2017
Zëri i Paralajmërimit
maj 2017


Zëri i Paralajmërimit

Ndërkohë që detyra për të paralajmëruar ndihet veçanërisht fort nga profetët, ajo është një detyrë që e kanë edhe të tjerët.

Profeti Ezekiel u lind rreth dy dekada përpara se Lehi dhe familja e tij të largoheshin nga Jerusalemi. Në vitin 597 pr. K., në moshën 25-vjeçare, Ezekieli ishte njëri prej njerëzve të shumtë që u çuan robër në Babiloni nga Nebukadnetsari dhe, për aq sa dimë, e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij atje.1 Ai ishte i linjës priftërore të Aaronit dhe kur qe 30 vjeç u bë profet.2

Kur e thirri në detyrë Ezekielin, Jehova përdori metaforën e një roje.

“Në rast se [roja ose sogjetari] e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin,

[atëherë] kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet.”3

Nga ana tjetër, “në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, … për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari sogjetarit”4.

Më pas, duke i folur drejtpërdrejt Ezekielit, Jehova shpalli: “Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro [për mua]”5. Paralajmërimi ishte që të largoheshin prej mëkatit.

“Kur i them të pabesit: ‘I pabesë, ti do të vdesësh me siguri’, dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkojë llogari dorës sate.

Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd. …

Përkundrazi, kur i them të pabesit: ‘Ti me siguri do të vdesësh’, në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, …

[a]snjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.”6

Në mënyrë interesante, ky paralajmërim gjen zbatim edhe për të drejtët. “Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer.”7

Duke iu përgjëruar fëmijëve të Tij, Perëndia i thotë Ezekielit: “U thuaj atyre: ‘Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj’, thotë [Perëndia], Zoti, ‘unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?’”8

Pa qenë aspak të gatshëm për të ndëshkuar, Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë kërkojnë lumturinë tonë dhe na përgjërohen që të pendohemi, duke e ditur fare mirë se “ligësia kurrë nuk ka qenë [dhe kurrë nuk do të jetë] lumturi”9. Kështu Ezekieli dhe çdo profet përpara tij dhe që nga ai deri më sot, duke folur fjalën e Perëndisë drejtpërsëdrejti nga zemra, i kanë paralajmëruar të gjithë ata që dëshirojnë, që të largohen prej Satanit, armikut të shpirtrave të tyre, dhe “të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve”10.

Ndërkohë që detyra për të paralajmëruar ndihet veçanërisht fort nga profetët, ajo është një detyrë që e kanë edhe të tjerët. Në fakt, “bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij”11. Ne që kemi marrë njohuri për planin e madh të lumturisë – dhe urdhërimet për vënien e tij në zbatim – duhet të ndiejmë dëshirë për ta ndarë atë njohuri pasi ajo e sjell të gjithë ndryshimin këtu dhe në përjetësi. Dhe nëse pyetim: “Kush është i afërmi im që duhet ta paralajmëroj?” sigurisht përgjigjja do të gjendet në një shëmbëlltyrë që fillon: “Një burr[ë] zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve [e kështu me radhë]”12.

Marrja parasysh e shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë në këtë kontekst na kujton se pyetja “Kush është i afërmi im?” ishte e lidhur me dy urdhërimet e mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten”13. Shtytja për ta ngritur zërin e paralajmërimit është dashuria – dashuria për Perëndinë dhe dashuria për bashkëqeniet. Të paralajmërosh është të tregosh kujdes. Zoti udhëzon se duhet të bëhet “me qetësi dhe butësi”14 dhe “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes … dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur”15. Mund të jetë urgjente, si në rastin kur paralajmërojmë një fëmijë që të mos e futë dorën në zjarr. Duhet të jetë e qartë dhe nganjëherë e palëkundur. Me raste, paralajmërimi mund të marrë formën e qortimit “kur u nxit nga Fryma e Shenjtë”16, por gjithmonë është i rrënjosur në dashuri. Vini re, për shembull, dashurinë që u jep shtysë për shërbimin dhe sakrificë misionarëve tanë.

Sigurisht, dashuria do t’i detyronte prindërit t’i paralajmëronin “të afërmit” e tyre më të afërt – vetë fëmijët e tyre. Kjo nënkupton që të jepen mësim të vërtetat e ungjillit dhe të jepet dëshmi për to. Nënkupton që fëmijëve t’u mësohet doktrina e Krishtit: besimi, pendimi, pagëzimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.17 Zoti i kujton prindërit: “Por unë ju kam urdhëruar t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë”18.

