mendoni se janë fjalë të shkrimit të shenjtë. …
E vërtetë është se ato janë shpallur më parë nga të tjerë, por tani ato janë të miat, sepse Shpirti i Shenjtë i Perëndisë më ka dhënë dëshmi se ato janë të vërteta dhe tani është sikur Zoti të m’i ketë zbuluar ato mua në fillim. Në këtë mënyrë, unë e kam dëgjuar zërin e tij dhe e di fjalën e tij.”5
Kur studioni dhe përsiatni shkrimet e shenjta, ju gjithashtu do ta dëgjoni zërin e Perëndisë, do të njihni fjalët e Tij dhe do të arrini ta njihni Atë. Perëndia do t’ju zbulojë të vërtetat e Tij të përjetshme, juve personalisht. Këto doktrina e parime do të bëhen pjesë e asaj çka jeni dhe do të burojnë nga vetë shpirti juaj.
Përveç studimit individual, studimi i shkrimeve të shenjta si familje është i rëndësishëm.
Në shtëpinë tonë ne donim që fëmijët tanë të mësonin ta dallonin zërin e Shpirtit. Ne besojmë se ajo ndodhi ndërsa ne e studionim Librin e Mormonit çdo ditë si familje. Dëshmitë tona forcoheshin ndërsa ne bisedonim rreth të vërtetave të shenjta.
Studimi i shkrimeve të shenjta bëhet kanali për Shpirtin për t’i dhënë secilit nga ne një mësim të përshtatur. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë, vetëm dhe me familjen tuaj, ju do të mësoni ta dalloni zërin e Shpirtit dhe do të arrini të njihni Perëndinë.
Njiheni Atë duke Bërë Vullnetin e Tij
Përveç lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, ne duhet të bëjmë vullnetin e Perëndisë.
Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer. Ai tha: “Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar”6.
Kur Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq nefitëve, Ai tha: “Vini re, unë jam drita dhe jeta e botës; dhe unë kam pirë nga ajo kupë e hidhur që Ati më dha dhe kam lartësuar Atin, duke marrë përsipër mëkatet e botës, kështu unë kam plotësuar vullnetin e Atit në të gjitha gjërat që nga fillimi”.7
Ju dhe unë e bëjmë vullnetin e Atit duke i nderuar besëlidhjet tona, duke i mbajtur urdhërimet dhe duke i shërbyer Perëndisë dhe bashkëqenieve tona.
Bashkëshortja ime, Ronda, dhe unë kemi prindër që janë thjesht njerëz të zakonshëm – ndoshta shumë të ngjashëm me prindërit tuaj. Por një gjë që më pëlqen shumë lidhur me prindërit tanë, është se ata ia përkushtuan jetën e tyre shërbimit ndaj Perëndisë dhe ata na mësuan ne të bëjmë të njëjtën gjë.
Kur prindërit e Rondas kishin vetëm pak vite martuar, babai i saj 23-vjeçar qe thirrur të shërbente një mision kohëplotë. Ai la pas bashkëshorten e tij të re dhe bijën e tyre 2-vjeçare. Mandej bashkëshortja e tij u thirr të shërbente me të gjatë shtatë muajve të fundit të misionit të tij – duke e lënë të bijën nën kujdesin e të afërmve.
Disa vite më vonë, tani me katër fëmijë, ata shkuan në Misula të Montanës që babai i saj të mund të shkonte në universitet. Sidoqoftë, ata kishin qenë vetëm disa muaj atje kur Presidenti Spenser W. Kimball dhe Plaku Mark E. Petersen i dhanë një thirrje vjehrrit tim që të ishte presidenti i parë i kunjit të sapokrijuar të Misulës. Ai ishte vetëm 34 vjeç. Mendimet për universitetin u lanë pas teksa ai u përpoq të bënte vullnetin e Zotit – jo të vetin.
Prindërit e mi kanë shërbyer në tempull për më shumë se 30 vite – Babai si vulosës, Nëna si punonjëse ordinancash. Ata shërbyen gjithashtu pesë misione kohëplota – në Riversajd të Kalifornisë, Ulanbator të Mongolisë, Nairobi të Kenias, në Tempullin e Navusë në Illinois dhe në Tempullin e Montereit në Meksikë. Në Meksikë, ata punuan fort për të mësuar një gjuhë të re, gjë që nuk ishte e lehtë në moshën 80-vjeçare. Por ata u përpoqën të bënin vullnetin e Zotit në vend që të ndiqnin dëshirat e veta në jetë.