Një element jetik i detyrës prindërore për të paralajmëruar është të paraqitin jo vetëm pasojat moralprishëse të mëkatit, por edhe gëzimin e ecjes duke iu bindur urdhërimeve. Sillni ndërmend fjalët e Enosit rreth asaj që e bëri të kërkonte Perëndinë, të merrte heqje të mëkateve dhe të bëhej i kthyer në besim:

“Vini re, unë shkova për të gjuajtur kafshë në pyje; dhe fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time.

Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë.”19

Për shkak të dashurisë dhe shqetësimit të Tij të pakrahasueshëm për të tjerët dhe lumturinë e tyre, Jezusi nuk ngurroi të paralajmëronte. Që në fillim të shërbesës së Tij, “Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!’”20 Ngaqë e di se jo çdo shteg të çon drejt qiellit, Ai urdhëroi:

“Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

Sepse e ngushtë është porta dhe e ngushtë është udha që të shpie në jetë dhe të paktë janë ata që e gjejnë.”21

Ai u kushtoi kohë mëkatarëve, duke thënë: “Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët”22.

Sa për skribët, farisenjtë dhe saducenjtë, Jezusi nuk bëri asnjë lëshim lidhur me dënimin e hipokrizisë së tyre. Paralajmërimet dhe urdhërimet e tij ishin të drejtpërdrejta: “Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat”23. Sigurisht askush nuk do ta akuzonte Shpëtimtarin se nuk i deshte këta skribë e farisenj – në fund të fundit, Ai vuajti dhe vdiq për t’i shpëtuar edhe ata. Por ngaqë i donte, Ai nuk mund t’i linte të binin në mëkat pa i korrigjuar me qartësi. Një vëzhgues shkroi: “Jezusi u dha mësim pasuesve të tij që të bënin siç bëri ai: ta mirëprisnin çdo njeri, por edhe të jepnin mësim rreth mëkatit, ngaqë dashuria kërkon që të paralajmërohen njerëzit për atë që mund t’i lëndojë ata”24.

Nganjëherë, ata që ngrenë një zë paralajmërimi, shpërfillen si paragjykues. Në mënyrë paradoksale, sidoqoftë, ata që shpallin se e vërteta është relative dhe standardet morale janë një çështje e parapëlqimit vetjak, shpesh janë po ata që i kritikojnë më ashpër njerëzit të cilët nuk e pranojnë normën e tanishme të “të menduarit të saktë”. Një shkrimtar iu drejtua kësaj si “kultura e turpit”:

“Në një kulturë faji, ju e dini se jeni i mirë apo i keq me anë të asaj që ndien ndërgjegjja juaj. Në një kulturë turpi, ju e dini se jeni i mirë apo i keq me anë të asaj që thotë komuniteti juaj për ju, qoftë nëse ju nderon apo ju përjashton. … [Në kulturën e turpit,] jeta morale nuk ndërtohet mbi vjiueshmërinë e pandërprerë të së drejtës dhe së gabuarës; ajo ndërtohet mbi vjiueshmërinë e pandërprerë të përfshirjes dhe të përjashtimit. …

… Çdo njeri është vazhdimisht i pasigurt në një sistem moral të bazuar te përfshirja dhe përjashtimi. Nuk ka standarde të përhershme, vetëm gjykim të ndryshueshëm të turmës. Është një kulturë e ndjeshmërisë së tepruar, reagimit të tepruar dhe panikut të shpeshtë moral, gjatë të cilave çdo njeri ndihet i detyruar të përputhet [me moralin e turmës]. … 

Kultura e fajit mund të jetë e ashpër, por të paktën ju mund ta urreni mëkatin dhe prapëseprapë ta doni mëkatarin. Kultura bashkëkohore e turpit gjoja e vlerëson përfshirjen dhe tolerancën, por mund të jetë çuditërisht e pamëshirshme ndaj atyre që nuk janë dakord dhe atyre që nuk përshtaten.”25

I ndryshëm nga kjo kulturë është “shkëmbi [i] Shëlbuesit tonë”26, një themel i qëndrueshëm dhe i përhershëm i drejtësisë dhe virtytit. Sa më mirë është që të kemi ligjin e pandryshueshëm nga Perëndia, me anë të të cilit ne mund të veprojmë për ta zgjedhur vendmbërritjen tonë, sesa të jemi pengje të rregullave të paparashikueshme dhe të zemërimit të turmës së mjeteve shoqërore të informimit. Sa më mirë është që ta dimë të vërtetën sesa të jemi “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje”27. Sa më mirë është që të pendohemi dhe të ngrihemi në lartësinë e standardit të ungjillit sesa të shtiremi se nuk ka të drejtë apo të gabuar dhe të ligështohemi në mëkat e keqardhje.