Për ta, dhe për gjithë shenjtorët e tillë të përkushtuar të ditëve të mëvonshme kudo në botë, unë u bëj jehonë fjalëve që Zoti i tha profetit Nefi: “I bekuar je ti, … për ato gjëra që ke bërë … pa u lodhur … [sepse ti] nuk ke kërkuar të shpëtosh jetën tënde, por ke kërkuar vullnetin tim dhe të zbatosh urdhërimet e mia”8.
Kur ne përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë duke i shërbyer besnikërisht Atij dhe bashkëqenieve tona ne e ndiejmë miratimin e Tij dhe arrijmë vërtet ta njohim Atë.
Njihe Atë duke u Bërë si Ai
Shpëtimtari na thotë se mënyra më e mirë e mundshme për ta njohur Perëndinë është të bëhemi si Ai. Ai na dha mësim: “Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”9
Denjësia është thelbësore për t’u bërë si Ai. Ai urdhëroi: “Shenjtëroh[uni]; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart … që unë të mund t’ju bëj të pastër”.10 Duke filluar procesin e të bërit si Ai, ne pendohemi, marrim faljen e Tij dhe Ai i pastron shpirtrat tanë.
Për të na ndihmuar ndërsa përparojmë drejt Atit, Zoti na dha këtë premtim: “Çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam”11.
Nëpërmjet besimit tonë te sakrifica e Tij shlyese, Shpëtimtari na pastron, na shëron dhe na aftëson ta njohim Atë duke u bërë si Ai. Moroni dha mësim: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, … që ju të mund të bëheni bijtë [dhe bijat] e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai”.12 Ndërsa përpiqemi të bëhemi si Perëndia, Ai mund të na bëjë ne shumë më tepër nga sa ne do të mund të arrinim ndonjëherë vetë.
Njiheni Atë duke Ndjekur Këshilltarët
Për të na ndihmuar në përpjekjen tonë, Perëndia na ka dhënë modele shembullore dhe këshilltarë. Unë dua të shpreh ndjenjat e mia rreth njërit prej të mive, Plakut Nill A. Maksuell. Ai vazhdimisht përpiqej t’ia nënshtronte vullnetin e vet vullnetit të Zotit në përpjekjen e tij për t’u bërë si Perëndia.
Më shumë se 20 vite më parë, ai ndau ndjenjat me mua pasi sapo ishte diagnostikuar me kancer. Ai më tha: “Dua të jem pjesë e skuadrës, në këtë anë [të velit] ose anën tjetër. Nuk dua të qëndroj ulur në stol. Unë dua të marr pjesë në lojë.”13
Gjatë pak javëve më pas, ai ngurronte t’i kërkonte Perëndisë që ta shëronte; ai thjesht donte të bënte vullnetin e Perëndisë. Bashkëshortja e tij, Kollina, theksoi se thirrja e parë e Jezusit në Gjetseman qe: “Në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë”. Vetëm atëherë Shpëtimtari tha: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”.14 Ajo e nxiti Plakun Maksuell që të ndiqte shembullin e Shpëtimtarit, të kërkonte për lehtësim dhe atëherë t’ia nënshtronte vullnetin e tij vullnetit të Perëndisë, gjë që ai e bëri15.
Pasi vuajti përmes kurash të shumta, ligështuese, për thuajse një vit, ai u kthye tërësisht dhe plotësisht “në lojë”. Ai shërbeu edhe për shtatë vite.
Gjatë atyre viteve pasuese, unë pata disa detyra me të. Unë e ndjeva mirësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e tij. Unë dëshmova përsosjen e tij të rritur shpirtërore nëpërmjet vuajtjes së tij të vazhdueshme dhe shërbimit të tij të pareshtur, ndërsa përpiqej të bëhej si Shpëtimtari.
Modeli shembullor e këshilltari më i lartë, në dispozicion për të gjithë ne, është Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, që tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”16 “Eja dhe më ndiq mua.”17
Vëllezër dhe motra të mia të reja, njohja e Perëndisë është kërkimi që kryhet tërë jetën. “Dhe kjo është jeta e përjetshme, … të njohi[m] … të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ati ka] dërguar.”18
“Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? … Kurajo, [miq të mi të rinj]; dhe përpara, përpara drejt fitores!”19
Perëndia ju njeh dhe ju fton ta njihni Atë. Lutiuni Atit, studioni shkrimet e shenjta, kërkoni të bëni vullnetin e Perëndisë, përpiquni të bëheni si Shpëtimtari dhe ndiqni këshilltarët e drejtë. Teksa e bëni këtë, ju do të arrini ta njihni Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe ju do të trashëgoni jetë të përjetshme. Kjo është ftesa ime për ju si një dëshmitar i shuguruar, i veçantë i Tyre. Ata jetojnë. Ata ju duan ju. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.