Zoti ka shpallur: “Zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit prej gojës së dishepujve të mi, të cilët i kam zgjedhur në këto ditë të fundit”28. Si roja dhe dishepuj, ne nuk mund të jemi të paanshëm për këtë “udhë shumë më të lartë”29. Si Ezekieli, ne nuk mund ta shohim shpatën që po vjen mbi tokë dhe të mos “i bie[m] borisë”30. Kjo nuk do të thotë që duhet të trokasim me forcë në derën e të afërmit tonë apo të qëndrojmë në një shesh publik duke thirrur: “Pendohuni!” Vërtet, po ta mendojmë, ne kemi në ungjillin e rivendosur atë që njerëzit e dëshirojnë me të vërtetë thellë brenda tyre. Prandaj zëri paralajmërues në përgjithësi nuk është vetëm i njerëzishëm, por sipas frazës së psalmistit, ai është një “klithm[ë] gëzimi”31.

Analisti redaksional i opinioneve për gazetën Deseret News, Hal Boidi, citoi një shembull se si qëndrimi në heshtje nuk është shërbim për të tjerët. Ai shkroi se, ndërkohë që ideja e martesës është ende një çështje “debati intelektual” mes elitave në shoqërinë amerikane, martesa në vetvete nuk është një çështje debati për ta në praktikë. “‘Elitat martohen, qëndrojnë të martuar dhe sigurohen që fëmijët e tyre t’i gëzojnë përfitimet e një martese të qëndrueshme.’ … Problemi, megjithatë, është se [ata] kanë prirjen të mos predikojnë për atë që bëjnë.” Ata nuk dëshirojnë t’i “detyrojnë” ata të cilëve me të vërtetë mund t’u sillte dobi udhëheqja e tyre morale, por “ndoshta është koha për njerëzit me arsimim dhe familje të forta që ta ndalin paanshmërinë e shtirur dhe të fillojnë të predikojnë për atë që bëjnë për sa i përket martesës dhe të qenit prindër … [dhe] t’i ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre amerikanë që ta pranojnë e ndjekin atë”32.

Ne kemi mirëbesim se veçanërisht ju të brezit të ri, rinia dhe të rinjtë në moshë madhore, mbi të cilët Zoti duhet të mbështetet për suksesin e veprës së Tij në vitet e ardhshme, do t’i përkrahni mësimet e dhëna nga ungjilli dhe standardet e Kishës në mjedise publike si edhe private. Mos i braktisni ata, të cilët do ta mirëpritnin të vërtetën, që të rropaten e dështojnë në padituri. Mos iu nënshtroni ideve të rreme të tolerancës apo frikës – frikës nga bezdia, mosmiratimi apo madje nga vuajtja. Mbajeni mend premtimin e Shpëtimtarit:

“Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”33

Më së fundi, ne jemi të gjithë të përgjegjshëm ndaj Perëndisë për zgjedhjet tona dhe për jetën që jetojmë. Shpëtimtari shpalli: “Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ashtu si unë u ngrita nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga”34.

Duke e pranuar këtë, epërsinë e Zotit, unë ju përgjërohem me fjalët e Almës:

“Dhe tani, vëllezërit [dhe motrat] e mi[a], unë dëshiroj nga pjesa më e thellë e zemrës sime, po, me padurim të madh madje deri në dhembje, që ju t’i … dëboni mëkatet tuaja dhe të mos e shtyni ditën e pendimit tuaj;

Por që ju të përuleni para Zotit dhe të thërrisni në emrin e tij të shenjtë dhe të jeni vigjilentë, dhe të luteni vazhdimisht, që ju të mos tundoheni mbi atë që mund të duroni dhe kështu të udhëhiqeni nga Shpirti i Shenjtë … ;

Të keni besim në Zotin, duke patur shpresë se do të fitoni jetë të përjetshme; duke patur gjithnjë në zemrat tuaja dashurinë e Perëndisë, që të ngriheni në ditën e fundit dhe të hyni në prehjen e tij.”35

Qofshim secili prej nesh në gjendje t’i themi Zotit bashkë me Davidin: “Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh. Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë.”36 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.